Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Ambasadori Grant - Panorama

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Tue Jun 17 16:01:21 EDT 2003


Faqe 12/13 - Speciale	

17Qershor 2003 
Intervista
 

Kota: Sipas mendimit tim, një çlirim i shpejtë i
Shqipërisë, është i mundshëm, sepse shumica dërrmuese
e popullit urren regjimin e sotshëm komunist. Dhe më
tepër, prej kohës që Titua këputi marrëdhëniet me
Kominformin, në vitin 1948, Rusia ka humbur lidhjet
tokësore me Shqipërinë dhe kjo sot është krejt e
izoluar. Me fjalë të tjera, në raste të një
kryengritje të përgjithshme në Shqipëri, Rusia nuk do
të ishte në gjendje t’u vinte seriozisht në ndihmë
komunistëve të Tiranës. 
 

Zbardhet biseda e bërë në 1951 në një radio amerikane
midis z.Hugh Grant, ambasadori amerikan në kohën e
Zogut dhe dr.Nuçi Kotës, eksponent i Komitetit
“Shqipëria e Lirë”
 

Grekët të heqin dorë nga planet kundër Shqipërisë

Kota: “Kemi të dhëna se në Shqipëri janë vrarë mbi 10
mijë vetë dhe janë internuar 20 mijë të tjerë”
  

 

”Kjo intervistë është bërë në vitin 1951 dhe është
botuar si broshurë speciale e Zyrës së Shtypit të
“Levizjes së Legalitetit” në Romë, në vitin 1952.

Në fillim të broshurës jepet edhe një portret i
shkurtër i diplomatit Grant kur shkruhet:

”Shkëlqesija e Tij Hugh Grant, diplomat i vlefshëm, që
prej vitit 1935 e gjer në vitin 1939, ka qenë në
Shqipëri, Minister i Shtetevet të Bashkuara Amerikës.
Z.Grant, ka një simpati dhe dashuri të veçantë për
shqiptarët. Ai vazhdon të ushtrojë gjithë influencën e
tij pranë personaliteteve politike amerikane me qëllim
që të mbrohen, siç duhet, të drejtat legjitime të
popullit dhe të kombit shqiptar. Shqiptarët, në
përgjithësi, janë kryenaltë dhe shumë të lumtur të
kenë midis miqvet të tyre një burre kaë të shquar siç
është z.Grant”. Ambasadori amerikan Grant ka botuar
edhe një libër me kujtime për kohën e shërbimit në
Shqipëri të titulluar “Mbreti Zog, ashtu siç e kam
njohur”. Kjo intervistë është botuar me nëntitullin e
sotëm në dy versione, anglisht dhe shqip së bashku.
Intervistës i janë bërë ca redaktime fare të lehta
gjuhësore.”

