| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Prishtina-L[Prishtina-l] Lajme: Komplikohet fati i Gjykatës Ndërkombëtare t =?iso-8859-1?Q?=EB_Krimeve_dhe_i_misioneve_paqeruajt= EBse?=kosova at jps.net kosova at jps.netTue Jul 9 02:48:25 EDT 2002
Komplikohet fati i Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve dhe i misioneve paqeruajtëse Isuf Hajrizi (Uashington, 2 korrik, 2002) Per gazeten Zeri, Prishtine Lindja e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve (GJNK) të hënën me datën 1 korrik, 2002 do të duhej të ishte një nga ngjarjet më të mëdha në botë për demokracinë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Mirëpo, opozita e SHBA-së (sistemi i së cilës ironikisht është i bazuar po në këto dy dukuri) ndaj një gjykate të tillë e ka komplikuar situatën deri në atë pikë sa që rrezikohet ekzistenca e këtij organi ndërkombëtar që nga dita e parë e ekzistencës së saj. Uashingtoni e ka kundërshtuar Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve nga frika se amerikanët do të gjykoheshin para këtij organi nën pretekste me motive politike ndaj SHBA-ve. Administrata amerikane duket se është më e shqetësuar për akcionet amerikane në luftrat që nga koha e Vietnamit dhe Koresë dekada më parë deri tek intervenimi në Kosovë para tri vjetësh se sa për veprimet që do të ndërmerr në të ardhmën. Çka u duk në fillim si një çështje teknike kur Amerika në muajin prill zyrtarisht u disatncua nga kjo gjykatë, ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë se opozita e Amerikës ndaj Gjykatës do të ketë pasoja në disa fusha. Në afatin e shkurtër viktimë mund të bie operacioni paqeruajtës në Bosnjë, kurse në planin me afat të gjatë, viktimë mund të bie edhe vet gjykata ndërkombëtare për krimet e luftës bashkë më operacionet paqeruajtëse duke përfshirë edhe atë të Kosovës. Përkundër xhoksrrahjeve të ndërkombëtarëve për efektshmërinë që mund të ketë Gjykata, në realitet ajo mvaret edhe materialisht edhe ushtarakisht nga Uashingtoni për ti jetësuar ligjet e saja. Edhe pse në votën e së dielës ishte në pytje misioni policor ndërkombëtar në Bosnjë nën komandën e OKB-së ku shërbejnë ndër të tjerë edhe 46 amerikanë, pyetjet plasojnë se çfarë do të ndodhte me forcat e NATO-s po që se Presidenti Bush do të vendoste se nuk dëshiron që edhe më tutje ti mbështes SFOR-in në Bosnjë dhe dhe KFOR-in në Kosovë nëse anëtarët e OKB-së refuzojnë të "binden" ndaj kërkesave amerikane? Vendimet e NATO-s të hënën në Bruksel se askush nga anëtarët nuk mund të tërhiqej nga këto misione në mënyrë të njeanëshme është inkurrajuese. Por analistët kanë frikë se në se administrata amerikane vendos të tërheq trupat e veta nga Bosnja dhe Kosova, operacionet e NATO-s mund të shpërbëhen branda natës. "Asnjë shtet në NATO nuk e ka forcën për ta mbajtur misionin të pacënuar në mungesë të pranisë së Uashongtonit," thotë një analist amerikan i Ballkanit. Kur diplomatët amerikan e kundërshtuan vazhdimin e misionit paqeruajtës në Bosnjë nën udhëheqjen e OKB-së shumëkush ishte i bindur se Uashingtoni vetëm sa po bënte zhurmë diplomatike sepse në realitet nuk do të tërhiqej nga Bosnja. Mirëpo kur përfaqësuesi amerikan në OKB Xhon Negroponte të dielën nuk u luhat kur e përdori veton në Këshillin e Sigurimit për ta bllokuar vazhdimin e misionit në Bosnjë nën madatin e OKB-së, diplomatët ndërkombëtar u hodhën në veprim për ta bindur Uashingtonin që ta ndërronte mendjen. Zyrtarët në kryeqytetin amerikan u pajtuan që ta vazhdojnë misionin vetëm edhe për tri ditë (deri sot, e mërkurë) ndërsa kërkohej rrugëdalje. Edhe aleatët më