Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Prishtina-L

[Prishtina-l] Lajme: Demokracia, sistem i preferuar në botë, për Kosovën një ditë do të thotë pavarësi

kosova at jps.net kosova at jps.net
Wed Jun 28 11:05:16 EDT 2000


Demokracia, sistem i preferuar në botë

Për Kosovën një ditë do të thotë pavarësi

Isuf Hajrizi (Uashington, 27 qershor, 2000)
Per javoren Zeri, Prishtine

Të hënën, me 26 qershor, Sekretarja amerikane e shtetit Medllin Ollbrajt u
mbajti ligjeratë homologëve të saj që kishin ardhë nga 100 vende të botës në
Varshavë të Polonisë për të rrahur ide për zhvillimin e mëtutjeshëm të
demokracisë.  Në të ashtu-quajturën Konferencë të Ministrave që kishte për
qëllim hulumtimin e rrugës  “Drejt një komuniteti të demokracive,” sipas
zyrtarëve amerikanë  synohej “përforcimi i përpjekjeve tona kolektive për ta
zgjeruar demokracinë ku ajo ekziston dhe për ta mbrojtur aty ku ajo është e
kërcënuar.”
   Krahas Konferencës së Ministrave, në Varshavë gjithashtu u mbajt një
“Forum botëror mbi demokracinë” i organizuar nga një fondacion polak, Stefan
Batory dhe nga  fondacioni Freedom House i Shteteve të Bashkuara.
Organizimi i këtij forumi nga këto dy shtete ka edhe domëthënje simbolike.
    Polonia ishte shteti i parë që sakrifikoi vetën për të inicuar
demokracinë në Evropë, gjë që  sekretarja amerikane ia kishte lakmi këtij
shteti, dhe, siq tha ajo, do të dëshironte që edhe vendlindja e saj,
cekosllovakia, të bënte të njëjtën sakrificë, por që nuk e bëri. Kurse
Shtetet e Bashkuara sot janë udhërrëfyese të botës në sistemin demokratik të
cilat i kanë vënë detyrë vetes që këtë sistem sa më shpejt ta përhapin kudo.
   Gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara ishin të kufizuara në
përhapjen e demokracisë nga realiteti i një bote dy-polare.  Sot realiteti
qëndron në atë se insitucionet globale nuk mund t’i përmbushin synimet e
veta po qe se ato nuk ndjekin rregullat e demokracisë.

Cka është demokracia?

