| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alst-L[ALST-L] Info: Qendrimi i Greqisë ndaj Pakicave Kombëtare* (nga Eqerem Mete**)Eqerem Mete eqerem at gis.netSun Jul 29 20:56:56 EDT 2001
Qendrimi i Greqisë ndaj Pakicave Kombëtare*
nga Eqerem Mete**
* Artikulli është botuar në gazetën shqiptare Albania në dhjetor 2000
Nga fillimi i vitit 2001, sipas agjencisë Rojter, Bashkimi
Evropian do të dërgojë në Shqipëri një komision për të diskutuar rreth një
marreveshjeje bashkëpunimi. Sekretari i përgjithshëm i ministrisë së
jashtme greke i deklaroi kryeministrit shqiptar gjatë vizitës së tij kohët
e fundit në Shqipëri se legjislacioni për pakicat duhet të rishikohet në
qoftë se Tirana dëshiron ti afrohet Bashkimit Evropian, kurse kyeministri
shqiptar paska shprehur bindjen se Shqipëria do të përpilojë një
legjislacion të avancuar, nje nga më të përparuarit në Evropën Juglindore.
Nisma e BE-së për tiu mësuar autoriteteve shqiptare se si të
sillen me të ashtuquajturën pakicë greke, që numëron rreth 30 - 40 mijë
frymë, ultimatumi i të dërguarit të kryeministrit grek, si dhe deklarata e
kryeministrit shqiptar të krijojnë përshtypjen se në legjislacionin
shqiptar për pakicat kombëtare paska të meta serioze. Për të sqaruar këtë
çështje, për të parë se ku janë dhe për hir të argumenteve, autoritetet
përkatëse shqiptare e kanë obligim të studiojnë ligjet dhe praktikat e
vendeve të tjera, natyrisht edhe të Greqisë, madje edhe të vendeve, që
mbahen si më të përparuarit në këtë drejtim.
A ka legjislacion më të avancuar dhe praktikë kaq absurde në
vendet e tjera sesa çka vërehet në vendin tonë për të ashtuquajturat pakica
kombëtare? Në vend që nxënësi ta kërkojë e të vejë atje ku është shkolla,
në Shqipëri shkolla (greke) i ndjek nga mbrapa nxënësit e diasporës greke,
kudo ata ndodhen edhe kur ky numër bie në kundërshtim flagrant me ligjin.
Nga ana e tyre, autoritetet greke nuk e kanë marrë mundimin deri
më sot të lejojnë zyrtarisht hapjen edhe të një shkollë të vetme fillore
për fëmijët e qindra mijë emigrantëve shqiptarë. Greqisë as nuk i shkon
ndërmend të ndërmarrë një veprim të tillë zyrtar, që do të kishte sadopak
nuancën e njohjes së të drejtave të një elementi nacional që nuk është e
nuk e quan veten grek. Në mentalitetin grek, një hap i tillë do të ishte
precedent i rrezikshëm që do të minonte teoritë rreth të ashtuquajturit
homogjenitet të shtetit grek dhe do tu shtonte oreksin pakicave nacionale
për arsimim në gjuhët e veta kombëtare. Ky hap do të rriste edhe presionin
nga brenda e jashtë ndaj Greqisë. Ai do të bënte gjithashtu të shkonin kot
mundimet e autoriteteve greke gjatë shumë dekadave për të asimiluar
shqiptarët e vjetër, qoftë autoktonë apo të vajtur gjatë shekujve, në
Greqi. Përpjekjet për ti çkombëtarizuar emigrantët e rinj shqiptarë
nëpërmjet shkollimit në greqisht dhe me ndihmën e kishës ortodokse greke
duke u ndërruar fenë, si dhe diktati i autoriteteve greke, duke shfrytëzuar
praninë e tyre në Greqi, ndaj shtetit shqiptar, do të bëheshin gjithmonë e
më të paefektshëm.
Një politikë e tillë e brendshme e shtetit grek ndikon fuqishëm
edhe politikën e tij të jashtme ndaj fqinjëve pavarësisht nga mballomat e
garniturat evopiane që e shoqërojnë atë. Ndaj Shqipërisë, në vend të
reciprocitet të paktën për hir të qëndrimit të qeverisë së sotme shqiptare,
Greqia e ka rritur intensitetin dhe diapazonin e presionit.
