Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Ligji Grek i Luftes dhe Shqiperia - I. Hajdini ne Shekulli

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sat Jan 11 06:27:06 EST 2003


Ligji Grek i luftës dhe Shqiperia 
Nga Izedin Hajdini*


Historia e të ashtuquajturit “ligj i luftës” është një problem që ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare, me politikën e jashtme dhe diplomacinë. Në kohën e sulmit të Greqisë nga ana e Italisë fashiste, Shqipëria kishte pushuar së qëni subjekt i pavaruar i së drejtës ndërkombëtare, sepse ishte pushtuar qysh prej afro një viti e gjysmë më parë nga Italia. Ajo nuk ishte më një shtet i pavarur, por pjesë e Mbretërisë së Savojës. Dhe kur populli shqiptar i braktisur, përpiqej të mbrohej nga pushtimi i egër fashist, fqinjët tanë të jugut nuk harxhuan asnjë pikë bojë tipografike në mbrojtje të “vëllezërve pelazgjikë”. Shqipëria nuk i kishte shpallur asnjëherë luftë Greqisë. Në këtë kuptim ligji i luftës nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë. Heqja e gjendjes së luftës midis Greqisë dhe Italisë pas kapitullimit të kësaj të fundit, e ezauronte edhe problemin e gjendjes së luftës me Shqipërinë. Konferenca e Paqes në Paris e radhiti Shqipërinë në anën e vendeve fituese, anëtare të koalicionit antifashisht, megjithë përpjekjet diabolike të kryeministrit grek të asaj kohe, Caldaris. Ajo u bë përfituese e reparacioneve të luftës nga Italia, çka tregonte në mënyrën më elokuente se Shqipëria ishte viktimë dhe jo agresore. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike u parapri nga një seri bisedimesh midis përfaqësuesve diplomatikë të të dy vendeve. Në këto bisedime u bë e qartë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike bëhej pa asnjë kusht nga secila palë. Kjo do te thoshte nuk kishte më asnjë pretendim as për ligjin e luftës dhe as për të ashtuquajturin Voirio Epir. Rivënia e “ligjit të luftës” më 1944, heqja e tij më 1987 dhe “rivendosja” më 1999 nuk është gjë tjetër vetëm se një ekspedient politik i Greqisë në përpjekjet e saj për të arritur synimet e saj politike. Por edhe nga pikëpamja e legjislacionit grek, është tepër e vështirë të justifikohet vazhdimi i gjendjes së luftës me Shqipërinë. Le t’i referohemi fakteve. Në muajin gusht 1987, në prag të vizitës së premtuar në Shqipëri të kryeministrit grek Andrea Papandreu, që për shkak të keqësimit të shëndetit të tij nuk u krye asnjëherë, Qeveria greke deklaroi heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë duke i dhënë kështu fund një gjendje anormale në marrëdhëniet midis dy vendeve. Sipas specialistëve grekë, ligji u hoq me një akt qeveritar për arsye se gjendja e luftës me Shqipërinë ishte vendosur jo me ligj të miratuar nga Parlamenti, por me një akt të Mbretit. Pas heqjes së “ligjit të luftës”, në Tiranë erdhi një delegacion ekonomik qeveritar grek me të cilin u nënshkrua Protokolli i bashkëpunimit ekonomik midis qeverive të dy vendeve. Në emër të qeverisë greke, Protokollin e nënshkroi zoti Janos Papantoniu, ministri aktual i Mbrojtjes i Greqisë. Në preambulën e Protokollit, me propozim të palës greke, në mënyrë eksplicite përmendej “heqja e ligjit të luftës nga qeveria greke dhe influenca e tij pozitive në zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve”. Autori i këtyre radhëve, në atë kohë ishte drejtor i Bashkëpunimit Ekonomik në Ministrinë e Punëve të Jashtme, drejtoi bisedimet në nivel ekspertësh që çuan në finalizimin e dokumentit, si dhe ndoqi gjithë procedurat ligjore sipas legjislacionit të asaj kohe. Duke qenë se në atë kohë qeveria shqiptare e konsideronte ligjin e luftës si të paqenë, ishte përcaktuar edhe qëndrimi politik përkatës që në të gjitha aktet zyrtare dypalëshe shqiptaro-greke nuk pranohej që të përmendej ligji grek i luftës. Përmendja për herë të parë e ligjit në një dokument zyrtar ka historinë e vet. Ne u nisëm nga arsyetimi se meqënë se Protokolli do të ratifikohej nga Parlamenti grek, do të kishte një dokument zyrtar që do të konfirmonte heqjen e ligjit të luftës të shpallur nga qeveria greke. Nga ana tjetër, në mënyrë indirekte, Parlamenti grek do të miratonte njëkohësisht me Protokollin edhe aktin e qeverisë për abrogimin e këtij ligji famëkeq. Ky arsyetim u miratua nga nga presidenti dhe klauzola e propozuar nga pala greke u pranua. Në fund të vitit 1987, pala greke me Notë Verbale njoftoi për ratifikimin nga Parlamenti grek të Protokollit, ndërsa në fillim të vitit 1988 pala jonë nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme i komunikoi palës greke miratimin e dhenë nga Këshilli i Ministrave. Në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjendet Nota Verbale e ambasadës greke dhe numri i dekretit të Parlamentit grek. Është e kuptueshme që në se Parlamenti grek do të kishtë vërejtje për abrogimin e ligjit të luftës nga ana e qeverisë, ai