| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Panorama on Alexander the GreatAgron Alibali aalibali at yahoo.comThu Jan 6 10:16:14 EST 2005
historia
STUDIMI/ Si është njohur strategu i madh në
dokumentet historike. Çfarë shkruhet për të
Aleksandri i Madh në përfytyrimin e shqiptarëve
Ideja e Frang Bardhit, vendlindja e tij është
Petrela
Luan Malltezi
Figurat e shquara të historisë botërore,
Pirroja dhe Aleksandri i Madh i kanë frymëzuar
dhe inkurajuar ndjeshëm shqiptarët në luftërat e tyre
për liri e pavarësi. Duke filluar së paku nga
shek. XV, shqiptarët i kanë konsideruar ata
si paraardhës të denjë të tyre.
Arsyet përse këto figura u bënë kaq popullore dhe
hynë aq thëllë në ndërgjegjen e shqiptarëve
duhen kërkuar në lëvizjen humniste të rilindjes
italiane, në njohjen e historisë dhe kulturës
antike, në leximin nga elita intelektuale
shqiptare e kohës së trashëgimisë antike, të
veprave të autoreve të greko-romakë dhe të
gjithë letërsisë humaniste, me pikësynim njohjen
e rrënjëve të historinë së vendit, të së
kaluarës së tij etj.
Kështu, historiani i ynë i shquar, M. Barleti, që në
titullin e veprës së tij Historia e
Skënderbeut e njehson Skënderbeun si
epirotas: Marin Barleti, shkodran, mbi jetën
dhe veprat e Skënderbeut, princit shumë të
ndritur të epirotasve. Në dedikimin që Barleti i
bën nipit të Skënderbeut, kastriotasit don
Ferrante, autori shkruan: Kur mendoj, o
princ i ndritur don Ferrante, gjendjen e
tanishme të Epirit dhe se si kjo gjenje ka qenë dikur,
nuk mund ta shkruaj historinë e saj. Barleti
e vendos principatën e Kastriotëve në Epir.
Gjatë kësaj kohe në Epir - shkruan ai -
shquhej ndërmjet mbretërve të vegjël dhe
princërve të tjerë emri fisnik i Gjon Kastiotit për
sundimin e tij si në qytete të tjera e në Krujë
veçanërisht. Por njëherësh me Pirron Barleti
njeh si pararadhës të shqiptarëve edhe
Aleksandrin e Maqedonisë. Kjo shprehet sidomos
qartë në hyrjen e veprës, kur autori spjegon shkaqet
që e nxisin të shkruajë historinë e
Skënderbeut: Përkundrazi, gjithë lumturia
dhe lavdia epirote u përplas përdhe nga kulmi
i saj me nam, pothuaj në një çast dhe liria u shemb
e u thërrmua aq sa të mos duket tanimë fare
asnjë gjurmë dhe asnjë shenjë e bujarisë së
stërlashtë. Prandaj sikur të ngjallej ai
Aleksandri i mjerë që i pari bëri të mbahej
në gojë emri i fisit dhe i skeptrit në zverk
të gjithë atyre popujve, sikur të kthehej në
këtë jetë ai mjeshtri i luftërave, Pirroja,
me siguri, nuk do ta njihnin Maqedoninë e tyre, nënën
e kryetrimave, do ta braktisnin vendin që e
patën vatër të lirisë dhe do ta përbuznin si
të zvetënuar. (M. Barleti, Historia e
Skënderbeut, f. 50).
Barleti pra përdor dy koncepte për Shqipërinë e
kohës së tij, konceptin Epir dhe Maqedoni. Duke
bërë fjalë për rrethimin e dytë të Shkodrës
dhe pushtimin e saj nga turqit (1479) Barleti
shkruan këto fjalë për Maqedoninë. Sulltani
menjëherë u hodh në Maqedoni që sot në
gjuhën popullore quhet Arbëri, sepse arbërorët
e atij vëndi thuajse të gjithë flasin gjuhën
arbërore. Në këtë vepër pushtimin e
Shqipërisë Barleti e quan pushitm të
Maqedonisë nisur nga fakti se Shqipëria
kishtë qenë pjesë e saj në kohën e Aleksandrit
të Madh. Shkrodra - shkruan Barleti - është qendra
e bregut të Maqedonisë dhe e asaj pjese të
Dalmacisë që e ka afër
, ndërsa më tej
shkruan se Shkodra ishte qyteti më i
përmendur dhe kryeqendra e Shëqipërisë.