Greqia nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj
Shqipërisë. Për të shmangur një akuzë të tillë, por edhe për ta mbajtur
situatën në tension, tani për tani, qeveria greke ua ka lenë të
ashtuquajturëve qarqe ultranacionaliste detyrën për të ngritur hapur
kërkesa territoriale, kurse në cilësinë si qeveri po këto kërkesa ajo i
kamuflon me parullën për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të
normave demokratike.
Në takime zyrtare të nivelit të lartë midis të dyja palëve, pala
greke i bën palës shqiptare kërkesa ultimatum, që flasin për imponim të
raporteve pronar-vasal. Në parlamentin grek bëhen debate lidhur me rritjen
e nacionalizmit shqiptar, zgjerimin e rolit destabilizues të grupeve të
armatosura shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Serbinë jugore pavarësisht se
lufta e shqiptarëve kunder nacionalizmit agresiv serb u mbështet dhe
mbështetet, natyrisht me përjashtim të grekëve, nga gjithë bota
demokratike. Një gjë është më se e qartë në këtë kontekst. Sa më afër i
afrohet zgjidhjes çështja e Kosovës, aq më shumë irritohen autoritetet
greke dhe aq më shumë i mëshojnë paralelizmit absurd që ata bëjnë me këtë
çështje.
Eurodeputetët grekë, të Demokracisë së Re dhe të PASOK-ut,
kërkojnë që Shqipërisë ti ndërpritet ndihma makrofinanciare dhe ajo të
përjashtohet nga tratativat për fillimin e bisedimeve për nënshkrimin e
marrëveshjes së asosacionit e stabilitetit. Edhe ministri i Jashtëm Xhorxh
Papandreu ka hipur në skenë për të atakuar Shqipërinë. Ai i shkruan
Komisionerit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë Kris Patten duke e bërë
problem mungesën e të drejtave të pakicës greke.
Edhe pse midis të dy vendeve është nënshkruar Traktati i Miqësisë
dhe i Bashkëpunimit, Ligji i Gjendjes së Luftës me Shqipërinë ende nuk
është hequr nga Greqia në një kohë kur me Italinë ajo e ka abroguar një
ligj të tillë pavarësisht se ishte Italia fashiste ajo që kreu agresion
ndaj saj në vitin 1940 dhe jo Shqipëria. Pasuritë e shqiptarëve në Greqi
janë bllokuar nën pretekstin e këtij ligji absurd, kurse për pasuritë e
popullsisë shqiptrare që u masakrua dhe u detyrua me forcën e armëve të
largohej nga Çamëria, jepen argumente nga më absurdet për të mos ua kthyer
ato pronarëve të ligjshëm.
Duke parë një politikë e veprimtari të tillë greke kundër
Shqipërisë, kushdo mund të nxjerrë konkluzionin se Greqia akoma jeton në të
kaluarën. Që të jetojë në të tashmen, asaj i duhet të zbatojë proverbin e
vjetër, që thotë se të njohësh të tjerët është dituri, të njohësh vetveten
do të thotë të pastrosh mendjen. Pikërisht këtë të fundit nuk kanë bërë
fqinjët tanë.
Megjithatë, pikërisht në këtë sfond aktiviteti politik nga ana e
Greqisë kundër Shqipërisë, qeveria e sotme shqiptare marrëdhëniet me
fqinjën jugore i trajton në kuadrin e partneritetit strategjik midis dy
partive, dy qeverive e dy vendeve me shpresë se rruga për Evropë do të
shkojë nga Athina ashtu si dikur rruga për Moskë shkonte nga Beogradi.
Me përjashtim të atyre që ia kanë lidhur këmbët e duart vetes, zor
se ka nga ata të cilët kanë mend në kokë e sy në ballë, që nuk kuptojnë e
nuk shikojnë se ku e ka hallin pala greke.