Zoti GRANT - Sonte jam shumë i kënaqur që në programin
tim të radios përfshihet edhe intervista me dr.Nuçi
Kota, Anëtar i Lëvizjes Kombëtare të Legalitetit dhe
anëtar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”.
Komiteti e ka qendrën e vet në Nju-Jork. Ndjej një
kënaqësi të veçantë t’u paraqes dëgjuesve të mi,
dr.Nuçi Koten, djalin e qytetarit të shquar dhe
patriotit të hollë, Koço Kotës. Kur unë isha ministër
i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, me Kryeministrin e
Shqipërisë, Koço Kotten, nuk kisha vetëm marrëdhenie
zyrtare, por dhe një miqësi të përzemërt. Koço Kota, u
largua nga Shqipëria me rastin e pushtimit fashist,
prill 1939. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore u
kap nga komunistët grekë, të cilët ia dorëzuan
Qeverisë së Tiranës. Kjo e burgosi, dhe nga vuajtjet e
torturat, ai vdiq në vitin 1947. Djali i tij, sot,
është duke vazhduar përpjekjet e babait të tij të
shquar, për pavarësinë e Shqipërisë. I diplomuar në
ligj (juridik - shen. i red.) nga Universiteti i
Parisit, dr. Nuçi Kota, është duke vënë kulturën dhe
eksperiencën e tij në shërbim të Shqipërisë me qëllim
që kjo të çlirohet e të sigurojë tërësinë e saj
tokësore. Nuk duhet të harrojmë se sot Shqipëria
gjendet përtej gardhit të hekurt.
Zoti GRANT - Dr. Kotta, a është vizita e juaj e parë
në Augusta?
Dr.KOTA – Po, z.Grant, dhe jam shumë i kënaqur nga kjo
vizitë. Qyteti juaj është shumë i bukur dhe çka e
dallon me shumë është mikëpritja dhe bujaria e
banorëve të tij.
Zoti GRANT - Me qenë se jeni Anëtar i Komitetit
Kombëtar e “Shqipëria e Lirë”, a mund të na thoni
diçka mbi qëllimet dhe programin e Komitetit tuaj?
Dr.KOTA - Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” është
një Organizatë Shqiptare në mërgim. Eshtë themeluar në
Francë, në gusht të 1949-ës dhe qendrën e ka në Nju
Jork. Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” përpiqet:
për çlirimin e plotë të Shqipërisë e për sigurimin e
integritetit të saj tokësor, për rivendosjen e
pavarësisë kombëtare dhe për t’i dhënë mundësinë
popullit të shumëvuajtur shqiptar, që pas çlirimit, të
zgjedhë lirisht formën e regjimit që i pëlqen.
Zoti GRANT - Dr.Kota, Shqipëria e humbi pavarësinë me
invazionin italian (fashist) me 1939 dhe vallë a e ka
rifituar gjer më tashti?
Dr.KOTA - Keni të drejtë shkëlqesi, ju keni qenë
përfaqësues i Qeverisë amerikane në Tiranë në kohën
kur trupat e Musolinit sulmuan Shqipërinë. Gjatë
okupacionit fashist e nazist, populli shqiptar bëri
një rezistencë heroike. Për fat të keq, nga rrethana
të ndryshme, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore,
komunistët morën pushtetin dhe vendosën tiraninë
sovjetike.
Zoti GRANT - Kur ka ndodhur ky fakt?
Dr.KOTA - Në muajin nëntor 1944.
Zoti GRANT - Dr.Kota, shumë raporte më kanë rënë në
dorë, që m’u dërguan nga miqtë e mi që ndodhen në
mërgim, të cilët më njoftojnë se një regjim terrori
mbretëron që prej asaj kohe në vendin tuaj. A janë të
vërtetë raportet dhe në rast se po mund të me jepni
disa hollësira?
Dr.KOTA – Janë shumë të drejtë z.Grant. Nga sa dimë
ne, afërsisht 10.000 vetë, midis të cilëve dhe shumë
nga miqtë tuaj, janë vrarë. M’anë tjetër, më se 20.000
burra, gra dhe fëmijë gjenden sot të internuar në
fusha përqëndrimi për punë të detyrueshme. Terrori dhe
urija sundojnë sot mbi mbarë shqipëtarët që nuk
gjenden në burgje.
Zoti GRANT - Eshtë me të vërtetë një gjendje e
vajtueshme dhe që tërheq vërejtjen e amerikanëve, të
cilët njohin karakterin, patriotizmin dhe miqësinë e
sinqertë të popullit shqiptar për Shtetet e Bashkuara
të Amerikës. Siç e dini Dr.Kota, disa muaj më parë,
unë pata në Uashington bisedime të gjata me Madhërinë
e Tij Mbretin Zog. Mbreti gjendet sot në Egjipt.
Mbreti, në ato bashkëfjalime, më theksoi “se çështja
që ka një rëndësi të dorës së parë për ne shqiptarët,
është çlirimi i plotë i Shqipërisë, ndërsa forma e
regjimit të ardhshëm është çështje që do të zgjidhet
më vonë”. A mund të më jepni, dr.Kota, disa hollësira
rreth këtij problemi?
Dr.KOTA - Zoti Grant, Mbreti Zog është ligjërisht
Kryetari i Shtetit shqiptar dhe si i tillë qëndron mbi
Partitë Politike. Qëndrimi i Madhërisë së Tij Mbretit
rreth çështjes së formës së regjimit të ardhshëm të
Shqipërisë, është aq i lavdërueshëm sa dhe patriotik.
Ky qëndrim gjen aprovimin e shumicës së shqiptarëve.
Zoti GRANT - A mendoni që Shqipëria mund të çlirohet
së shpejti?
Dr. KOTA - Më parë dua të theksoj se një çlirim i
shpejtë i Shqipërisë nga tiranija komuniste e vendosur
me përkrahjen e Bashkimit Sovjetik, ka një rëndësi të
veçantë. Jo vetëm se me çlirimin në fjalë, do të
marrin fund vuajtjet e popullit shqiptar, por dhe
Bashkimi Sovjetik do të humbë në atë rast, një vend
strategjik të dorës së parë. E vendosur larg nga
Italia vetëm disa dhjetëra kilometra, Shqipëria ka një
rëndësi në gadishullin Ballkanik. Ne raste lufte,
Rusia Sovjetike mund të përdorë tokën shqiptare si
bazë ushtarake për të pushtuar Jugosllavinë dhe
Greqinë e sidomos për të vënë në rrezik lundrimin
aleat në Mesdhe.
Zoti GRANT - Doni të thoni dr.Kota, se Shqipëria ka
një rëndësi të veçantë në planin e mbrojtjes së
Aleatëve të Perëndimit?
Dr.KOTA - Po, me të vërtetë, dhe unë mendoj se do të
ishte shumë mirë në qoftë se Shqipëria do të bënte
pjesë në mënyrë definitive në bllokun e Perëndimit,
gjë që e dëshiron edhe mbarë populli i saj. Sipas
mendimit tim, një çlirim i shpejtë i Shqipërisë, është
i mundshëm, sepse shumica dërrmuese e popullit urren
regjimin e sotshëm komunist. Dhe më tepër, prej kohës
që Titua këputi marrëdhëniet me Kominformin, në vitin
1948, Rusia ka humbur lidhjet tokësore me Shqipërinë
dhe kjo sot është krejt e izoluar. Me fjalë të tjera,
në raste të një kryengritje të përgjithshme në
Shqipëri, Rusia nuk do të ishte në gjendje t’u vinte
seriozisht në ndihmë komunistëve të Tiranës.
Zoti GRANT - Dr.Kota, mendimet tuaja, në vija të
përgjithshme, pajtohen me pikëpamjet e Madhërisë së
Tij Mbretit, të cilat m’i shfaqi në bisedimet që pata
me të në Uashington. Mbreti më theksoi se regjimi
komunist në Shqipëri është shumë vulnerabël. Mbreti
mendon se forcat ruse dhe agjentët komunistë që
përdoren si kukulla nga Moska, mund të flaken jashtë
Shqipërisë jo me shumë vështirësi.
Dr.KOTA - Sigurisht z.Grant. Por, siç ju ka thënë edhe
vetë Mbreti, populli shqiptar është shumë i shqetësuar
