| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Info-Tech[Info-tech] pergjigjet New World TelecomBesnik Pula besnik at alb-net.comSat Dec 11 19:57:29 EST 1999
Te dashur miq, mendova se do t'ju interesonte pergjigja qe New World Telecom-i i jep Gary Kokallarit, botuar te Zeri i Popullit. ------ Zëri i Popullit Kush i përzë amerikanët?! * New World Telecom, një kompani amerikane e telefonisë, shfaqur zyrtarisht dhe me pretendime serioze për investime në këtë sektor në Shqipëri, vazhdon të presë për të përdorur projektet e saj dhe paratë në këtë vend. Koha shkon dhe kur vonesa sajohet kaq e gjatë, është e qartë se dikush e shtyn për të goditur seriozitetin dhe besimin në këtë kompani. Si gjithmonë shqiptarët priren të gjejnë shkakun e keq tek çdo sipërmarrje që kërkon të ndërmerret në Shqipëri. Ka vite që ndodh një gjë e tillë dhe kjo që po ndodh me New World Telecom, s'është diçka e re. Vetëm se kësaj radhe, në kushtet e liberalizimit të tregut të telefonisë në Shqipëri, të vullnetit të shfaqur të qeverisë shqiptare, të vullnetit të shfaqur të qeverisë amerikane, çdo gjë që sjell vonesën duket e pakuptimtë. Vetëm diçka duket serioze, gjatë gjithë kësaj vonese të sajuar. Dikush kërkon të përzërë amerikanët nga Shqipëria. Fati i mirë është që ky nuk është vullnet qeveritar, ky nuk është vullnet politik, ky nuk është vullnet i biznesit në Shqipëri, por thjesht një përballje interesash të cilat po na dëmtojnë rëndë në këtë rast. Këshilli mbikqyrës i Albtelekom, aksioneria shqiptare në shoqërinë e përbashkët me New Wold Telecom, ka marrë vendimin për të bërë pjesë në këtë shoqëri të përbashkët. Mbi bazën e këtij vendimi, qeveria shqiptare mori një vendim të sajin. Por shoqëria e re ende nuk është rregjistruar në gjykatë për faktin banal se kryetari i Këshillit Mbikqyrës të Albtelekom nuk ka dhënë për këtë veprim ligjor ende vendimin e marrë më parë. Pa regjistrimin në gjykatë shoqëria e re nuk mund të bëjë kërkesë për liçencë dhe pa liçencë ajo nuk mund të fillojë zbatimin e projektit të sajë. Që kjo nuk është thjesht punë e kryetarit të Këshillit Mbikqyrës të Albtelekom, Xhixho, kjo është e qartë. Por cilido ka akoma më të qartë faktin se këta njerëz që eksitohen si pengesa, duhen flakur sa më parë nga rruga. New World Telecom solli dje në redaksi këtë sqarim publik për hetimet dhe publikimet e ca shqiptarëve tradicionalë. New World Telecom ka zgjedhur të rrijë larg debateve publike që bëhen në shtypin Shqiptar sepse ka fare pak dobi në këtë polemikë-interesi ynë i vetë, ka qenë dhe ngelet të ngrejmë një rrjet eficent komunikimi, të lirë dhe të hapur për të gjithë, një rrjet mbarëkombëtar të mbështetur në teknologjinë më të fundit celulare (GSM) dhe atë rurale pa tel (WLL). Kemi menduar gjithmonë se përgjigja më e mirë ndaj çdo dyshimi apo akuze është vetë puna jonë-ngritja e rrjetit dhe ofrimi i shërbimit. Si rezultat, për një vit të tërë, ne jemi fokusuar në çështjet më themelore të këtij suksesi. Së pari, kemi sqaruar avantazhet e ndërtimit të një rrjeti sipas arkitekturës të propozuar nga inxhinerët tanë, që merr parasysh përbërjen demografike të popullisë, shpërndarjen gjeografike, të ardhurat për frymë, relievin e Shqipërisë, dhe kulturën telefonike.Si rezultat, kemi tashmë një punë të detajuar dhe një program për shtrirjen e rrjetit me harta shumë të hollësishme për vendndodhjen e pajisjeve, antenave, centraleve, zyrave dhe pikave të shitjes. Po ashtu kemi një plan të detajuar në lidhje me shtrirjen gjeografike të rrjetit, cilat zona të Shqipërisë të adresohen të parat, cilat do të ishin pjesë e një faze të dytë dhe si do arrihej mbulimi i plotë të territorit në Republikën e Shqipërisë. Së dyti, u fokusuam në gjetjen e partnerit me të mirë teknik vendas, me eksperiencë brenda Shqipërisë, me