Po të kthehemi përsëri në temën e fillimit, atë të pakicave
kombëtare, do të thosha se kushdo do të bëhej kurreshtar të mësonte se
çfarë thonë vetë personalitetet greke për këtë çështje. Materiali i
mëposhtëm, i bazuar në burime nga Greqia dhe Komuniteti Evropian, i botuar
me shkurtime në gazetën Illyria (Nju Jork, SHBA) mund të hedhë pak dritë
mbi përvojën e shtetit helen në këtë drejtim.
x
x x
Apeli drejtuar kryetarit të parlamentit grek dhe drejtuesve të
partive në vigjilje të 25 vjetorit të rivendosjes së demokracisë në Greqi
më solli ndërmend një raport mbi shqiptarët e Greqisë, përpiluar nga një
grup hulumtues të Komunitetit Evropian në vitin 1987.
I nënshkruar nga tre deputetë turq të pakicës turke, shtatë
organizata turke dhe tri organizata maqedone per minoritetet përfshirë edhe
Grupin grek të Helsinkit për Monitorizimin dhe të Drejtat e Pakicave në
Greqi, Apeli thekson se republika e Greqisë ka një dobesi të theksuar: Ajo
nuk njeh praninë e pakicave kombëtare në territorin e vet.
Nënshkruesit i bëjnë thirrje shtetit grek që të njohë ekzistencën
e pakicave maqedone dhe turke, të ratifikojë Konventën Kuadër për Mbrojtjen
e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës pa kushte për zbatimin e saj
dhe të zbatojë parimet e Konventës si dhe të dokumenteve përkatëse të
OSBE-së me qëllim ndërprerjen e gjithë formave të diskriminimit apo
persekutimit të pjesemarrësëve të këtyre pakicave dhe respektimin e të
drejtave të tyre.
Eshtë e vërtetë se autoritetet greke, që gjithmonë kanë luajtur
rolin e strucit, si dhe publiku grek, i cili është indoktrinuar si duhet
dekada me radhë, refuzojnë në mënyrë kategorike të njohin praninë e
pakicave kombëtare në territorin grek. Parimi te cilit grekët gjithmonë i
janë përmbajtur është se kushdo që jeton në Greqi është grek. Gjithë ata që
nuk janë grekë duhet të largohen. Ky është mentaliteti mbizotërues në
Greqi, anëtare e Kombeve të Bashkuara, e Bashkimit Evropian, e NATO-s, e
OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Nuk u shkon ndër mend
grekëve se në qoftë se vendet fqinjë do të kishin zbatuar të njëjtin parim,
tashmë nuk do të kishte më grekë jashtë kufijve të shtetit grek.
Të citojmë shkurtimisht përgjigjet e disa autoriteteve greke ndaj
Apelit sipas burimeve greke.
Kryetari i parlamentit Apostolos Kaklamanis: Në Greqi nuk ka as
pakicë turke, as maqedone. Ekziston vetëm një pakicë fetare myslimane. Çdo
sajesë, sidomos në këtë moment, u shërben qëllimeve të tjera dhe me të do
të merremi në mënyrën e duhur.
Ministri për Shtypin Dimitris Reppas: Sajesat antihistorike dhe
jorealiste do të dështojnë.
Ministri i Jashtëm grek Xhorxh Papandreu: Greqia, që ndodhet në
një rajon të vështirë, ndjek një politikë shëmbullore në drejtim të pakicave.
Kurse ish ministri i Maqedonisë dhe Thrakës Stelios Papathemelis
deklaroi: Me duhet tua them në gjuhën e tyre Ai sihtir [P...!].
Udhëheqësi i KKE i shtoi një version tjetër motivit të Apelit. Ai theksoi:
Besojmë se publikimii një deklarate të tillë ka më pak lidhje me
përvjetorin e rivendosjes së demokracisë sesa me dialogun që po zhvillohet
midis Greqisë dhe Turqisë. Ajo i krijon mundësinë Amerikës të imponojë
kushtet e veta për dialog. Ata që guxuan të ndërmarrin një veprim të tillë
mund të gjenden jo vetëm në Greqi.
Gazeta Eleftherotypia botoi një artikull shkruar nga profesor
Nikolas Stavru, grekoamerikan në lidhje me Shtetet e Bashkuara që qëndrojnë
mbrapa peripecive ballkanike. Stavru shkruan se mbrapa Apelit fshihen
Ankaraja dhe padronët e vet në Uashington me mbështetjen e industrisë së
të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara dhe filialet e saj në Greqi.
