Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Korca-L

[Korca-L] Bora (tregim)

Silke Liria Blumbach silke.blumbach at t-online.de
Sat Jun 23 16:46:40 EDT 2001


Bora

         Binte borë. Për herë të parë në këtë dimër këputeshin kristale të 
mëdha nga retë shtatzëna, retë që e pillnin dimrin, Kërshëndellat, Vitin e 
Ri, kushërirat në Greqi. Vjet retë e dimrit kishin sjellë një kushërirë të 
re nga Greqia, e vogël si kukull, por e shëmtuar fare, që brohoriste më 
shumë se televizori sepse bebes nuk i iknin dritat.

         Mborja e mbështeti faqen në pëllëmbë dhe vëzhgonte rënien e borës 
këtu në Mborje. Mbuloheshin shtëpitë, fshiheshin rrugët, mbështillej kisha 
e vogël ku Mborjes  vajzës, jo fshatit  gjatë verës i pëlqente të ulej, të 
këpuste fijet e barit dhe të gumëzhinte me zë të ulët, me kurrizin e 
mbështetur në murin shumëshekullor.

         Mborja nuk besonte tek Babadimri siç e parafytyronin prindërit. 
Ndoshta Babadimri jetonte diku në Greqi, mbi ndonjë mal, ndoshta mbi 
Olimpin e shumëfolur në shkollë, ku ai do ta kishte borën që Babadimri e 
çmonte aq shumë. Babadimri duhet të jetonte ne Greqi sepse kushërirat e 
mëdha merrnin gjithmonë më shumë dhurata sesa ajo. Këtu në Shqipëri, në 
Mborjen e Mborjes, retë përgjigjeshin për dhuratat dimërore. Retë e borës 
kishin si specializim kushërira greke. Gati çdo vit paraqisnin një foshnje 
tjetër të zhurmshme.

         Përveç kësaj, dhe kjo patjetër ishte më e mira, retë i sillnin 
pushimet. Tani Mborja i priste plot gëzim ditët e lira, kur të vinin 
kushërirat nga Greqia me lodra të shumta dhe kur të gjitha do të uleshin në 
një rresht në borë, në natën e Vitit të Ri, për të bërë pipi së bashku.

(C) Silke Liria Blumbach 2001
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the Korca-L mailing list