nuk do ta ratifikonte Protokollin. Pra, nga pikëpamja legale, nuk ka asnjë dyshim që abrogimi i ligjit të luftës me akt qeveritar është ratifikuar edhe nga Parlamenti grek, qoftë edhe në mënyrë indirekte. Gajtë paraqitjes se letrave kredenciale si ambasador i Shqipërisë në Greqi në vitin 1988, autoritetet më të larta të shtetit dhe qeverisë greke nuk lanë rast pa konfirmuar heqjen e ligjit absurd të luftës. Gjatë viteve pas 1987 shumë shtetas shqiptarë nëpërmjet procedurave ligjore kanë marrë pasuritë e tyre që më parë ishin të bllokuara nga vendosja e sekuestros konservative që kishte sjellë pas vetes ligji mbi gjendjen e luftës. Jo vetëm kaq, por tashmë është fakt i njohur se shumë shtetas shqiptarë kanë blerë pasuri të patundshme në Greqi, çka provon se ligji i luftës dhe pasojat e tij ligjore nuk ekzistojnë më. Është pikërisht për këtë arsye që presidentët e të dy vendeve nënshkruan Traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve. Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk njeh asnjë rast që dy vende në gjendje lufte të lidhin një traktat miqësie. Kërkimi i shpjegimeve nga ana e Ministrisë tonë të Punëve të Jashtme ne vitin 1999, në se është e vërtetë ajo që njofton shtypi, është një gabim sa profesional aq edhe politik që mund të shpjegohet me dëmin e madh që pësoi diplomacia shqiptare nga humbja e kujtesës administrative dhe diplomatike pas spastrimeve radikale që u bënë në stafin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në gjysmën e parë të periudhës së tranzicionit. Si kudo Shqipëria edhe këtu tregoi se është “e para” dhe dha “shembullin e saj udhërrefyes” për vendet e Europës lindore, por që si gjithnjë nuk u ndoq nga askush. Mendoj se do të ishte një gabim tjetër i madh në se do të vihej në jetë propozimi i bërë në Kuvend “për ngritjen e një grupi negociues mes dy parlamenteve për të gjetur një zgjidhje efikase dhe të shpejtë për abrogimin e ligjit të luftës” (cituar sipas gazetës “Korrieri” datë 24.12.2002). Të negociosh heqjen e gjendjes së luftës me Greqinë do të thotë që të pranosh që Shqipëria është në gjendje luftë me Greqinë që nga ana e vet do të thotë se Shqipëria i ka shpallur luftë Greqisë. Gjetja e zgjidhjes për një situatë të tillë zakonisht bëhet duke arritur një kompromis për të kompensuar dëmet morale, politike dhe financiare që i janë shkaktuar viktimës. Edhe në se në rastin më të mirë, pala greke do të kërkonte një kompensim moral, historisë së Shqipërisë do t’i vihej një njollë duke i ngarkuar asaj pa të drejtë fajin e një agresioni të pakryer. Në se Kuvendi e konsideron si fakt real ekzistencën e gjendjes së luftës, atëherë si duhet shpjeguar fakti që ai disa herë i ka akorduar Greqisë të drejtën për të dislokuar ne territorin shqiptar njësi të forcave të saj ushtarake? Problemi nuk shtrohet që të fshehim kokën si struci, apo të kthehemi në Peer Gynt që të mohojmë ekzistencën e problemeve midis dy vendeve. E vërteta është se problemi i gjendjes së luftës është një problem grek dhe i takon qeverisë greke të mbyll ciklin e akteve ligjore që mund të kenë mbetur akoma pa ndryshuar qysh nga heqja e ligjit të luftës në vitin 1987. Ky problem duhet trajtuar vetëm në rrugë diplomatike direkt me palën greke dhe me miqtë tanë euroatlantikë. Parlamenti shqiptar mund të luajë një rol të shquar në takimet me parlamentarët grekë dhe sidomos me ata europianë. Vizita e ministrit grek Jorgo Papandreu, që është shquar si një politikan dhe diplomat modern me një vizion bashkëkohor, është një rast tjetër i mirë për të biseduar hapur problemet që ekzistojnë. Për më tepër ai është djali dhe njëkohësisht trashëgimtari politik i Andrea Papandreut, i cili me largpamësinë dhe kurajon e tij politike kapërceu mbi pengesat e qarqeve shoviniste greke duke hapur një erë të re në marrëdhëniet midis dy vëndeve tona. Diplomacia greke duhet ta kuptojë se taktika të tilla duke përdorur ligjin e paqënë të luftës si deterrent për të penguar zgjidhjen e problemit çam, nuk kanë jetë të gjatë. Çamët kanë qenë nënshtetas grekë që janë shpërngulur me një dhunë të paparë nga tokat dhe pasurite e tyre. Grabitja e pronave të tyre nuk ka asnjë lidhje me ligjin e luftës, sepse sekuestroja konservative pas shpalljes së gjendjes së luftës me Shqipërinë u vu vetëm për pronat e shtetasve shqiptarë. Prandaj pala greke duhet ta kuptojë se me gogolin e ligjit të luftës nuk tremb asnjë njeri në Shqipëri, por vetëm jep një shembull negativ për stabilitetin në rajon. Opinioni publik shqiptar me të drejtë pret të shikojë një politikë të jashtme greke në nivelin e politikës së Bashkimit Europian dhe të pozitës greke në të si kryetare e radhës e BE-së. 

*ish -Ambasador i Shqipërisë në Athinë




---------------------------------
Do you Yahoo!?
Yahoo! Mail Plus - Powerful. Affordable. Sign up now
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list