| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: KAN-Info[KAN-Info] KomunikatëKAN Office office at kan-ks.orgWed Mar 17 08:27:24 EST 2004
KOMUNIKATË Sipas informacioneve të deritanishme së paku rreth 15 qytetarë të Kosovës janë vrarë në trazirat e dhunshme që kanë përfshirë vendin në 24 orët e fundit. Me qindra të tjerë janë të lënduar e të plagosur. Këto trazira pasuan mbytjen në lumin Ibër të tre fëmijëve shqiptarë nga fshati Çabër, të cilët u hodhën në lumë në ikje e sipër të ndjekur nga serbët lokalë. Me këtë rast, ne aktivistët e Rrjetit të Aksionit për Kosovën (KAN), të gjitha familjeve, më të dashurit e të cilave humbën jetën, u shprehim keqardhjet dhe ngushëllimet tona të sinqerta. Urojmë që të lënduarit e të plagosurit të shërohen sa më shpejtë. Nuk është hera e parë pas përfundimit të luftës, që qytetarët shqiptarë, posaçërisht në veriun e Kosovës, por edhe qytetarë të tjerë të Kosovës, vriten nga kriminelët. Kjo është mundësuar përderisa Kosova qeveriset nga regjimi jodemokratik i UNMIK-ut. Tolerimi i strukturave paralele dhe i shërbimeve sekrete të Serbisë, të cilat vetëm sa u bëjnë dëm edhe vet serbëve të Kosovës, është bërë i padurueshëm. Qytetari i Kosovës është ngulfatur nga pushteti i tepërt i UNMIK-ut dhe është dëshpëruar nga pushteti kukull i institucioneve të Kosovës. Institucionet e Kosovës janë ndërtuar dhe veprojnë në kuadrin e kornizave që nuk mbrojnë interesat e qytetarëve dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e tyre. Një sistem i këtillë politik, duke mos ofruar shansë dhe zgjidhje institucionale e demokratike, bëhet represiv dhe ai nuk mund të llogarit më në lojalitetin e qytetarëve që nuk i respekton. Rrjedhimisht, ata që e kanë pushtetin (UNMIK-u) dhe ata që shtiren se e kanë pushtetin (institucionet e Kosovës) janë përgjegjësit kryesorë për ngjarjet tragjike dhe për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi. Tejkalimi i kësaj situate dhe progresi i Kosovës në përgjithësi, para së gjithash, varen nga respektimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës që nënkupton edhe shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Moskuptimi ose mospranimi i kësaj vetëm sa do ta thellojë krizën. Kosova Action Network (KAN) Prishtinë, 17 mars 2004 -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the KAN-Info mailing list |