staf të kualifikuar që do të mundësonte transferimin e njohurive të brendëshme të tregut në kompaninë e re që do të krijohej. Si rezultat, ne tashmë kemi nënshkruar një marrëveshje të tipit Joint Venture me Albtelecom, kompaninë më të madhe telefonike Shqiptare. Së treti, gjetëm partnerin më të mirë në teknologji, një ndër prodhuesit më në zë të teknologjive të komunikimit pa tel-Motorolën. Me ambicien e saj për të patur një pjesë sa më të madhe të tregut botëror, shoqëruar me një kulturë korporate unike amerikane,Motorola ngelet një nga gjidhjet më të mira jo vetëm për New World Telecom, por edhe për kompanitë që janë tashmë në treg -AMC-në dhe Albetelecom-in. Me Motorolën nënshkruam një Letër Mirëkuptimi ku zotohemi të blejmë nga Motorola pajisje për një shumë prej $50 milionë dollarësh për fazën e parë të projektit. Motorola, nga ana tjetër merr përsipër financimin e pajisjeve. Doemos, që marrëveshja me Motorolën është letër Mirëkuptimi-ne nuk e kemi fshehur kurrë këtë (shihni për referencë Deklaratën për Shtyp lëshuar pas nënshkrimit). Nuk ka si të jetë ndryshe, marrja e licensës është kusht për blerjen e makinerive. Po qe se NWT nuk do të operojë në Shqipëri,atëherë nuk ka kuptim të blejë pajisje për Shqipërinë. Së katëri, gjetëm bankën e investimit më të mirë në rajon për të qenë banka e projektit. Bank Austria-Credit Anstaldt ka investuar më shumë se kushdo tjetër në Evropën Qëndrore dhe Lindore, ka përvojë shumë të mirë në çështjet financiare të rajonit dhe është partneri më i mirë që mund të kemi ne, dhe Shqipëria në të ardhmen në transaksione të madhësisë të tillë në rajon. Së pesti, jemi përpjekur që të gjithë të shohim avantazhet e projektit siç i shohim ne vetë nga brenda projektit, dhe jemi munduar të kemi një mirëkuptim edhe me partnerët e tjerë të Shqipërisë në botë, si Bankën Botërore apo BERZH-in, që të mos kompromentojmë pozicionin e Qeverisë Shqiptare në lidhje me palët e treta.Ndaj kemi marrë seriozisht këtë çështje dhe iu jemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të ngritura nga ata në lidhje me kontratën me Albtelecom. Ndonëse ne besojmë ende se kontrata e nënshkruar në 4 korrik është në të mirën e konsumatorit shqiptar dhe nuk krijon asnjë disavantazh për AMC-në dhe vetëm stimulon tregun e telekomunikacioneve duke shtuar numrin total të përdoruesve, kemi bërë dy shtesa që marrin parasysh shqetësimet dhe eleminojmë rreziqet që shikonin ekspertët e Bankës Botërore.Interesi i madh i treguar për AMC-në nga operatorët e mëdhenj Evropianë tregon që kontrata jonë nuk e prek integritetin e saj-në fakt, shton shumë interesin për tregun telefonik Shqiptar. Së gjashti, kemi mbajtur të hapur për nevoja të tjera të qeverisë shqiptare dhe kemi bërë studime se si mundet që këto nevoja të adresohen në mënyrë komerciale. Si rezultat, i kemi bërë një propozim të dytë shtesë Qeverisë Shqiptare për të ngritur një rrjet të pavarur radio-telefonik që do të përdoret nga policia, ushtria, spitalet, zyrat e taksave si dhe qeveritë lokale për transmetim zëri dhe të dhënash në mënyrë të mbrojtur (inkriptuar) për të ruajtur integritetin dhe sekretin e tyre. Në këtë propozim, New World Telecom përfshin edhe më shumë se $1.5 milionë dollarë në radio që do ti falen ushtrisë shqiptare dhe policisë shqiptare. Bëmë kështu ata që premtuam që në fillim-do të tregojmë avantazhet e natyrës amerikane të kryerjes së biznesit, me shpejtësi, eficensë dhe fleksibilitet ndaj ndryshimeve të tregut. Vazhdojmë të mendojmë se progresi duhet të mbetet fokusi ynë kryesor, por edhe ndjejmë përgjegjësi për të mbrojtur emrin tonë dhe atë të partnerëve tanë në Shqipëri dhe jashtë saj. Ndaj, jemi të detyruar të dalim në publik për tu mbrojtur ndaj akuzave të botuara nga Z.Gary Kokakalari në të përjavshmen