Sulmet e para turke mbi tokat shqiptare
Barleti i quan sulme të ndërmarrra ndaj Maqedonisë.
Këtë emërtim për vendin përdor autori kur bën
fjalë për betejën që u zhvillua Savër (afër
Lushnjës) midis turqve dhe Balshës II (1385).
Por krahas emërtimit Maqedoni Barleti
përdor edhe emërtimin Epir. Epiri vdiq -
shkruan ai - bashkë me kryetrimin (Skënderbeun - LM).
(Barleti, vep. cit. f. 51).
Barleti, si të gjithë humanistët e kohës, bazohej
tek autorët e vjetër greko-latinë, si Homeri,
Straboni, Plini, Platoni, Lukani, Katoni,
Cezari. Pra, Barleti përdor për vendin e tij,
Shqipërinë, emërtime antike, të njohura prej
autorëve të vjetër të lartpërmëndur.
Sipas Strabonit, ilirët dhe epirotët ndaheshin me
grekët e vjetër në Akarnani. Sipas Eforit, -
shkruan vetë Straboni në veprën e tij
Gjeografia (libri VII, paragrafi VI) -
fillimi i Greqisë në perëndim është
Akarnania. Sipas Herodotit, Greqia e vjetër shkonte
deri në grykën e Teropileve. Duke bërë fjalë
për luftën në grykën e e Termopilave Herodoti
njofton se grekët vunë mbretin Leonidha me
300 spartanë të mbronin grykën e Termopileve,
me qëllim që barabarëve (persëve - LM) tu
ndalohej hyrja në Greqi. Pra, gryka e Termopileve
shënonte kufirin verior të Greqisë. Sipas
Hamondit, një studiues i shquar anglez,
Straboni ka bërë një dallim të plotë midis
fiseve ilire, fiseve epirote dhe fiseve greke. Vija
ndarëse në jug midis ilirëve dhe epirotëve
ishin malet Akrokeraune (malet e Vetëtimës -
LM), ndërsa vija ndarëse midis epirotëve dhe
grekëve ishtë gjiri i i Ambrakisë (sot gjiri
i Artës - LM ) Ndërsa vija ndarëse midis grekëve
dhe Tesalisë ishte lumi Peneus. Pra, Tesalia nuk
ishtë tokë greke.
Po kështu shkruan edhe Skylaksi, një tjetër autor i
vjetër. Sipas tij, Greqia fillonte nga qyteti
i Ambrakisë. Në veprën e tij Peripleus, ai
shkruan se pas Thesprotisë vijnë mollosët
dhe pas tyre Ambrakia, një qytet grek.
Tuqididi dhe Straboni i quajnë fiset epirote jo
popullsi greke.
Historiani i shquar i antikitetit, Teodor
Momsen, i quan epirotët shqiptarë të
antikitetit. Në librin e tij Storia di
Roma (1903), duke bërë fjalë për Pirron dhe
marrjen e pushtetit nga ana e tij, Momsen shkruan se
të gjithë shtrënguan radhët rreth tij,
epirotët, trima, shqiptarët e antikitetit (i
valorosi epiroti, gli albanesi
dellantichitá). Nisur nga këta autorë Barleti
e quan Skënderbeun epirotas dhe Shqipërinë
herë Epir dhe herë Maqedoni. Madje, ai shkruan Epiri
ose Maqedonia, emra këta të përdorur nga
autorët e vjetër për trojet e shqiptarëve të
kohës së tij. Epirotas e quajnë Skënderbeun
edhe shumë historianë të tjerë humanistë të
shek. XV - XVI.
