Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Prishtina-L

[Prishtina-l] Lajme: SHBA-të vazhdojnë kërcënimet kundër "qendrës së mbrapshtisë"

kosova at jps.net kosova at jps.net
Wed Feb 6 04:46:16 EST 2002


SHBA-të vazhdojnë kërcënimet kundër "qendrës së mbrapshtisë"

Isuf Hajrizi (Uashington, 3 shkurt, 2002)
Per gazeten Zeri, Prishtine

Më të ardhur në pushtet, administrata e Presidentit Xhorxh Bush ishte e
bindur se ndërtimi i një sistemi mbrojtës për Amerikën mjaftonte për ta
siguruar këtë supërfuqi botërore nga ndonjë "shtet i papërgjegjshëm." Ideja,
sipas kësaj administrate, ishte që Amerika të arrinte nivelin e
paprekshmërisë dhe gradualisht të shkëputej nga përgjegjësitë për të qenë
"polici i botës."

Vetëm një vit më vonë, e njejta administratë tani këndon një melodi krejt
tjetër. Ngjarjet e shtatorit të kaluar e kanë bindur administratën amerikane
se "mburoja mbrojtëse" ndaj raketave ballistike është e pa efekt kur armiku
më i rrezikshëm i Amerikës mund të vjen nga vet njerëzit që jetojnë brenda
saj të cilët kanë ardhur nga shtete që synojnë shkatërrimin e shoqërisë
amerikane.

Prandaj, është bindur tash administrata amerikane, krahas ndërtimit të një
sistemi i cili do ta pengonte depërtimin e ndonjë rakete me ngarkesë
bërthamore nga ndonjë shtet i "papërgjegjshëm," në të njejtën kohë duhet
kaluar në sulm për t’i anuluar mundësitë e këtyre shteteve për të prodhur,
shitë dhe për të lancuar armë bërthamore.

Në fjalimin e tij para Kongresit amerikan javën e kaluar, Presidenti Bush
publikisht iu kërcënua tri shteteve aziatike, Iranit, Irakut dhe Koresë
Veriore duke dhënë të kuptohet se këto tri shtete mund të ishin subjekt i
një sulmi amerikan po që se ato nuk heqin dorë nga prodhimi i arëmëve
bërthamore dhe financimi i terroristëve.

Duke veçuar këto tri shtete si "qendër e mbrapshtisë," Bush gjithashtu dha
shenjë se lufta amerikane kundër terrorizmit global nuk do të përfundonte në
Afganistan por do të zgjerohej. Kërcënimet që bënte presidenti amerikan
ishin aq serioze, sa që shumë kush i mori ato si retorikë e një udhëheqësi
që është i njohur të shprehet pa e menduar mirë atë që e thotë. Pritej që të
nesërmen Shtëpia e Bardhë ta zbuste kërcënimin e presidentit duke thënë se
ai vërtetë nuk e kishte thënë atë që e kishte thënë. Mirëpo ngritja e
nivelit të kërcënimeve kundër këtyre shteteve nga Bushi në ditët që pasuan
tregoi se Shtëpia e Bardhë e kishte seriozisht.

Sipas presidentit amerikan, SHBA-të e kanë për detyrë që t’i shpartallojnë
ato shtete që u "japin terroristëve veglat në mënyrë që ata t’i realizojnë
urrejtjet e tyre." Krahas sulmit kundër qeverisve dhe grupeve që strehojnë
terroristët – që sipas Bushit janë me mijëra – Shtëpia e Bardhë do të synojë
në mbështetjen dhe sjelljen në pushtet të qeverisev pro-amerikane si dhe në
përhapjen e "vlerave amerikane" nëpërmjet të një sistemi të përsosur
komunikimi për ta ndryshuar qëndrimin negativ që disa shtete në botë kanë
ndaj Uashingtonit. Sidomos në fokus do të jenë shtetet e botës islamike,
disa nga të cilët e urrejnë Amerikën.

Emërimi i Iranit, Irakut dhe Koresë Veriore si caqe të mundshme të sulmit
amerikan ka shkaktuar shqetësim si ndërkombëtarisht ashtu edhe në Amerikë.
Tek disa ekziston frika se Presidenti amerikan, zgjedhja e të cilit në këtë
pozitë ishte ndër fushatat më të diskutueshme në historinë e Amerikës, mund
ta fillojë luftën e tretë botërore -- kësaj here në Azi. I inkurrajuar nga
suksesi në Afganistan dhe rejtingu mbi 80 përqind i miratimit për mënyrën se
si ai e ka udhëhequr deri me tash luftën, Bush ka konstatuar se qëndrimi i
tij i ashpër kundër shetetve që nuk ia duan të mirën Amerikës gjejnë
mbështetje në mesin e votuesëve, dhe përkundër faktit se ekonomia amerikane
gjatë sundimit të tij gjithnjë ka rënë në "depresion," ai vazhdon të gëzoi
ditë të mira si president për shkak të luftës.