prej politikës që Titua ndjek kundrejt Shqipërisë si
dhe prej revendikimevet tokësore greke në dëm të
Shqipërisë së Jugut.
Zoti GRANT - Po, me Mbretin Zog kemi biseduar mbi këto
çështje. A mund të na jepni shpjegime më të gjera gjer
sa problemet në fjalë kanë lidhje me rivendosjen e
pavarësisë shqiptare?
Dr.KOTA - Sa kohë që Mareshali Tito i shërbente me
besnikëri Stalinit, ai kishte dorë të lirë në
Shqipëri. Privilegjet, Belgradi i humbi kur Titoja u
shkëput nga Kominformi dhe preu marrëdhëniet me
diktatorin e kuq shqiptar, Enver Hoxhën, i cili u lidh
me Kremlinin. Tani duket se Titoja dëshiron të
vendoset në Shqipëri një regjim komunist që të ndjekë
udhëzimet e Belgradit.
Zoti GRANT - Dr.Kota, ju mendoni se një gjë e tillë
nuk do të ndihmonte rivendosjen e pavarësisë së plotë
të Shqipërisë?
Dr.KOTA - Natyrisht jo. Janë dhe revendikimet tokësore
greke. Këto kanë qenë të refuzuara prej Konferencës së
Londrës më 1913 dhe më vonë edhe nga Konferenca e
Ambasadorëve, në vitin 1921. Më 1923, një Komision i
Lidhjes së Kombeve, qëndroi disa muaj në Shqipërinë e
Jugut dhe vërtetoi dëshirat e popullit të atyre
krahinavet. Komisioni në mbarim të misionit të vet, i
paraqiti Lidhjes së Kombeve, raportin përkatës, në të
cilin theksohesh se popullata e Shqipërisë së Jugut
ishte me të vërtetë shqiptare.
Zoti GRANT - Edhe unë mendoj se kjo që thoni është e
drejtë. Vetë, kam udhëtuar në Shqipërinë e Jugut dhe
kam pasur përshtypjen e qartë se banorët e krahinave
të Jugut janë me të vërtetë patriote shqiptare. A mund
të na thoni më tepër përmbi këtë problem?
Dr.KOTA - Natyrisht z.Grant. Shqipëria e Jugut, me
tokën dhe popullsinë që ka, përben një të tretën të
Shqipërisë me kufijtë e 1913-ës, dhe pa krahinat e
Shqipërisë së Jugut është e pamundur që të ekzistojë
një Shqipëri. Kryetari i Komisionit të Lidhjes së
Kombeve, profesori finlandez Sederholm, në raportin e
vet të fundit ka theksuar: “Vendimi i marrun nga
Fuqitë e Mëdha për të caktuar kufijtë e Shqipërisë së
Jugut, ka qenë aq i drejtë sa dhe i qartë... Eshtë
bindja jonë se ekzistenca e një Shqipërie të pavarur
është e nevojshme për të mbajtur paqen në këtë sektor
të Evropës dhe një Shqipëri indipendente nuk do të
jetë e mundur në qoftë se krahinat e Jugut, nuk do të
jenë pjesë të pandara të tokës shqiptare.
Zoti GRANT - Kjo provon, pa fjalë, se Shqipëria duhet
të ruajë krahinat e saj të Jugut. Mund të më thoni,
mbi këtë çështje, cili është qëndrimi i regjimit
komunist të Tiranës, që kontrollohet prej sovjetëve?
Dr.KOTA - Komunistët e shfrytëzojnë shumë këtë
çështje. Ata i thonë popullit, në rast se regjimi i
sotshëm do të përmbyset, Shqipëria do të copëtohet në
përfitim të fqinjëve të saj. Vetëkuptohet propaganda
gënjeshtare e qeveritarëve të kuq, ka bërë efekt në
popull. Shqiptarët, para këtij rreziku, që kërcënon
integritetin tokësor të vendit, preferojnë të vuajnë
nën diktaturën e kuqe, sesa të hyjnë në një aventurë,
që për sa u është trumbetuar nga qeveritarët, mund të
vërë në rrezik dhe vetë ekzistencën e Shtetit
shqiptar.
Zoti GRANT - Kjo çështje është fare e kuptueshme dhe
pa dyshim vihet pyetja se ç’duhet bërë. Çka propozoni
ju dr.Kota?
