Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Per Vatren

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Thu Oct 3 17:18:40 EDT 2002


Shkëlqimi unik i një diaspore shqiptare

nga Ardian Klosi 

Para 90 vjetëve u krijua në Boston ShBA shoqata "Vatra", pa dyshim organizimi më i shënuar e më i fuqishëm politik-kulturor i shqiptarëve jashtë atdheut, në të gjitha kohërat dhe vendet. Ky përvjetor dhe konferenca "Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane" që u zhvillua para pak ditësh në Tiranë dhanë shkas për meditimet e mëposhtme.


Edhe me një vështrim të shpejtë mbi historinë e diasporave të ndryshme shqiptare në botë, do të vëresh se ajo e SHBA, sidomos në gjysmën e parë të shekullit të 20 është më e suksesshmja. Le të kujtojmë shkurt meritat kryesore të emigracionit shqiptar në Botën e Re, që zë fill me emigrantët nga Korça dhe nga fshati Katund, i pari ndër ta prifti Nikolla Kristofori që u vendos në Masaçusets më 1876:
- Ky emigracion arriti të organizohej më mirë se çdo mërgatë tjetër. Përhapja e mësimit të gjuhës shqipe, botimi i gazetave, "Kombi" i Sotir Pecit më së pari më 1907 dhe sidomos "Dielli" që çeli Faik Konica më 1909 e që do të bëhej më pas gazetë e përditshme, krijimi i organizatave patriotike, "Besa-besën" e pastaj "Vatra", janë treguesit e parë të një veprimtarie të pazakontë për intensitetin e saj ndër diasporat historike shqiptare.
- Emigracioni shqiptar i Amerikës arriti të bëjë diçka që shqiptarët në tokën mëmë ose në diasporë s'e kishin bërë kurrë dhe ndoshta as që e kishin çuar ndonjëherë ndër mend qysh prej skizmës së shekullit të 11 në kishën e krishterë: ata krijuan kishën e tyre të mëvetshme ortodokse, me gjithë ritualet, liturgjinë dhe tekstet e nevojshme në gjuhën shqipe. Kjo është një meritë e padyshimtë e Theofan Nolit, por është edhe një rrjedhim gati logjik i situatës së krijuar në atë kohë e në atë vend, siç do ta shohim më poshtë.
- Emigracioni shqiptar i Amerikës ndihmoi materialisht, politikisht e me forca njerëzore arritjen e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe pengoi me të gjitha mjetet e me sukses pas luftës së parë botërore copëtimin e këtij shteti midis vendeve fqinje. Deri dhe flamuri që u ngrit në Vlorë ishte qëndisur në Masaçusets e qe prurë në Shqipëri nga grupi i vullnetarëve "Pro Patria". Ndërhyrja vendimtare e presidentit Woodrow Wilson në janar 1920, pas marrëveshjes që kishin bërë Clemanceau, Lloyd George dhe Francesco Nitti, për t'ua ndarë Shqipërinë fqinjëve, një akt që shpjegon deri më sot marrëdhënien e veçantë që ka vendi ynë me ShBA, është edhe frut i këmbënguljes së vatranëve.
- Së fundi, ky emigracion ka dhënë, sidomos në tri dekadat nga 1910 më 1940 një produkt të madh kulturor, që është i madh jo sepse botimet janë të panumërta ose të vëllimshme, por sepse janë cilësisht të tilla: veprat që u shtypën më së shumti në Boston rreth shoqërisë "Vatra" dhe që mbajnë kryesisht firmën e Fan Nolit e të Faik Konicës ndihmuan në mënyrë vendimtare për krijimin e gjuhës së shkruar që përdorin sot të gjithë shqiptarët. Nuk duhen lënë pa përmendur në këtë kontribut kulturor disa shkolla me rëndësi që u hapën në Shqipërinë e viteve '20- '30 kryesisht me ndihmën e emigracionit të Amerikës.
Këto merita janë të padiskutueshme, gjithaq edhe të paharruara. Megjithatë për ne sot është interesante të shpjegojmë, se përse erdhi gjithë ky kontribut nga kjo kohë e nga ky vend, çfarë ndodhi pas shkëlqimit të tij më të madh dhe çfarë mund të thuhet për diasporën e mëpasme shqiptare të Amerikës.
