Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: NYC-L

[NYC-L] Praktika ne Shqiperi per studentet shqiptare jashte

endri deliu endrid at gmail.com
Sat Jun 11 14:42:15 EDT 2005


Të dashur studentë,

Që prej 15 vjetësh kur Shqipëria u bë tashmë një vend i hapur me botën
një numër përherë e më i madh të rinjsh nisën të zgjedhin vendet
perëndimore për të kryer studimin e tyre. Studentët shqiptarë janë
tashmë ndër më të pranishmit kudo në Europë dhe në Amerikën e Veriut.
Ata përbëjnë sot një nga shpresat më të mëdha të vendit për të
ardhmen. E gjithë eksperienca dhe dija që ata sot po grumbullojnë në
universitetet më të mira te botës, nëse do të praktikohej në Shqipëri,
do t'i jepte vendit një impuls të jashtëzakonshëm zhvillimi. Kjo për
shkak edhe se studentët shqiptarë, kanë provuar gjithandej ku kanë
studiuar, se radhiten ndër më të aftët dhe kompetitivët. Ky kapital
kaq i madh intelektual, do të ishte boom-i i vërtetë i zhvillimit të
vendit. Por fatkeqësisht, pas disa vitesh në perëndim, shumë të rinj
shqiptarë, i shkëpusin lidhjet me vendin e tyre duke humbur çdo
kontakt me vështirësitë që ai kapërcen apo edhe me lehtësitë e reja që
hapen përditë për të arsimuarit jashtë dhe mundësitë që ata të
zbatojnë në mënyrë të dobishme por njëkohësisht edhe fitimprurëse për
ata vetë, dijet e tyre në shtëpinë e tyre.

Në këtë kontekst Rrjeti Internacional i Shoqatave Studentore Shqiptare
Albstudent (www.albstudent.net) dhe Mjaft Foundation
(www.mjaftfoundation.org) kanë iniciuar sëbashku projektin "Praktika
2005" (www.praktika-online.com) nën moton "Hapësira rikthimi".
Projekti mundësohet nga mbështetja e Ambasadës Gjermane në Tiranë në
kuadër të Paktit të Stabilitetit dhe nga Ministria e Kulturës Rinisë e
Sporteve. Ky projekt inovativ do të shërbejë për të organizuar kthimin
në atdhe të studentëve të talentuar që studiojnë jashtë, duke u dhënë
atyre mundësinë të njohin realitetin e punës në institucionet
shtetërore e firmat e mëdha shqiptare duke kryer praktika në to si dhe
duke u dhënë mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre akademike duke i
zbatuar ato në praktikë. Ne po ndërmjetësojmë në mënyrë të suksesshme
me shumë institucione qendrore shqiptare apo kompani nga më të mëdhatë
në vend, që ato të çelin dyert për studentët në perëndim për të kryer
praktikën në Shqipëri. Kryerja e një praktike do të ndihmonte
drejtpërdrejtë këta studentë në krijimin e kontakteve me punëdhënës të
ndryshëm dhe në fillimin e një karriere të suksesshme në atdhe pas
diplomimit të tyre.

Aktualisht ofrohen praktika për studentët shqiptarë të cilët studiojnë
jashtë nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Drejtësisë,
Avokati i popullit, GTZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Teknik),
Banka Popullore, Instituti i Studimeve Bashkëkohore etj. Shumë shpejt
do të publikohen dhe vendet që stafi i projektit ka arritur të
ndërmjetësojë pranë UNDP-së, Ministrisë së Financave dhe pranë
institucioneve të tjera shtetërore shqiptare.

Të gjitha informacionet rreth këtij projekti si dhe përshkrimi i
praktikave, mundësia e aplikimit online, organizatorët, mbështetësit
etj, ju mund t'i gjeni tek faqja http://www.praktika-online.com. Kjo
faqe do të pasurohet vazhdimisht në javët e ardhshme me informacione
mbi vende të reja praktikash etj.

Stafi organizator i projektit
www.praktika-online.com



More information about the NYC-L mailing list