Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Noli dhe Andon Frasheri - Shekulli

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Mon Jun 9 07:54:39 EDT 2003


Shkrimtari, publicisti, atdhetari, Andon Frashëri,
ish- sekretar i Nolit, rrëfen ditët e vështira në
burgun e regjimit komunist dhe pas lirimit,
letërkëmbimet diskrete me Imzot Fan Nolin 

Andon S.Frasheri, i fundmi i dishepujve të Nolit 

Nga Meri Lalaj
Kam vite të tërë që mbart në kujtesë emrin e
shkrimtarit, publicistit dhe shqipëruesit Andon S.
Frashëri. Në vitin 1964, vajzë e re, kur sapo pata
kryer studimet e larta, u emërova mësuese e gjuhës
angleze në gjimnazin e Korçës, dhe unë për herë të
parë e jepja këtë gjuhë të huaj në atë qytet. Që në
muajin e parë pasi pata filluar punë, një ditë pas
orëve të mësimit një nxënësi im (më vonë i shkëlqyer
në mësime), Aleks Jani, shtatpakët me kaçurela të
verdha mu afrua i ndrojtur i skuqur në fytyrë duke më
thënë se një burrë që dinte anglisht donte të më
takonte dhe më shpuri tek shtëpia e Andon Frashërit.
Ajo ish një shtëpi e vjetër me portën e jashtme të
rrënuar prej viteve, kish një oborr dhe pasi ngjitje
disa shkallë hyje tek një portë tjetër e cila rrinte
gjithnjë e hapur, sepse në të banonin disa familje e
në njërën prej dyerve djathtas banonte Andon Frashëri,
në një dhomë, jo shumë të madhe me mure të ciflosur
dhe me libra gjithandej. Në këtë shtëpi ai pat lindur,
kjo ish shtëpia e prindërve të tij. 
Kështu filloi miqësia ime me Andon Frashërin. Mësova
se ai pat qenë për shtatëmbëdhjetë vite radhazi herë
sekretar i Imzot Fan Nolit më 1924 kur ai pat qenë
kryeministër i Shqipërisë e më parë veprimtar në
shoqërinë “Vatra” të Amerikës njëkohësisht gazetar dhe
botues i gazetës “Dielli”. Andon Frashëri shkruan:
“Kujtime mbi Fan Nolin”: “Në vitin 1915 emërohem
ndihmësi i tij si nëndrejtor i gazetës “Dielli”. M`u
duk ahere sikur zura Perëndinë me dorë. Dhe vjetët që
rodhën në bashkëpunim me të më dhanë rast ta njoh
Nolin rrënjë e degë… Me Nolin si udhëheqës puna më e
rëndë bëhet më e lehtë se penda, më e ëmbël se mjalta.
Pa gënjeshtër ai të inspiron, të frymëzon, të jep
zemër.” 
Ne bisedonim të dy për librat që unë lexoja, ai më
tregonte letrat, librat dhe fjalorët që i dërgonte
Noli dhe hera herës ndonjë çek të vogël në raste
Krishtlindjesh apo Pashkësh dhe gjithnjë prapa zarfeve
shkruhej një adresë tjetër me një emër femre “Mary”
(ndoshta përdorej emri i sekretares së Nolit, Mary
Johns ) apo ndonjë mbiemër tjetër i sajuar që të mos
kuptohej se ata të dy mbanin letërkëmbim, kushedi edhe
përmbajtja e letrave do të ish e tillë që të merrej
vesh vetëm prej atyre të dyve. Unë i prekja me dorë
letrat, librat e më dukej sikur takoja dorën time me
dorën e Fan Nolit mijëra kilometra larg. Ne bisedonim
për mrekullinë e shqipërimeve të Nolit: dramat e
Shekspirit, “Rubairat” e O.Khajamit, poemën
“Skënderbeu” të H. Longfellout me vargjet brilantë:
“Lufton luftën dhe fiton/ Mbreti Ladislav gjëmon…” e
të tjera. 
Miqësia ime me Andon Frashërin ishte një miqësi paksa
e trembur e përndjekur, ndoshta. Më treguan të tjerët
ose ai vetë se pat qenë në burg politik dhjetë vjet
pas çlirimit, por për këtë gjë unë nuk e pyesja e nuk
bisedonim dhe vijoja që ta vizitoja. Edhe
bashkëshortja e tij, Maria (Meri), rumune u arrestua