U bashkuan disa rrethana në fillim të shekullit të 20 që bënë të mundur organizimet e sipërpërmendura. Pra nuk jemi aspak të mendimit që njerëzit që shkuan në Amerikë në atë kohë ishin më të mirë sesa shqiptarët që ndodheshin në vende të tjera si në Turqi, Bullgari, Rumani, ose Egjipt. Ata vërtet vinin nga zona më pak të prapambetura të Shqipërisë, siç ishte Jugu e më saktë Juglindja e vendit, megjithatë ishte në radhë të parë ekzistenca e demokracisë amerikane, vrulli i zhvillimit të ekonomisë, teknikës, komunikacionit në atë vend, që bënë të mundur atë organizim të panjohur deri më aty. Amerika ishte një shtet i paanshëm për fatet e një pike të vogël në hartën e Europës, siç ishte edhe e pangatërruar në aleancat historike shtetërore-kishtare që mbanin fuqitë e mëdha të Europës me fqinjët tanë aq të rrezikshëm aso kohe. Pra ndryshe nga gjetiu këtu shoqatat patriotike, gjuha shqipe, shtypi e librat nuk pengoheshin.
Një tjetër faktor i rëndësishëm historik është koincidimi i rritjes së emigracionit shqiptar për në Amerikë me shpërbërjen e perandorisë osmane dhe luftërat ballkanike që do ta vulosnin përfundimisht shkatërrimin e saj. Në ato kohëra të stuhishme patriotike një shumicë emigrantësh largoheshin jo siç largohen sot: ata linin pas shtëpinë, gruan, fëmijët, pjesa më e madhe me mendimin që një ditë do të ktheheshin. Plasja e kryengritjeve në Shqipëri, bëri që shumë vullnetarë të ktheheshin në Shqipëri: edhe me konsolidimin e pavarësisë së vendit, midis viteve 1920-25 llogaritet të jenë kthyer në atdhe 20.000-30.000 vetë. Emigrantët, punëtorë në fabrikat e pambukut ose të këpucëve në Masaçusets jetonin kryesisht nëpër "konaqe", ca si fjetore të përbashkëta për 15-20 vetë. Okupimi i tyre kryesor në kohën e lirë ishte shqiptaria, leximi i "Kombit" ose i "Diellit" nëpër kafenetë alla turka, mësimi i gjuhës shqipe krahas asaj anglishte. Kuptohet pra se ç'ishin gati të jepnin këta njerëz për atdheun e tyre që po lindte midis luftërave dhe kaosit.
Edhe krijimi i kishës autoqefale shqiptare nuk është rastësi ose thjesht produkt i një personaliteti gjenial. Kisha ortodokse greke luante në Bostonin e fillimit të shekullit e më gjerë një rol nacionalist e shoven, ajo kërkonte të identifikonte çdo shqiptar ortodoks me helenizmin dhe Greqinë, duke arritur deri aty sa t'u mohonte ceremoninë mortore shqiptarëve që ishin marrë me punë patriotike për atdheun e tyre! Kjo gjendje e padurueshme për ata besimtarë ortodoksë nga zonat e jugut të Shqipërisë, që ishin njëkohësisht tepër aktivë në punë të shqiptarizmës, bënë që tek prifti i ri me talente të shumta, Fan Noli, të gjendet njeriu që do të bënte gjestin e madh të lartpërmendur.
Nuk dua të ul këtu rolin e madh që kanë luajtur individualitetet e pazakonta në lulëzimin e asaj diaspore. Noli, edhe pse i ri në ato vite, kishte arritur një erudicion të rrallë; te ai kombinoheshin zotësia e penës, pra shpirti prej artisti, me oratorin, njeriun që bën për vete masat me pasionin dhe argumentimet e tij. Ndërsa Faik Konica ishte i pari be, përfaqësues i fisnikërisë së vjetër shqiptare, që ngulej në tokë amerikane; bashkë me erudicionin e tij dhe bagazhin e rrallë për historinë dhe kulturën shqiptare, ai sillte gjithë autoritetin që kishte krijuar nëpërmjet "Albanias" në vitet 1897-1909. Le të mos harrojmë me këtë rast se mbyllja e "Albanias" erdhi në radhë të parë si rezultat i humbjes së njeriut kryesor që e mbështeste financiarisht, të ungjit të Faikut në Stamboll, Mahir Pashës, i cili do të vritej më 1909; e pra pikërisht në ShBA Konica do të gjente atë truall të frytshëm liberal që i përshtatej karakterit të tij sa poliedrik e kozmopolit aq dhe të vështirë. Këtu do të gjente, sikurse edhe Noli, financimet dhe kontributet bujare të vatranëve që bënë të mundur botimin e një sërë veprash, sikurse edhe të periodikëve "Dielli", "Trumbeta e Krujës" etj.
