Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Koha Jone mbi simboliken greke (At Foti Cici)

Albanian Orthodox Church shenasti at yahoo.ca
Sat Jul 19 20:38:35 EDT 2003


(Koha Jonë, e diel, 20 korrik 2003)

 

Simbolika e emërshkrimeve tek ikonat e KOASh-it

 

At Foti Cici

 

Kam në dorë një ikonëz të bukur, me autor shqiptar, shpërndarë nëpër kishat ortodokse të Amerikës, me qëllim për të grumbulluar ndihma për misionin ortodoks nëpër botë. Fjalët e ikonës janë shkruar anglisht: “Shkoni dhe lëçisni gjithë kombet!”. Mbrapa saj shkruhet po në anglisht: “Nga dora e Petro Luftës, i Kishës Ortodokse të Shqipërisë”. Institucioni që e shpërndan është Qendra e Misionit të Krishterë Ortodoks me seli në Florida, ShBA, e cila drejtohet nga prifti greko-amerikan at Martin Ricis, i kujtuar me respekt në Tiranë, për shërbimin pesëvjeçar në kryeqytet. Kjo qendër mbështet ekonomikisht misionarë ortodoksë në shumë vende, duke përfshirë dhe Shqipërinë. 

 

Me të drejtë ndihemi krenarë për arritjet e këtyre viteve të rimëkëmbjes së kishës sonë, dhe iu jemi mirënjohës gjithë atyre që mbollën farën e mirë të tokën shqipe. Ne, të cilët kishim harruar se si bëhej shenja e kryqit, kemi tashmë ajiografë që po futen me veprat e tyre në ndërgjegjen kishtare të  përbotshme. Por me të njëjtat ndjenja njerëzore nuk mund të mbysim pyetjen-brengë që na mundon: Përse një ikonë e tillë, e bërë nga një dorë shqiptari ortodoks, të mos shkruhej edhe me fjalë shqipe, për ata ortodoksë që janë lindur dhe banojnë atje ku krijon autori i saj dhe pëlqejnë të falen shqip?! Kur kishat greke të Amerikës Veriore, të cilat në pjesën më të madhe përdorin si gjuhë adhurimi greqishten, kanë nevojë për ikona anglisht, a nuk e kemi ne të domosdoshme të kemi ikona në gjuhën tonë? Në qoftë se grekët kanë rreth njëqind vjet që janë ngulur në Amerikë, po ne, që kemi qindra vjet që shkruajmë shqip në Kishën Ortodokse?

 

Një fakt tjetër që më trazon tek shfletoj web-in e qendrës misionare të at Ricis (www.ocmc.org), është se Shqipëria na paska dy gjuhë: “Albanian (official), Greek”. Ndërsa vendet e tjera, të cilat kanë po ashtu minoritete greke dhe misionarë grekë, nuk e kanë greqishten tek të dhënat e qendrës. Mund të justifikohej referenca e pavend vetëm në qoftë se nuk shpërnjiheshin pakicat e tjera ortodokse të Shqipërisë, si për shembull arumunët, të cilët nuk janë të paktë në numër dhe kanë dhënë shumë më tepër për ne, në krahasim me grekët. Por le t’i kthehemi çështjes së emërshkrimit të ikonave në gjuhën shqipe.  

 

Mjaft ortodoksë shqiptarë nuk e kanë dëgjuar ende se ikonat me shkronja shqipe janë tej e ndanë ortodokse dhe njësoj të hirshme me ato që kemi në greqisht. Përderisa shqipja ndalohej të përdorej si gjuhë adhurimi në Kishën Ortodokse, deri në vitet 20-të të shekullit të kaluar, edhe gjuha e ikonave kishte të njëjtin fat sepse në Kishën Ortodokse ajo është një shtrirje e gjuhës së adhurimit. Kjo është arsyeja që nuk trashëguam ikona me shkronja shqip nga e kaluara e largët, sepse shumë thjesht ato do të digjeshin dhe autorët e tyre do të çkungoheshin, çkishëroheshin e ndoshta dhe mund të vriteshin. 

 

Duke ardhur nga ky sfond i mugët historik, ne i trajtojmë ikonat ekzistuese me shprestari dhe frikë Perëndie, por me të njëjtën ndjeshmëri duhet të pranojmë ikonat me emërshkrime shqip, pikërisht me të njëjtën frymë që përdoren në greqisht, sllavisht, anglisht, suahili etj, e në të gjitha gjuhët ku adhurohet në mënyrë ortodokse. Ne, kishtarët ortodoksë shqiptarë, kemi për detyrë t’iu mësojmë brezave të sotëm të interesuar udhën e drejtë të besimit tonë dhe jo atë të rrëshqitjeve të ortodoksisë në terrin e jashtëkishës. Shtegu i thepisur i besimit fetar nuk duhet të zbukurohet me simbole që kthehen në idhuj kulturorë, sepse në vend të realitetit hyjnor këto shenja përçojnë fanatizëm tek disa, keqkuptime, tërheqje e madje urrejtje tek të tjerë, dhe amulli e çoroditje tek të shumtët. 