pas tij dhe bëri dy vjet burg, gjithashtu brenda në
burg bëri edhe një përpjekje për të vrarë veten. Më
vonë, pas lirimit, aty nga viti 1959 Zonja Frashëri u
largua nga Shqipëria për në Rumani duke e lënë Andonin
fill të vetëm dhe pa fëmijë. Në burg Andoni kish
operuar ulçerën e stomakut dhe kish shumë probleme me
të ngrënit e ushqimeve.
Pasditeve aty në dhomën e tij të vogël u jepte mësime
të gjuhës angleze disa intelektualëve të qytetit, disa
vajzave të familjeve korçare të prekura nga regjimi
komunist dhe për çudi edhe një vajzës të vogël me sy
të kaltër e të mençur që të vështronin tërë kërshëri
Doloreza AliPirgut (Dhima). Mbaj mend se një ditë më
mbajti për drekë, ishin Krishtlindjet e të dy trokitëm
nga një kupë me verë të kuqe. Andoni ish tepër i
përkorë në sjellje, më trajtonte sikur të isha e
barabartë me të për nga shkalla e njohurive. Unë pata
qenë studente e Skënder Luarasit dhe në atë kohë dija
aq shumë vargje përmendësh të Nolit të shqipërimeve të
tij të mrekullueshme si edhe kisha njohuri për shumë
burra të tjerë të shquar të kombit tonë që u përpoqën
për të bërë Shqipëri. 
Atje mbi oxhakun e dhomës së tij në vend që të mbante
ndonjë ikonë (se ende nuk ishim bërë i vetmi shtet
ateist në botë), ai mbante një fotografi të madhe të
Fan Nolit dhe i ndizte kandilen me vaj të kremteve.
Fan Noli ishte idhulli i jetës së tij. Po aty mbi
oxhak pashë për herë të parë librin e Nolit “Psalme”,
ai më pat treguar një fjalor të madh Webster me të
cilin punonte, librin “Bethoveni dhe Revolucioni
Frëng” në anglisht e të tjerë libra. Nuk guxoja të
kërkoja libra për të lexuar, po ashtu ai kurrë nuk më
tregoi se pat shkruar libra të cilat ishin zhdukur nga
qarkullimi pasi e futën në burg dhe ish autor i
ndaluar.
Tek libri “Fanoliana” i Prof. Nasho Jorgaqit lexojmë
një letër të A. Frashërit dërguar Nolit më 4.3.1938,
ndër të tjera: “Imzot,… ashtu siç priste Shqipëria një
kohë Skënderbejnë, po me atë mall ju presim edhe ju
sot…. Shqipëria sot ka nevojë për patriotë si ju.
Kujtoni pastaj se kini edhe detyrë kundrejt shokëve të
vjetër; këta me ardhjen t`uaj do bëhen burra. Këtë nuk
e thom për vehten time, po për shokët, të cilët me çdo
rast pyesin me ngashërim për ardhjen t`uaj. Bashkimi
juaj me Faiknë na ka prekur; ish i domosdoshmë dhe
s`ka dyshim se të dy kolonat të lidhura tok janë për
ne garancia më e madhe…”
Më vonë në Arkivin e Pogradecit pata ndeshur në faqet
e revistës “Përpjekja Shqiptare”, të cilën e botonin
intelektualët e kohës në vitet `20-të, një fotografi
të Andon S. Frashërit kokë më kokë me Bahri Omarin. Në
librin e Enver Hoxhës “Kur u hodhën themelet e
Shqipërisë së re” pikërisht në faqen 106 kam lexuar:
“Fazlli Frashërin e shihje pasdreke, dimër e
behar…duke biseduar me të njëjtët profesorë të Liceut
të Korçës…me Andonaqkën e Frashërit, agjent i
amerikanëve dhe imoral.”
Po në librin “Fanoliana” lexojmë një tjetër letër të
gjatë të A. Frashërit drejtuar F.Nolit: 
“Tiranë 28.9.945 I dashur Imzot, Prej disa muajsh më
parë ju pata dërguar një letër, me anën e së cilës ju
lutesha-në emër të shokëve-që të ndërmjetësonit pranë
Qeverisë këtu për shpëtimin nga vdekja e të ndjerit
Kol Tromara e B.Omari, të cilët u dënuan dhe u
ekzekutuan së bashku me Akif Përmetin, Dhimitër Balën,
Haki Tatzatin, Zejnel Gjolekën, Xheneral Mirdaçin,
