Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Fr Foti Cici on Albanian Orthodox terminology

Albanian Orthodox Church shenasti at yahoo.ca
Mon Jul 14 20:16:56 EDT 2003


Greetings! 

We are mailing two articles published by Fr Foti Cici on Albanian Orthodox terminology.

 

TERMINOLOGJIA ORTODOKSE NE SHQIPEN E SOTME

Nga At Foti Cici*

(Shekulli, 25 qershor 2003)

Me rimëkëmbjen e vrullshme të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, një proces i vështirë dhe i gjatë, tej kohës së brezave tanë, po lindin pyetje të natyrshme për sa i përket tipareve të plota të një kishe autoqefale. Një nga çështjet shqetësuese është ajo e gjuhës së ortodoksisë shqiptare. Është e vërtetë se na mungon një terminologji kishtare-teologjike e plotë dhe e njëtrajtshme. Dhe ka disa arsye që e bëjnë gjuhën shqipe “të mbrapshtë” për përkthyesit dhe autorët ortodoksë.


Së pari, përkthimi i teksteve biblikë dhe liturgjikë për Kishën Ortodokse në Shqipëri është kryer kryesisht në toskërisht (nga Kostandin Kristoforidhi dhe Fan S. Noli, përkatësisht), por në një kohë kur toskërishtja për herë të parë dilte nga trajtat nëndialektore të mëparshme. Pra këto botime kanë shenjat dhe pasojat e kohës së tyre, duke iu nënshtruar rrymave të puritanizmit, në rastin e Kristoforidhit, dhe të “standardizimit” të toskërishtes me frymën “romane”, në rastin e Nolit, por duke u luhatur në shprehje jo spontane të gjuhës në të dyja rastet. Pra të dy shkollat përkthimore ishin kalimtare dhe si rrjedhojë të pazonja për të ngurtësuar një terminologji rrënjosëse në kishën tonë. Thirrjet kushtruese të autoqefalistave sot, se “nuk duhet vënë dorë në gjuhën e Nolit”, vijnë nga njerëz që e duan kishën tonë autoqefale shërbëtore të një ideali të vonuar. Në fakt zëra të tillë ka kohë që nuk dëgjohen më. 



Së dyti, kur gjuha shqipe po merrte tiparet e sotme, pushoi lëvrimi i tekstualitetit fetar në Shqipëri. Pra, periudha e viteve 1945-1965, nuk na ka lënë shumë trashëgimi e cilësi në tekstet e gjuhës ortodokse në shqip, pavarësisht se letrat shqipe morën hov të madh në këtë periudhë, në sasi dhe në ecurinë e gjuhës. Megjithëse gjatë kësaj periudhe u botuan dhe përkthimet liturgjike të periudhës së dytë të Nolit (1941-1955), të cilat pavarësisht nga ndryshimet radikale brenda gjinisë së tyre, nga ana e terminologjisë nuk ndryshojnë shumë nga përkthimet e periudhës së parë (1908-1914). Në fund të këtij njëzetëvjeçari të vështirë që përmendëm, Fan Noli vdiq (1965), por gjithësesi mbetet një shkollë unike e përkthimeve kishtare shqip. Por në këtë fushë “plaku i Amerikës” nuk na la asnjë pasardhës. 



Së treti, heshtja që u ndërfut në botimet kishtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë për rreth njëzetë e pesë vjet (1965-1992) dhe çoi botimet ekzistuese në “konservim”, pati për pasojë vdekjen biologjike të autorëve të tyre, dhe kultivoi një nostalgji për tingëllimin e këtyre teksteve tek të gjallët, të cilët dikur i kishin dëgjuar, lutur e kënduar. Dhe më e rëndësishmja për situatën e sotme, brezi i ri i gjeti emrat e autorëve ortodoksë të mbimitizuar në një kanon autorësh të padiskutueshëm, ku dhe në qoftë se mund të bëhet njëfarë çmitizimi, ai do të fillojë nga emri i autorit dhe vetëm në fund mund të flitet mbi subjektivitetin e veprës së tij. 



