| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Kujtimet e Mbretit Zog - Gazeta ShqiptareAgron Alibali aalibali at yahoo.comSat Jan 8 09:39:33 EST 2005
DOSSIER
Zbulohet korespodenca e Mbretit Zog me
ish-kryeministrin Frashëri. Mehdi beu: Gjeneral
Telinin e vranë grekët, të cilët mashtruan
dhe për Himarën
Letra e Zogut për Mehdi beun: Do shkruaj
historinë e Shqipërisë
Dashnor Kaloçi
Kam fillue pregaditjen e memoarve,
natyrisht kam shënime, porrë dot' më
pëlqente: një Autoritet qi ka ndodhë në
ç'ashtjet mbrenda, të më japë sa shpjegime ma
të gjona. Pra' në asht se do të keni mundësi të
më jepni së hollësina mbi këto pika që po ju
rendoj ma poshtë
Këto në ka posibilitetin t'mi
shkrueni gjanësishtë se, dot dishroshe qi
nji personalitet qi i ka dhanë Shqipnis
shërbime të shkëlqyeshme". Kështu shkruhet
në mes të tjerash në një nga letrat e panjohura
të Mbretit Zog, që mban datën 20 janar të vitit
1960, kur ai kalonte muajt e fundit të jetës
së tij në qytetin Kanë të Francës, e cila i
drejtohet ish-kryeministrit të Shqipërisë,
Mehdi bej Frashërit, që asokohe jetonte si
azilant politik në kryeqytetin italian Romë. Siç
del edhe nga letrat e Mehdi Frashërit, në atë
kohë Mbreti Zog kishte vendosur që të
shkruante kujtimet e tij në lidhje me disa
nga ngjarjet më kryesore të historisë së
Shqipërisë. Por, për të bërë atë punë,
Zogut i duheshin dëshmi e të dhëna të
ndryshme nga persona që kishin qenë vetë aktorë
kryesorë në ato ngjarje, dhe një prej tyre ishte
dhe Mehdi Frashëri, i cili, përveçse kishte
mbajtur postin e kryeministrit të
Shqipërisë për disa vjet, kishte
përfaqësuar qeverinë shqiptare në Komisionin
Ndërkombëtar të Kufijve në vitin 1914. Po
çfarë shkruhet më tej në atë letër të
Mbretit Zog dhe çfarë i kërkon ai Mehdi
beut? Për të gjitha këto bëhet fjalë në një
sërë letrash e dokumentesh origjinale që
janë pjesë e korrespondencës së plotë në
mes tyre, të cilat janë ruajtur me kujdes në
arkivin familjar të Mehdi bej Frashërit në Romë.
Duke u nisur nga rëndësia që paraqesin ato letra
e dokumente (të cilat nuk ndodhen në
arkivat e shtetit shqiptar), ku flitet për
disa nga ngjarjet më të përfolura të historisë
së Shqipërisë, si: Protokolli i Korfuzit në 1914,
veprimet e Komisionit Ndërkombëtar të Lidhjes
së Kombeve në Shqipërinë e Jugut, veprimet
e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të
Kufijve, vrasja e Gjeneral Telinit etj.,
një pjesë të tyre ne po i botojmë të plota
në këtë shkrim, duke i sjellë në gjuhën e
sotme, pa e prekur fare brendinë e tyre.