Fejzi Alizotin, Toçin etj. Kam dyshim në ju ra në
dorë.
Gjendja e këtushme… Fuqinë në dorë e ka qint për qint
Partia Komuniste me Enver Hoxhën, Koci Xoxen, Sejfulla
Malëshovën, Bedri Spahiun, Mehmet Shehun etj. këta
janë në bashkëpunim të plotë me Titon…Gegët nëmërohen
me gisht dhe po bëhet një propagandë katastrofale
toskë-gegë dhe kaur e turq!
Shkabën me dy krerë e mbuloi Hyll`i kuq. Propagandën e
bëjnë haptazi, duke mos lënë rast pa ekzaltuar edhe
lajmën më të vogël që vjen prej Beligradit ose Moskës
dhe duke vogëluar çdo gjë që rrjedh nga Perëndimi.” 
Ndërsa në letrën e datës 30.1.1964 Andoni i shkruan
Nolit me një ton të përmbajtur duke u ankuar për
shëndetin dhe pleqërinë e natyrisht duke shprehur
mendime për libra të ndryshëm që kanë lidhje me ata të
dy.
Së fundi vajta në Bibliotekën Kombëtare dhe mora për
të lexuar librat e A. Frashërit, sapo hapa librin e
parë romanin “Patrioti” me 160 faqe botuar në Korçë në
vitin 1933, mu në faqen e parë më zuri syri një vulë
“Mitrush Kuteli Biblioteka” (d.m.th.) se ky libër i
paska përkitur shkrimtarit Dhimitër Pasko dhe në krye
të faqes një kushtim: “Z. Mitrush Kuteli me miqësi
A.Frashëri”, për një çast pata një vegim sikur po i
shihja të dy shkrimtarët tek po shtrëngonin duart me
njëri tjetrin. Romanin e tij “Patrioti” autori ua
kushton “Dëshmorëve të kombit që dhanë me gëzim jetën
e tyre për idealin kombëtar ua dedikoj këtë vepër të
vogël për kujtim.”
Ky roman është i bazuar në faktet e ngjarjeve të
viteve të fillim shekullit 20-të, ato luftëra të
turbullta të Shqipërisë në ato vite e sidomos në
qytetin e Korçës dhe rrethinave të saj. Libri i
kushtohet atdhetarit Themistokli Gërmenji, i cili u
vetëflijua që të bëhej Shqipëria. Për Themistokli
Gërmenjin Lasgushi më ka thënë këto vargje: “Tha të
tri fjalët dhe mbaroi/ Dhe shpejt jep urdhër: “Zjarr!/
Atje ku bie vdes heroi/ Rilind Atdheu Shqiptar!”
Libri “I funtmi i Kastriotëvet” botuar në Tiranë nga
Botonjësi Ismail Mal`Osmani në vitin 1944 përbëhet
prej 113 faqesh. Këtë roman Andon S.Frashëri ia
kushton: “Fan S. Nolit Kalorësit të Letërsisë
Shqipëtare si shënjë mirënjohje Dishepulli i Tij”. Në
këtë libër autori me zjarrin e zemrës shkruan për
ngjarjet që vijuan pas vdekjes së Kryetrimit Gjergj
Kastriotit për birin e tij të vetëm Gjonin dhe
kryengritjet që zunë fill në Krujë për të shpëtuar
Shqipërinë nga zgjedha turke e ndonëse shumë trima
luftuan e ranë në shesh të betejës nuk mundën dot të
fitojnë sepse u tradhtuan nga shqiptarët e shitur tek
turqit për grada e ofiqe, megjithëse libri mbaron në
mënyrë tragjike vështrojmë të vërtetën drejt e në sy e
jemi krenarë për birin e vetëm të Skënderbeut i cili
kreu me nder detyrën ndaj Atdheut.
Andon Frashëri shquhet edhe si shqipërues i librave
“Kapedani i jeniçerëve ose Skënderbeu” shkruar prej
Xhejms Ludllout, fillimisht botuar si shtojcë letrare
tek gazeta “Dielli” botuar si libër në Korçë nga
Libraria “Drita” në vitin 1934 (dhe botuar në vitin
1967 me titullin “Konstandini dhe Morsinia”, përsëri
tema për Kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin, si edhe
librin “Pavlli dhe Virgjinia” të autorit Bernardin de
Sen Pierre
Në një letër dërguar A. Frashërit prej F.Nolit më 30
maj 1964 botuar tek “Noli Vepra 6” midis tjerash
shkruhet: “Katër vjetët e fundit po mësoj hebraishten,
me qëllim që të përkthej Dhjatën e vjetër nga