Kjo deklaratë, e cila ua hedh fajin Shteteve të Bashkuara i ngjan
deklarimit të kryetarit të parlamentit Kaklamanis rreth sulmeve ajrore të
NATO-s kundër Sërbisë. Sulmet e drejtuara nga Shtetet e Bashkuara e
kthejnë Evropën në kohën e Luftës së Ftohtë, deklamoi ai. Duhet ti japim
fund qënies sonë pre e një fuqie [SHBA] e cila nuk do që Evropa të qëndrojë
me këmbët e veta.
Çka tërheq në veçanti vëmendjen është ngjashmëria e madhe e
reagimeve të autoriteteve dhe përfqësuesve të partive politike ndaj Apelit
dhe deklaratrave që përmban raporti për shqiptarët e Greqisë. Përfundimi që
mund të nxirret nga përmbajtja e Apelit është se politika e pushtetarëve
grekë sot për të njëjtën çështje është e njëjtë me atë të vitit 1987, kur u
përpilua raporti i sipërpërmendur, përmbledhja e të cilit vijon.
Raport rreth Shqiptarëve të Greqisë
nga Komisioni i Komunitetit Evropian
Nje grup hulumtues i Komunitetit Evropian vizitoi Greqinë nga 4
deri 10 tetor 1987 për të kryer një studim rreth pranisë së elementit
shqiptar dhe ruajtjes së prejardhjes etnike e gjuhës.
Udhëtimi u organizua nga Buroja Evropiane për Studimin e Gjuhëve
pak të përdorura, nën mbikqyrjen e Komisionit të Komunitetit Evropian.
Përbërja e Grupit:
Antonio Belushi Itali
Ricardo Alvares Spanjë
E. Angel Francë
Kolom Anget Spanjë
Havier Boski Spanjë
Onom Falkona Hollandë
Volfgang Jeniges Belgjikë
Robert Marti Francë
Stefan Moal Francë
Kol OCinseala Irlandë
Joseph San Sokasao Spanjë
Objekti i udhëtimit: Hulumtime në 300 komunitete shqiptare në Greqi.
Synimi: Tu mundësohet përfaqësuesve evropianë gjatë vizitës së tyre të bien
në kontakt me popullin shqiptar në Greqi, ku aktualisht flet gjuhën shqipe,
e cila nuk mësohet në shkollat greke.
Për të vlerësuar reagimin e partive dhe institucioneve të ndryshme
ndaj çështjes së mbrojtjes s pakicave linguistike që ekzistojnë në Greqi,
të cilat aktualisht nuk njihen madje edhe nën kriterin minimal siç është
rasti i shqiptarëeve e i të tjerëve.
Pikëpamjet e partive kryesore:
Partia Demokracia e Re:
Biseduam me Mihal Papakonstantinu, Efstakios Paguhos, Nikola
Martis, Joanis Vulfefis dhe Kaeti Papannastision. Vijojnë disa nga
përgjgjet e tyre:
Problemi i gjuhës shqipe ne Greqi nuk ekziston. Po të hedhim
probleme gjuhësh në tavolinë, do të krijonim probleme shumë të mëdha për
shtetin grek.
Në qoftë se gjuha shqipe flitet, ajo flitet vetëm në familje. Nuk
mund të jepet opinion i plotë për këtë çështje.
Kurrë nuk ka pasur vend për shqiptarët në problemet tona. Misioni
juaj është shumë delikat. Mos i komplikoni punët.
Kujdes! Çështjet e pakicave do të çojnë në luftë në Evropë. Nuk
mund tëju ndohmojmë në asnjë mënyrë në këto momente. Gjithashtu, nuk duam
të krijojmë përshtypjen se ka prani shqiptare në Greqi. Ky problem për ne
nuk ekziston.
Partia PASOK:
Pyetjet iu bënë Dr. Jorgos Sklavunas dhe Manolis Azimakis.
Përgjigjet e tyre:
Nuk e konsiderojmë të domosdoshme që shqiptarët dhe pakicat e
tjera të mësojnë gjuhët e tyre amtare sepse gjuha që ata flasin nuk është
gjuhë.