Korrespondenca e Zogut me Frashërin
Në fillim të letrës së tij për
ish-kryeministrin Frashëri, e cila mban
datën 20 janar 1960, pasi e pyet për
shëndetin dhe pjesëtarët e tjerë të familjes,
Mbreti Zog ndërmjet të tjerash i bën të ditur Mehdi
beut se ai ka filluar të shkruajë kujtimet e
tij sipas shënimeve që ka mbajtur për vite
me radhë. Por për të shkruar ato kujtime,
Zogu i kërkon Frashërit që ai ta ndihmojë
atë duke i sqaruar me hollësi disa nga ngjarjet
më kyçe të historisë së Shqipërisë, si:
Protokolli i Korfuzit në 1914, veprimet e Komisionit
Ndërkombëtar të Lidhjes së Kombeve në
Shqipërinë e Jugut, veprimet e Komisionit
Ndërkombëtar të Kontrollit të Kufijve,
vrasja e Gjeneral Telinit etj. Pasi i përshkruan të
gjashtë pikat kryesore për të cilat brenda
mundësive kërkon sqarime të hollësishme,
Mbreti Zog e mbyll letrën e tij duke i
kujtuar ish-kryeministrit Frashëri shërbimet
e mëdha që ai i ka bërë Shqipërisë. Ndërsa
në përgjigjen e ish-kryeministrit Mehdi Frashëri, e
cila mban datën 31 janar 1960, pas fjalëve
të zakonshme të kortezisë, ai i shpreh
kënaqësinë Mbretit Zog për iniciativën që
ai ka marrë për të shkruar kujtimet e tij,
duke i thënë se ato janë të domosdoshme dhe
do të shërbejnë, veç të tjerash, edhe për
të ndrequr ato shtrembërime që i janë bërë
historisë së Shqipërisë në 40 vjetët e
fundit, duke aluduar hapur për regjimin komunist të
Enver Hoxhës. Pasi i shpreh gatishmërinë e
tij Mbretit Zog për ta ndihmuar për të
gjitha çështjet që ai ka dijeni, në fund të
letrës së tij Mehdi beu i shkruan: "Jam
akoma i mendimit se Shqipnija, e izolueme nga Rusija
nuk ka se si mos gjej herët a vonë nji
konjukturë politike ndërkombëtare të
favorshme, që ti lejoj shqiptarëve me hedh
këtë zgjedhë, që, nga të gjitha çka parë,
asht sigurisht ajo ma e tmershmja".
"E vërteta e Protokollit të Korfuzit"
Një ndër çështjet e para që Mbreti Zog i
kërkonte ish-kryeministrit Mehdi bej Frashëri
për t'i sqaruar, ishte ajo ku bëhej fjalë
për "Veprimet e Komisionit Ndërkombëtar në
Korfuz, në 1914", apo, siç njihet ndryshe
në historinë e Shqipërisë, "Protokolli i
Korfuzit". Lidhur me këtë pikë, në sqarimin
e tij Mehdi Frashëri ka shkruar: "Në
Konferencën e Londrës më 1913, me qenë se ishte
vendosur që Korça e Gjirokastra t'i mbeteshin
Shqipërisë, Greqia nuk mund t'i sulmonte
hapur këto dy prefektura, të cilat i quante
Epiri i Veriut. Prandaj ajo kërkonte që indirekt
të gjente një shkak që këto vende fillimisht t'i
bënte autonome, dhe më vonë, në një fazë
të dytë, t'i aneksonte. Për këtë qëllim,
guvernatori grek i Janinës mendonte që derisa
ishin trupat greke atje, të shtynte të
krishterët ortodoksë të asaj krahine në
formën e një xhandarmërie kryengritëse, që
kur të tërhiqeshin trupat greke, vendin e tyre ta
zinte xhandarmëria, e cila do të luftonte me
xhandarmërinë shqiptare po të shkonte ajo
atje. Kjo fuqi kryengritëse me shpirt grek
kishte nevojë për një qeveri që ta quante
veten epiriote. Kështu, një person i quajtur Gjergj
Zografi, i biri i Kristaq efendiut, nga
Lunxhëria e Gjirokastrës, me të kunatin e
tij, Karapanon, dhe një oficer grek me origjinë
shqiptare i quajtur Dhulis, formoi një qeveri