 

Shpikësit dhe përdoruesit e simboleve, të cilët në rastin tonë kanë dëshira dashamirëse, janë të ndërgjegjshëm se prania e përsëritur e emërshkrimeve greqisht, si për shembull në Tiranë dhe në gjithë vendin, krijon përshtypjen imponuese të një tradite vendase, sidomos tek ai brez që lindet dhe ngrihet gjatë shfaqjes dhe qëndresës së kësaj simbolike greke në Shqipëri. E kuptuar në këtë këndvështrim, do të jetë shumë vështirë të zëvendësohen simbolet në fjalë në të ardhmen, sepse ndryshimi i tyre do të sjellë ndryshime të tjera, më të dhimbshme për brezin ortodoks të mëkuar me një didaktikë të tillë vizuale shumë të fuqishme.

 

Në Shqipëri vështirësia nuk qëndron vetëm tek misionarët e huaj ortodoksë, të cilët na kanë bindur se e kanë të vështirë të ndijojnë specifikën e kulturës sonë, por më shumë tek vetë ne ortodoksët, dhe më qartë tek disa njerëz të shkolluar dhe të etiketuar si “ortodoksë”. Janë këta që kanë rënë në dashuri me artin “ekzotik” bizantin, si pjesë e asaj që nuk është shqiptare, duke shpërfillur me ose pa dashje thelbin e besimit ortodoks, i cili ndodhet tejet gjuhës dhe kombësisë. Arti mund të jetë edhe fe, por nuk është në doktrinën e Kishës Ortodokse të trajtohet nga ana e kundërt, pavarësisht se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe çka praktikohet sot në Shqipëri. 

 

Kur këto simbole fetare përkthehen, “intelektualët ortodoksë” mund të reagojnë ashpër, sepse reagon intuita e tyre teksa rrënohet kulla e besimit, gjë që gjithësesi një ditë do të ndodhë, kur feja e tyre është ngritur mbi një ngrehinë sentimentale, apo nën trysninë e viteve të pasdiktaturës, dhe jo në një jetë hyjthirrëse, jashtë mjedisit dhe personave të sotëm. Një debat i tillë, mbi mospërkthimin shkrimor të botës hyjnore, është i hershëm në përkthimet kishtare dhe është dokumentuar i tillë dhe në botën shqiptare (le të kujtojmë, për shembull, polemikën midis Fan Nolit, si prift e student në Harvard, dhe Aleksandër Xhuvanit, si laik e filolog i greqishtes, në vitin 1911).  

 

Ikonat bizantine që i kanë shpëtuar prishjes dhe zhdukjes janë pasuria e ortodoksisë shqiptare dhe pjesë e thesarit të vendit tonë, prandaj dhe duhet t’i ruajmë si sytë e ballit, pavarësisht se në çfarë gjuhe janë përjetësuar. Në të njëjtën kohë duhet të ndihemi njësoj përgjegjës për të ardhmen e ortodoksisë në Shqipëri dhe duhet të sjellim tek brezat e sotëm frymën e saj fetare, e cila nuk mund të jetë plotësisht ortodokse pa pranuar gjuhën shqipe në plotërinë e saj. 

 

Por si dhe deri kur mund të justifikojë KOASh-i emërshkrimet greke në ikonostasin e ri të kryekishës shqiptare në Tiranë, dhe në të gjitha kishat e ndërtuara e të rindërtuara në gjithë Shqipërinë? Në qoftë se ajiografët tanë të sotëm nuk krijojnë vetëm ikona në greqisht dhe në anglisht, përse të mos përdoren ikonat e tyre shqip nëpër kishat tona shqiptare, por po përdoren si mjete për të mbledhur ndihma jashtë, si relika arti, a si alternativë e dorës së dytë, si stoli nëpër kënde, korridore kishash, banesash e zyrash? Ikonat e reja me emërshkrime të huaja, apo dhe dygjuhëshe, mund të përdoren vetëm në kishat e pakicave ortodokse jo shqipfolëse. 

 

Kemi nevojë për verë të vjetër në fuçi të re dhe jo anasjelltazi. Sa më shumë të vonohemi në këtë shërbesë të ngutshme, aq më shumë ngadalësohet plotësimi i imazhit të KOASh-it, sipas shëmbëllesës së kishave simotra autoqefale. Trashëgimia e pasur ortodokse nuk lë vend për përsiatje...

 

 

 




---------------------------------
Post your free ad now! Yahoo! Canada Personals
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list