Së katërti, gjatë viteve të pasdiktaturës, me rimëkëmbjen e kishës e deri më sot, nuk u botuan në shqip ende përkthime teologjike, të cilat të kenë fuqinë e ndikimit tek përkthyesi shqiptar ortodoks. Hija e godinave të ndërtuara nga KOASh-i dhe gjithë puna sociale e misionarëve ortodoksë, nuk mund të mbulojë faktin se Kisha Ortodokse në Shqipëri sot nuk ka Bibël, madje as Dhjatë të Re, nuk ka tekste të plotë liturgjikë dhe nuk ka të përkthyer tekstet bazë të spiritualitetit ortodoks, të domosdoshme këto për të krijuar një jetë të mirëfilltë shpirtërore në Kishë. Në qoftë se nuk ekzistojnë njerëzit e përshtatshëm për të bërë këto vepra, atëherë vetë kjo është një pikëpyetje që nuk mund të kundërpeshojë mbarëvajtjen në fushën sociale dhe politike të kishës sonë autoqefale. 



Ato mbetje tekstuale të së kaluarës, me të cilat mburremi ne, nuk i drejtohen më besimtarit që u formua gjuhësisht me shqipen standarde. Kjo lëndë është një mjet që mund të adresohet tek një grupmoshë e caktuar në Kishë, por vetëm për këta besimtarë të moshuar, të cilët, për fat të keq, nuk kanë as të kaluar kishtare. Pjesa tjetër e lëndës përkthimore i përket muzeut dhe hulumtimeve, dhe jo punës pastorale në Kishë. 



Këto katër arsye që radhita e bëjnë gjuhën shqipe shumë specifike në fushën e krijimeve dhe të studimeve përkthimore ortodokse. Duke pranuar situatën e mësipërme, një përkthyes i nivelit mesatar sot, nuk mund të sjellë në jetë asnjë tekst, në qoftë se nuk ka njohuri të thella në gjuhë dhe dije të mjaftueshme në teologji. Vetëm me një përgatitje të tillë përkthyesit tanë do të munden të studjojnë tekstet ekzistuese dhe në pikat e errëta të fondit terminologjik të shqipes, do të vendosin vetë. Ndërsa një përkthyes mbi mesataren, krahas këtyre që përmenda, duhet të jetë i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e tij në letrat shqipe dhe duhet të ushqejë respekt ndaj traditës së trashëguar, duke marrë parasysh të gjitha tekstet me pëmbajtje terminologjie në lëmin kishtar-teologjik në gjuhën shqipe, jo vetëm të besimit ortodoks, që nga “Meshari” i Gjon Buzukut e deri tek përkthimet e fundit biblike në shqip, mbas viteve ‘90-të. Pra, duke përtypur të gjitha këto të dhëna, një përkthyes me
 ndërgjegje kishtare ortodokse, dhe qëndrim të ndershëm, duhet ta lexojë tekstin e shkruar prej tij nga syri i brezave “jofetarë”, të cilët u arsimuan në vitet e shqipes standarde, për të qenë më i sigurt në raportet gjuhësore të besimtarëve ortodoksë me gjuhën e njësuar. Bashkëpunimi me filologë shqiptarë, jashtë strukturave kishtare të tanishme, është profesionalisht i domosdoshëm dhe kishërisht më se i dobishëm.



Po jap disa shënime që përshkruajnë gjendjen e sotme, por dhe që justifikojnë domosdoshmërinë e një planifikimi jo amator të gjuhës kishtare ortodokse shqipe.



Termat teologjikë të cilët janë mbrujtur dhe kënduar në kishën tonë shqiptare për shumë breza, janë pjesë e një tradite të shëndoshë kishtare, pavarësisht nga nuancat nacionalistike të së kaluarës, a paplotninë e “shpjegimit të saktë”. Po të flasim këtu me analogjitë teologjike, asnjë përkthim nuk shpreh plotësisht origjinalin, mbasi dhe vetë “origjinali” nuk është i tillë, ai është një përqasje e atij realiteti, të cilin gjuha e njeriut përpiqet të përshkruajë por kurrë nuk mundet ta përkthejë plotësisht, dhe aq më pak ta zëvendësojë atë. Pra, përderisa ne besojmë se gjuha e teologjisë është një realitet simbolik, si mund të interpretohen simbolet e dhëna ekzistuese në gjuhën shqipe me simbole të tjera, të huaja për trashëgiminë tonë kulturogjuhësore?



