| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Saranda-L[Saranda-L] Saranda (Re?)Visited (story in Albanian)Silke Blumbach silke.blumbach at t-online.deSun Jul 23 15:36:43 EDT 2000
Saranda (Re?)Visited Ngula këmbë derisa shokët e mi u mërzitën. Po kësaj here doja absolutisht të shkoja. Megjithatë, me deputetin sarandjot nuk shkova dot më sepse në takimet e lëna nuk kisha arritur dot më kohë, e varur nga shoqëruesit nëpër xhunglën tiranase. Dhe të gjithë poetët sarandjotë që kisha njohur në panairin e librit banonin në kryeqytet dhe nuk kishin ndërmend të ktheheshin buzë Jonit këtyre ditëve. Po Klodiana nga pallati ynë në Allias, nga pallati i të dy Shqipeve, ma shtyri fallin me letra. "Gjithmonë del e vërteta", tha, "si në ëndrrat e mia." Dhe, kur e mbaroi pasjansin: "Ti do të shkosh në Sarandë." Mirëpo, ditët kaluan, dhe nuk u paraqit asnjë engjëll sarandjot me makinë. Kështu më në fund, duke pirë kafe në Këshillin e Republikës, u pajtova për të vizituar Beratin në vend të Sarandës, me deputetin petrelas. Me të dalë prapë në rrugë, ja kë e pamë duke hipur në makinë: deputetin himariot! "A ju bie rasti që të shkoni në Sarandë këtë fundjavë?" pyetën shokët e mi. Ne momentin e pasfundit pata fat, pasi e kisha braktisur idenë e udhëtimit në atë qytet me të cilin prej kohësh ekzistonte një lidhje misterioze dhe të cilin e kisha kënduar në një seri poezish pa e parë fare. Po, tamam në këtë fundjavë deputeti Arbër do t'i çonte gruan dhe beben në Sarandë për një festë familjare. Erdhi dita e madhe, erdhi 10 janari, data që tani e tutje do të kremtoja çdo vit. Fluturimin prapë në vendlindjen time, në kurbetin tim, e kisha shtyer. Saranda ishte më e rëndësishme sesa Gjermania dhe studimet. Perspektiva e udhëtimit hapi një dritare brenda trishtimit tim të pasherueshëm bile në Tiranën time me miqtë e mi besnikë. Dita e madhe: pas një bisede me Ministrin e Informacionit dhe një interviste për televizionin, hipa në makinën e Arbrit bashkë me Jetën dhe Aldin e vockël, dhe ikëm. "Porosi ministrore: kur të ktheheni, merreni rrugën e Rivierës shqiptare. Mrekulli është." Drekë e shijshme në një restaurant të thjeshtë buzë rrugës. Liqene të qelbura vajguri afër Ballshit. Gjirokastra në afërsi ma fsheh bukurinë e saj. Tepelena muret e saja nuk i fsheh. Mbijetojmë Lazaratin pa asnjë të shtënë. Po anash rrugës na pret një burrë me një maskë të zezë mbi fytyrën dhe me një revole të varur në bel dhe na urdhëron të ndalojmë. Pranë tij, një makinë policie. "Ky është polic", më qetëson Arbri. Po më shkon mendja a mos është maskara që e vodhi makinën policore për t'i mashtruar kalimtarët. Ngjyra marramendëse e Vjosës pa asnjë fabrikë kimike në afërsi për të lëshuar bojë në ujë. Vjosa bëhet një vijë ngjyre turkis mbi zemrën time. Fshatra minoritarë midis maleve dhe në mes të gurëve. Bujq që punojnë pa traktor, pa makineri, me vegla të thjeshta në fushat dhe tarracat. Do të shkoja në Sarandë. Do të kthehesha në Sarandë!? Sa njerëz më kishin thënë: "Në ndonjë jetë të mëparshme ti ke qenë shqiptare" ose bile: "ti ke qenë sarandjote". Kur isha në Shqipëri për herë të parë, herën e fundit, dikush më zhvilloi një histori të tërë, tepër domëthënëse, me kuptim të thellë dhe një vizion të ndritshëm. Ndonëse ky njeri u paraqit si egoisti dhe manipulues më i theksuar që kam njohur, ky vizion më ngeli në shpirt, duke forcuar edhe më shumë lidhjen time me Sarandën. Po Saranda e vërtetë si do të ishte? A vallë ekzistonte në afërsi të Sarandës ky plazh ku dielli çdo ditë vizatonte mbi detin një gjysmë rrote, plazhi që disa herë e kisha parë me syrin e tretë, të brendshëm, gjatë meditimeve? A do t'i njihja rrugët ose së paku vijat e pejzazhit, sikur të kthehesha në vendin e fëmijërisë së shpirtit tim? A do të ekzistonte akoma, a kishte ekzistuar në të vërtetë kjo shtëpi e bardhe peshkatari me një çati si në Portugali, ku dikur, siç u tha, do të kisha jetuar një jetë të thjeshtë, të lumtur dhe kuptimplotë? Këto mendime ma mbushnin mendjen kur e shpova Arbrin me pyetje rreth historisë së Sarandës, sidomos në mesjetë. Veç nuk iu përgjigj pyetjes se a martoheshin barinjtë me peshkatarët, por më tregoi që vetëm para pak ditësh ishte themeluar në Sarandë një qendër të kulturës gjermane. Çasti i udhëtimit nuk mund të ishte më i përshtatshëm. Kjo nuk ishte rastësi. Saranda më thërriste. Kur kalonim nëpër gjarpërinjtë prej asfalti midis kodrave të fundit, u përpoqa ta zbrazja mendjen. Të mos kisha asnjë parashikim të përcaktuar që mund ta turbullonte përshtypjet e freskëta që do të më sillnin shqisat. Por nuk i dëbova dot nga koka mendimet për Sarandën e vjetër, Sarandën e ëndërruar, Sarandën e legjendës paradoksalisht vizionare të një njeriu keqdashës. Udhëtimin e kisha nisur me tërë këmbënguljen sepse isha në kërkim të rrënjëve të mundshme të dashurisë sime misterioze për Shqipërinë dhe sidomos për Sarandën. Në kërkim të vetvetes, pra. "Mbas kësaj kodre ndodhet Saranda", paralajmëron Arbri ... Pemë vijnë dhe na shoqërojnë, një pas një, duke i dhënë rrugës një dukje solemne. Po deti, deti, më në fund, dashuria ime e dytë natyrore pas diellit, para Vjosës. I qetë është dhe i kufizuar nga të gjitha anët. Ndërtesa dhe hotele që më bëjnë të mendoj: "Kjo nuk është Shqipëria." Saranda dallon nga të gjitha qytetet shqiptare që pashë. Saranda është mbretëreshe. Saranda qenka Saranda ime, Saranda e bukur e sotshme, që më thith tërë vëmendjen. Sarandën e ndonje ekzistence të mëparshme e lashë prapa kodrës së fundit. Tani vetëm kanë rëndësi pikat e dritës së fundit të ditës mbi detin, Qendra e re e Kulturës Gjermane me të cilën do të bashkëpunoj si dhe miqtë e mi të rinj që më presin dhe që do të më qerasin me kafe dhe këngë polifonike. (c) 2000 Liria (Silke Blumbach) -------------- next part -------------- A non-text attachment was scrubbed... Name: silke.blumbach.vcf Type: text/x-vcard Size: 365 bytes Desc: Visitenkarte f?r Silke Blumbach Url : http://www.alb-net.com/pipermail/saranda-l/attachments/20000723/58d8cd05/attachment.vcf
More information about the Saranda-L mailing list |