Antonius Sabelicus (1436 1506) në veprën e tij
Historia e Venedikut (Rerum Venetiarum),
duke folur për Skënderbeun e quan atë
epirotas, ndërsa zotërimet e tij Epir.
Edhe një autor tjetër, anonim, në një vepër
me karakter panegjerik, kushtuar perandorëve
të Bizantit, të shkruar rreth viteve 1427 -
1446 shkruan se Epiri banohej nga shqiptarë.
Edhe tani - shkruan ky autor - gjithë ai vend (Epiri
- LM) banohet i veçuar, në grupe të vogla dhe
fshatra nga popullsi shqiptaro-ilire.
Dhimitër Frangu, një bashkëkohës i
Skënderbeut, e quan Epirin pjesë të Shqipërisë.
Skënderbeu, princi i Epirit -shkruan Frangu - ishte
djali i vogël i zotit Gjon Kastrioti që
zotëronte atë pjesë të Shqipërisë që quhet
Emathia (Mat) dhe Tumenisht (Demetrio
Frango, Commentario delle cose dei turchi et del S.
Georgio Scanderbeg, principe di Epiro
Venetia, 1539). Edhe Marin Beçikemi, një
shkrimtar humanist i shek. XV që ka lënë një
përshkrim të rrethimit të parë të Shkodrës
nga turqit (1474), pushtimin e Shqipërisë nga këta në
kohën e Gjon Kastiotit e quan pushtim të
Epirit.
Të dhëna interesante për Epirin jepen edhe në
letërkëmbimin midis Skënderbeut dhe sulltan
Mehmetit II, për të cilin bën fjalë Dhimitër
Frangu. Sipas tij, Mehmeti II në këmbim të
paqes pranonte ta quante Skënderbeun princ
të epirotëve (Prencipe delli Epirensi). Ndërsa
Skënderbeu në përgjigje të tij i bënte të
ditur se këtë titull e kishte marrë prej
kohësh për hir të Zotit. Skënderbeu i
shkruante Mehmetit II edhe për kurorëzimin që
priste ng Papa Piu II si mbret i Epirit dhe i të
gjithë provincës së Shqipërisë (Re
dellEpiro et di tutta la provincia
dAlbania). Burimet historike të nxjerra nga
arkivat e kohës provojnë se edhe veten dhe shqiptarët
e quanin veten epirotas dhe pasardhës të
Pirros dhe të Aleksandrit të Madh të
Maqedonisë. Është e njohur një letër e tij
dërguar më 31 tetor 1460 një princi italian
të Tarentinit Johan Antonius de Ursinis.
Në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë, ne
quhemi epirotë. Skënderbeu përmend në letër
si paraardhës të shqiptarëve edhe Pirron e Epirit dhe
luftërat e tij fitimtare në Itali. Besimi se
shqiptarët rridhnin nga Pirroja ishte më se i
përgjithshëm edhe te turqit. Duke bërë fjalë
për qëndresën heroike të shkodranëve në 1478
- 1479, Barleti shkruan këto fjalë të thëna
nga një oficer i lartë turk:
njeriu në
botë ndjek gjurmët e gjakut e të fisit të
vet, ky është ligj, pra edhe shqiptarët kanë shpirtin
dhe zjarrin e Pirros, sepse prej tij
rrjedhin.
Kjo letër tregon se në vetëdijën e tyre shqiptarët
e njihnin veten si pasardhës të Pirros dhe
njëherësh të Aleksandrit të Madh të
Maqedonisë. Në Shqipëri e vendos Epirin
edhe një bashkëkohës tjetër i Skënderbeut,
Gjon Muzaka. Në kronikën e tij të shkruar në mërgim,
pas pushtimit të vendit, autori shkruan
lEpiro in Albania. Po kështu, edhe
shkrimtari i ynë Frang Bardhi në kapitullin
tretë të fjalorit të tij, kur përshkruan fjalën
Arbni shkruan se ky është emri i saktë i
disa kështellave që i përkasin asaj pjese të
Maqedonisë e cila quhet Epir ose Albani (Hoc
est propria nomina nonnularum, atque
Castellorum ad eam partem Macedoniae spectantium, quae
Epirus sive Albania dicitur). Duke bërë fjalë
për Shkodrën, autori shkruan se ky qytet
ndodhet në Epir ose ndryshe Shqipëri (Scodra
- vrbs in Epiro, seu Albania).