Nuk ka tokë shqiptare ne Greqi. Ka vetëm territore greke ku mund
të flitet edhe shqip.
Kushdo që nuk e flet gjuhën tonë, nuk i përket racës dhe vendit tonë.
Ministria e Kultures
Mbasi dëgjoi pyetjet, Doc. Athina Sipirianti u përgjigh:
Për të zgjidhur një problem duhet gjithmonë të ngrihet një
komision. Ne nuk kemi mundësi të merremi me problemin që ngreni ju. Përvoja
tuaj do të nda duhet për çka do të bëjmë në të ardhmen. Vizita juaj është
një stimul i madh për ne.
Departamenti Pedagogjik
Përgjigja e Dr. Trinnidafilotis ishte shumë e ftohtë:
Nuk ka mësim të shqipes. Kjo që thoni ju është më shumë problem
politik sesa kulturor. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar.
Komisioni i revistës së pavarur Anti u përgjigj:
Kufijtë midis shteteve nuk janë të drejta. Ky interesim për
minoritetet në Greqi mund të fshehë interesa dominimi nga shtete të tjerë.
Pakicat linguistike, pra, pakica shqiptare, nuk ka fare të drejta. Në Greqi
ka vetem grekë.
Deklaratat e mësipërme dhe Apeli drejtuar kryetarit të parlamentit
dhe drejtuesve të partive greke janë provë e qartë e pranisë së
shqiptarëve, turqëve dhe sllavëve maqedonë në Greqi, të cilët vazhdojnë të
flasin gjuhët e tyre amtare. Sipas studimeve të kryera nga dijetarë, ne
Greqi ndodhen rreth 700 fshatra shqiptare, kombësinë shqiptare të të cilëve
grekët e mohojnë. Eshtë fakt i njohur se gjithë pjesëmarrësit e pakicave
kombëtare në Greqi i janë nënshtruar një asimilimi intensiv dhe të
organizuar, të cilin grekët, ndërsa mohojnë kombësinë e tyre të ndryshme, e
justifikojnë duke iu referruar fesë së tyre ortodokse, sikur feja të ishte
kriteri për të përcaktuar kombësinë. Megjithatë, pretendimeve absurde të
autoriteteve greke iu janë kundërvënë edhe vetë grekët. Në një studim për
të njëjtën çështje, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare dhe zëvendës
president i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut Kristos Rozakis e
pranon karakterin etnik të pakicave në Greqi.
Për sa i përket politikës së brendshme greke ndaj pakicave
kombëtare, është për të ardhur keq të konstatosh që një anëtare e Bashkimit
Evropian siç është Greqia nuk ka mundur të bëhet model për vendet e tjera
ballkanike në kuadrin e çështjes së pakicave kombëtare, që shembulli i saj
në këtë fushë i shtohet imazhit tashmë të njollosur të Ballkanit për shkak
të politikës së Sërbisë, që megjithëse anëtare e NATO-s, pavarësisht nga
përpjekjet e qeverisë për të mbajtur një të ashtuquajtur ekuilibër,
Greqia iu kundërvu sulmeve ajrore të NATOs kundër Sërbisë nën pretekstin
fallco të lidhjeve tradicionale historike dhe fetare me Serbët dhe heshtazi
mbështeti politikën e Milosheviçit për spastrimin etnik të Kosovës prej
shqiptarëve.
Në këtë fushatë solidariteti me Milosheviçin kur filluan bombardimet ajrore
të NATO-s, kryepeshkopi i Athinës Kristodulos nxitoi të mbështesë
patriarkun e Moskës Aleksi, kreu i Kishës Ortodokse Ruse duke bërë thirrje
për të përkrahur Serbinë.
Eshtë gjithashtu për të ardhur keq se asgjë nuk ka ndryshuar deri
sot në politikën nacionaliste dhe teokratike të Greqisë që nga periudha
1944-1945 kur grekët ishin të parët në Evropën Juglindore mbas Luftës së
Dytë Botërore që kryen vrasje masive në Çamëri, rajon i banuar nga
shqiptarë, në veri-perëndim të shtetit të sotëm grek, dhe që e spastruan
atë etnikisht nga shqiptarët, që nuk kishin fenë e grekëve.