autonome të Epirit të Veriut (Shqipërisë së
Jugut). Në këtë kohë popullsia myslimane e
këtyre dy prefekturave shqiptare i hapi
luftë xhandarmërisë epiriote. Nisur nga
fakti se fuqia e xhandarmërisë shqiptare ishte e
pamjaftueshme dhe popullsia myslimane nuk
ishte e organizuar, xhandarmëria epiriote
filloj të digjte katundet myslimane, për të detyruar
atë popullsi që të linte vendin dhe aty të
mbeteshin vetëm ortodoksët. Për këtë
ngjarje, qeveria e Princ Vidit me kryetar
Turhan Pashën u detyrua t'i drejtohej
Komisionit Ndërkombëtar që përbëhej prej delegatëve
të gjashtë fuqive të mëdha, ku bënin pjesë:
Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania,
Austria dhe Rusia. Për të bashkëpunuar me
këtë komision, nga ana e Shqipërisë ishte
caktuar si delegat Mehdi Frashëri. Në këtë
kohë, në Shqipërinë e Mesme pjesa fanatike myslimane
filloi një lëvizje në favor të Turqisë, me
parullën: "Duam Baba Dovletin". Nisur nga kjo
gjë, Qeveria e Princ Vidit mbeti në një
pozitë shumë të vështirë, pasi fanatikët
myslimanë kërkonin në vendin e Princ Vidit
një princ nga Turqia. Pas kësaj Komisioni i
Kontrollit Ndërkombëtar lajmëroi Zografon
se do të vinte në Korfuz dhe do të bisedonte me
qeverinë epiriote. Në mbledhjen e Korfuzit
delegatin shqiptar nuk e mbështeti asnjë
nga fuqitë e mëdha, në mënyrë që ai ta
detyronte Komisionin e Kontrollit për të marrë
vendime në interes të Shqipërisë. Si rezultat i
kësaj, Komisioni Ndërkombëtar vendosi që
prefekturat e Korçës e Gjirokastrës të
formonin një qeveri autonome nën
juridiksionin e qeverisë shqiptare, ku oficerët
e xhandarmërisë së Epirit Autonom do të
përbëheshin prej oficerësh grekë, me qenë
se ortodoksët shqiptarë të vendit në kohën
e Turqisë nuk kishin pasur oficerë. Kisha
ortodokse e vendit do të drejtohej prej klerit grek të
emëruar prej Patriarkanës së Stambollit.
Gjuha e mësimit nëpër shkolla të veçanta të
ortodoksëve do të ishte greqishtja. Siç
shihet, të gjitha këto masa parashikonin
greqizimin e një pjese të madhe të
Shqipërisë së Jugut. Pas kësaj, vendimet e Konferencës
së Korfuzit iu paraqitën Konferencës së
Ambasadorëve në Paris për t'u miratuar. Në
këtë kohë qeveria epiriote e Zografos
kishte bërë një pakt me myslimanët fanatikë
të Shqipërisë së Mesme, gjë e cila e
detyroi Princ Vidin të largohej nga Shqipëria. Në
këtë kohë epiriotët e thyen armëpushimin që
ishte lidhur midis fuqisë shqiptare dhe tyre,
dhe vendin e qeverisë epiriote të Zografos,
siç edhe parashikohej, e zuri Greqia. Këto
ngjarje përkuan me fillimin Luftës së Parë
Botërore. Në këtë kohë, Italia, me qenë se
kishte rivendikime (pretendime) territoriale kundrejt
Austrisë, me qëllim që më vonë të hynte në
luftë, pushtoi Vlorën dhe me forcat aleate
firmosi një traktat të fshehtë, ku thuhej:
Vlora me një pjesë të krahinave rreth saj
do të ishte drejtpërsëdrejti në administrimin
e Italisë dhe Shqipëria e Mesme (myslimane) nën
protektoratin e saj. Ndërsa për Shkodrën në
Veri dhe Korçën e Gjirokastrën në Jug nuk
do të bënte asnjë kundërshtim, në qoftë se
Konferenca Shkodrën do t'ia jepte Serbisë
dhe Korçën e Gjirokastrën Greqisë. Mbasi
Lufta e Parë Botërore zgjati disa vjet dhe Shtetet e