Si sinonim të Shqipërisë e quan Epirin edhe gjeografi
i shquar i shek. XVI Gerardius Mecator (1512 -
1594). Në atlasin e tij, Theatrum Orbis,
autori shkruan: Epiri, i quajtur ndryshe
Shqipëri (LEpiro detto lAlbania). Një
barazim të tillë të Arbërisë me Maqedoninë
bën edhe historiani humanist Gjergj Merula në
veprën e tij që bën fjalë për rrethimin e parë
të Shkodrës nga turqit më 1474. Sipas tij sulltani
vendosi të sulmonte atë pjesë të Maqedonisë
që gjendet buzë Adriatikut e që sot quhet
Arbëri. Po ashtu, sipas tij, Shkodra ishtë
mu në kufi me Dalmacinë dhe Maqedonië. Më
tej, bazuar tek autorët e vjetër, Merula
shkruan se lumi i Lezhës ndan Dalmacinë nga
Maqedonia. Duke bërë fjalë për ardhjen e
ushtrisë së madhe turke, autori shkruan se
tmerri përfshiu jo vetëm krahinën e Shkodrës,
por të gjithë banorët e bregut të Ilirisë
dhe të Maqedonisë, pra tërë vendin. Frang
Bardhi e quan gjuhën epirote gjuhë shqipe, të
cilën turqit e quajnë arnautçe. (Epirote =
Iarbenesche, Turciche Arnautlar). Po kështu edhe Budi
e quan shqipen gjuhe epirote. Këtë autori e
shpreh qartë që në titullin e veprës Pasqyrë
e të rrëfyemit për të cilën thotë se e ka
përkthyer në gjuhën epirote (Speculum
Confessionis, In epiroticum linguam a Pietro
Budi... traslatum. Roma, 1621).
Por, siç u tha, krahas Pirros autorë të ndryshëm
bëjnë referenca të shqiptarëve edhe me Aleksandrin
e Madh. Arsyet duhen kërkuar në faktin se e
ëma e tij ishte Olimpia, një grua jo greke,
por epirote. Një nga statutet e Shkodrës, të
botuara kohët e fundit (Statuti di Scutari),
hapet me një privilegj dhënë Shkodrës nga Aleksandri
i Madh. Barleti e shpjegon emrin e Skënderbeut
nga Aleksandri i Madh i Maqedonisë, pikërisht
nisur nga fakti se shqiptarët e konsideronin
vetën pasardhës të tij.
Frang Bardhi shkruan se Shkodra ishte themeluar prej
Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (Scodra
esse conditam ab Alexandro Magno). Bardhi
shkruan se këtë e besonin edhe vetë turqit dhe
pikërisht për këtë arsye edhe e quanin
Skënderia për ta dalluar nga qyteti i
Aleksandrisë në Egjipt, i themeluar nga
Aleksandri i Madh. Mendimi se Shkodra ishte theemluar
nga Aleksandri i Madh qarkullonte në fakt që
në kohë të Barletit. Tashti pra, shkruan
Barleti - disa të huaj thonë se Shkodra paska
qënë themeluar nga Aleksandri i Madh. Sipas Barletit,
këtë e besonin të gjithë
edhe vetë
muhamedanët shkojnë me këtë arsyetim, sepse Shkodrën
në gjuhën e vet e quajnë Skanderi dhe ky
arsyetim, sipas shpjegimit të tyre, është një
me emrin Aleksandri. Barleti vetë nuk e
besonte këtë mendim. Sipas tij, Shkodra ishte
më e vjetër dhe themelimim e saj ai e lidh me të
dhëna të tjera. Pavarësisht nga kjo, edhe Barleti e
shpjegon emrin e Skënderbeut si një emër të
dhënë nga turqit në kujtim të Aleksandrit të
Madh që shqiptarët e konsideronin paraardhës
të fisit të tyre. Kështu, duke bërë fjalë për
ndryshimin e emrave të bijve të Gjon
Kastriotit nga turqit, Barleti shkruan: Epirotëve,
pasi ua ndërruan emrat e parë, u vunë të tjerë,
të ndryshëm, sipas zakonit të asaj gjindjeje.