Eshtë e logjikshme që vëllezërit e tyre të fesë, Serbët, të
përfitonin natyrshëm nga përvoja greke e viteve 1944-1945 në spastrimin
etnik të shqiptarëve dhe ta përdornin atë në shkallë të gjerë kundër
shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.
Mënyra si reagojnë grekët ndaj çështjes së pakicave kombëtare flet
për një tendencë të fortë nacionaliste, të sëmurë, e ngritur në nivelin e
politikës shtetërore dhe që bie ndesh me tendencën e përgjithshme në vendet
e Bashkimit Evropian. Sipas regjistrimit zyrtar të vitit 1951 në Greqi
pakicat etnike në vend përbënin 2.6 deri 3.8 të numrit të përgjithshëm të
popullsisë. Si edhe në rastin e jogrekëve të tjerë, edhe numri i
shqiptarëve ishte mjaft i zvogëluar në regjistrim. Sipas burimeve të tjera,
në atë kohë të paktën kanë qenë 350, 000 shqiptarë. Folës sllavë në Greqi
sot numërohen deri në 300 mijë megjithëse shumica e tyre u detyrua të
largohej gjatë dhe mbas luftës së dytë botërore e luftës civile. Megjithëse
fakti mbetet, edhe këto të dhëna të zvogëluara tej mase janë mohuar nga
autoritetet greke sa herë që dikush iu është referuar. Vetë dy fakte, që
janë prova të padiskutueshme të mungesës së tolerancës greke ndaj pakicave
kombëtare: Pak vite më parë, Anastasia Karakasidou, e diplomuar në
Universitetin e Harvardit, iu bënë kërcënime për ta vrarë së pari nga
komuniteti grek në Shtetet e Bashkuara dhe më vonë në Greqi për shkak se
ajo kishte folur për praninë e një komuniteti maqedon slllavofolës në Greqi
në librin e vet Fusha me Grurë, Kodra me Shkurre... Pothuajse në të
njëjtën kohë, Kristo Sideropulos, drejtues i Lëvizjes së të Drejtave të
Njeriut në Maqedoni u hodh në gjyq me akuzën se kishte përhapur të dhëna
jo të vërteta që mund të sillnim shqetësime në marrëdhëniet e Greqisë me
jashtë. Faji i tij ishte një deklaratë që ai kishte bërë për maqedonasit
që shteti, i cili u mohonte ekzistencën, u krijonte pengesa në ushtrimin e
gjuhës dhe kulturës së tyre.
Megjithëse nuk mund të mohohet fakti se Greqia është anëtare me të
drejta të plota e Bashkimit Evropian, sjellja e saj, në të kaluarën dhe
sot, që shumë pak ka të bëjë me vlerat perëndimore, po ndihmon gjithmonë e
më shumë njerëz të kuptojnë se ky vend është shumë larg nga anëtarët e
tjerë të Bashkimit Evropian për sa u përket mentalitetit, kulturës, si dhe
tolerancës fetare dhe nacionale. Greqia dallohet nga vendet e tjera anëtare
të BE-së edhe për sa i përket legjislacionit të brendshëm. Për shembull,
shtetësia, kombësia dhe feja ngatërrohen me qëllim në Greqi. Kushtetuta
greke e ndalon proselitizmin. Ka dispozita, sidomos Neni 20 i Ligjit për
Shtetësinë në Greqi, sipas të cilit imponohen sanksione, denime me burg dhe
mohim të shtetësisë greke ndaj pjesemarrësve të pakicave fetare, që
akuzohen për pjesëmarrje në të ashtuquajtura veprimtari kundër helenizmit.
Pavarësisht nga fakti se Neni 19 të i Ligjit për Shtetësinë Greke është
abroguar si rezultat i presionit ndërkombëtar, në bazë të të cilit qeveria
kishte të drejtë tu hiqte shtetësinë greke personave të quajtur alogjenë
[banorë vendas me origjinë jogreke], Greqia nuk e ka bërë heqjen e Nenit
prapaveprues për tua kthyer shtetësinë personave që me pa të drejtë e kanë
humbur atë.