Bashkuara të Amerikës hynë në luftë kundër
Austro-Gjermanëve e në favor të aleatëve,
Presidenti Uillson deklaroi se traktatet e
fshehta nuk i njihte. Në këtë kuadër,
traktatin e fshehtë të Italisë me aleatët
në Konferencën e Paqes ai e quajti të pavlerë, por
me gjithë këtë, në tratativat e konferencës
në fjalë ai propozoi që Vlora t'i mbetej
Italisë dhe ana në jug të lumit Vjosë t'i
jepej Greqisë. Sa për pjesën që mbetej, një
zonë midis Vjosës e Liqenit të Maliqit, do
të bëhej një referendum dhe përfundimi i
tij do të ishte një provë se kujt do t'i
mbetej ajo zonë, Shqipërisë apo Greqisë. Me
qenë se në këtë zonë shumicën e përbënin
myslimanët dhe midis ortodoksëve kishte edhe
nacionalistë shqiptarë, shpresa ishte e
madhe që ajo të mbetej në Shqipëri. Sa për
Shkodrën nuk u bë fjalë, sepse ajo ishte
thjesht shqiptare. Në vijim të luftës aleatët
panë nevojën që në Selanik të zbarkonin një
ushtri për të atakuar forcat austro-gjermane, duke
përdorur dhe mbeturinat e ushtrisë serbe që
përbëhej prej 150 000 ushtarësh, të cilat
në Korfuz aleatët i kishin riorganizuar dhe
armatosur më së miri. Aleatët i propozuan
dhe Greqisë që ajo të hynte në luftë në
favorin e tyre, mirëpo Mbreti Kostandin ishte dhëndri
i Kaiserit (Mbretit të Gjermanisë) dhe
përveç Venizellozit, një parti e madhe
greke nuk dëshironte të hynte në luftë,
vetëm në qoftë se i jepnin Stambollin. Kjo
ishte një punë që nuk bëhej, pasi ajo
përkonte me qëllimet e Rusisë. Në këtë
kohë, francezët filluan të dyshojnë se mos Greqia
ishte në favor të Austro-Gjermanëve, dhe për të
ndaluar kontaktin midis Greqisë dhe
Austro-Gjermanëve, me ndërmjetësinë e
nacionalistit patriot Themistokli Gërmenji,
Gjenerali Sarail, komandant i ushtrive aleate në
Selanik, dërgoi edhe një batalion ushtarësh
në Korçë. Kjo forcë përzuri ushtrinë greke
dhe formoi qeverinë e Korçës, Autonome
Shqiptare, me Themistokli Gërmenjin. Pas
kësaj ajo organizoi dhe dy batalione xhandarmërie
shqiptare. Në këtë kohë fuqitë franceze
ishin vendosur deri në katundin Selenicë të
Kolonjës. Ndërsa territorin nga Selenica e
deri në Sarandë e pushtoi ushtria italiane.
Kështu, në Korçë e Gjirokastër nuk mbeti as
ushtri dhe as qeveri greke. Nga zhvillimi i këtyre
ngjarjeve u bë e mundur që në Konferencën e
Paqes francezët të kundërshtonin
rreptësisht për Korçën e Gjirokastrën dhe
vendimet e Korfuzit nuk u morën parasysh,
pasi vetë Greqia e kishte prishur armëpushimin".
Kështu e mbyll Mehdi Frashëri sqarimin e tij për
Protokollin e Korfuzit, e cila është dhe
një nga pikat ku ai është ndalur më gjatë
në përgjigjet që i ka dërguar Mbretit Zog.
"Ja e vërteta e Himarës"
Dy nga pikat e tjera që Mbreti Zog i
kërkonte sqarime Mehdi Frashërit ishin:
"Dhenomet (Privilegjet) e Himarës" dhe
"Veprimet e Komisionit të Lidhjes Kombeve në
Shqipërinë e Jugut", çështje të cilat edhe
sot e kësaj dite vazhdojnë të krijojnë
probleme. Lidhur me këto, ish-kryeministri
Frashëri në përgjigjen e tij për Zogun
shkruan: "Privilegjet e Himarës janë po ato të
Korçës e Gjirokastrës, me ndryshimin se në atë
kohë, një person i quajtur Spiro Milo, nga
Himara, kishte vënë një kryq të madh në
kraharor dhe kishte shoqëruar Zografon.