Burimet diplomatike dhe ushtarake në Uashington janë përpjekur që ta zbusin
publikisht kërcënimin e presidentit duke thënë se përkundër faktit se Irani,
Iraku dhe Korea Veriore janë veçuar si caqe për sulmin e ardhshëm amerikan,
nuk do të thotë se një sulm i tillë është iminent. Ata kanë theksuar
mundësitë tjera që të ndëshkohen këto shtete dhe të tjerat po që se
insistojnë në zhvillimin e armëve bërthamore dhe mbështetjen e grupeve
terroriste. Trysnia diplomatike dhe sankcionet ekonomike janë dy mundësi
tjera përpos sulmit me raketa, kanë thënë burimet në fjalë.

Edhe pse identifikimi i Irakut, Iranit dhe Koresë Veriore ka ardhur si
befasi për disa, Bushi është përpjekur që ta sqaroi vednimin e tij: "Korea
Veriore është një regjim që po armatoset me raketa dhe armë të shkatërrimit
në masë, ndërsa qytetarët e saj vuajnë nga uria." Ndërsa për Irakun ai "ka
mbi një dekadë që vazhdon që ta theksojë armiqësinë ndaj Amerikës dhe ta
mbaështesë terrorizmin. Regjimimi i Irakut është angazhuar për përpunimin e
antraksit dhe gazit nervor si dhe armëve bërthamore
"

Më befasues ishte fakti i emërimit të Iranit si "qendër e së keqes" nga
Bushi. Më këtë shtet adminsitrata amerikane pat filluar të vëndos
marrëdhënje të mira në fillim dhe ky afrim vazhdpoë edhe pas fillimit të
sulmit kundër Talibanit dhe Al Kajdës në Afganistan nga Uashingtoni. Irani i
pat ofruar ndihmë Amerikës në rast se pilotët e saj qëllohen apo rrëzohen
mbi Afganistan gjatë sulmeve si dhe e ka mëbshtetur qeverinë e re të emruar
nga SHBA-të në takimin e Bonit muajin e kaluar.

Administrata amerikane e ka ndërruar qëndrimin ndaj Iranut në ditët e fundit
pasi që Izraeli ka interceptuar një anije plotë armë që ishte nisur në
drejtim të Gazës për palestinezët. Jerusalemi dhe Uashingtoni kanë
konstatuar se armët kanë ardhur nga Irani, dhe kjo e ka futur atë në listën
amerikane të të "kqinjëve."

Krahas këtij incidenti, Amerika ende është e bindur se Irani është i
armatosur me raketa ballistike dhe teknologji shtesë bërthamore me të cilat
është furnizuar nga Rusia, Kina dhe Korea Veroire, dhe si i tillë ai paraqet
një rrezik ndërkombëtar, sidomos kundër Amerikës.

Edhe pse njerëzit përreth Bushit përpiqen që ta zbusin retorikën e tij
kërcënuese, vet presidenti vazhdon që ta ngrisë temperaturën ndaj shteteve
në "listën" që tani janë nën mikroskopin amerikan.

"Njerëzit pyesin, çfarë do të thotë (ky kërcënim). Kjo thjeshtë do të thotë
që duhet t’i rregullosh gjërat brenda shtëpisë
do të thotë kujdes të mos
tentosh që ta kërcënosh Amerikën dhe miqtë dhe aleatët tonë, përndryshe
drejtësia e kombit (të Amerikës) do të bie edhe mbi ta," ka deklaruar
presidenti amerikan.

Deklaratat e tilla të presidentit, kanë sqaruar zëdhënësit e qeverisë
amerikane, sinjalizon ndryshimin e qëndrimit amerikan se si do të shikohet
bota tani e tutje nga këndëvështritmi i Uashaingtonit. Në vend që të pritet
që rreziku t’i kërcënohet Amerikës, tani e tutje, Amerika do ta zbulojë
rrezikun dhe do ta sulmojë atë pa arritur në Amerikë.



Ky shkrim mund te ribotohet me kusht qe te theksohet autori dhe gazeta Zeri,
Prishtine.




More information about the Prishtina-L mailing list