origjinali dhe për këtë po punoj tani. Deri më sot kam
përfunduar Psallmet dhe do t`ju dërgoj një kopje të
tyre. Lexojeni librin dhe më shkruani se çfarë mendoni
për të.” 
Dhe ja se çfarë ka shkruar A. Frashëri për F. Nolin
tek Revista “Shkëndija” 1942 Nr. 9-10: “Ata që kanë
patur fatin ta dëgjojnë- shkruan një dëshmitar, që e
ka ndjekur ecurinë triumfale të oratorisë noliane –
nëpër mbledhje, në kishë ose parlament, të huaj e
shqiptarë këtu dhe jashtë kanë dalë të entusiazmuar
prej forcës së oratorisë së tij. Fjalimet e Nolit të
drithërojnë e të japin zemër, këtu të ngrejnë në
qiell, aty të përplasin për tokë, të ndezin e të
ndërsejnë gjer në frenezi, të fanatizojnë deri në
marrëzi, po edhe të zbusin e të qetësojnë dhe dendur
të bëjnë të qeshësh dhe të derdhësh lot gëzimi… Fjalën
e tij ai e shoqëronte me një buzëqeshje të mbaruar, me
një takt njerëzor, dinte të krijonte komunikim me
auditorin.”
Një ditë i vajta në shtëpi porta e së cilës mbante
numrin 13 dhe e gjeta Andon Frashërin të sëmurë në
shtrat, i shtrydha dy portokalla që ishin mbi tryezë
dhe ia dhashë lëngun për ta pirë, aty ndodhej edhe
receta për ilaçe prej mjekut. Vajta në barnatore dhe
ia bleva. Nuk dija çfarë të bëja më tepër. Në
pranverë, pas vdekjes së Nolit më 13 mars 1965, Andon
Frashëri u shtrua në spital, vajta për ta takuar me
një shokun tim profesor i gjimnazit. Sytë e tij u
përlotën nga mallëngjimi: “Shiko këtu – më tha – numri
i krevatit është 13, Noli ndërroi jetë më datë 13 dhe
unë do të vdes së shpejti e si mund të jetoj kur ai
nuk është më në jetë…” 
Kjo ishte biseda jonë e fundit. Në një ditë të
vrenjtur me shi më ndali tek anësorja e rrugës një
mikesha ime, Irenë Mëria, gjyshja e saj ka qenë motër
e Andonit. “E ke marrë vesh xhaxhi Andoni na vdiq!”
Dhe pas pak kohësh ato gjëra të pakta që patën mbetur
nga librat dhe dorëshkrimet e Andon Frashërit u
mbartën për në Tiranë prej të nipit Robert Ballaurit.
“Një bllok shënimesh me kujtime të hedhura prej dorës
së dajos nga 130 faqe e gjeta të grisur vetëm me 5 a 6
fletë” më tregon Zoti Robert.
Dimrin pas vdekjes së tij unë mora në Bibliotekën e
Korçës librin “Betoveni dhe Revolucioni Frëng” (këtë
kopje Noli ia pat dërguar Dhespotit të Korçës e në
faqen e parë me dorën e Tij pat shkruar disa fjalë për
të), u ula dhe e shqipërova me një frymë në kujtim të
Fan Nolit dhe Andon Frashërit (nuk u botua ndonëse
ndenji dy vjet në Ndërmarrjen Botuese “Naim
Frashëri”). 
Duke shkruar këto radhë mendoj se po ndez një qiri për
shpirtin tënd, Andon Frashëri!

Somario 
M`u duk ahere sikur zura Perëndinë me dorë. Dhe vjetët
që rodhë në bashkëpunim me të më dhanë rast ta njoh
Nolin rrënjë e degë… Me Nolin si udhëheqës puna më e
rëndë bëhet më e lehtë se penda, më e ëmbël se mjalta.
Pa gënjeshtër ai të inspiron, të frymëzon, të jep
zemër.” 

somario
Fuqinë në dorë e ka qint për qint Partia Komuniste me
Enver Hoxhën, Koci Xoxen, Sejfulla Malëshovën, Bedri
Spahiun, Mehmet Shehun etj. këta janë në bashkëpunim
të plotë me Titon…Gegët nëmërohen me gisht dhe po
bëhet një propagandë katastrofiale toskë-gegë dhe
kaurë e turq!




__________________________________
Do you Yahoo!?
Yahoo! Calendar - Free online calendar with sync to Outlook(TM).
http://calendar.yahoo.com



More information about the ALBSA-Info mailing list