Si rrjedhojë, termat që u sollën vitet e fundit në gjuhën kishtare, si "liturgji", në vend të “meshë”; "eukaristi", në vend të “falënderim”; “triadik”, në vend të “trinik”; “enori”, në vend të “famulli”, e shumë terma të tjerë, të dokumentuar këta në shypin dhe botimet e KOASh-it, janë të huaj dhe si rrjedhojë shpirtërisht të dëmshëm për besimtarët ortodoksë shqiptarë, të cilët ndodhen në fazën e “rizbulimit” të besimit të tyre stëratëror. 



Përdorimi i termave greqisht nga krerët e ortodoksisë shqiptare, për të kristalizuar një terminologji ortodokse “të kulluar” në shqip, shumë herë shpjegohet prej tyre duke u justifikuar nëpërmjet termave të njëjtë që ekzistojnë të papërkthyer në anglisht, por kjo analogji është krejt e pavend dhe çoroditëse, siç e di mirë dhe një student i vitit të parë të gjuhësisë ... Ata që merren seriozisht me studimet shqiptaro-greke, por dhe që njohin njëkohësisht dhe anglishten, me natyrën e saj linguistike krejt të ndryshme nga shqipja, ftohen të na ndriçojnë. Përveç amatorizmit këtu kemi dhe një “marifet” për të injektuar një politikë terminologjie në gjuhën shqipe, sesa një metodë me baza të shëndosha teologjike e gjuhësore. “Krishtëzimi” i terminologjisë, në rastin e gjuhës shqipe, nuk duhet të jetë me doemos dhe greqizim i saj. Dhe përderisa nuk kemi teologë të mirëfilltë shqiptarë, këtu e kanë fjalët albanologët.



Artificialiteti i këtyre termave helenistikë, në një vend ku kisha nuk ka krijuar ende mendimin teologjik, vërtet që nuk është e sigurt nëse pasqyron motivet e misionarëve grekë në pozitat kyçe të Kishës Ortodokse në Shqipëri, por ama na bën të vërejmë se kjo ideologji planifikuese në gjuhë, pretendon të krijojë një traditë të re nëpërmjet gazetës zyrtare dhe botimeve të kishës, rreptësisht e kontrolluar, pavarësisht nga ankthi i misionarëve besëmirë për të “ortodoksizuar” gjuhën kishtare në shqip.



Asnjë ngushëllim nuk ekziston tashmë për keqshkrimin e fjalëve “orthodhoks”, “theologji”, “episkop” etj, të cilat ne, priftërinjtë, teologët dhe predikuesit e fjalës së ortodoksisë në gjuhën shqipe, duhet t’i përdorim siç na janë dhënë në gjuhën e sotme: “ortodoks”, “teologji”, “peshkop”, etj, dhe jo siç përdoren nga kryesia e KOASh-it sot. Kisha Ortodokse, në parim, lëçit të vërtetat e saj në gjuhën e njeriut. E anasjellta nuk është ortodokse!



*Autori është prift në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shen Astit, Toronto Kanada

 

NGJYRIME TEJORTODOKSE TEK DREJTSHKRIMI I TERMIT "IISU" 

At Foti Cici 

 

(Koha Jone, 14 korrik 2003)

 

Drejtshkrimi i emrit “Jezu” është një zonë debatuese e terminologjisë ortodokse në shqip, e  ngarkuar me ngjyrime ideologjike. Në fakt ky debat është dokumentuar i tillë në gjithë gramatologjinë kishtare në gjuhën shqipe. Por sot, mbasi është krijuar një gjuhë e provuar edhe si gjuhë adhurimi, presim të rroket koha jonë dhe të përftohet një intuitë gjuhësore në Kishën Ortodoske në Shqipëri, e cila intuitë do të shprehë besimtarët folës, dhe jo paraaradhësit e tyre nëpër shekuj, a misionarët grekë të ardhur gjatë viteve të pasdiktaturës nga Greqia dhe ShBA-ja. 

 

Mbas viteve 90-të emri “Jezu” u përdor nga KOASh-i (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë) në trajtën helenistike “Iisu”, si në gjuhën e shërbesave ashtu edhe në gjuhën zyrtare nëpërmjet gazetës dhe botimeve të kishës, derisa gazeta “Ngjallja” u rikthye në trajtën puritane të përdorur nga Kristoforidhi, në botimin e Dhjatës së Re të vitit 1879: “Jisu”. Por prapë, megjithë këtë gjysmëmasë, në gjuhën e adhurimit ky term vazhdon të përdoret “Iisu”. 