Klan, një pozicion ky aspak i këndëshëm. Flasim në emrin tonë dhe atë të partnerëve tanë në projekt, kompani më në zë për të cilat edhe publiku shqiptar ka shumë respekt. Jemi një kompani amerikane me operacione e asete në Angli, Indi, Japoni, Madagaskar, Nigeri e gjetkë.Në sajë të punës së deritanishme dhe arritjeve tona në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim, kemi vendosur marrëdhënie të forta biznesi me kompani të mëdha si Motorola,Lucent Technologies, Qualcom, Lehman Brothers, Merril Lynch, Credit Anstald, dhe gjigandë të tjerë të botës së teknologjisë dhe financës. Kemi vendosur marrëdhënie shumë të mira me Departamentin e tregtisë së Shteteve të Bashkuara. Kemi vendosur marrëdhenie shumë te mira me shtetin Shqiptar. Këto marrëdhënie janë frut i bashkëpunimeve të suksesshme, jo i konjukturave, janë marrëdhënie shumë vjeçare dhe jo fejesa të castit apo operacione nate. Qeveria e Shteteve të Bashkuara e mbështeti dhe vazhdon ta mbështesë këtë projekt sepse shikon efektet reale dhe imediate që do të ketë në ekonominë Shqiptare, sepse beson në përvojën e deritanishme të New World Telecom-it dhe sepse beson se indirekt suksesi i New World Telecom-it do të nxisë investitorë të tjerë nga SHBA apo Evropa për të investuar në infrastrukturën Shqiptare. Motorola, vazhdon ta mbështesë projektin sepse është projekt praktik, i plotë (nga ana financiare dhe teknike)i përshtatet shumë kushteve dhe nevojave të Shqipërisë, është financiarisht i shëndetshëm dhe me potencial dhe përputhet me strategjinë e tyre rajonale. Credit Anstahltd, partnerët tanë financiarë janë gjithashtu shumë të interesuar për të investuar në këtë projekt dhe të bindur se do të jenë një sukses operacional dhe financiar. Eshtë e qartë që New World Telecom nuk përfiton asnjë gjë nga të gjitha këto përpjekje mbi një vjeçare nëse nuk ndërton një rrjet eficent komunkimi. Çdo zgjidhje tjetër do të ishte humbje financiare për kompaninë tonë dhe një mundësi e humbur për Shqipërinë. Ndaj objektivat e New World Telecom-it janë të njëjta me ato të qeverisë Shqiptare dhe publikut Shqiptar-rrjete të lira telefonike për të gjithë brenda dhe jashtë qytetit. Ndaj, është për të ardhur keq,që dikush me qëllime që, me dëshirën e tij apo jo, nuk janë të mira për Shqipërinë, bën akuza kaq direkte për të gjithë këta pjesëmarrës seriozë. Ne e kuptojmë çfarë do të thotë të kesh shqetësime dhe të kujdesesh për vendin tënd, ndaj i kemi dhënë z.Kokalari të gjithë mundësitë për të ndëruar qëndrim. Edhe pse eprorët e tij tek Merrill Lynch, bankë shumë e respektuar investimesh dhe një nga më të mëdhatë e Wall Steet-it, i kanë komunikuar atij disa herë qëndrimin e tyre ndaj New World Telecom, z.Kokalari ka preferuar të mos ripozicionohet. Tani, ne kemi fare pak shpresë që të shohim ndryshimin e tij-shumë është bërë nga vetë stafi ynë, Qeveria e SHBA-së, Motorola dhe vetë Merrill Lynch- e gjitha pa rezultat. Të pamundur për të ndryshuar gjë në qëndrimin e këtij individi, dhe jo të bindur në të mirat që do të vinin nga një përpjekje e tillë, në mendojmë se ky do të jetë komunikimi ynë i vetëm në publik në lidhje me këtë çështje. Gjithashtu duam të sqarojmë se ne premtojmë të ndërtojmë rrjetin dhe të ofrojmë shërbim brenda 6 muajve nga dita e marrjes së licensës. New World Relecom ngelet i vendosur për të investuar në Shqipëri edhe pse procesi i aprovimit ka pasur ngadalësime dhe kundërshtime. Ne mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të dalë nga pamundësia ekonomike dhe për tu bashkuar me botën e zhvilluar dhe duam të jemi pjesë dhe mbase udhëheqës në këtë proces. Urojmë që procesi të përshpejtohet, që të mos lëmë vend për hamendje dhe akuza të shprehura apo jo në lidhje me këtë projekt.
More information about the Info-Tech mailing list |