Shikuar nga një anë, demokracia është ndoshta sistemi më i keqkuptuar -
kryesisht nga popujt që dalin nga një sistem diktatorial.  Demokracia është
e keqkuptuar sepse regjimet totalitare dhe qeveritë diktatoriale ushtarake
vazhdimisht synojnë përfitimin e simpatisë publike duke bartë parulla
demokratike por duke vepruar në mënyrë diktatoriale.  Padyshim se shqiptarët
si shum popuj të ish diktaturave e kanë shijuar dhe vazhdojnë ta shijojnë
edhe sot e kësaj dite një “demokraci” të tillë.   Babai i kombit amerikan,
ish presidenti Abraham Lincoln ka lënë pas shprehjen e njohur se demokracia
është një qeveri “e popullit, nga populli për popullin.”  Thënë
shkurtimisht, studjuesit pajtohen se “demokracia është institucionalizim i
lirisë.”
   Mirëpo për ata që nuk kanë përvojë demokratrike mendohet se ky është një
sistem që cdo gjë lejohet dhe nuk kërkohet përgjegjësi për veprimet e
qytetarëve dhe zyrtarëve.  Shpesh mendohet se në demokraci pasuria është e
garantuar dhe për te nuk është e nëvojshme të punohet shum, sepse “paraja
rritet në pemë.”
   E vërteta, megjithatë, është shum largë nga këto paragjykime.
   Predikuesit politikë shpesh përmendin tri komponente që e karakterizojnë
demokracinë:  përgjegjësia, liria e të shprehurit dhe zbatimi i ligjit.
Këtyre pastsaj u shtohen edhe nëntituj si votimet e lira dhe pranimi i
rezultatit të zgjedhjeve; garantimi i diskutimit të lirë; garantimi i
shpërndarjes së lajmeve dhe komenteve të pacenzuruara, sovraniteti i
popullit, të drejtat e minoriteteve, garantimi i të drejtave të njeriut,
barazia para ligjit, kufizimet kushtetutare mbi qeverinë, pluralizmi social,
ekonomik dhe politik.  Mirëpo guri i themelit mbi të cilin pushon demokracia
është kushtetuta.  Në demokraci kushtetuta e një vendi është ligji suprem i
atij vendi të cilit i nënshtorhet si presidenti ashtu edhe fshatari.
   Në librat e historisë thuhet se demokracia e ka zanafillën në Greqinë e
vjetër, ku ajo u paraqit për herë të parë para 2000 vjetësh.  Përpjekjet për
një demokratizim të shoqërisë u paraqiten edhe në vendet e tjera botërore
duke përfshirë edhe Indinë.  Mirëpo ishte Greqia ku demokracia u vu në provë
serioze, por e cila më vonë u shkatërrua dhe vendin e saj e zunë qeveri me
sisteme autokrate.
   Mirëpo kaloi një kohë e gjatë para se demokracia të merrte formën e sotme
qeverisëse.  Zhvillimi i saj gradual – dhe në fund triumfal – u paraqit si
sistem pas shumë zhvillimesh shoqërore duke filluar me nënshkrimin Magna
Kartës në Londër në vitin 1215, deri te revolucioni francez dhe ai amerikan
në shekullin e 18 dhe vazhdoi me përhapjen e saj në Evropë dhe në Amerikën
Veriore në shekullin 19.  Megjithatë, ishte shekulli 20, në të cilin u
zhvillua ideja e demokracisë si formë normale e qeverisjes.
   Sot jetojmë në një kohë kur erërat e demokracisë dhe lirisë kanë
përfshirë globin.  Evropa Lindore ka flakur hekurat e sistemit totalitar të
komunizmit në të cilin kishte jetuar gati një gjysmë shekulli, kurse
republikat e ish Bashkimit Sovjetik po përpiqën që ta zëvëndësojnë regjimin
komunist të afër 75 vjetëve me një rregull tjetër demokratik.  Në anën
tjetër, Amerika Jugore dhe ajo Veriore, pothuaj se janë shdërruar në
hemisfera të demokracisë; Afrika po përjeton një reformë të paparë
demokratike; reforma të reja demokratike zënë vend edhe në Azi.  Mendimtarët
politkë tash e pranojnë se nuk kishin të drejt kur deklaronin se “demokracia
liberale” ishte një fenomen që mund të zhvillohej vetëm në vendet
perëndimore dhe “kurr nuk mund të zinte rrënjë në vende të tjera.”
   Është karakteristike se qytetarët që jetojnë në një sistem demokratik e
shijojnë të drejtën e lirisë personale, por në të njëjtën kohë ata mbajnë
përgjegjësinë të bashkohen më të tjerët për ta latuar të ardhmën mbi bazën e
vlerave themelore të lirisë dhe vetëqeverisjes.
  Popujt në disa shtete që kanë nxjerr kokën nga dritarja për të shijuar
demokracinë kanë vërejtur se ajo përkundër përparësive të mëdha, nuk është
edhe aq e lehtë për t’u realizuar. Në shtetet e Evropës Lindore, përfshirë
Shqipërinë nuk është e rrallë të dëgjohen pëshpëritje nostalgjike për “kohën
e diktaturës.”  Kjo nostalgji për “sistemin e vjetër” ka të bëjë më dy
realitete kryesore: vështirësitë ekonomike dhe më mendimin që rrejdh si
pasojë e kësaj vështirësie se gjoja “sistemet jodemokratike janë më të
suksesshme në zhvillimin e ekonomisë.”
   Ata që mendojnë kështu kanë parasysh shtetet si Korea Jugore, Singapuri
dhe Kina si shtete autokratike por me një sistem ekonomik në rritje.  Mirëpo
kritikët e kësaj teorie marrin shembull një shtet të quajtur Bostvanë në
Afrikë, i cili ka arritë rritje më të madhe ekonomike në botë dhe i cili
shtet me dekada ka qenë dhe është edhe sot shembull i një demokracie të
mirëfillt.