Duke u ndalur pak gjatë te këta dy korifej, nuk dua të lë pa përmendur kontributin e një numri njerëzish që disi janë mbuluar nga shkëlqimi i dy të parëve; duke filluar prej patriotëve të parë, Petro Nini Luarasit e Sotir Pecit dhe te të tjerë si Kostandin Çekrezi, Kristo Dako, motrat Qiriazi, Bahri Omari, Qerim Panariti e mjaft të tjerë, deri te ai Harry Stoya, financieri i palodhur i "Vatrës", që më ka shtangur më 1992 në Boston me radhojtë e tij aq të rregullt, ku regjistroheshin me përpikmëri gjithë të hyrat e të dalat e shoqatës, të cilët i gjeta të palëvizur në arkivat e vjetra të "Vatrës".
Konica e ka shprehur mjaft bukur rolin e "Vatrës" në kohën kur rrezikohej ekzistenca e Shqipërisë: "Në ditët e errëta kur Shqipëria ish e shkelur nga ushtëri të huaja, kur Shteti ish përmbysur dhe kur flitej sheshit për copëtimin e vendit VATRA, e këshilluar nga një pakicë patriotësh, e shtyrë nga atdhesia dhe dëshira e anëtarëve të saj... e mori përsipër të veprojë në vënt të Shtetit të vdekur. Nuk kërkoi nderet as të drejtat e Shtetit, po mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet. Me shpenzimet të VATRËS u-mbajtnë delegatë, u-dërguan misione, u-subsiduan ajgencira, u-kablluan mijëra protestime, në një fjalë u organizua mprojtja e Shqipërisë - dhe u-organizua aqë mirë sa kryeministri i Greqisë Z. Venizelos tha, në kohë të Konferencës së Paqes në Paris, se të vetëmin pengim serios që gjeti n'Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga VATRA" ("Dielli", 7 korrik 1922).
Përfaqësuesi kryesor i diasporës së Anglisë së Re në Shqipëri në vitet 1921-1924 ishte sikurse dihet Fan Noli, udhëheqësi i krahut liberal në parlamentin e shtetit të ri shqiptar. "Vatra" me shtypin e saj, dmth. në radhë të parë Konica do ta përkrahte Nolin me gjithë baterinë propagandistike. Ai u kërkon vatranëve që të japin gjithçka për mbështetjen e krahut liberal dhe Nolit, në luftë kundër latifondistëve të prirë nga Ahmet Zogu. "Vatra" ka qenë dhe është çampioni i të drejtave të popullit", shkruante Konica në "Diellin" e 15 shkurtit 1924. "në Shqipëri ajo e ka vazhduar luftën nën flamurin e Partisë Liberale... Partia Liberale është partia e Vatrës, sepse Vatra e ka furnizuar atë me ideale, me udhëheqësit e saj... me gazeta, me të holla për të bërë zgjedhjet..." Ky ishte një ndryshim i madh në platformën e një shoqate që ishte krijuar në radhë të parë si organizatë patriotike për të shpëtuar atdheun në rrezik. Mbështetja e fuqishme vazhdoi edhe në kohën e qeverimit të shkurtër të Nolit, megjithëse në kolonat e "Diellit" shprehet edhe zhgënjimi për mosmarrjen e masave dhe mungesën e reformave. Një nga mesazhet e fundit të Konicës për Nolin në Shqipëri, thoshte: "Sadoqë qeveria juaj i ka refuzuar këshillat tona dhe e ka kundërshtuar programin tonë drejtpërdrejt ose tërthor... ne ju mbështesim. Megjithatë mendojmë se s'mund të bëhet asgjë, për arsye se juve ju mungon edhe bashkimi, edhe fondet, edhe armët, edhe municionet. Veç kësaj qeverisë suaj i mungon baza ligjore, përderisa nuk i mbajtët zgjedhjet në qershor, siç ju kishim