të besueshëm si Britania e Madhe kanë deklaruar se nuk mund ta arsyetojnë shqetësimin amerikan duke thënë se Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve ka mjaft "masa mbrojtëse" për të mos lejuar persekutimet me motive politike për të cilat është ankuar Uashingtoni. Londrës iu ka bashkangjitur edhe Parisi duke insistuar që Këshilli i Sigurimit të mos e zbusë qëndrimin nën trysninë amerikane për tju dhënë amerikanëve imunitet duke ngulur këmbë që administrata amerikane të zbrapset ose të tërheq të 46 policët e vet nga Bosnja nën komandën e OKB-së por të mos e bllokojë tërë misionin. Në të njejtën kohë diplomatët amerikanë jo vetëm që refuzuan që të lëshojnë pe, por ata u hodhën në kundërsulm për ta bindur OKB-në dhe anëtarët e gjykatës se ishte e domosdoshme që Amerika të lirohej nga përgjegjësia e Gjykatës. "Ne mbetemi me shpresë se do ta gjejmë një zgjidhje për këtë përndryshe qëndrojmë prapa kërkesave tona," ka deklaruar për Zërin një zëdhënës amerikan në misionin e OKB-së në Nju Jork. Ndërkohë, administrata e Presidentit Bush është kritikuar ashpër nga shtypi ndërkombëtar dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për të ashtuquajturën "politikë vetiake" ndërkohë që Këshilli i Sigurimit është inkurrajuar që të mos dorëzohet para trysnisë amerikane. Organizata ndërkombëtare më me ndikim për të drejtat e njeriut Hjumen Rajts Uoç me seli në Nju Jork me anë të një deklarate për shtyp të hënën e ka përgëzuar Këshillin e Sigurimit duke thënë se ky organ i OKB-së "ka bërë mirë që ka refuzuar që të nënshtrohet" para Uashingtonit. Drejtori i kësaj organizate Riçerd Diker ndërkohë e ka inkurrajuar Uashingtonin që ta rishqyrtoi qëndrimin e tij dhe ti bashkangjitet grupit prej 74 shteteve në botë që e kanë pranuar Gjykatën dhe u janë nënshtruar ligjeve të saj. SHBA-të e kanë filluar diskutimin e problemit të forcave paqeruajtëse dhe efektin e Gjykatës mbi operacionet në fjalë në muajin maj kur po debatohej misionin paqeruajtës në Timorin Lindor. Por me që mandati i misionit në Bosnjë i cili kërkon miratim për çdo gjasht muaj u paraqit për vazhdim para në kohen kur po jetësohej Gjykata të hënën me 1 korrik, SHBA-të u gjendën para aktit të kryer kur kërkohej zbatimi i politikës së adminstratës amerikane që është kundër Gjykatës. Ambasadori Negroponte ka refuzuar të marrë përgjegjësi për problemet e shkaktuara duke thënë se "ne nuk e kemi fajin për asnjë nga (këto) probleme." "Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të marrin pjesë në operacionet paqeruajtëse; por Shtetet e Bashkuara, garantuese kryesore të paqes dhe sigurisë në glob dhe anëtare të themelimit të Kombeve të Bashkuara, nuk do ta pranojnë juridikcionin e GJNK-së mbi paqeruajtësit që kontribuon për operacionet e autorizuara dhe të themeluara nga OKB." Një deklarate të tillë i kundërpërgjigjet me të njejtin ton agresiv gazeta britanike Financial Times në një komnet të redaksisë ku thuhet se administrata e Presidentit Bush "vazhdon ta manifeston qëndrimin e Uashingtonit se drejtësia ndërkombëtare vlen vetëm për të tjerët por jo edhe për amerikanët." Përkundër grindjeve emocionale në ditët e fundit midis diplomatëve, qeverive dhe shtypit, megjithatë pritet një marrëveshje qe do ti kënaqte kërkesat amerikane. Në të njejtën kohë pritet edhe debat i fortë rreth kësaj teme në Kongres pasi që legjislatorët të kthehen në Uashington pas pushimit të 4 korrikut, ditës së pavarësisë amerikane. Ky shkrim mund te ribotohet me kusht qe te theksohet autori dhe gazeta Zeri, Prishtine.
More information about the Prishtina-L mailing list |