Zgjedhjet demokratike, shtyllë e demokracisë

Sivjet janë mbajtur zgjedhje demokratike në në në disa shtete nëpër botë
dikur me sisteme diktatoriale; zgjedhje të ngjajshme janë mbajtur edhe në
disa nga ish republikat jugosllave dhe po sivjet do të mbahen zgjedhje në
Kosovë e Shqipëri.  Sipas studjuesve perëndimorë më pervojë demokratike,
zgjedhjet janë shtylla e inistitucioneve demokratike.  Pse? Sepse ne
demokraci, “pushteti i qeverisë rrjedh vetëm nga vullneti i të
 qeverisurëvë,” pra nga populli.
   Xhinë Kirkpatrik, studjuese dhe ish ambasadore e Shteteve të Bashkuara në
OKB, ka ofruar këtë sqarim për zgjedhjet:  “Zgjedhjet demokratike nuk janë
thjeshtë simbolike…Ato janë garuese, periodike, gjithëpërfshirëse dhe
definitive.”
   Garuese sepse partitë që luftojnë njëra tjetrën, apo më mirë
përfaqësuesit e partive në garë duhet të gëzojnë lirinë e fjalës, të drejtën
e grumbullimit.
   Zgjedhjet janë periodike, sipas Kirkpartik, sepse në demokraci nuk
zgjedhen diktatorët apo presidentët që do të mbetën në postin e tyre gjatë
tërë jetës.  Zyrtarët e zgjedhur përgjigjën para popullit dhe ata
kohë-pas-kohe duhet të kthehen tek votuesit për të kërkuar mandat te ri për
ta vazhduar perfaqësimin e tyre në insitucionet qeveritare.
   Zgjedhjet janë gjithëpërfshirëse, thotë Kirkpatrik, sepse ato duhet të
përfshijnë një masë të gjërë të popullatës kur votohet për një qeveri.  Një
qeveri e zgjedhur nga një grup i vogël njerëzish nuk përbën zgjedhje
demokratike.  Në Shtetet e Bashkuara për shembull kur u nënshkrua kushtetuta
për herë të parë në vitin 1787, vetëm pronarët e tokave kishin të drejt
vote.  Kjo praktikë u hoq në shekullin e 19, kurse femrat e fituan të
drejtën e votës tek në vitin 1920.  Kurse zezakët, për shembull, e fituan të
drejtën e votës në vitet e 60-ta, ndërsa gjenerata e re prej moshës 18
vjecare fitoi të drejtën e votës në vitin 1971.  Përpara mosha më e re me të
drejtë vote ishte 21.
   Zgjedhjet janë definitive, sepse ato e përcaktojnë udhëheqjen e një
qeverie, e cila pas zgjedhjeve demokratike mban pushtet të plotë dhe nuk ka
mundësi të konsiderohet “kukull.”  Zgjedhjet, megjithatë, nuk janë të
kufizuara vetëm në zgjedhjet e kandidatëve.  Ato mund të përdorën në
përcaktimin e politikës dhe për fatin e popullatës në situata të ndryshme.
Votime të tilla quhen referendume dhe shprehin vullnetin e përgjithshëm të
popullit.
   Kjo pikë na sjell në situatën e Kosovës.
   Po qe se Shtetet e Bashkuara vërtetë besojnë në demokraci (e që për këtë
as që duhet të dyshohet) dhe po qe se ato në Ballkan insitojnë në mbjelljen
e demokracisë (e që nuk ka dyshim se synojnë një gjë të tillë) atëherë
politika e Uashingtonit si dhe kryeqyteteve tjera perëndimore nuk ka se si
të mos e pranojë një ditë referendumin e shqiptarëve të Kosovës për
pavarësi.
    Para se të largohej nga Polonia të martën, Sekretarja Ollbrajt
parashtroi një varg pyetjesh që homologët e saj bashkë me te të vendosin në
të ardhmën:
- a të krijohet një këshill demokratik zyrtar apo jozyrtar në OKB dhe
agjencitë tjera me karakter ndërkombëtar për të përmirësuar efikasitetin e
aktiviteteve pro-demokratike?
- si të inkurrajohen institucionet ndërkombëtare financiare si dhe qeveritë
për ta shqyrtuar seriozisht temën se cilat janë përparësitë e demokracisë?
- Në cfarë mënyre të ndihmohet hapja e  insiticioneve multilaterale përmes
rritjes së konslutimeve me organizatat joqeveritare për të sjell në jetë një
process më transparent të marrjes së vendimeve?
- si të përmirësohet efikasiteti i aktiviteteve pro-demokratike në një shtet
ku procesi demokratik është seriozisht i rrezikuar?


Ky shkrim mund te ribotohet me kusht qe te theksohet autori dhe revista
Zeri, Prishtine.





More information about the Prishtina-L mailing list