Pikëpamjet e misionarëve të KOASh-it duke përzgjedhur termin “Iisu”, mbështeten tek botimi nëndialektor i Grigor Gjirokastritit (1824 dhe 1827 - përkthimi i Vangjel Meksit). Drejtshkrimi i fjalës “Jezu” jepet në këto botime “Iisu”, por me formën origjinale biblike “Iisu Kristói”, gjë që nuk mund të pranohet si normë e një gjuhe të sotme mbidialektore, pavarësisht se kjo përdoret me detyrim në gjuhën e adhurimit sot në Shqipëri. Pastaj ky përkthim, i cili është përkthimi i parë i botuar i Dhjatës së Re shqip, u krijua në gjuhën e folur, me qëllim për t’u bërë i kuptueshëm tek besimtarët që, në shumicën dërrmuese, nuk dinin shkrim dhe këndim, dhe jetonin në treva ku fliteshin të dy gjuhët; shqipja dhe greqishtja.

 

Pra, Dhjata pararendëse shqipe e vitit 1827 u shkrua në një gjuhë “të pashkruar” dhe jo për përdorim në shërbesa, pavarësisht se më vonë u përhap shumë dhe përdorej në shumë kisha greke ku jetonin ortodoksë shqipfolës, deri në fshatrat përreth Athinës, siç dëshmojnë albanologët dhe helenistët e asaj kohe. Përkthyesi i  ndershëm ishte i dënuar të përzgjidhte ato fjalë që qarkullonin tek shqiptarët, të cilët ishin pak a shumë dhe greqishtfolës. Prandaj dhe përkthimi shqip jepet me alfabet grek, dhe madje me një përkthim tjetër përbri në greqishten e re, sepse kjo ishte gjuha e arsimit të përdoruesve. Alfabeti jo shqiptar dhe bashkekzistenca e një përkthimi tjetër jo shqip, e shenjojnë këtë vepër si shqiptaro-greke, shtypur nga Shoqëria Biblike në Korfuz, me dijeninë e Patrikanës Ekumenike, pavarësisht se më vonë ajo e ndaloi përhapjen e këtij përkthimi.  

 

Ndërsa sot Ortodoksia në Shqipëri iu drejtohet njerëzve që janë të lirë, në një shtet të njohur nga të gjithë dhe në një kishë autoqefale, e cila për të përkthyer e botuar nuk ka më nevojë për bekimet a ndalimet e Patrikanës së Stambollit. Për më tepër KOASh-i i drejtohet një grigje që di shkrim e këndim, dhe e cila, në shumicën dërrmuese, nuk lexon më greqisht dhe nuk ka të kaluar kishtare. 

 

Me standardizimin e gjuhës shqipe përgjatë disa dhjetëvjeçarëve, raportet mes gjuhës bisedimore, asaj tekstuale e pastorale, dhe asaj të adhurimit në shërbesa, janë shumë të zbehta. Si rrjedhojë shqiptimi i tingëllimit helenistik “Iisu” nuk është i arritshëm, plus që nuk është i përgjegjshëm, në qoftë se duam të ngjizim një terminologji brenda standardeve të shqipes së sotme, e cila është e vetmja gjuhë e besimtarëve shqipfolës, dhe nuk pranon manovra të tilla ideologjike.    

 

Por dhe përikja tek Kristoforidhi, me alternimin e termit të shtirur “Jisu”, përsëri nuk është e pranueshme, paçka se përkthimet e Kristoforidhit në toskërisht trajtohen si “të përsosura” nga kryesia e KOASh-it. Pra në vend që të vëzhgojmë dhe të pranojmë ecurinë e gjuhës, pjesë e së cilës është dhe gjuha kishtare, konstatojmë një kthim mbrapa Nolit, tek Kristoforidhi dhe paraardhësit e tij në Greqi, gjë që ngre pengesa për konsolidimin e një gjuhe me tipare vendore, e cila gjuhë duhet të kapërcejë dhe Nolin dhe pasardhësit e tij për të përmbushur nevojat shpirtërore të shqiptarit të sotëm.

