Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] KADARE - Poshterimi ne Ballkan

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sat Jan 24 12:51:21 EST 2004


POSHTËRIMI NË BALLKAN




Ismail Kadare

 Poshtërimi i popujve është një dukuri e njohur në
histori. Poshtërimi, pararendësi i racizmit, bën pjesë
në shenjat e sigurta që paralajmërojnë përgatitjen e
një zezone. Populli i shenjuar për keq pret me ankth
stuhinë e së keqes. Zezona mund të vonojë me stinë, me
vite, disa herë me shekuj, por një ditë ajo do të
arrijë. Pritja më e gjatë e së keqes u ka ndodhur
hebrenjve. E shpërndarë në tre mijëvjeçarë u duk se
ajo po shterrohej, po shfryhej gradualisht nga
shekulli në shekull. Por nuk ndodhi ashtu. As
përndjekjet e përsëritura, as shpërnguljet, as
pogromet mizore, nuk e shuan asnjëherë armiqësinë
kundër hebrenjve. Dhe kjo vazhdoi gjer në mesin e
shekullit XX, kur krimi arriti kulmoren e vet me
Holokaustin.
 I kryer nga nazistët, krimi ka qenë në të vërtetë me
përmasa planetare. Spërkatja e tij ka njollosur
ndërgjegjen e shumë popujve, ndërgjegje ende e
pashqyrtuar plotësisht. 
 Poshtërimi mund të duket në pamje të parë si një e
keqe banale, një farsë keqkuptimi kulturor, një
sëmundje e kapërcyeshme. Për të hequr dorë nga çdo
ngushëllim i tillë duhet të kuptojmë se genocidi
kundër hebrenjve, ashtu si çdo genocid, ka nisur
pikërisht me poshtërimin.
 Poshtërimi i popujve sjell dy të këqija madhore. E
para, e çon popullin viktimë drejt katastrofës. E
dyta, e egërson viktimën duke ia shtrajtuar karakterin
gjer në atë shkallë sa ta shtyjë drejt shkërbimit të
xhelatit të vet. 
 Si rrjedhojë e kësaj, klima e një rajoni, e një
kontinenti apo e një epoke mund të helmohen disa herë
në mënyrë të pakthyeshme.
 Poshtërimi mund të jetë i njëmendtë apo i shpikur. Ka
raste në histori kur vende apo regjime janë hequr si
të poshtëruar, për të përligjur kundërsulmin, e më pas
krimet e tyre ndaj të tjerëve. Vetë ky fakt dëshmon
fuqinë e lemerishme të poshtërimit, këtij mekanizmi që
mund të shërbejë si thikë me dy presa në jetën e
popujve.
 
 
 
 2
 
 Në tetor të këtij viti në Shqipëri ndodhën tri
ngjarje, në vështrim të parë, të rëndomta, në një
shqyrtim më të thellë, kuptimplote. Në kulmin e
fushatës së zgjedhjeve vendore, njerëzit që e ndiqnin
fushatën në TV u befasuan nga shpërthimi i pezmit
antishqiptar në krahinën e Himarës. Shqiptarë dhe
grekë, ose më saktë zuzarë të dy kombeve, të kapluar
nga një mllef primitiv me fjalë, me gjeste, me
ulërima, dëshmuan pa ndonjë arsye mosdurimin e tyre
kundër vendit që quhet Shqipëri, dhe popullit që e
banon këtë vend, shqiptarëve. Zyrtarë grekë dolën të
përzier në këtë histori. Mefshtësia e autoriteteve
shqiptare për të mbrojtur dinjitetin e vendit nga
poshtërimi u gjykua përulëse. Heshtja e vëzhguesve
ndërkombëtarë, e dyshimtë.
 Pothuajse në të njëjtën kohë vazhdonte një tjetër
histori aspak e denjë: çështja e prejardhjes së Nënë
Terezës. Që ballkanas kokëtrashë, sipas një tradite të
njohur që u mohon shqiptarëve çdo personazh të fismë,
duke i lënë veç banditët, hajdutët dhe brashnjarët,
pra, që ballkanas xhelozë të shpallnin se shenjtorja
nuk ishte me zanafillë shqiptare, kjo nuk ishte ndonjë
befasi. Por, që intelektualë shqiptarë ta bënin këtë
me një zell edhe më të madh, kjo ishte natyrisht dhe
befasuese dhe e trishtuar. Me një nënqeshje
qesëndisëse, me një kinse sipërani, që pas mendjes së
tyre e jep veçimi prej kombit që të ka pjellë, këta
dijsa kërkuan të talleshin me opinionin shqiptar që
kërkoi të ripohonte as më pak e as më shumë, atë të
cilën Nënë Tereza, e bashkë me të, gjithë bota e
kishte shpallur prej vitesh: prejardhjen e saj
shqiptare. Fill pas kësaj, për një çudi të madhe, këta
dijsa, që pak më parë ishin tallur me “nënëterezistët
shqiptarë”, që e kishin quajtur përmendjen e
prejardhjes si tregues së një mendësie parake,
romantiko-nacionaliste, katundareske, groteske e të
tjera si këto, u bënë befas seriozë, e nisën të
zhbironin arkivat për të gjetur shi atë që e kishin
përçmuar, zanafillën e shenjtores. Por këtë herë,
sipas tyre, tani pa qesëndi e pa përqeshje, Nënë
Tereza na paskësh një prejardhje, por ajo ishte
maqedonase, vllahe, madje, sipas një indiani, ndoshta
cigane. Me fjalë të tjera, Nënë Tereza mund të kishte
çdo kombësi, veç jo atë shqiptare. 
 Një ngjarje e tretë ndodhi pa dalë muaji tetor. Në
një emision televiziv, ku flitej për pakicat
kombëtare, disa përfaqësues të këtyre pakicave mezi e
përmbajtën mllefin antishqiptar. Veçanërisht të egër
ishin dy prej tyre: përfaqësuesi i pakicës maqedonase
(një burrë me emër mysliman, që fliste, kushedi pse,
në emër të maqedonasve të krishterë), dhe tjetri, që e
quante veten si zëri i pakicës “egjiptiane”, ata që
populli racist shqiptar, sipas tij, i quante me
përçmim “jevgj”, e që gjithmonë sipas tij, ishin
ngulur në këtë vend në kohën e faraonëve, rrjedhimisht
shumë shekuj përpara vendësve. 
 Është vështirë të besohet që pakicat etnike, në emër
të të cilave flitej në TV, do të dëshironin vërtet të
përfaqësoheshin prej këtyre tipave. E para, sepse do
të ishte paksa e çuditshme që maqedonasit e krishterë
do të pranonin një zëdhënës me emër e mbiemër
turko-mysliman. E dyta, sepse as maqedonasit e as të
quajturit “egjiptianë”, që jetojnë prej shumë kohësh
në Shqipëri, nuk do të pranonin një harbim të tillë
dhe një mungesë të plotë luajaliteti ndaj vendit dhe
popullit, midis të cilit jetojnë. Luajaliteti ndaj
vendit që u jep strehë dhe i mbron pakicat, njëlloj si
shtetasit e vet, është kriteri i parë, i detyrueshëm
në çdo demokraci evropiane për këto pakica. 
 Si të mos mjaftoheshin me shkeljen e luajalitetit,
përfaqësuesit e mësipërm, shkuan gjer atje sa të
kërkonin shpalljen e Shqipërisë si vend shumëkombësh!
 
 
 3
 
 Tre incidentet e mësipërme, ndonëse të rëndomta në
dukje, dëshmuan qartë për një hovzim të ndjeshëm të
një klime antishqiptare në gadishull. 
 Në rastin e Himarës, fyerjet kundër Shqipërisë,
kundër flamurit dhe simboleve të saj shtetërore,
shoqëruar kjo me valëvitjen e flamurit dhe simboleve
greke, dëshmuan haptas për një program të vjetër, të
nxjerrë nga varri, në mos për shpërbërjen e
Shqipërisë, për shkëputjen e një cope të saj. 
 Në rastin e Nënë Terezës, u shpalos një program
tjetër: shpallja tërthorazi e popullit shqiptar si
popull që s’mund të ketë modele pozitive, e aq më pak
modele sublime si Nënë Tereza. Duke i lënë këtij
populli vetëm monopolin e modeleve negative:
banditëve, mafiozëve, horrave, shkretanëve të çdo
ngjyre, praktikisht i programohet mbyllja e çdo shtegu
drejt përparimit. Atij i lihet hapur vetëm një shteg:
atij që çon në fillim në 
 greminën morale, e pastaj thjesht në greminë. 
 Rasti i tretë, ai i bisedës televizive të 25 tetorit,
hedh projektin e ri, sipas të cilit shqiptarëve nuk u
përket veçse një copëz e Shqipërisë, ndoshta pjesa më
e vogël e saj. Thënë shkurt, ky është projekti i
vjetër i copëtimit të vendit, rishfaqur me një kostum
të ri: vend shumëkombësh.
 Këta shembuj, shoqëruar me dhjetëra të tjerë, nuk
janë as të rastit, as të shkëputur nga një fundajë e
tërë në këtë fillim shekulli. Në ndërrimin e
mijëvjeçarëve, për herë të parë në gadishull, populli
shqiptar u shfaq i lirë, në pothuajse krejt shtatin e
tij. Në vend që të pritej në mos me gëzim, së paku me
atë luajalitet, që shkakton ai që mbërrin më vonë, në
logun ku sivëllezërit e tjerë bashkëvuajtës si ai,
kanë mbërritur ndërkaq, në vend pra që të pritej me
mirëkuptim, ndodhi shpeshherë e kundërta. Më kot
rilindasit shqiptarë u ranë kambanave dhe dhanë
shenjat paralajmëruese se nuk po del nga mjegulla një
përbindësh, por një popull që kërkon lirinë, ato
kambana nuk u dëgjuan dhe ato shenja nuk u panë. Liria
e një populli u përftua si diçka kërcënuese, diçka
dëmtuese për të tjerët. U krye kështu një gabim fatal,
nga ata që historia nuk i fal kurrë: u krijua iluzioni
fatkeq, se Gadishulli Ballkanik mund të gjejë lirinë e
vet, duke ndryrë, duke varrosur brenda barkut të vet,
lirinë e njërit prej popujve më të vjetër të tij. 
 Keqkuptimi vazhdoi gjatë. Dhe bashkë me të një
tragjedi shumëaktëshe, për të sjellë vetëm një nga
shembujt, atë që luhej mu përpara syve të verbër të
Evropës. Tam-tamet e festivaleve, të forumeve e të
profkave pseudoliberale e mbuluan për një kohë të
gjatë atë që gjithsesi nuk duhej të mbulohej: dramën e
një populli që vuante si në mesjetë në Jugosllavi:
shqiptarëve të Kosovës. Ishte padyshim turpi më i madh
i Evropës së pasluftës dhe njolla më e rëndë në
ndërgjegjen e saj. Për fat të mirë Evropa dhe gjithë
qytetërimi perëndimor u zgjuan më në fund. Ata e
ndëshkuan Jugosllavinë duke shënuar në historinë e
njerëzimit luftën e parë të një grupi popujsh të
bashkuar për arsye kryesisht morale. 
 Kohët e fundit, po krijohet përshtypja se ky
ngadhnjim i ligjeve sublime të të drejtave dhe lirisë
mbi çdo ligj tjetër, po vihet prapë në dyshim. Një
frymë mohimi, e njohur në historinë njerëzore pas
ngjarjeve të mëdha, një ndjesi pendimi për atë që u
bë, spikat aty-këtu herë më qartë, herë më turbullt në
kontinentin evropian. Ndonëse në Hagë vazhdon gjykimi
dhe dënimi i krimit, një simpati e heshtur për të
gjëllon andej-këndej. Si shoqëruese e kësaj ndjesie,
vjen nervozizmi dhe mosdurimi ndaj atij që u bë
shkaktar për atë bombardim të gjatë e të kobshëm në
Ballkan: popullit shqiptar.
 Shenjat e një prej flamave më të vjetra të botës,
racizmit, po shfaqen, këtë herë, kundër shqiptarëve.
Tre shembujt që u përmendën në krye të kësaj sprove
nuk janë veçse shenjëza të rastit midis një sfondi të
madh. Por shpesh janë pikërisht shenjat e rastit, e
sidomos ato që nuk u vunë re, që paralajmërojnë
ngjarjet.
 
 
 
 4
 
 Në të gjitha acarimet ballkanike poshtërimi ka pjesën
e vet. Ai lidhet me viktimizimin, një nga pasionet
kryesore të ballkanasve. Zakonisht të gjithë hiqen
viktima, madje xhelatët më fort se të tjerët. Në
rrethana të tilla çështja e poshtërimit dhe bashkë me
të ajo e viktimizimit, janë tepër delikate në këtë
zonë të Evropës. Rrjedhimisht, rënia e kambanës për
poshtërim kërkon një përgjegjësi të lartë morale. Një
kushtrim të rremë nuk e ndan veçse një hap nga thirrja
për krim kundër tjetrit. 
 Në këto kushte, ngritja e çështjes së poshtërimit të
shqiptarëve, e bën të detyrueshme një shqyrtim
gjakftohtë të kësaj dosjeje, bashkë me pyetjet
themelore që ajo shtron. Disa nga këto pyetje tepër
bezdisëse, historia shqiptare ashtu si dhe historitë e
gjithë popujve të tjerë ballkanikë, në rastet e tyre,
nuk ka guxuar t’u japë përgjigje të saktë. 
 Pyetjet janë sa të thjeshta aq dhe monumentale, të
tilla që nuk lënë shteg për bishtnim. Në rastin e
poshtërimit pyetja shtrohet: si ka qenë e vërteta në
përgjithësi? Kanë qenë shqiptarët viktima të
poshtërimit, apo dhe vetë ata kanë poshtëruar të
tjerët? E njëjta pyetje shtrohet për racizmin: kanë
qenë ose më saktë, a janë shqiptarët racistë, apo jo?
Pyetje të tjera lidhen natyrshëm me të parat: kanë
qenë shqiptarët të shtypur, shtypës, apo të dyja
bashkë?
 Historia ballkanase në përgjithësi, e me të bashkë,
historia shqiptare, duhet të zhvishen sa më parë nga
madhështitë e rreme hijerënda, apo nga idilet rozë, po
aq të rreme. Ajo duhet të pastrohet nga pluhuri që
mbulon të vërtetën, nga pudra që përpiqet të mbulojë
turpin, nga joshja për cubnitë dhe nga krejt kultura e
krimit e paraqitur si kulturë heroike. Vetëm kjo
shpëlarje do ta ndihmojë Ballkanin të kthjellojë në
fillim ndërgjegjen, e fill pas asaj mendësinë e vet.
Gadishulli ynë, më shumë e më ngutshëm se kurdoherë ka
nevojë sot për të vërtetën. Popujt e Ballkanit nuk
duhet të kenë frikë nga e vërteta, sepse pavarësisht
nga prapësitë që kanë bërë me shumë zell, ka gjasë të
kenë megjithatë, një bilanc të përgjithshëm pozitiv.
 Që të kthehemi te pyetjet e vështira, lidhur me
poshtërimin, mund të thuhet pa frikë se shqiptarët nuk
kanë pse të qahen e të hiqen si viktima të
gjithëhershme. Në pjesën më të madhe të rrugëtimit të
tyre historik, ata jo vetëm që nuk kanë qenë të
poshtëruar, por, për fat të keq, shpesh kanë marrë
pjesë në poshtërimin dhe shtypjen e të tjerëve.
 Prania shqiptare në gadishull ka qenë tepër e
fuqishme, por ne duhet të kemi kurajon të themi se kjo
prani ka qenë e tillë po aq për të mirë sa edhe për të
keq. Për të mirë kur nuk e ka ulur kryet ndaj trysnisë
otomane, kur ka bërë luftë për lirinë e vet ose për
lirinë e fqinjit të tij: popullit grek. Për të keq,
kur feudalët, vezirët, pashallarët, guvernatorët
mizorë shqiptarë u kanë shkaktuar fatkeqësi popujve të
tjerë, aty ku kanë sunduar ose u ka rënë rruga e
marshimit. Në qoftë se në baladat popullore greke
shqiptarët përmenden aty-këtu, si pushtues ose
sundues, kjo s’ka pse të na duket propagandë
qëllimkeqe, por dëshmia epike e një epoke.
 Lidhur me çështjen edhe më delikate, atë të racizmit,
ne përmendim shpesh me të drejtë prirjen filosemite
dhe mbrojtjen e hebrenjve prej shqiptarëve. Krenaria
jonë për këtë është legjitime, madje në kushtet e
ringjalljes së antisemitizmit sot, kjo krenari e
ripohon me kurajo këtë program moral. Ndërkaq, duhet
thënë se, prohebreizmi shqiptar nuk mund të shërbejë
as si alibi, as si pasaportë që u jep shqiptarëve të
drejtën të  shpallen si një popull që nuk e njeh
racizmin. 
 Thjesht e me plot gojën mund të themi se, për fat të
keq, si shumë të tjerë, populli ynë ka qenë dhe mbetet
i prekur nga kjo sëmundje e rëndë. Është e vërtetë se
racizmi i tij është i atij lloji që mund të quhet “i
tensionit të ulët”. Është po aq e vërtetë se historia
shqiptare nuk njeh as pogrome, fushata, psikoza e
programe raciste, por kjo s’do të thotë se shqiptarët
në këtë fushë, janë engjëj. Racizmi tradicional kundër
romëve, (emërtimet jevg, magjyp, gabel, janë disa nga
dëshmitë sipërfaqësore të tij), ka qenë dhe vazhdon të
jetë i pranishëm në jetën shqiptare. Në shumicën e
rasteve nën një petk bablok e tolerance të dyshimtë
nga ana e shqiptarëve, pjella e ndjenjës së
superioritetit. Në ndonjë rast të rrallë, me goditje
ndëshkuese, si në luftën e Kosovës. 
 Racizmi kundër fqinjëve, kryesisht sllavëve
(emërtimet shkja, shkinë, me nder grek, shule etj.),
shpesh i ndërsjellë, shoqëruar për fat të keq me
goditje hakmarrëse, si në Kosovë vazhdon t’i sjellë
një dëm të ndjeshëm çështjes shqiptare. Racizmi kundër
turqve, (halldup, anadollak, turkoshak etj.),
pjesërisht i shpjeguar nga pushtimi, pa rigjallërim,
më tepër mbetje folklorike. Së fundi, racizmi
antiitalian, (breshkamadh, pepino etj.), përsëri
shpjeguar nga pushtimi, e sidomos nga periudha e
paspushtimit italian, pa goditje hakmarrëse,
përkundrazi me sjellje fisnike ndaj ushtrisë së mundur
italiane.
 Një racizëm i vonë, i mbetur në shpërgenj, ishte ai
kundër kinezëve, i vetmi, me sa duket, me prejardhje
politike, mosmiratim i një miqësie groteske, që u fik,
për fat të mirë, bashkë me maoizmin, pa lënë asnjë
gjurmë ndaj komunitetit kinez, që jeton sot në
Shqipëri. Mundësi racizmi jep prania e UNMIK-ut në
Kosovë, sidomos ndaj nëpunësve me prejardhje
afrikano-aziatike, mbi të cilët mund të bien fare pa
të drejtë përçmime të vjetra, ose mllefe të reja, me
zanafillë të sotme.
 Shtresimi racist është një ndër më të vjetrit e më
tinzarët në natyrën njerëzore. Ai zë vend vit pas viti
e shekull pas shekulli saqë mëton të ngjasojë me
lidhjet fisnore e ato të gjakut, në kahun negativ,
natyrisht. 
 Për t’u kthyer te poshtërimi, pavarësisht nga
shembujt e mësipërm, në një bilanc përfundimtar, mund
të thuhet se shqiptarët, ndryshe nga ç’mendohet, jo
vetëm që nuk kanë qenë viktima, më shumë se të tjerët,
por përkundrazi shpesh kanë qenë të favorizuar. Bazuar
ose jo në të vërtetën, ata kanë patur shpesh një nam
të mirë, të ngjyrosur me romantizëm. Prejardhja e tyre
ilire dhe e gjuhës shqipe kanë qenë të pranuara
gjerësisht. Një simbol mbretëror planetar si ai i
shkabës dykrenore, ndonëse i lakmuar kudo, i është
njohur vetëm flamurit të tyre, me zemërgjerësi, madje
i përforcuar me shprehjet: “vend i shqipeve” dhe “bij
të shqipeve”, të dyja të krijuara, me sa dukej, prej
evropianëve. 
 Gjatë diktaturës gjysmëshekullore komuniste, ndërsa
regjimi fitoi përçmimin e gati gjithë botës, kombi
shqiptar i mbyllur si në zhguall prej këtij regjimi,
mbeti përgjithësisht i paprekur. Për ironi të fatit,
kur regjimi komunist ra, fillimisht në Shqipëri e
pastaj në Kosovë, shqiptarët bashkë me lirinë njohën
edhe poshtërimin masiv. Të vënë nën projektorët e
gjithë botës, shqiptarët treguan, për fat të keq, një
fytyrë tepër zhgënjyese, që i ngazëlleu pa dyshim
kundërshtarët e tyre tradicionalë, aq sa i dëshpëroi
mbrojtësit e tyre. Prapësia shqiptare arriti kulmin në
vitin e zi 1997, turpin dhe lemerinë e të cilit
shqiptarët, elita politike e kulturore, bashkë me
turmat që vuri në lëvizje, nuk kanë ende guximin moral
për ta zbërthyer e për ta dënuar. Ky refuzim shpjegon
një pjesë të shthurjes morale dhe të ëndrrave makabre
që ende projektohet nga ato ngjarje në kohën e
tanishme. 
 Vetëposhtërimi që shqiptarët i bënë vetvetes, ajo
pabesi në përmasë të madhe, që do të sillte rrëzimin e
turpshëm të shtetit, u hapi rrugë fantazmave të vjetra
në gadishull, një nga të cilat kishte qenë zhbërja e
Shqipërisë. Kishte vite që, falë diktaturës së saj
proverbiale, Shqipëria shkëlqente, siç thuhet, me
mungesën e saj. Kishte pushuar së qeni faktor, me
fjalë të tjera, ajo vetë kishte njëmendësuar projektet
e hershme antishqiptare. Tani që diktatura, kjo
gardiane e vetasgjësimit shqiptar kishte rënë, rolin e
saj duhej ta merrte dikush tjetër. Shqiptarët e dalë
në liri, ngjanin të rrezikshëm. Në prag ishin ngjarjet
e Kosovës, pas të cilave të tjerë shqiptarë do të
dilnin në liri. Duhej bërë diçka e ngutshme që ky
dallgëzim të frenohej. Përrallat për rrezikun islamik,
që kinse bartte populli shqiptar, nuk pinin ujë. E po
ashtu thirrjet mallëngjyese të Serbisë, që Evropa t’u
jepte rolin e kamxhikut në emër të kinse mbrojtjes së
krishtërimit. Surpriza e keqe, prirja vetëvrasëse e
shqiptarëve, tërbimi i një pjese të tyre kundër
atdheut, nxiti, me sa dukej kurajon e qarqeve të
vjetra antishqiptare. Një strategji tjetër, gjysmë e
re, gjysmë e hershme doli në dritë: të goditej jo më
regjimi, por ai që përbënte thelbin e çështjes, vetë
kombi shqiptar. E kjo gjë nuk mund të kryhej pa
ndihmën e asaj pararoje që shfaqet zakonisht në kësi
rastesh: falanga e rimohuesve.
 
 
 
 6
 
 Goditja ose më saktë shkulja e themeleve të kombit
dhe identitetit shqiptar, vënia në dyshim e krejt
historisë së tij, mohimi i shenjave dhe i vlerave,
përbaltja e modeleve, përçmimi i gjuhës, këto e të
tjera si këto, nuk mund të kryheshin pa një keqkuptim
të rëndë, që vitet e fundit, thirret në skenë, sa herë
që dikush ka nevojë për çoroditje dhe alibi. Është
fjala për dy nocione aq shumë të përfolura sot:
patriotizmin dhe nacionalizmin. Loja me to,
mjegullimi, shfrytëzimi me dredhi, duke përdorur dy
kute, kanë lënë shteg për spekulime të pafundme. Dihet
se si nacionalizmi agresiv është maskuar shpesh me
lajlelulet e patriotizmit, por po ashtu patriotizmi
natyral është fshikulluar pa të drejtë si nacionalizëm
i keq. Ndonëse të ndryshme si nata me ditën, një qasje
e kthjellët ndaj kësaj dukurie, na lejon të mendojmë
se ashtu si dashuria me urrejtjen, që qëllon të
përkiten në një pikë, ashtu dhe atdhetarizmi me
nacionalizmin kanë, për fat të keq, një pikëtakim të
turbullt. Është pikërisht kjo zonë që nxit keqkuptimet
e rënda, shpesh të  qëllimshme.
 Në Evropën e sotme, ndonëse gjëkund nuk shprehet
qartë, nënkuptohet përdorimi i dy kuteve për këto dy
nocione. Ndërsa pranohet heshturazi një lloj
nacionalizmi tek disa vende të mëdha e të
stabilizuara, duke u pagëzuar si patriotizëm, e njëjta
ndjesi, në të tjera vende, damkoset si nacionalizëm. 
 Shpallja si “mite nacionaliste” e gjithë modeleve
shqiptare, që nga Kastrioti e Nënë Tereza, zëvendësimi
i këtyre modeleve me të tjera, shumica poshtëruese:
figura pashallarësh mizorë që i shërbyen jo lirisë por
robërisë, rebelime të hapura proturke, si ai i Haxhi
Qamilit, pashallarët e kuq, që e zëvendësuan flamurin
otoman me atë panbolshevik, figura mafiozësh e
monstrash politikë që valëvitin sot një flamur të
tretë, atë të korrupsionit, e kështu me radhë, gjer te
emblema e fundit, atë që duhet t’i fshijë të tjerat e
të kthehet në shenjë identifikimi të këtij populli:
anije të mbushura me refugjatë, që e braktisin vendin.
Siç shihet, asgjë ndërtuese nuk ka në këtë tablo të re
që i propozohet botës shqiptare. Në të ka vetëm kaos,
mbrapshti dhe braktisje. 
 Që qarqeve të ndryshme në Ballkan, u intereson kjo
gjendje gjysmënokdauni në të cilën ka rënë vendi ynë,
(rivaliteti ekonomik për dikënd, statusi i Kosovës për
dikë tjetër, e kështu me radhë), kjo merret me mend,
por që rimohues shqiptarë marrin pjesë, madje me shumë
zell, në këtë sulm kundër vendit të vet, kjo është
vërtet dëshpëruese.
 Përveç iliricitetit dhe figurës së Kastriotit, si
mite çoroditëse dhe burim kryesor i fatkeqësisë
shqiptare u shpallën tezat e rilindasve. 
 Cilat kanë qenë, në të vërtetë, “mitet” e rilindasve
shqiptarë? I pari dhe mbi të gjitha, përveç
Kastriotit, ishte miti i flakjes së pushtimit turk,
bashkë me otomanizmin oriental. Pastaj vinin me radhë
miti i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare. I ruajtjes së
tërësisë truallsore të Shqipërisë. I orientimit
perëndimor e i modelit zviceran. I harmonisë fetare
dhe i harmonisë midis Veriut dhe Jugut. I kultit të
gjuhës shqipe. 
 Edhe në kishte mite, që tingëllonin naive, si ai i
Shqipërisë Zonjë të rëndë të dikurshme, e katandisur
më pas me rrecka, ose i prejardhjes pellazge, ose i
sublimit të virtyteve e bukurisë shqiptare, këto e të
tjera si këto, nuk i prishin punë askujt. Kryesorja
ishte që, në këtë program nuk kishte urrejtje, e aq më
pak tmerre, si ato të pastrimit etnik, që ishin
formuluar ndërkaq në disa nga programet e fqinjëve
tanë.
 Për çudi, rimohuesit tanë, aq të vëmendshëm për t’i
gjetur njolla Rilindjes së vendit të vet, nuk kanë
vërejtur asnjë të keqe në mitet që paralajmëruan
tragjedinë e fundit në Ballkan: “Kosova djep i
Serbisë”, “ku jeton qoftë edhe një serb është Serbi”,
etj., etj. Edhe kur flakët morën qiellin dhe bota e
tërë u rrëqeth nga masakrat e Kosovës, ata prapë nuk
panë asgjë dhe vazhduan t’i binin kambanës kundër
“kombëtarizmit shqiptar”. 
 Shkrimtari, që më së shumti e barti në shekullin 20
mitologjinë rilindase, ishte Gjergj Fishta. Sipas
logjikës së rimohuesve tanë, Fishta ka bërë një gjë të
keqe. Mirëpo ata, tani për tani, nuk guxojnë ta prekin
atë. Ata vazhdojnë të zhyten thellë e më thellë në
mashtrim dhe hipokrizi kur ngulin këmbë që “mitet”
shqiptare i transferoi në shekullin tonë Enver Hoxha.
Kinse kritika e tyre për shefin komunist, është, në të
vërtetë, lavdërimi më i madh për të.
 Ne e dimë mirë ç’bëri Hoxha me programin rilindas. Ne
e dimë mirë se si psikozën kundër otomanizmit e ktheu
në psikozë kundër kapitalizmit. Programin
properëndimor, në të kundërtën e tij. Modelin
zviceran, në model sovjetik e kinez. Harmoninë fetare,
në ndalim të gjithë besimeve. Mitin e virtyteve të
shqiptarit, në mit “të njeriut të ri”, të kundërt me
të parin. Së fundi, mitin e Zonjës së rëndë të
dikurshme, tani me rrecka, në mitin e Zonjës gjithmonë
me rrecka, tani, Shoqe e nderuar. 
 Ç’i propozohet sot Shqipërisë, si këmbim për mohimin
e “miteve rilindase”? Në radhë të parë vetëposhtërimi.
Kënga e kukuvajkës, fryma mohuese për gjithçka.
Shkurt, mitit të atdheut, me të gjitha ngarkesat
kundërthënëse, që ai ka marrë, në historinë e gjithë
popujve, i kundërvihet miti i vendit të pamundur,
thënë ndryshe, të mallkuar.
 Mëkati më i pafalshëm i rimohuesve është se, me
transformimin që i bëjnë së keqes shqiptare, nga
regjimi komunist tek kombi shqiptar, ata, dashur
padashur, bëhen mbrojtësit e këtij regjimi. Me alibinë
që i bëjnë kështu diktaturës, ata nxisin një pyetje të
përçudur: ç’të bënte i gjori regjim komunist me këtë
popull, që gjithçka të tij: historinë, kulturën,
mendësinë i kishte pasur të prishura në themel?
 
 
 8
 
 Polemika për Nënë Terezën, në vjeshtë të këtij viti,
tregon se gadishulli ynë jo vetëm vazhdon të prodhojë
histori, siç është thënë, por krahas historisë, uzina
e tij shpik ose mohon zanafilla, injoron ose fabrikon
pakica të paqena, përgjysmon ose dyfishon popuj, pjell
mburrje qesharake faraonike ose perandorake. 
 Polemika, si çdo prodhim i provokacionit qëllimkeq,
ka qenë e panevojshme.
 Në çdo provokim të këtillë ka një dozë pabesie. Skema
është e njohur: hedhja në publik diçka të pavërtetë.
(Në këtë rast, është pritur vdekja e Nënë Terezës, që
të thuhet se ajo nuk është shqiptare.) Natyrisht që do
të ketë reagim, siç ka reagim në kësi rastesh. Pas
reagimit, gjendet dikush që thërret: ç’është ky
reagim? Përse ky reagim? Bërtitësit shkojnë më larg:
ç’është ky patriotizëm, ky kinse patriotizëm, ky
nacionalizëm? Për çudi gjithë mllefi i bërtitësve nuk
drejtohet kundër provokatorit që hodhi në opinion një
mashtrim, por kundër atyre që i thanë “jo” mashtrimit.

 Bërtitësit vazhdojnë të ngulin këmbë se s’duhej të
kishte reagim për një gjë që dihet. Ndërkaq, ata bëjnë
sikur nuk e dinë që pa atë reagim, mashtrimi për Nënë
Terezën do të zinte vend në trajtën e një shtatoreje
prej bronzi në një shesh të Romës. Të nervozuar, disa
nga bërtitësit e hedhin më në fund maskën: ç’punë kanë
shqiptarët me Nënë Terezën? Ajo i përket gjithë
njerëzimit. 
 Ky pohim ka qenë edhe thelbi i provokimit.
 Dy pyetje shtrohen tani disi më qartë: e para, është
apo jo e nevojshme shpallja e prejardhjes së njeriut?
E dyta: kanë apo s’kanë punë shqiptarët me Nënë
Terezën?
 Për pyetjen e parë, dihet se tre janë informacionet
bazike që jepen në krye të çdo lajmi për çdo
personalitet: dita e lindjes, prejardhja, dita e
vdekjes. I mirë ose i keq, ky është tani për tani
zakoni i njerëzimit. Për Nënë Terezën nuk do të kishte
përjashtim. Ndër mijëra lajme, që njoftuan vdekjen e
saj, u dhanë të sakta lindja, vdekja dhe prejardhja
shqiptare e saj. 
 Në morinë e pafund të informacionit që shoqëroi
vdekjen e saj, zërat e vetmuar që u ngritën për të
thënë se Nënë Tereza nuk ishte shqiptare, por sllave,
cigane ose vllahe, ishin një pikë ujë në oqean. E
megjithatë, ishte kjo pikë ujë në oqean, që u kap prej
provokatorëve në Tiranë, për të ngritur një zhurmë
kundërshtuese. 
 Njerëzit që reaguan kundër këtyre zërave, u
fshikulluan në mënyrë të pabesë si “bojaxhinj” të Nënë
Terezës, domethënë si falsifikatorë, si mbulues, si
përçudnues të saj. Pas kësaj deklarate, do të donim të
dinim se a do të kishte guxim provokuesi ta çonte
mendimin e tij gjer në fund, për të thënë se në këtë
histori, kryebojaxhia, pra, kryefalsifikatorja qenkësh
vetë Nënë Tereza, meqenëse ka qenë ajo, që e ka
shpallur përpara botës prejardhjen e saj shqiptare?
Dhe për të mbyllur këtë paragraf të trishtueshëm do të
duhej të bënim pyetjen: në qoftë se ata që pohojnë
përkatësinë shqiptare të Nënë Terezës do të quheshin
“bojaxhinj”, ç’emër duhej t’u vinim atyre që i gjetën
asaj një tjetër prejardhje tjetër, atë vllahe?
 Kurthi i prejardhjeve mbetet nga më të larmishmit në
Ballkan. Prejardhja si mburrje. Prejardhja si fyerje.
Prejardhja e padurueshme prej tjetrit. Prejardhja e
mohuar. Prejardhja e fshehur. Prejardhja e nxjerrë
befas si thikë nga mënga, e kështu me radhë. 
 Keqkuptimi për prejardhjet është pjesë e atij 
 gramshaleshi të madh që përbën “ballkanizmin”, në
kuptimin më të keq të fjalës. Ai lidhet me një varg
keqkuptimesh të tjera, shpesh dramatike, siç është ai
i statusit të pakicave. Si kudo në botë, pakicat kanë
qenë e do të jenë të pashmangshme në Ballkan. Çështja
është nëse ato do të lozin rolin e urave bashkuese apo
të greminave ndarëse. I kanë luajtur të dyja gjer më
sot, më hershëm atë të urave, më vonshëm atë të
greminave. Nga qartësia e Kushtetutës së Evropës së
Bashkuar për këtë problem do të varet një kthjellim i
mëtejshëm i një prej burimeve të së keqes në Ballkan.
 Popujt e gadishullit tonë kanë dhënë e kanë marrë
gjerësisht me njëri-tjetrin për shekuj me radhë.
Krahas ndikimeve kulturore, zakonore, gjuhësore,
ballkanasit kanë këmbyer lëndë njerëzore, në masë të
ndjeshme. Lënda njerëzore e ardhur nga një popull
tjetër, është zakonisht faktor gjallërimi dhe
shëndoshjeje. Historia e ka pranuar se ç’pasurim sjell
kjo përzierje, ky metisash, dhe ç’varfërim shkakton e
kundërta. Shembulli amerikan, si ngadhënjim i
përzierjes mbetet më i qarti gjer më sot. 
 Shqiptarët, si gjithë të tjerët, i janë nënshtruar
këtij ligji. Ata kanë dhënë, dhe duke dhënë, kanë
shëndoshur popujt e tjerë, sidomos fqinjët, me
gjindjen e tyre. Nga ana tjetër ata kanë marrë, dhe
gjithaq janë shëndoshur prej të tjerëve. 
 Në shëmbëllim të krushqive mbretërore, që janë
përpjekur të luajnë një rol zbutës, një rënie të
trysnisë midis shteteve, këto dhënie-marrje midis
popujve e kanë luajtur pa dyshim një rol të tillë,
madje, me sa duket, më të ndjeshëm se krushqitë
monarkike. Megjithatë, si në rastin e gjithë krushqive
edhe ato, nga kahu pozitiv, ka qëlluar të kthehen në
të kundërtën.
 Provokimet nuk kanë nevojë gjithmonë për sheshe ku të
shpallen. Ato mund të fillojnë pa bujë, si shkrepsja
modeste, që i vë zjarrin një turre drush. Ato mund të
nisin në trajtë sprovash akademike, në trajtë
veshjesh, apo thashethemesh të kafeneve. Prejardhjet,
janë rrafsh i parapëlqyer për acaruesit. Të thuash se
nëna e Gjergj Kastriotit është me prejardhje
joshqiptare, është një gjë e zakonshme. Kryezotët
shqiptarë, ashtu si një pjesë e feudalëve ballkanas,
për arsye të ndryshme, qoftë edhe për të imituar
mbretërit, merrnin gra të huaja. Me këtë rast, fyerja
e shqiptarëve për prejardhjen e nënës së heroit, që ka
gjasë të ketë qenë malazeze, është e papërligjur.
Rasti rëndohet kur vjen puna e shpalljes me bujë, në
një gazetë me tirazh të madh, se ati i Skënderbeut,
Gjon Kastrioti ka qenë gjithashtu serb. Provokimi mban
erë që larg, ngaqë bazohet thjesht mbi një mashtrim.
Nga disa shkresa të vjetra serbe ku emri i Gjon
Kastriotit figuron si Ivan Kastrioti, u hidhka poshtë
një e vërtetë e dëshmuar nga mijëra dokumente të tjera
në dhjetëra gjuhë, e në dhjetëra vende. Në këto
dokumente emri i Gjon Kastriotit natyralizohej, në
shumë raste, sipas gjuhës me të cilën përpilohej
dokumenti. Kështu, Gjoni i Kastriotëve, në gjuhë të
ndryshme ishte Zhan, Xhon, Johan, Huan, Ivan, Xhovani
etj. Këta emra mund ta bëjnë atë francez, anglez,
gjerman, spanjoll, serb ose italian, aq sa ç’mund ta
bëjë shqiptar emri i shqiptarizuar Gjon, Papën e
Romës, Gjon Palin e dytë.
 Zelli për provokim dokumentohet ngaqë nga gjithë
prejardhjet e mundshme, parapëlqehet ajo që acaron,
ndonëse pa të drejtë, shqiptarët.
 Them, pa të drejtë, sepse çfarëdo prejardhjeje që t’i
ngjitësh Kastriotit, serbe, greke, spanjolle apo
kineze, asgjë nuk e ndryshon asnjë grimë identitetin e
tij shqiptar. 
 Loja me prejardhjet është, jashtë çdo dyshimi, një
nga kotësitë foshnjarake ballkanike. Por kjo nuk do të
thotë aspak se provokimi vetë, mund të quhet
foshnjarak. Një provokim është gjithmonë serioz në të
keqen e tij, e sidomos në gadishullin tonë. Shumë
tmerre kanë ndodhur në historinë e botës të nxitura
nga ngjarje që ngjajnë fëminore: një lëvizje e gabuar
e dorës në një tempull, një krehje flokësh, një
tatuazh a një deklarim i pakujdesshëm.
 Shqiptarët nuk janë aspak të mbrojtur nga ethe të
tilla. Shembulli i prejardhjes të hamendsuar
joshqiptare të Migjenit është një nga më kuptimplotët.
Ajo ka qenë për një kohë të gjatë tabu. Të thuhej se
Millosh Gjergj Nikolla, ishte me zanafillë
joshqiptare, me sa dukej malazeze, kjo merrej si
fyerje. Në të vërtetë, jo vetëm nuk ka asnjë fyerje,
por ka qenë nder për botën shqiptare, që mundi të
magjepste e ta bënte të vetin një nga talentet më të
mëdhenj të kohës. Rasti i Migjenit tregon se universi
shqiptar bashkë me gjuhën shqipe, ai univers e ajo
gjuhë që ne e kemi bërë zakon ta shkelim me këmbë, ka
fuqi thithëse e integruese tepër të fortë.
 Migjeni, për nga prejardhja, për nga studimet, e për
nga gjuha, mund të ishte një shkrimtar jugosllav.
Vendi fqinj mund t’i jepte atij hapësirë e mundësi, në
dukje, më të madhe se Shqipëria e sertë, e varfër dhe
kryeneçe. Por ai, jashtë çdo përfitimi, madje kundër
tij, e bëri zgjedhjen e vet. Ajo zgjedhje ishte
rrënjësore, e sinqertë, e plotë. I dashuruar
“tragjikisht”, siç shkruan, pas botës së shqiptarëve,
(ka gjasë që viset e Perëndimit, për të cilat ai
kishte gjithashtu një “dashuri tragjike”, iu dukën më
të kapshme nëpërmjet Shkodrës së shqiptarëve sesa
zonës sllave), Migjeni nuk e kujtoi kurrë zanafillën e
vet. Do të mjaftonte kjo që, në qoftë se dikujt duhej
t’i mbetej hatri (në këtë gadishullin tonë
hatërmbetës), këta do të ishin malazeztë e jo
shqiptarët. 
 Askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë askujt pohimin
apo mohimin e prejardhjes së vet. E drejta e pohimit
është po aq e ligjshme sa ajo e mohimit. 
 Ndryshe nga Migjeni, një tjetër shkrimtar shqiptar me
prejardhje të huaj, Sterio Spasse, nuk e mohoi
asnjëherë zanafillën maqedone. Shkrimtar i shquar në
dy regjime të ndryshme, mbretëror dhe komunist, i
qortuar në të parin si tepër pesimist (romani “Pse?”),
e në të dytin si tepër optimist (realizmi socialist),
Spasse përjetoi fatin e shumicës së shkrimtarëve
shqiptarë, fat të kushtëzuar nga disa faktorë, përveç
njërit: atij që lidhej me prejardhjen. Në të dy kohët,
mbretëroren dhe komunisten, askush nuk ia kujtoi kurrë
maqedonësinë, rrjedhimisht, prej saj ai s’pati asnjë
të keqe, ashtu siç nuk pati asnjë të mirë.
 Është rasti të thuhet këtu se, ndërsa s’kemi të
drejtë të mohojmë e të shkulim prejardhje, aq më pak
kemi të drejtë të detyrojmë dikënd ta mbajë atë me
dhunë, si tatuazh, si yll të Davidit në setër, sipas
zakoneve naziste, apo si damkë hekuri të skuqur, sipas
dokeve mesjetare.
 
 
 
 9
 
 Zemërimi kundër zanafillës shqiptare u përligj në një
mënyrë shtihane, se kinse zhurma për Nënë Terezën
ishte e tepruar në Shqipëri dhe se ajo po shfrytëzohej
prej klasës politike shqiptare, për kapital, moral
etj., etj. Ata që e njohin pak a shumë gjendjen në
Shqipëri, e dinë fare mirë se klasa politike shqiptare
as që do t’ia dijë për Nënë Terezën, se veshët e
shqiptarëve, nga mëngjesi në darkë janë të shurdhuar
nga klithmat e një panairi politik rraskapitës:
Nano-Meta, Mejdani-Berisha, Votat e vjedhura, KQZV-të,
VKQZ-të, Mocion besimi, Mocion mosbesimi etj., etj.
Midis kësaj zallahie shterpë, çdo tërheqje e vëmendjes
prej gjërash më të epërme, do të ishte jo vetëm e
dobishme për shëndetin moral të kohës, por do të
ndihmonte për të parë se, sa e mjerë është gjithë kjo
rrumpallë, që ka gëlltitur jo vetëm politikën, por
edhe pjesën dërrmuese të shtypit shqiptar.
 Ç’të keqe, pra, do të kishte prania më e ndjeshme e
Nënë Terezës, e frymës së saj, në botën tonë
shqiptare, të mbushur me mosdashuri, me nerva dhe
urrejtje? 
 Antinënëterezistët tanë i mërzit fakti që populli
shqiptar, pothuajse unanimisht, e ka shpallur
adhurimin e tij për Nënë Terezën. Ky popull është
akuzuar vitet e fundit si tepër i ashpër,
shkatërrimtar, egërshan. Ka një pjesë të së vërtetës
në këtë fajësim. Nisur qoftë edhe nga kjo, ç’të keqe
ka në qoftë se populli shqiptar, me zgjedhjen e kësaj
embleme morale shpall prirjen e tij për të bërë një
ndreqje, një qortim, një zbutje brenda vetes? A nuk i
kërkohet sot gjithë Ballkanit një program i ri moral,
thelbin e të cilit e përbën zëvendësimi i urrejtjes me
frymën e mirëkuptimit? I gjithë ky zell për mënjanimin
e Nënë Terezës bëhet edhe më i pafalshëm, kur kujtojmë
se ka patur një kohë të errët, kur regjimi komunist e
kishte përjashtuar shenjtoren krejtësisht nga
Shqipëria. T’i bësh jehonë, qoftë edhe pa dashur këtij
qëndrimi çnjerëzor, është mëse e habitshme. 
 Argumenti i fundit në dosjen Nënë Tereza është edhe
më absurdi: frika se mos krenaria për prejardhjen
shqiptare të shenjtores, ripërtërit tek ne mitin e
hershëm të superioritetit të racës shqiptare!!!
 Është vërtet për të lënë mendjen, siç thuhet. Se kur
na paska dalë ky rrezik i ri në këtë vend, kjo mbetet
një nga kureshtitë e mëdha se gjer ku mund të shkojë
fantazia njerëzore.
 Në fundajën e një rënie morale të paparë, ku
vetëposhtërimi, shkelja e vetvetes, humbja e çdo
besimi, kanë arritur në atë pikë, sa që shpesh janë të
huajt që përpiqen të na sjellin në vete, duke thënë:
kini besim në veten tuaj!, të flasësh për rrezikun që
vjen nga kompleksi i superioritetit të racës, është si
të pështysh mbi një gur varri. 
 E meqë është fjala për modelin e Nënë Terezës, ky
model shelbues, që është, veç të tjerash, edhe i
përvujtnisë, jo vetëm nuk mund të nxisë të kundërtën
te shqiptarët, por na jep shkas të besojmë se një nga
arsyet e adhurimit është pikërisht prirja për t’u
ndarë edhe me këtë cen: kreninë e tepruar e boshe.
 Nënë Tereza, si ikonë e mbarë planetit të njerëzve,
është veçanërisht e tillë për popullin shqiptar, falë
lidhjes së gjakut. Është kjo lidhje që kthehet
vetvetiu në një pakt, në një shkollë të tërë
emancipuese, në një lajm të mirë, për një kohë të re.
 Të ngresh moralin e përmbysur të një njeriu është
ndërkaq diçka e madhe. Të ndihmosh për të ngritur
moralin e një populli të tërë është përtej sublimes.
Për të kuptuar se kjo nuk është as metaforë poetike e
as një përkryerje, që ndodh në sfera të larta, të
parrokshme për njeriun e thjeshtë, le të kujtojmë
qindra mijëra mërguesit e sotëm shqiptarë, ata që fati
nuk u ka ecur, siç kanë shpresuar, dhe që të
shpërndarë anekënd, ditë e natë përballen me mungesat,
ankthet, poshtërimin. As shteti shqiptar, as pasaporta
shqiptare nuk i mbrojnë dot, përkundrazi, ua
ndërlikojnë jetën. Le të kujtojmë dramën kolosale, atë
dramë me të cilën nuk merret askush, të mijëra e
mijëra fëmijëve të këtyre mërguesve, të cilët shkojnë
çdo mëngjes në shkollat e huaja, me zemër të dridhur
se mos dikush u thotë me pezm: ti je shqiptar!
 E pra, këtyre mërguesve të harruar, që u qëllon të
përfundojnë në burg me faj e pa faj, e këtyre fëmijëve
që gjymtohen psikikisht që në mëngjesin e jetës, u
vjen befas në ndihmë ikona e shenjtores. Është ajo dhe
vetëm ajo, që u jep kurajon t’i thonë me vete policit,
gjykatësit ose mësuesit: ju vendin tim e shpërfillni,
por lavdi Zotit është një shenjtore që ju e nderoni:
Nënë Tereza. Ajo është nga vendi im.
 Do të mjaftonte vetëm kjo arsye e thjeshtë njerëzore,
midis arsyeve të tjera të mëdha, që të rreshtte zhurma
kundër pranisë së Nënë Terezës në Shqipëri. Zelli që
ushqen këtë zhurmë, na bën të mendojmë se ata që i
bezdis kjo prani, në të vërtetë është vetë populli
shqiptar që i bezdis. 
 Siç u tha më lart, vendi i vetëm ku zanafilla e Nënë
Terezës zgjoi kundërshtime e polemika, ishte
Shqipëria. Në këtë rast, nuk ka si mos të na shkojë
mendja te dy testamentet që i ishin lënë popullit
shqiptar lidhur me shenjtoren. Porosia e asaj vetë, që
ajo të mos ndahej më kurrë nga Shqipëria. Porosia e
Enver Hoxhës, që ajo të mos i qasej kurrë Shqipërisë.
Populli shqiptar nderoi testamentin e parë, atë të
shenjtores. Provokatorët shqiptarë nderuan të dytin,
atë të diktatorit. 
 
 
 
 10
 
 Prodhimi me tepricë i historisë në Ballkan, sipas
thënies së njohur të Çurçillit, nuk mund të kryhej pa
një sërë uzinash ndihmëse, ato që përgatitën lëndët e
nevojshme, për departamentin kryesor. Trysnitë etnike,
mitet vrastare, përçudnimet e historisë, e gjer te
provokimet e te helmet më banale, janë disa nga
nënprodhimet e domosdoshme që uzina e madhe të mos
pushojë së nxjerri tym. E tymtarët e saj, për fat të
keq, kanë qenë e mbeten ndotësit më të këqinj të
gadishullit.
 Nisur nga kjo, është e kuptueshme që Evropa e
Bashkuar, në portat e së cilës ballkanasit kanë zënë
radhën për të hyrë, vigjilon, mbikëqyr, jep këshilla e
dërgon kërcënime, që gadishulli të harrojë fantazmat
ngatërrestare të tij, të rishikojë historinë e
dhunuar, të heqë dorë nga dufet e vjetra, shkurt të
evropianizohet.
 Në fillim të shekullit 21, një trysni e re po rreket
të buthtojë mu në mes të kryeqytetit të Shqipërisë,
Tiranës: acarimi midis shqiptarëve e vllehëve. Është
ende e dobët, e parëndësishme dhe pa të ardhme, e
megjithatë, si çdo helm, e ka aftësinë që edhe në sasi
të paktë, të dëmtojë rëndshëm. Për një kohë të
shkurtër, kjo trysni, ndonëse kryekëput e shpikur,
arriti të provokojë rrjedhojën më të keqe në kësi
rastesh: shenjat e para të racizmit shqiptar kundër
pakicës vllahe.
 Thelbi i asaj që ka ndodhur është ky: në fillim të
shekullit 21, për herë të parë në kronikën historike
shqiptare, janë bërë përpjekje, për të krijuar një
trysni të paqenë, të panjohur gjer më sot, të ngjashme
me krijimin artificialisht të qelizave kanceroze, në
një laborator studimor.
 Për të sajuar një trysni është e domosdoshme gjetja e
tharmit. E tharmi i çdo trysnie etnike është
persekutimi. Pra, fabrikimi i një trysnie është baraz
me fabrikimin e një persekutimi. 
 Në këtë kah, çështja shtohet thjesht dhe qartë: a ka
patur ose a ka trysni midis shqiptarëve dhe pakicës
vllahe? Thënë ndryshe: ka patur ose ka persekutim të
vllehëve prej shqiptarëve?
 Opinioni i përgjithshëm shqiptar i përgjigjet me një
“jo!” të madhe kësaj pyetjeje.
 Opinioni i përgjithshëm vllah, madje edhe vetë
provokatorët (paradoksi do të shpjegohet më poshtë), i
përgjigjen praktikisht me një “jo!” edhe më të madhe. 
 Atëherë përse kjo zhurmë? Përse bie kambana? Për kë
fabrikohet helmi? 
 Përgjigjet janë dy. Sipas studiuesit shqiptar, Albert
Ramaj, kjo çështje, si shumica e çështjeve të dyshimta
në Ballkan, ka një prapavijë politike: krijimin e një
pakice etnike vllahe, me qendër Maqedoninë, për të
relativizuar atje statusin e shqiptarëve si popull i
dytë. Sipas një mendimi më të përgjithshëm, e gjithë
kjo s’është veç një çështje biznesi. Meqenëse Këshilli
i Evropës, me të drejtë, e mbron pakicën vllahe, si
pakicë e rrezikuar, disa “liderë” të kësaj pakice duan
me çdo kusht të provokojnë persekutimin, mundësisht
racizmin, ngaqë kështu, mendojnë ata, edhe përfitimet
do të jenë më të mëdha.
 Këto janë hamendje, të cilat, për t’u bërë të
besueshme, kanë nevojë për të vërtetën, atë që del nga
faktet.
 Problemi vllah nuk ka ekzistuar në Shqipëri, për
arsyen e thjeshtë se vllehët janë konsideruar qytetarë
shqiptarë, njëlloj si shqiptarë, rrënjës (autoktonë)
si ata, me të njëjtat të drejta si ata, me të njëjtat
detyra, me të njëjtin fat. Kjo s’do të thotë se nuk
njihej zanafilla e tyre vllahe ose arumune. Por kjo
prejardhje nuk ka dhënë gjer më sot asnjë shenjë
dallimi ose ndarjeje. Prania vllahe në Shqipëri është
quajtur prani tipike shëndoshjeje, martesat me
shqiptarë kanë qenë pa kurrfarë kufizimi, pjesëmarrja
e vllehëve në çëshjet kombëtare, politike e kulturore
të kombit shqiptar ka qenë e plotë, në të gjitha
kohërat dhe regjimet.
 Fjalë të bukura, vizion rozë? Kurrsesi.
 Ajo çka u tha më lart, dëshmohet katërcipërisht nga
vetë shkrimet e nxitësve të provokacionit. Një
kundërthënie e madhe i përshkon fund e krye këto
shkrime. Nga një anë, me një krenari të ligjshme
përmenden në to gjithë veprimtarët me prejardhje
vllahe, që punuan e luftuan për Shqipërinë, që nga
poetët e misionarët, gjer te martirët që derdhën
gjakun për të, e nga ana tjetër, në të njëjtat
shkrime, ngrihet ankesa për përçmim e persekutim.
 Këto dy pohime nuk mund të qëndrojnë bashkarisht. O
njëri, o tjetri bie. Për fat të mirë, bie i dyti,
përçmimi, sepse i pari është i dëshmuar historikisht.
 Pohimi i parë e përjashton të dytin, sepse as
historia, as natyra njerëzore këtu në Ballkan nuk
japin shembuj që, një pakicë e shtypur të punojë me
kaq përkushtim, madje të flijohet, për një komb të
huaj, e për më tepër shtypës. 
 Për fat të keq, nxitësit e grindjes kanë shkuar larg.
Sipas kanuneve ballkanike, janë përpjekur ta
projektojnë grindjen në thellësi të mijëvjeçarëve, aty
ku, sipas tyre, stërgjyshërit e të dy palëve janë
ndeshur egërsisht. 
 Është thënë edhe më lart se zgjedhja e një
prejardhjeje, të qenë apo të paqenë, të vërtetë apo
gjysmë të vërtetë, është një hobi nga e cila popujt
nuk ndalen dot. Ajo mbetet e pafajshme përderisa nuk
ushqen një qëllim të errët. Ajo bëhet e fajshme
përderisa nxit pikërisht qëllimin e keq. Mëtimi për
një lidhje të popullsisë vllahe me latinitetin
(ndonëse ky latinitet nuk është i qartë për ata vllehë
që e quajnë veten të lidhur me helenët), është
krejtësisht punë e tyre. Kur ky mëtim nis e
pezmatohet, me ngarkesë konfliktuale, për të ushqyer
një provokim të sotëm, ai bëhet i dënueshëm. Një
kapardisje vllahe, e ndikuar, me sa duket, nga
kapardisja proverbiale shqiptare, duke u ndezur nga
kujtimet e Romës antike, kujton se do t’u japë zemër
të vetëve, duke kujtuar sipëraninë e Romës (si të
thuash, stërgjyshërve të vllehëve), ndaj ilirëve, (me
demek katragjyshërve të shqiptarëve). Nuk përmendet
vetëm lufta midis tyre, së paku në shtyp, por ajo
vazhdon kafeneve, bashkë me ngazëllimin për humbjen e
ilirëve (me demek të shqiptarëve!). 
 E gjithë kjo do të mbetej një episod grotesk, nga ata
që vetëm gadishulli ynë fantazist është i aftë të
pjellë, sikur të mos pasohej nga një helm i
rrezikshëm, helmi klasik që qëndron në bazë të çdo
racizmi: superioriteti i një race. Në shtyp, e zezë
mbi të bardhë, është shkruar se vllehët qenkërkeshin
superiorë ndaj shqiptarëve.
 Është, me sa duket, kjo ide e helmët, ajo që nxiti
reagimin e ashpër racist shqiptar. Provokimi ia kishte
arritur qëllimit. Për herë të parë, në trajtë të egër,
cinike, u shfaqën në shtyp cilësime përbuzëse për
vllehët, kërraba vllahe, çobanëria, bejte për mushkat,
si simbole të nomadizmit etj. Ishte e trishtueshme që
të përçmoheshin kështu elemente baritore, ato që nuk
turpërojnë asnjë popull e që kanë qenë rrënjët e
jetës, sidomos për vetë shqiptarët e për gjithë
ballkanasit, që nga kohërat homerike e gjer më sot.
 Racizmi, qoftë edhe i provokuar, është kryekëput i
dënueshëm. Ndërkaq, po aq i dënueshëm është provokimi
i tij. 
 Racizmi ndaj shqiptarëve, i ushtruar sot gjerësisht
në një vend si Greqia, anëtare e BE-së, është
krejtësisht i kundërkohshëm. Proselitizmi i dhunshëm,
ndërrimi i emrave, i fesë, fyerjet, keqtrajtimet,
burgimet me shkak e pa shkak, e gjer te torturat e
vrasjet me një plumb pas kokës, në zyrat e policisë,
dhe shpallja pastaj e vrasësve të pafajshëm, kjo është
një kronikë tepër e dhimbshme për t’u gëlltitur.
 Shteti shqiptar, i çoroditur nga korrupsioni dhe
marrëzitë e brendshme të tij, intelektualët renegatë
shqiptarë, të merakosur se mos emri i Nënë Terezës u
jep kurajo (lexo: ua lehtëson brengat) bashkëkombasve
të tyre, komitetet e të drejtave të njeriut të tipit
Ballauri, cinikë dhe krejtësisht të pandjeshëm ndaj
vuajtjeve të emigrantëve tanë, i kanë lënë ata në
mëshirën e një fati të papërfytyrueshëm.
 Nga kalvari i tyre i gjatë, do të mjaftonte ngjarja
makabre e përkthyeses së gjyqeve, që, duke mos ditur
asnjë fjalë shqip, për dhjetë vjet rresht ka kalbur
nëpër burgje me dhjetëra e ndoshta me qindra djem
shqiptarë, për të kuptuar sa larg kanë shkuar gjërat.
 
 
 
 12
 
 Nuk është e lehtë të gjenden shkaqet e plota që çojnë
drejt otracizmit (veçimit) të një populli. Një pjesë e
tyre mbeten gjithmonë në terr.
 Nga arsyet e njohura, përveç revanshit të vjetër
ballkanik, ka qenë jugosllavomania, thënë ndryshe,
moda e flirteve me fqinjin tonë verior, ajo që më së
shumti e ka dëmtuar Shqipërinë. Politika vetëvrasëse e
veçimit, krimi fillestar e njëherësh më i rëndi, i
komunistëve shqiptarë, ka qenë fatale në këtë kah. 
 Për një ndërlikim të favorshëm të rrethanave, ai që
në gjuhën e përditshme quhet skajim i keq i yjeve,
Shqipëria, në shumicën e rasteve, del e humbur. Një
sërë keqkuptimesh dramatike, fryt i mosnjohjes ose
dashakeqësisë, e ndjekin hap pas hapi dosjen e saj.
Nga e djathta ajo quhet e majtë e, për çudi, nga kjo e
fundit fajësohet si e djathtë. Nga qarqet e krishtera
konservatore merret për myslimane, e nga myslimanët
radikalë për jo e devotshme. 
 Një pjesë e gjykimeve kundërthënëse e shpesh
paradoksale, e kanë burimin te grindjet brenda
perandorisë komuniste, atëherë kur Bashkimi Sovjetik
hodhi mbi Shqipërinë akuzën biblike se “iu shit
imperializmit për 30 aspra”. Për një kohë të gjatë,
ajo akuzë mbeti në kujtesën e miliona njerëzve, të
cilët, nga padituria dhe naiviteti besonin vërtet se
vendi i vogël stalinist ishte kthyer në Judë, në
shërbim të kapitalizmit. Kundër tij u përdorën shpesh
të njëjtat mallkime që përdoreshin zakonisht kundër
CIA-s, Izraelit ose Boris Pastërnakut.
 Gjithsesi e pafat, Shqipëria humbi kështu miliona
simpatizuesit e saj filosovjetikë e, më pas, pas
grindjes me Kinën, miliona të tjerët, maoistët.
 Këto aradhë të pafundme, në një mënyrë ose në një
tjetër u kthyen kundër saj. Ishin ata që më 1999
mbushën radhët e para të manifestimeve për të mbrojtur
Serbinë nga bombardimet, por kurrsesi popullsinë
shqiptare nga masakrat.
 Gati e pabesueshme tingëllon sot profecia e famshme e
Hrushovit, kur e quajti Shqipërinë Judë të shitur te
Perëndimi. Në atë kohë, akuza ishte krejtësisht jashtë
çdo baze logjike, e tillë që mund ta prodhonte veç
truri i një të çmenduri. E megjithatë erdhi një kohë
që difensa e çmendur u krye, e Shqipëria përfundoi si
një ndër aleatët më besnikë, në mos i Perëndimit
mbarë, i fortesës së tij kryesore, SHBA-së.
 Si shumë punë të Shqipërisë, edhe kjo miqësi kërkon
taksën e vet. Më kot është thënë e shpjeguar se
simpatia për Amerikën nuk është një pasion i radhës,
por i ka rrënjët në mirënjohjen historike në fillim të
shekullit, kur presidenti amerikan, Willson, ishte i
vetmi nga shefat perëndimorë që kundërshtoi dhe pengoi
ndarjen e Shqipërisë dhe, në mbarim të shekullit, kur
SHBA-ja udhëhoqi koalicionin për çlirimin e Kosovës.
Valët e antiamerikanizmit që, për fat të keq,
përshkojnë sot botën dhe Evropën, nuk lënë pa prekur
vendin e vogël në breg të Adriatikut. Ka gjasë që jo
vetëm amerikanofobia klasike, por manifesitmet
anësore, nga ato antisemite gjer te altermondistët e
më tej, te kundërshtarët e “UGJM”-ve (ushqime
gjenetikisht të modifikuara), të përplasin stërkalat e
tyre mbi vendin ballkanik. Ndërkaq, si rrjedhojë e
acarimeve midis BE-së dhe SHBA-së, ka gjasë që sipas
proverbit “kur grinden atllarët shkelmat i hanë
gomarët”, Shqipëria të hajë shkelma atëherë kur s’e
pret.
 Ky ndërlikim ndërkombëtar i dosjes së Shqipërisë,
ndonëse mund të duket zotërues, nuk do të arrinte dot
të krijonte një klimë mohuese nëse nuk do të arrinte
do të ushqehej nga një faktor i befasishëm: shpërthimi
dhe shpërndarja nëpër botë e qindra mijëra
shqiptarëve. Janë të njohura pasojat e kësaj
përmbytjeje: imazhi katastrofik dhe nxitja e racizmit
antishqiptar. Është e ditur e vërteta e thjeshtë se,
banditët dhe mafiozët shqiptarë përbëjnë një përqindje
të vogël të mërguesve, por po aq e ditur është fuqia
njollosëse e së keqes. Një vrasje e bujshme e një
banditi, mund të hedhë baltë mbi një mijë jetë të
ndershme, ato që s’përbëjnë as lajm, as histori.
 Ky nam i keq i shqiptarëve, u shumëzua, për fat të
keq, nga një rrezatim mosdashurie, për të mos thënë
urrejtje kundër vendit, i një pjese të tyre. Kjo
mosdashuri e shpallur e vetë vendasve, shërbeu për të
legjitimuar mosdashurinë e të tjerëve. Shprehja
kulmore e saj, ishte deklarata cinike e regjisorit
majtist italian Xhani Amelio “s’kam takuar gjer më sot
asnjë shqiptar që ta dojë vendin e vet”. 
 Nuk ishte vetëm një gënjeshtër e madhe. Ishte
shpallja arrogante e një programi të ri, program që e
bënë të tyre intelektualët rimohues shqiptarë. Këta të
fundit, siç u tha më lart, ishin batalioni i fundit i
“vezëve të gjarprit”, ata që tinëzisht e mbrojtën
diktaturën, duke e paraqitur të keqen e saj, jo si një
të keqe komuniste, por gjithëshqiptare.
 Shthurja morale e pjesës më të madhe të klasës
politike shqiptare, mungesa e përkushtimit për vendin,
shpallja e kësaj shthurjeje dhe kësaj mungese
përkushtimi, si diçka moderne dhe tallja e
drejtpërdrejtë ose e tërthortë e atyre që mendonin
ndryshe, ka qenë një tjetër faktor madhor për një
rënie të përgjithshme morale në këtë vend.
 Rrjedhojë e saj ishte fryma e sëmurë rimohuese, ajo
që u përpoq ta zhveshë Shqipërinë nga gjithçka, për ta
paraqitur si një vend virtual, version i përsëritur i
përcaktimit cinik “shprehje gjeografike”. Rrjedhojë e
kësaj dhe e një fryme hakmarrëse për popullin që,
bashkë me shtatoren e tiranit, e përmbysi, më në fund,
komunizmin, ishte ideja e nënkuptuar se Shqipëria mund
të ishte e pranueshme si otomane, si komuniste, por
kurrsesi si demokrate dhe evropiane. 
 Ide të ngjashme, të nxitura nga orekse të shtuara
kohët e fundit notojnë nëpër mjegull. Pavarësia e
kushtëzuar e Kosovës, ose formula e Kosovës
shumëkombëshe, kërkohet t’i kalojnë tinëzisht krejt
Shqipërisë. Me fjalë të tjera, në vend të shtetit
historik që po mbush shekullin, të ketë një shtet të
kushtëzuar shumëkombësh, thua se shqiptarët, ndryshe
nga gjithë popujt, nuk mund të kenë shtëpinë e vet.
Provokatori tepdil kinse maqedonas, kërkoi pikërisht
këtë gjë në emisionin televiziv, të përmendur në
fillim të kësaj sprove.
 Shqipëria paraqitet sot si një vend që nuk e duan.
Këtë pohim e ndan vetëm një hap nga formula: Shqipëria
është një vend që s’ka pse të duhet. E nga kjo e
fundit, gjer te hedhja e idesë për thurjen e mëtejshme
të saj, nuk ka veç një tjetër hap.
 Shqipëria për shumëkënd është sot një pemë e rrëzuar,
prej së cilës, ashtu si e thotë proverbi, të gjithë
mund të bëjnë dru. Shqipëria e ka ulur kryet vërtet,
por, për fat të mirë, nuk ka rënë. Ata që mezi presin
ta shohin përtokë, është më mirë të kthehen e të
shohin mjerimin e ngazëllimit të tyre meskin. Asgjë e
mirë nuk i vjen Ballkanit nga lëngata e një prej
popujve të vjetër të vet. Përkundrazi, shëndoshja e
popullit shqiptar, normaliteti i tij, ashtu si ajo e
çdo populli, ashtu si e popullit serb e malazez, është
në të mirë të të gjithëve. Të sëmurë apo të shëndoshë,
ne jetojmë e do të jetojmë në të njëjtin pavion dhe,
duam apo s’duam, fatet i kemi të përziera. Ata që nuk
arrijnë ta kuptojnë këtë, s’kanë kuptuar asgjë nga kjo
botë.
 Shqipëria nuk ka rënë. Ende i drojtur, si në muzikën
e Ravelit, ndihet një motiv i kundërt, me atë të
mosdashurisë. Ndërsa mafiozët shqiptarë ushqejnë
acarimin kundër kombit që i përkasin, një tjetër
armatë, ajo e fëmijëve shqiptarë, anekënd Shqipërisë e
shkollave të botës, zgjon nderimin e, bashkë me të,
dashurinë. Në këtë ndeshje, që të kujton luftën midis
bishës dhe qengjit, ashtu siç jepet në shkrimet e
shenjta, qengji, ai që ka të ardhmen, do të fitojë. 
 Disa javë më parë, në prag të vitit të ri 2004, një
qytet i vogël francez, në breg të Atlantikut, u ngrit
i tëri në këmbë, me manifestime, me peticione e me
komitete, për të mbrojtur një familje shqiptare, për
një problem administrativ. Në Operan e Parisit, kur
Angjelin Prelocaj, në preludin e një prej baleteve të
tij, me një bri në dorë foli ca çaste fjalë të vjetra
shqipe, salla e mbushur plot, që nuk i kuptonte ato,
por që e dinte se kjo ishte gjuha amtare e koreografit
të madh, në heshtje solemne, si në një katedrale, i
dëgjonte gjithë nderim. 
 Kohërat janë duke u ndërruar në Ballkan e në Evropë.
Një brez tjetër është duke ardhur, me një mendje më të
kthjellët e një shpirt më të pasur. Ende nuk kanë në
dorë fuqi ekonomike e politike, megjithatë fryma e
tyre ndihet anekënd: në shkolla, në auditore, në
familje, në kafe, në internet. Është frymë tjetër, që
kërkon një tjetër Shqipëri. Që refuzon varfërinë si
fatalitet e imoralitetin si kusht. Që spraps këngën e
kukuvajkave e profkat e rimohuesve. Që natyrshëm
kërkon t’i kthejë nderin e humbur vendit të vet.
 Një këngë e adoleshentëve, e shpërndarë tani vonë
nëpër Shqipëri, e jep në mënyrë prekëse këtë kumt: 
 Shqipëri, atdhe i dashur
 Ne s’të lemë ty të varfër.
 Është kumt e premtim bashkë. Është i thjeshtë, i
dhimbshëm, pa dokrra e fjalë të mëdha. Nuk flitet për
Shqipëri etnike a multietnike. Flitet thjesht për
Shqipërinë moderne, atë që nuk mund të ekzistojë, pa
lënë pas varfërinë. E varfëria, në këtë rast, është e
lidhur me të gjitha: turpin, bjerrjen morale,
poshtërimin. Ndaj premtimi “S’të lemë ty të varfër”,
është i barazvlefshëm me “s’të lemë ty të biesh”.
 Asnjë popull s’duhet lënë të bjerë. Sikur
adoleshentët e Ballkanit perëndimor, ta këndonin një
këngë të ngjashme për popujt e tyre, ky do të ishte
një lajm i mirë. E nëse do ta këndonin bashkarisht për
gjithë gadishullin, ky do të ishte një lajm i madh. 
 
 Ismail Kadare
 2003-2004
 
 Ismail Kadare
 
 
 (Varianti i shkurtuar për gazetën)
 
 
 POSHTËRIMI NË BALLKAN
 
 Në çdo numër të vihet shënimi: 
 “Teksti i plotë i kësaj sprove do të botohet në libër
të veçantë nga Onufri”
 


__________________________________
Do you Yahoo!?
Yahoo! SiteBuilder - Free web site building tool. Try it!
http://webhosting.yahoo.com/ps/sb/



More information about the ALBSA-Info mailing list