këshilluar... ndaj marrim të drejtën t'ju propozojmë që të bëni një kompromis me bazhibozukët, për ta shpëtuar vendin nga një luftë civile fatale... Kjo do të ishte mjaft me vend, përderisa e dini edhe vetë fort mirë se shumica e shokëve tuaj nuk kanë ndonjë ideal më të lartë politik nga ç'ka Zogu dhe nuk janë më të mirë sesa shokët e Zogut (më 27 dhjetor 1924 dërgohet ky mesazh, pra në kohën kur Noli e kish tanimë marrë rrugën për në Itali). Disfata e Nolit e bën Konicën që të kërkojë pa vonesë ndryshimin e drejtimit politik te patriotët e tij: "Na duhet të mbështesim qeverinë e re, jo për programin që ka, por që të kthehet paqja dhe rendi. Ata që thonë se Zogu është tradhtar, mjaft të shikojnë rrotull dhe do të zbulojnë se shumica e shqiptarëve mund të quhen tradhtarë. Ngre prandaj këtë tezë: ai njeri që ka mbështetjen e shumicës së popullit, ai ka edhe të drejtën ta qeverisë këtë popull. Populli shqiptar nuk do reforma dhe reformatorë, nuk do gjëra të reja as njerëz që përpiqen për gjëra të reja ("Dielli", 8 janar 1925, cituar nga libri "The Albanian Struggle", Boston 1939, f. 75-76).
Ndryshimi i qëndrimit ndaj Nolit, batareja e sulmeve që do të hapte tani shtypi shqiptar-amerikan kundër tij ("peshkopi i kuq, përbindëshi boleshevik" etj.), kompromisi i Konicës me Zogun, stabilizimi i shtetit shqiptar nën mbretërinë, kthimi në SHBA i një numri shqiptaro-amerikanësh që kishin shkuar në atdhe plot shpresa për një Shqipëri të re (vlerësohet se nga mbi 20.000 vetë që u kthyen pas 1920-s, më shumë se një e treta mori sërisht rrugën e Amerikës) - të gjitha këto zhvillime e tronditën besimin e vatranëve në udhëheqësit e tyre dhe i ftohën emigrantët- patriotë përfundimisht nga politika. "Vatra" e ndaloi që më 1925 me statut çdo lloj angazhimi politik. Në diasporën shqiptare të Bregut Lindor zë fill në fazë e re, që karakterizohet nga një integrim më i mirë në shoqërinë amerikane, nga lidhje gjithmonë e më të dobta me mëmëdheun, nga humbja e gjuhës dhe kulturës amtare qysh në brezin e dytë, shkurt nga gjithë ato veçori që dallojnë përgjithësisht diasporat shqiptare të Kohës së Re kudo në botë.
Kishte qenë megjithatë një shkëlqim që nuk mund të zbehej aq lehtë. Siç dihet në fillim të viteve 1930 Noli kthehet në Boston ku i jep edhe njëherë jetë e dinjitet kishës së atyshme ortodokse. Vijojnë njëkohësisht në ato vite një sërë botimesh, të mbështetura nga vatranët, me rëndësi vendimtare për letërsinë dhe kulturën tonë.
Po ato personalitete të veçanta që patën frymëzuar një lëvizje me shtrirje përtej kufijve të një kolonie në diasporë, që vunë dhe tronditën tek e fundit themelet e shtetit të ri shqiptar, po ato do të bëheshin shkak për degradimin e bashkimit politik-kulturor që kishin ngritur vetë, duke nxjerrë edhe një herë në pah të vërtetën aq të shpeshtë në historinë tonë, se individët shkëlqejnë në përgjithësi shumë më fort nga puna e tyre e përbashkët në të mirë të komunitetit.




---------------------------------
Do you Yahoo!?
New DSL Internet Access from SBC & Yahoo!
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list