Gjergji, qoftë rastësisht, qoftë pse ishte më
i dalluari ndër të tjerët për natyrën e tij,
u quajt Skënder, që është baraz me (emrin)
tonë Aleksandër. Barleti bën të qartë se
Skënderbeu e mbante Aleksandrin si paraardhës
të shqiptarëve. Kështu, në një rast, duke i
dhënë zemër ushtrarëve të tij, Skënderbeu u
përmend atyre thyerjen e Darit të Persisë nga
Aleksandri ynë (Barleti, vep. cit. f. 224). Duke
përshkruar gëzimin e madh të shqiptarëve për
fitoren kundër turqve në rrethimin e parë të
Krujës, Barleti shkruan: Njerëzve, kur
shikonin atë rini luftarake dhe kur shikonin
atë lule burrash rreth Skënderbeut, nuk u dukej aq
çudi që fuqitë e Muratit ishin thyer prej
arbërve. Me të vërtetë, ishte kthyer përsëri
shkëlqimi i lashtë i Maqedonisë dhe dukej se
kishin ardhur prapë, tamam siç ishin dikur
kohët tanimë të harruara të Aleksandrit dhe
të Pirros. (Barleti, vep. cit. f. 285). Si paraardhës
të shqiptarëve e njihnin Aleksandrin e Madh
edhe shtetet e tjera të kohës, si Republika
tregare e Raguzës (Dubrovniku). Kur
Skënderbeu me ushtrinë e tij u prit aty nga
autoritetet e vendit (gjatë kalimit të tij
për në mbretërinë e Napolit), në fjalimin e
rastit, të mbajtur nga shkrimtari David, duke
i uruar atij fitore, oratori tha midis të tjerave se
I lumtur do të shkosh, o princ i pathyeshëm,
më i lumtur do të kthehesh. As Aleksandri yt
epirotas, as ai Pirroja, mbreti rrufe i
epirotasve dhe mjeshtri i luftërave, nuk u kthyen
fitimtarë nga Italia, ashtu siç do të kthehesh në
atdhe i lumtur e fitimtar ti, o mbret i
fuqishëm dhe bujar. Vetë Skënderbeu, sipas
Barletit, në çastin e vdekjes përmend në
porositë që i lë të birit fjalët që Filipi II
i Maqedonisë i lë të birit të tij Aleksandrit
të Madh. Autorë të tjerë shqiptarë, si Frang
Bardhi, i cituar më lart bësonin madje se Aleksandri
i Madh kishte lindur në Petrelë. Autorët e
vjetër njoftonin se Aleksandri kishte lindur
në Pella. Sipas Bardhit, Pella nuk ishte
tjetër veçse Petrela. Studiuesi i njohur J.
Falemerajer në veprën e tij Elementi
shqiptar në Greqi shkruan se Maqedonasit e
vjetër, fitimtarët e Athinës e të Babilonisë,
kishin farefisni me shiptaro-epirotas-ilirianët.
Edhe patrioti i shquar Mërkur Bua pretendonte se
rridhte nga Pirroja dhe maqedonasit. Dihet se
në fund të shek. të kaluar mercenarët
shqiptarë të mbretërisë së Napolit mbanin emrin
regjimenti i maqedonasve (reggimento dei macedoni).
__________________________________
Do you Yahoo!?
Read only the mail you want - Yahoo! Mail SpamGuard.
http://promotions.yahoo.com/new_mail
More information about the ALBSA-Info mailing list |