| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Buxhuku ne ShekulliAgron Alibali aalibali at yahoo.comThu Oct 10 20:27:13 EDT 2002
Përmasa e re e tradhëtisë kombëtare nga Gjergj Buxhuku Deficiti tregtar i Shqipërisë ka arritur shifra të tilla, që bëjnë të rrëqethet çdo njeri me intelekt minimal. Bazuar në të dhënat zyrtare, janë më shumë se 1 miliard dollarë, që çdo vit dalin nga vendi në formën e importeve. Duke i shtuar kësaj shifre edhe dhjetëra e qindra milionë dollarë të tjerë, të pallogaritur si pasojë e evazionit gjigant në dogana, del se është më shumë se një buxhet i plotë vjetor i shtetit shqiptar, që fluturon jashtë! Nga ana tjetër, eksportet shqiptare mezi arrijnë shifrën prej 200 milionë dollarësh, ku mbi 65% e tyre janë rieksporte, që tregojnë se vetëm një pjesë shumë e vogël e saj qëndron në xhepat tanë, duke e bërë gropën tregtare minimalisht 2-3 herë më të madhe sesa raportimi zyrtar edhe ashtu tragjik(5/1)! Shifrat janë edhe më tmerruese kur shikohet shpejtësia e shtimit të deficitit. Krahasimisht me vitin 1997 në vitin 2001 importet zyrtare janë rritur me rreth 500 milionë dollarë, eksport-rieksporti me vetëm 100 milionë! Paratë shqiptare që zhduken jashtë, përkthehen në mjerim, papunësi, kriminalitet, drogë, klandestinë, përmbytje, revolta sociale, plehra, errësirë, etje për qytetarët shqiptarë brenda vendit. Ajo përkthehet në krijimin e kushteve bazë të trafiqeve të mafias ndërkombëtare, të ideologjive të errësirës fondamentaliste dhe komuniste, të izolimit ndërkombëtar, të moslejimit të krijimit të institucioneve demokratike shtetërore, të rrezikut të falimentimeve financiare, deri te pamundësia e sigurimit kombëtar! Argumentet e mësipërm janë të mjaftueshëm për t'i vënë vulën e tradhtisë kombëtare të gjithë pushtetarëve individë ose të "mbuluar" me maskën kolegjiale për të gjitha ato vendime politike, që me vetëdije kanë çuar në shkatërrimin barbar të prodhimit vendas, duke mbushur kasafortat e huaja me paratë shqiptare. Eshtë e domosdoshme që drejtësia shqiptare të fillojë sa më shpejt rishikimin e të gjitha procedurave të marrjes së vendimeve politike për sektorët strategjikë ekonomikë, si rubinetat kryesore të rrjedhjes jashtë vendit të djersës dhe gjakut shqiptar. Ka ardhur koha të investigohen thellësisht procedurat e privatizimit dhe shitjes së licencave të telefonisë celulare, të shitjes së fabrikave të çimentos së vendit, të shkatërrimit të prodhimit vendas të naftes, marrjes së kredive dhe granteve donatore në projekte korruptive. Këtu dhe pikërisht këtu është rrënja e vërtetë e tradhtisë kombëtare dhe shitjes së qeveritarëve tanë, sepse këtu janë edhe qindra milionat e dollarëve, që përjetësisht do t'i grabiten çdo vit shqiptarëve. Ka ardhur koha, që politika shqiptare t'i vejë gishtin mirë kokës për shkatërrimin e paskrupullt, që i është bërë dhe po i bëhet pronës publike të mbetur dhe veçanërisht sektorëve të naftës, telefonisë bazike dhe energjitikës, duke i futur në privatizim të sforcuar për t'ia dhuruar më pas për dy lekë tregtarëve të huaj! Nëse duam të ndërtojmë shtet ligjor, duhet të fillojmë pikërisht nga koka e së keqes dhe jo nga bishti. Edhe nëse fajtorët do të kenë ditur të mbrojnë kokën me ligjet, që i kanë bërë vetë, ata duhet të gjykohen, që të paktën të vdesin përgjithmonë politikisht. Përndryshe, ne do të vërtetojmë tezën shekullore të armiqve tanë, se shqiptarët nuk janë të aftë të ndërtojnë shtet të pavarur. Pushtimet moderne nuk bëhen me ushtri dhe luftra të kushtueshme, por me anë të zaptimit të tregjeve kombëtare. Me këtë logjikë ne jemi të robëruar turpërisht. Kjo është edhe përmasa e re e tradhtisë kombëtare. --------------------------------- Do you Yahoo!? Faith Hill - Exclusive Performances, Videos, & more faith.yahoo.com -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |