| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] BISHTI I PALLES, DYSHTETESIA DHE HIJA E SHOVINIZMIT GREKOMADH (nga Agron Alibali)Mentor Cana mentor at alb-net.comWed Jun 18 20:53:36 EDT 2003
BISHTI I PALLES, DYSHTETESIA DHE HIJA E SHOVINIZMIT GREKOMADH nga Agron Alibali (Botuar ne Koha Jone 6-18-2003) Hapat e fundit të qeverisë greke për trajtimin e dyshtetësisë së grekëve të Shqipërisë si problem kombëtar sjellin në vëmendje se ende disa pjesëtarë të administratës së Athinës e kanë të vështirë për tu shkëputur nga doktrina shoviniste e Greqisë së Madhe, pavarësisht se Greqia sot është një vend anëtar i BE-së dh NATO-s. Me të vërtetë, në një vend që pretendon të jetë djepi i demokracisë europiane e flamurtar i europianizimit dhe integrimit të Ballkanit nuk kanë vend ëndërrime shoviniste dhe shfaqje të fondamentalizmit fetar që frymëzojnë strategji të rrezikshme destabilizuese në rajon. Një diplomat që shkel normat e së drejtës ndërkombëtare Më 8 qershor 2003 Ambasadori Iliopulos u shpreh botërisht për marrëveshjen e Bishtit të Pallës vetëm pak kohë para diskutimit të saj në Kuvend. Si një ndërhyrje dhe trysni e mirëfilltë në procesin legjislativ të vendit, kjo sjellje bie ndesh me Nenin 41.3 të Konventës së Vienës për Marrëdhëniet Diplomatike, që detyron të gjithë diplomatët për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të Shtetit Pritës. Nga ana tjetër, komentet e Zotit Iliopulos dhe shprehjet e zhgënjimit ndaj Presidentit të Shqipërisë cënojnë kodin e mirësjelljes diplomatike si dhe normat elementare të së drejtës zakonore ndërkombëtare sipas të cilave një diplomati nuk i lejohet të ndërmarrë kritika publike ndaj kryetarit të Shtetit Pritës. Nuk dihet nëse Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare të ketë reaguar ndaj veprimeve të të Ambasadorit grek, ndërkohë që ky i fundit viziton triumfalisht qytete të tjera të vendit. Gjithashtu, janë po aq të papranueshme edhe komentet e tjera të Z. Iliopulos lidhur me marrëdhëniet ushtarake të Shqipërisë me vende të tjera anëtare të NATO-s. E vërteta është se asnjë vend tjetër anëtar ose jo i NATO-s, përveç Greqisë, nuk ruan pretendime të hapura apo të fshehta ndaj Shqipërisë, apo nuk mban ende të paabroguar ndonjë Dekret Mbretëror për Gjendjen e Luftës me këtë të fundit. Kështuqë Z. Iliopulos, apo shefat e tij në Athinë, nuk ka pse të jenë xhelozë që Shqipëria zhvillon marrëdhënie dhe aleanca mbrojtëse me SHBA-në, Italinë, Turqinë, Gjermaninë, apo me vende të tjera sipas interesave të saj. Po qe se Ministria greke e Mbrojtjes është vërtetë serioze në marrëdhëniet me Shqipërinë, atëhere le të shfuqizojë paraprakisht dispozitat e Doktrinës Ushtarake të Mbrojtjes së Përbashkët që përfshijnë Qipron dhe Shqipërinë e Jugut nën ombrellën mbrojtëse greke, si dhe të tërheqë apo të deklarojë të pavlefshme të gjithë literaturën zyrtare të saj ku pretendohet Shqipëria e Jugut. Marrëveshje riparimi apo marrëveshje qeraje? Të nesërmen e deklaratave të Z. Iliopulos, Kuvendi i Shqipërisë ri-miratoi marrëveshjen e Bishtit të Pallës, të paraqitur si një ndihmë bujare për ndreqjen e bazës detare. Në fakt, nga një lexim i kujdesshëm i saj të lind pyetja nëse këtu kemi të bëjmë me riparim apo dhënien e bazës me qera për gjashtë vjet, me tarifë më pak se një milion Euro në vit. Përse pra, një ndërtesë me syprinë 1600 metra2 të kërkojë pesë vjet kohë riparim, sëbashku me thellimin e kanalit hyrës? Opinioni publik dhe votuesit shqiptarë meritojnë që tu thuhet hapur nëse këtu në të vërtetë kemi të bëjmë me një marrëveshje qeraje, në mënyrë që edhe procedurat për miratimin e saj, si dhe tarifat përkatëse, të jenë të tjera. Sidoqoftë, disa kuvendarë në Tiranë u ngutën kur hodhën poshtë Dekretin e Presidentit Moisiu. Kuvendi duhet të kish marrë parasysh opinionin e arsyetuar të insitucionit të Presidencës, aq më tepër kur Presidenti i vendit është edhe një ushtarak i shquar dhe me përvojë. Po ashtu, Kuvendi duhej të dëgjonte Komisionin Parlamentar të Mbrojtjes, si dhe të merrte parasysh rrethana të tjera që ngërthejnë probleme të së drejtës kushtetuese. Një e tillë do të ishte anashkalimi nga ana e Ministrit të Mbrojtjes të institucionit kushtetues të Këshillit të Mbrojtjes, apo negocimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare pa pjesëmarrjen e Ministrisë së Jashtme. Pa përmendur këtu mos-abrogimin e Dekretit Mbretëror të 1940, si dhe probleme që lidhen me kursin e dokumentuar ekspanionist grekomadh të Ministrisë greke të Mbrojtjes. Tash çështja ka marrë karakter kushtetues dhe Presidenti mund të tërheqë mendimin e Gjykatës Kushtetuese në këtë debat. Në fund të fundit, kjo Gjykatë e nderuar e ka tagrin të shqyrtojë përputhjen me Kushtetutën të marrëveshjeve ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Dyshtetësia, lojë apo realitet? Ende pa u tharë boja e vendimit famëkeq të Kuvendit, u mësua për problemin e dyshtetësisë. Kjo u bë fill pas një shkrimi në gazetën opozitare Kathimerini, një taktikë që u përdor edhe tri vjet më parë, kur Z. Nano kritikoi mos-heqjen e depozitave të karburantit nga porti i Durrësit, gjë që shkaktoi reagimet e ashpra të Kathimerinit dhe më pas të Z. Simitis. Pas shkrimit në Kathimerini, zëdhënësi i qeverisë greke u deklarua për dyshtetësinë e grekëve të Shqipërisë, si një çështje kombëtare ku qeveria e opozita paskan një qëndrim. Sigurisht këtu nuk është problemi tek marrja e dyshtetësisë për minoritarët e mirëfilltë, pasi ata, si të gjithë shtetasit shqiptarë nuk kanë ndonjë pengesë në këtë drejtim nga ana e legjislacionit shqiptar. Problemi i vërtetë qëndron tek përkufizimi i minoritarëve si dhe tek legjislacionin tejet restriktiv grek për problemet e shtetësisë dhe dyshtetësisë. Për fat të keq, kriteret që zbatohen në Greqi për identifikimin e minoritarëve nuk janë objektive, por vetëm subjektive, ku themelore mbetet ndjenja apo ndërgjegja e brendshme, si dhe feja ortodokse e subjektit. Kuptohet që përkufizimi i tejgjerë i Athinës do të përfshinte edhe ortodoksët shqiptarë dhe jo pra vetëm dropullitët apo vurkarët duke ringjallur kështu mithet e perënduara të Greqisë së Madhe. Sa i takon legjislacionit grek, sikurse u theksua, ai është ndër më restriktivët në kontinent, gjë që ka sjellë një varg kritikash në disa lagje diplomatësh dhe aktivistësh. Një shembull në këtë drejtim është numri ende relativisht i madh i personave pa shtetësi në Greqi, si dhe mohimi i shtetësisë greke ndaj popullsisë së larguar me dhunë nga Greqia Veriore gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore, qofshin këta maqedonas apo çamë. Nuk duam të besojmë se dyshtetësia, si problem kombëtar, të jetë pjesë e një fushate sistematike të Athinës për helenizimin e Shqipërisë së Jugut. Aventurizmi, rrezikshmëria dhe pasojat e politikave të tilla nuk janë vështirë të kuptohen Shqetësime të mbështetura janë ngritur, për shembull, në ndërhyrjen apo ndjeshmërinë e skajshme të Athinës ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe në kujdesin që drejtimi i saj të mbetet në duar të huaja, në kundërshtim me vetë statutin e historinë e Kishës. Ato dalin, gjithashtu, në mospërmbushjen e detyrimeve të Athinës - të cilat burojnë nga normat e së drejtës ndërkombëtare për abrogimin de jure të Dekretit Mbretëror të vitit 1940 për Gjendjen e Luftës me Shqipërinë. Shqetësime ka krijuar edhe prirja e Athinës për një pozitë mbizotëruese, në mos monopoliste, në sektorë strategjikë të ekonomisë e tregjeve shqiptare, qoftë edhe me disa të ashtuquajturave privatizime, të cilat në fakt kanë qenë transferim pronësie nga pronari shteti shqiptar në shtetin grek. Ndërkohë mund të thuhet se fryma e sotme europiane në Greqi bie ndesh me politika të tilla, por edhe me refuzimin e qeverisë greke për të pranuar ekzistencën e minoritetit shqiptar në Greqi, ku përfshihen arbërorët dhe çamët. Por, po qe se Athina këmbëngul që të numërojë si homogjenë grekë të gjithë ortodoksët shqiptarë - korçarë, gjirokastritët apo bregas, si dhe ata që kanë ndërruar emra e besim fetar nën trysninë psikologjike dhe ekonomike që hasin në Greqi atëhere sigurisht që këto hapa duhet të hidhen poshtë nga qeveria shqiptare, por edhe nga Bashkimi Europian. Në vend të mbylljes Dyshtetësia është një koncept juridik që do të ketë zhvillime në shtëpinë e madhe europiane që po projektohet sot në Europën gjeografike e institucionale. Një instrument themelor për këtë mbetet Konventa Europiane e Shtetësisë e vitit 1997. Dyshtetësia nuk lind e nuk mund të përdoret si mjet për njëmendësimin e strategjive me karakter shovinist, qoftë edhe kur mbulohen me petkun e interesit kombëtar apo të të drejtave të njeriut, apo kur vijnë nga një vend anëtar i Bashkimit Europian. Greqia, si shtet serioz dhe me vokacion të mirëfilltë europian, duhet para së gjithash të njohë dyshtetësinë për popullsinë e larguar me dhunë nga Greqia Veriore gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore, qofshin këta çamë, maqedonas apo bullgarë, përfshirë edhe pasardhësit e tyre. Greqia, si shtet që mbron të drejtat e njeriut, duhet të njohë minoritetin shqiptar arbëror (arvanitas), duke u dhënë atij status juridik të njëjtë me çka gëzojnë arbëreshët në Itali. Vetëm atëhere problemi i dyshtetësisë për minoritarët grekë shtetas shqiptarë, qofshin këta dropullitë, vurkarë apo pogonas, do të trajtohesh i çliruar nga ngarkesat emocionale dhe mbetjet shoviniste të Greqisë së Madhe, të hasura jo rrallë edhe sot e gjithë ditën në Greqi.
More information about the ALBSA-Info mailing list |