Dr.KOTA - Une mendoj se çështja mund të zgjidhet lehtë
në rast se Qeveria greke do të hiqte dorë nga
revendikimet e saj tokësore mbi Shqipërinë e Jugut.
Shqiptarët, në përgjithësi, shpresojnë se Pushtetet e
Mëdha Perëndimore, e në mënyrë të veçantë Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, do të këshillojnë Greqinë për
zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Zoti GRANT - Dr.Kota, besoj se i keni vënë gishtin
plagës. Në Konferencën e Uashingtonit, ku ishin të
pranishëm Mbreti Zog dhe disa kongresistë zyrtarë
Amerikane, kam thënë: mendoj se Qeveria amerikane
duhet të hyjë në bisedime me fqinjët e Shqipërisë, me
Greqinë, Jugosllavinë dhe me Italinë, të cilët Amerika
i ka përkrahur ushtarakisht dhe ekonomikisht dhe të
insistojë pranë tyre që të heqin dorë nga revendikimet
tokësore në dëm të Shqipërisë dhe të japin garanci për
këtë qëllim.
Dr.KOTA - Jemi të një mendimi z.Grant. Ka disa muaj që
Sekretari i Shtetit Amerikan, Dean Acheson, në një
mesazh që i drejtoi popullit shqiptar me anën e “Zëri
i Amerikës”, tha se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara
dëshiron të shohë Shqipërinë një anëtare të lirë dhe
të pavarur në bashkësinë e kombeve. Me qenë se një
Shqipëri e pavarur është e pamundur, të jetojë pa
përfshirë edhe krahinat e Jugut, shqiptarët në
përgjithësi, mendojnë se mesazhi i z.Acheson duhet të
ndiqet nga një deklaratë e Qeverisë amerikane, e cila
të vërtetojë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës
aprovojnë vendimet ndërkombëtare që kanë qenë marrë në
të kaluarën nga Fuqitë e Mëdha.
Zoti GRANT - Ne jemi përsëri po të një mendimi
dr.Kota. Me fjalë të tjera, mesazhi i Sekretarit
Acheson, duhet të pasohet nga një veprimtari pozitive
dhe të prerë, me qëllim që të garantohet që tashti
integriteti tokësor i Shqipërisë.
Dr.KOTA - Po, z.Grant. Dhe kjo është në traditën
amerikane me politikën që ka pasë mbajtur kundrejt
Shqipërisë, të filluar prej Presidentit tuaj të Madh,
të ndjerit Udrou Uillson, kujtimi i të cilit ka mbetur
i paharruar në zemrat e shqiptarëve. Në Konferencën e
Paqes, në Paris, në fund të Luftës së Parë Botërore,
Presidenti Udrou Uillson, flaku poshtë traktatin e
fshehtë të Londrës (1915), që sakrifikonte të drejtat
legjitime të Shqipërisë dhe u kërkoi përfaqësuesve të
Fuqive të Mëdha, respektimin e pavarësisë së plotë të
Shqipërisë.
Zoti GRANT - Po, më kishte folur për këtë vendim të
Parisit i ndjeri Peshkop Bumci, i dioqezës së
Shqipërisë së Veriut, i cili kishte qenë një nga
delegatët shqiptarë në Konferencën e Paqes.
Dr.KOTA - Dëshiroj të shtoj se shqiptarët u janë
mirënjohës miqve të tyre të shumtë amerikanë, ndër të
cilët jeni ju zoti Grant, për përpjekjet që kanë bërë
dhe vazhdojnë të bëjnë për kombin tonë dhe për
mbajtjen e miqësisë shqiptaro-amerikane.
Zoti GRANT - Ju falenderoj shumë z.Kota për shprehjet
tuaja mirëdashëse. Çështja e indipendencës shqiptare
është një çështje për të cilën vlen të bëhen
përpjekje.

Përgatiti: Neritan Kolgjini


__________________________________
Do you Yahoo!?
SBC Yahoo! DSL - Now only $29.95 per month!
http://sbc.yahoo.com



More information about the ALBSA-Info mailing list