 

Si mund të përdorim sot një terminologji nëndialektore duke pritur nga brezat aktualë të kultivojnë ndjenja puritanizmi në gjuhë? Përderisa këto tekste janë dëshmi e kohës së tyre, duhet të respektojmë faktin se jo të gjithë besimtarët janë të interesuar në studimet albanologjike a helenistike. A duhet medoemos një besimtar ortodoks, pavarësisht nga niveli i tij gjuhësor, të jetë në gjendje të përdorë një gjuhë nëndialektore si ajo e Dhjatës së viteve 1820-të, apo një gjuhë të ngjizur dhunshëm si ajo e Kristoforidhit, e viteve 1870-të, tek e cila as vetë autori paraqitet i njëtrajtshëm? Dhe në qoftë se nuk kërkojmë t’a përdorim këtë gjuhë por vetëm t’a kuptojmë atë, atëherë a nuk vështirësohet përcjellja e fjalës së Biblës si pjesë e gjuhës sonë të gjallë, gjë që na është dhënë së lartazi, dhe me të cilën duhet të shprehemi dhe të aludojmë shpenguar? Për më tutje, a i përket Kishës Ortodokse të ushqejë dallime të tilla gjuhësore në Shqipëri, të cilat shkaktojnë ngjyra krahinore në
 gjeografinë e shqipes së njësuar? 

 

Duke marrë parasysh të gjitha këto të dhëna, drejtshkrimi i këtij termi në gjuhën kishtare ortodokse gjykoj se duhet të shkruhet “Jezu”, sepse kështu i përshtatet intuitës sonë të kultivuar gjuhësore dhe ruan balancën e raporteve me gjuhën e besimtarëve të gjallë. Një zgjedhje e tillë nuk është aspak radikale kur gjuha ecën edhe më, dhe madje kur përkthimet e reja biblike në shqip, sjellin rëndom trajtën “Jezus”, dhe jo “Jezu”, dhe të cilat përdoren tashmë dhe nga besimtarët ortodoksë, si e vetmja alternativë, plus që këto botime janë më të kuptueshme, dhe ndoshta teologjikisht më të sakta, nga ato “ortodokse” të shekullit të 19-të.  

 

Është historikisht e pasaktë dhe gjuhësisht e papranueshme t’i mëshojmë hipotezës se në shqipen e sotme gegizmat përfaqësojnë katolicizmin dhe toskizmat ortodoksinë. Përpjestime të tillë në terminologjinë fetare edhe në të kaluarën kanë qenë të zhdrejta, ndërsa sot, me realitetin e shqipes së njësuar, nuk ekzistojnë fare. Nuancat devijuese të gjuhës bisedimore, nuk kanë arritur ende të na shtyjnë në qëndrime përkatëse, për sa i përket stilit shkrimor të gjuhës adhuruese.

 

Por edhe në qoftë se ekzistojnë dallime gjuhësore, nga pikëpamja ortodokse, ngrihet pyetja: Nëse ortodoksët janë “toskë”, çfarë do të themi ne për ata ortodoksë që nuk janë a nuk ndihen të tillë? Në çfarë kategorie gjuhësore do ta fusim ne kryepeshkopin elbasanas Visarion Xhuvani dhe peshkopin shkodran Iriné Banushi? Këta dy personalitete, për shembull, nuk u konvertuan në “fenë toske”, por dolën nga grigja ortodokse e trevave përkatëse. Si rrjedhojë, pyesim, cili është vizioni i KOASh-it për gjuhën e adhurimit të atyre ortodoksëve të cilët nuk flasin “toskërisht”? Dhe këtu hyn ajo kategori ortodoksësh që jeton jashtë “toskërisë”, dhe sidomos ato brezni që u lindën mbas viteve 60-të, në gjithë gjeografinë e Shqipërisë, të cilët gjithnjë e më shumë po përbëjnë shumicën e anëtarëve të gjallë të KOASh-it. A është e zonja Kisha Ortodokse në Shqipëri t’iu drejtohet të gjithë shqiptarëve ortodoksë me të njëjtin mesazh?

 



St Astius' Albanian Orthodox Church 
tel: 416. 423. 0618, fax: 416. 423. 0304, email: ShenAsti at yahoo.ca
358 Danforth Avenue, P.O. Box 65271, Toronto ON, M4K 1N0

Location: 515 Broadview Avenue (Renting The Holy Eucharist Church - Ukrainian Byzantine Catholic. 







---------------------------------
Post your free ad now! Yahoo! Canada Personals
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list