Gazeta britanike Financial Times citon Takis Michas, specialist
për çështjet sociale në gazeten e Athinës Eleftherotypia, të ketë thënë se
Greqia përfaqëson një shoqëri të mbyllur në vetvete. Vlerat e ortodoksisë
e përforcojnë këtë mentalitet. Ortodoksia e shikon Perëndimin si rrezik, si
vend ku kurdisen komplote kundër saj, mentalitet i grekëve dhe serbëve ky,
i cili e ka origjinën në sizmën e hershme midis kristianizmit perëndimor
dhe lindor. Kurse historiani britanik Norman Davies shkruan në librin e tij
Evropa, nje Histori: Që nga koha e kryqëzatave, ortodoksia e ka
konsideruar Perëndimin si burim i një shtypjeje më të keqe se ajo e të
pafeve. Ky mentalitet shfaqet edhe ne radhet e klerikëve greke në Shtetet
e Bashkuara të Amerikës. Sipas shtypit amerikan, kryepeshkopi Spiridon,
kreu i Kishës Ortodokse greke në Shtetet e Bashkuara është akuzuar se është
përpjekur që frekuentimin e kishës tua ndalojë ortodoksëve që ndjehen më
shumë amerikanë se grekë. Spiridon, i pari udhëheqës i lindur në SHBA i
kishës ortodokse greke, deklaron se veprimtaria e tij synon të mbrojë
traditat bizantine të kishës, duke provuar kështu se është një nga grekët
qe kujtojnë se akoma jetojnë në perandorinë bizantine. Jeane Karthner i
gazetës Liberacion shkruan: Para pak vitesh, grekët ishin në armiqësi me
shqiptarët, maqedonët dhe bullgarët. Ata janë armiq të përhershëm të
turqëve, kurse tani janë bërë armiq të amerikanëve, britanikëve,
francezëve, gjermanëve dhe pjesës tjetër të botës. Perëndimi është plot
me armiq, është cituar të ketë thënë presidenti i Greqisë, Kostis
Stefanopolus. Analistët theksojnë se këto deklarata të kujtojnë një
gjendje të brendshme emotive, që ende ka rrenjë të thella në Ballkanin
Lindor, dhe se nyja e përbashkët është tradita fetare. Kjo nyje e çimenton
aleancën me Serbinë... Ky mentalitet që ka çuar në fanatizëm nacionalist
dhe fetar i ka shtyrë gjithashtu analistët të nxjerrin konkluzionin e
logjikshëm se prania greke në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe organizata të
tjera është anomali dhe paradoks. Greqia vazhdon të jetë jetë partner i
vështirë, bile edhe sot e kësaj dite është delja e zezë në Bashkimin
Evropian, që herë pas here i nxjerr probleme të sajuara Evropës për shkak
të qëndrimit të saj kapriçioz ndaj fqinjëve. Ky konkluzion nuk është diçka
që i takon së kaluarës, apo fillimit të viteve 1990, siç thotë një tjetër
grek, Lukas Cukalis, i Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës.
Pra, është e gabuar, të paktën për të ardhmen e afërt, ta
konsiderosh Greqinë si urë që do të lidhë vendet fqinj me Evropën. Kjo
anëtare e Bashkimit Evropian që e konsideron çdo kritikë ndaj mënyrës se si
ajo i trajton çështjet e saj të brendshme, sidomos çështjen e pakicave
kombëtare, si veprim armiqësor të frymëzuar nga Perëndimi për të
destabilizuar vendin, nuk mund ta luajë një rol të tillë pa përmirësuar
imazhin e vet ende në nivel të ulët në krahasim me standartet evropiane,
dhe pa hequr dorë nga mbjellja e farrës së intolerancës fetare dhe kombëtare.
Greqia duhet të mësojë si të sillet brenda kufijve të saj dhe jo
ta kërkojë fajtorin jashtë.
-------------------
* Artikulli është botuar në gazetën shqiptare Albania në dhjetor 2000
** Shkruesi i këtij artikulli ka qenë drejtor politik për Ballkanin dhe
Lindjen e Mesme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë në vitet
1992-1996
More information about the Alst-L mailing list |