Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Familja Benussi - GSH

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Fri Sep 6 13:28:40 EDT 2002


DOSSIER Historia e familjes së njohur shkodrane Benussi me origjinë italiane. I pari i tyre Giorgio Bernardo erdhi në Shkodër në vitin 1828 i thirrur nga Veziri turk i qytetit Benussi, shkodrani nga Trieste që u bë Ministër në Tiranë 
---------------------------------

Aty nga fillimi i vitit 1945 filloi dhe kalvari i familjes sonë, pasi komunistët që sapo kishin ardhur në pushtet arrestuan babanë tim Zefin i cili ishte diplomuar për Jurisprudencë në vitin 1932 në Romë dhe gjatë kohës së pushtimit fashist të vëndit kishte mbajtur për një periudhë dy mujore postin e Ministrit të Arsimit. Pasi u mbajt për disa kohë në hetuesi, babai u nxor në Gjyqin Special që u zhvillua në muajt mars-prill të vitit 1945 në Tiranë, së bashku me 63 ish-funksionarë të tjerë të lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit e deri tek ajo e fundit nën pushtimin gjerman. Pas goditjes së parë që pësuam ne si familje, fisi ynë Benussi u godit përsëri në marsin e vitit 1948 kur u arrestua xhaxhai im Baltazari, i cili po ashtu si edhe babai im Zefi, ishte diplomuar për Jurisprudencë në Romë në vitin 1924. Që nga viti 1932 kur xhaxhai Baltazari ishte larguar vullnetarisht nga Gjykata e Diktimit e Monarkisë së Zogut e deri në vitin 1947 ai nuk ishte përzier me asnjë aktivitet politik, por ishte marrë vetëm me profesionin e avokatit duke u bërë një nga më të famshëmit që kishte Shqipëria në ato vite së bashku me ortakun e tij Suat Asllanin. 

Pas dënimit të babait Zefit me dy vjet e gjysëm burg dhe të xhaxhait Baltazarit me shtatë vjet, komunistët na sekuestruan dhe të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, ku vetëm Baltazarit i morën tre vila luksoze në qytetin e Tiranës. Pas kësaj familjet e vëllezërve Benussi që kishin ngelur në gjëndje të vajtueshme ekonomike pësuan dhe një goditje tjetër nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në mesin e viteve '50-të kur kërkoi azil politik jashtë Shqipërisë djali i xhaxhait tonë Gjushit, Gaspër Benussi, i cili ishte diplomuar në Sofjte të Bullagrisë dhe kishte zbatuar projektin e ndërtimit të fushës së Aviacionit të Rinasit. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për "Gazetën", është 64-vjeçari Anton Benussi i diplomuar për Biollogji-Kimi dhe djali i vetëm i Zef Benussit, ish Ministrit të Arsimit në vitin 1943, i cili rrëfen të gjithë historinë e familjes së tij me origjinë italiane nga provinca e Rovignio d"Istria, ku i pari i tyre Giorgio Benussi erdhi dhe u vendos në qytetin e Shkodrës në vitin 1828, pas kërkesës së Vezirit turk të atij qyteti. Po cila është e kaluara e familjes shkodrane Benussi, me origjinë italiane dhe si jetuan ata në Shqipëri? Cilët ishin pinjollët e saj, ku u diplomuan ata dhe cili ishte fati i tyre gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe në vitet e regjimit komunist të Enver Hoxhës?

Gjush Benussi, 24-vjet Kryesekretar i Parlamentit
I pari i fëmijve të Gaspër Benussit, ishte Gjushi (emri i vërtetë Gjergj) i cili u lind në vitin 1894 në qytetin ne Shkodrës ku banonte asokohe familja e tyre. Mësimet e para Gjushi i mori në Kolegjin Saverian të qytetit ku asokohe punonte si pedagog i gjuhës italiane dhe babai i tij Gaspër Giorgio Benussi. Pas mbarimit të atij kolegji me rezultate shumë të larta, Gjushi u dërgua dhe ndoqi studimet e mesme dhe më pas ato të larta në Vjenë të Austrisë. Në kryeqytetin e Perandorisë Austro-Hungarze në Vjenë, Gjush Benussi qëndroi për tetë vjet dhe u diplomua në degën e Ekonomisë Tregtare pranë Universitetit vjenez. Pas diplomimit në atë universitet në vitin 1918-të kur përfundoi dhe Lufta e parë Botërore, Gjushi u kthye në qytetin e lindjes në Shkodër ku për disa kohë punoi në adminstratën vendore të atij qyteti. Aty nga viti 1920 me krijimin e Parlamentit të Parë shqiptar, Gjushi erdhi në Tiranë pas kërkesës që i bënë disa miq të tij politikanë nga qyteti i Shkodrës dhe filloi punë si Kryesekretar i Parlamentit. Lidhur me këtë, nipi i tij Anton Benussi, dëshmon: "Në atë detyrë xhaxhai ynë Gjushi punoi pa ndërprerje për 24 vjet me rradhë deri në vitin 1944 kur dhe u shkri Parlamenti i periudhës së Luftës. Gjatë asaj periudhe të gjatë kohe, ai u perfeksionua në zanatin e tij dhe ishte i pari që krijoi Stenografinë shqiptare. Në vitet e Monarkisë së Zogut, Gjushi hartoi dhe botoi librin "Stenografia shqiptare" i cili është dhe i pari dhe i vetmi i llojit të tij në Shqipëri. Duke qenë se ai ishte një profesionist i vërtetë në zanatin e tij, edhe pas mbarimit të Luftës komunistët që erdhën në pushtet e mbajtën për disa kohë në punë në Agjensinë Telegrafike Shqiptare. Më pas aty nga vjeshta e vitit 1945, pas goditjes që pësoi familja jonë me dënimin e babait tim Zefit, që kishte mbajtur funksionin e Ministrit të Arsimit, u hoq nga puna dhe Gjushi, i etiketuar si reaksionar dhe pinjoll i klasave të përmbysura. Në atë kohë që e hoqën nga puna, Gjushi mbeti në një gjëndje të mjerueshme ekonomike pasi ai kishte dhe pesë fëmijë për të rritur. I detyruar nga vështirësitë financiare në të cilat u ndodh, ai humbi edhe shtëpinë e tij që e kishte aty në "Bllokun" e sotëm në Tiranën e Re. Atë vilë shumë të mirë që ai e kishte ndërtuar me djersën e ballit, u detyrua dhe e shiti për bukën e gojës", dëshmon 64-vjeçari Anton Benusi, lidhur me xhaxhanë e tij Gjushin i cili për 24 vjet me rradhë punoi si Kryesekretar i Parlamentit shqiptar dhe njihet si themeluesi i Stenografisë shqiptare. 

Arratisja e Gaspër Benussit
Aty nga viti 1955, Gjush Benussi dhe familjet e tre vëllezërve të tjerë Baltazarit, Luigjit dhe Zefit, pësuan edhe një goditje tjetër nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pasi në atë kohë u arratis nga Shqipëria djali i madh i Gjushit, Gaspëri i cili ishte diplomuar në Sofje të Bullgarisë për inxhinier ndërtimi. Lidhur me këtë, Anton Benussi dëshmon: "Djali i xhaxhait tonë, Gaspëri, gjatë viteve të Luftës kishte simpatizuar e ishte lidhur me lëvizjen antifashiste dhe duke përfituar nga ai qëndrim politik, menjeherë pas mbarimit të Luftës fitoi të drejtën e studimit dhe shkoi në Sofje të Bullgarisë ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Aty nga viti 1950-të Gaspëri u kthye në Shqipëri dhe qeveria e asaj kohe i ngarkoi të zbatonte projektin e Fushës së Aviacionit të Rinasit të cilën ai e përfundoi me sukses të plotë. Pas përfundimit të atij projekti të madh, qeveria e asaj kohe si për ta shpërblyer për punën e bërë i dha leje që të shkonte në Sofje të Bullgarisë për të marrë bashkëshorten e tij bullgare me të cilën ishte martuar që kur studjonte në atë universitet. Por pasi iku në Sofje dhe u bashkua me familjen e tij, Gaspëri kërkoi azil politik dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Pas disa kohësh qëndrimi në Bullgari, ai u largua edhe që andej dhe vendos në SHBA ku bëri një karrierë brilante, pasi ishte tepër i përgatitur në zanatin e tij. Ndërsa Gaspëri u largua për në Amerikë ku jeton edhe sot, babai i tij dhe njëkohësisht xhaxhai im Gjushi, jetoi në qytetin e Tiranës në një gjëndje të vështirë ekonomike dhe i persekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Gjushi vdiq në vitin 1963 dhe e gjithë puna e tij si themelues i Stenografisë Shqiptare nuk u përmënd asnjëherë gjatë viteve të regjimit komunist", kujton Anton Benussi lidhur me xhaxhanë e tij.

Baltazari, hartuesi i Legjislacionit shqiptar
Djali i dytë i Gaspër Giorgio Benussit, ishte Baltazari i cili u lind në 6 janar të vitit 1897 në qytetin e Shkodrës. Edhe Baltazari ashtu si i vëllai i tij më i madh Gjushi, ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian në qytetin e Shkodrës dhe i ndërpreu ato për të vazhduar katër vitet e fundit të gjimnazit në qytetin Pechshit në Hungari. Në vitin 1916-të pas mbarimit të mësmimeve në atë Kolegj Jezuit që konsiderohej si një nga më të famshmit e të gjithë Perandorisë, Baltazari u kthye në vëndëlindjen e tij në Shkodër. Pas dy vjetësh ai u thërrit dhe u mobilizua në ushtrinë austro-hungareze, për arsye se ai kishte marrë nënshtetësinë e asaj Perandorie. Lidhur me këtë, Anton Benussi dëshmon: "Pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rradhët e armatës së Perandorisë Austro-Hungareze, në vitin 1920-të Baltazari u kthye në vëndëlindjen e tij në Shkodër dhe pak kohë më vonë babai i tij Gaspëri mori njoftimin se djalit të tij Baltazarit i ishte aprovuar e drejta për të ndjekur studimet në degën e Jurisprudencës pranë Universitetit të Romës në Itali. Në vitin 1924, Baltazari mori diplomën me rezultate të shkëlqyera dhe gradën shkencore Doktor në Drejtësi.

(vijon nesër) 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Finance - Get real-time stock quotes
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list