Spiro Milo kërkoi një flamur të Himarës,
gjë që nuk kishte ndonjë rëndësi, prandaj
iu pranua nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit
të Kufijve. Po kështu, në atë kohë, nisur nga
fakti se grekët gjithmonë ankoheshin që në
Shqipëri shkeleshin të drejtat e pakicave
greke, Lidhja e Kombeve vendosi të dërgonte
në Shqipëri një komision të posaçëm të
përbërë prej: profesorit Siderholm
(finlandez), Comte de Pourtales (francez), dhe një
oficeri norvegjez. Ky komision lëvizi në të
gjithë Shqipërinë, si në Veri ashtu dhe në
Jug, dhe në fund konstatoi se pakica greke
kishte vetëm në krahinën e Dropullit në
Gjirokastër dhe në Vurgun e Delvinës, të cilat nuk
përbënin ndonjë rëndësi. Ndërsa për
prefekturën e Korçës ata konstatuan se nuk kishte as
edhe një grek të vetëm. Si përfundim,
komisioni konstatoi se grekërit quanin
grekë edhe shqiptarët ortodoksë. Pra, siç
shihet, ky komision në raportin e vet tregoi të
vërtetën siç ndodhesh". Kështu e përfundon
Mehdi Frashëri sqarimin e tij në lidhje me
pretendimet e grekëve për pakicat e tyre në
Shqipërinë e Jugut.
Frashëri: Telinin e vranë grekët
Një ndër pikat e fundit që Mbreti Zog i
kërkon Mehdi Frashërit t'ia sqarojë, është
ajo e vrasjes së gjeneralit italian Telini,
i cili kryesonte Komisionin Ndërkombëtar të
Kontrollit të Kufijve. Lidhur me këtë ngjarje,
në përgjigjen e tij Mehdi Frashëri ka shkruar:
"Komisioni i Kontrollit të Kufijve e kishte
filluar punën e tij që përpara Luftës së
Parë Botërore, por me fillimin e asaj lufte
ajo punë u ndërpre dhe u la për më vonë.
Pas mbarimit të luftës, u formua përsëri
një komision tjetër i përbërë prej: gjeneralit
italian Telini, kolonelit britanik Jails dhe
kolonelit francez Ordillion. Ndërsa nga ana
qeverisë shqiptare fillimisht u caktua Hil
Mosi, por me qenë se ky dha dorëheqjen, në vendin e
tij u emëru Dhimitër Berati. Pas kësaj,
gjeneral Telini dhe Dhimitër Berati shkuan
në Janinë për të marrë kontakt me
autoritetet ushtarake greke, me qëllim që të
plotësonin komisionin me delegatin grek. Si delegat
grek ishte caktuar kolonel Boçari, i cili
ishte një grek ekstremist dhe stërnip i
suliotit të famshëm, Marko Boçarit. Me qenë
se kolonel Boçari e konsideronte gjeneral Telinin
si një mbështetës të Shqipërisë, vendosi
që ta vriste atë. Për të vrarë Telinin, ai
bashkëpunoi me një kriminel grek të arratisur që
quhej Rexhei. Pas kësaj, banda që kryesohej nga
Rexhei i zuri pritë dhe e vrau gjeneral
Telinin, ndërsa ai po kthehej për në
Shqipëri bashkë me përkthyesin e tij ortodoks
që kishte me vete. Për të larguar përgjegjësinë
politike, qeveria greke këtë vrasje ua ngarkoi
shqiptarëve, dhe sipas versionit të tyre,
ajo gjë kishte ndodhur për faktin se
gjenerali italian kishte marrë pjesë në Luftën
e Vlorës. Por ky version i tyre nuk ishte gjë
tjetër veçse një gënjeshtër e shpifje e
madhe. Pas kësaj qeveria italiane, nga
raporti që kishte marrë nga Telini, kishte
kuptuar se autoritetet greke në çdo mënyrë
ishin shfaqur kundër gjeneralit, prandaj Musolini
dërgoi një flotë në Korfuz dhe qeverisë
greke i dha këtë ultimatum: "Qeveria greke
menjëherë do të shkonte në flotën italiane
që ndodhej në Pire dhe do të kërkonte
ndjesë për ngjarjen e vrasjes të gjeneral
Telinit". Gjithashtu, ajo i kërkoi edhe 50 milion
franga si dëmshpërblim për njerëzit e
vrarë. Mbas kësaj ngjarjeje, si delegat
italian në Komisionin e Kontrollit të
Kufijve, në vend të gjeneral Telinit, u emërua
gjeneral Gazzera, dhe nga ana Shqipërisë,
Mehdi Frashëri".
__________________________________
Do you Yahoo!?
All your favorites on one personal page Try My Yahoo!
http://my.yahoo.com
More information about the ALBSA-Info mailing list |