| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Kurveleshi - ShekulliAgron Alibali aalibali at yahoo.comSat May 11 21:18:35 EDT 2002
Çdo ditë e më tepër familjet zbrazin fshatrat dhe shkojnë për të jetuar në qytetet e jugut Progonati i mbytur nga varfëria Familjet e krahinës i mban gjallë humori dhe blegtoria Krahina e Kurveleshit Fshatrat: Progonat, Lekëdushk, Nevic, Rexhi, Gusmarë Kalon lumi i Drinos Dallohet për biodiversitetin e natyrës Baza e jetesës blegtoria "Burrat nën hije/ lozin kuvendojnë/ pika që s'u bie se nga gratë rrojnë",-na e preu menjëherë një prej tre grave veshur me të zeza, të cilat po punonin në rrugën për në Progonat me lopata, duke hedhur rërën e marrë me karrocën e dorës. Të shquar për batuta, banorët e Kurveleshit nuk na zhgënjyen aspak. Progonati është qendra e krahinës së Kurveleshit. Për të arritur në Progonat të duhej të përshkojë përreth 2 orë një rrugë gjarpëruese, e cila sa vinte dhe i afrohej majës së malit, pas të cilit shtrihet krahina. "Nga Tepelena deri këtu ishin punëtorët që punuan, ndërsa këtë pjesë rruge nga Lekëdushku deri në Progonat, na e lanë ne",-thotë njëra prej grave. Tre gratë e fshatit Margarita Xhala, Alime Çata dhe Sirma Abazi, prej disa ditësh ishin punësuar, për të shtruar rrugën. Pasi pyetën se ku ishim ftuar, ato shprehën çudi që kishim ardhur për të bërë një përshkrim të fshatit. "E ç'mund të shkruani për Progonatin - shprehet njëra prej tyre, - Këtu të gjitha ditët janë njëlloj". Duket e çuditshme që një punë të tillë të bëhet nga femra aq më tepër, nga mosha të thyera. "Kur të mbërrini në qendër, do të shihni se burrat e fshatit rrinë gjatë ditës nën hijen e rrapit",- shprehet Margarita, pasi ka recituar vargjet e Çajupit. Ajo shprehet se janë nga të vetmet gra, të cilat përfitojnë një rrogë mujore prej 80 mijë lekësh, dhe të gjitha gratë e tjera merren me punët e shtëpisë. Sipas saj, është më e vlefshme të punosh, edhe pse njeriu tashmë është zhvlerësuar. Me paratë që përfitonin nga puna, arrinin të mbanin frymën gjallë. Ato janë banoret më të varfra të fshatit, dhe nuk kishin fëmijë të emigruar. Në qendër të Progonatit pranë dy rrapëve të vjetër, ishin ulur pikërisht pleqtë dhe të rinjtë, të cilët bisedonin. Si përgjigje për pyetjen tonë se çfarë po bënin, erdhi përsëri një batutë: "Vrasim miza",-thotë Nikolla, rreth të 60 -tave. Burrat dhe gratë duket se lozin duke u hedhur batuta njëri-tjetrit. Burrat mbrohen duke thënë se gratë merren vetëm me shtëpinë dhe punojnë bahçen, ndërsa ata merren me kullotjen e bagëtisë. Në këtë fshat janë tre baxho, ku gjithë familjet çojnë qumështin gjatë verës për të nxjerrë djathin, i cili shitet në Tiranë. Fshati Aktualisht në këtë fshat ndodhen rreth 300 shtëpi, nga 1000 shtëpi që ka pasur më parë fshati. Një pjesë e mirë e të rinjve dhe burrat e shtëpisë punonin në Greqi. Të banonin në Gjirokastër, Sarandë, apo Tepelenë ishin ambicjet e këtyre familjeve, pasi vinin një lekë mënjanë. Një prej burrave të fshatit thotë se fshati ka shumë makina. Gjithsej mund të ndodhen rreth 100 makina. Një pjesë e mirë e tyre i kanë blerë më shumë për qejf. Të rinjtë e fshatit, pasi kanë punuar njëfarë kohe në Greqi, kanë blerë nga një makinë. Sipas djemve të fshatit, të kesh një makinë është një mënyrë e mirë për të vrarë kohën, që duket sikur ka mbetur në vend. Përveçse në kooperativë një pjesë e mirë e banorëve para viteve '90 mbahej nga puna në minierë. Në të dalë të fshatit është ish - miniera e fosforit, e cila ka dalë jashtë funksionimit. "Minerali ngarkohej në vagona dhe nga hekurudha dërgohej në fabrikën e përpunimit në Laç",-tregon me krenari Nikolla. I gjithë fshati kishte një mjek, i cili ishte gjithmonë i gatshëm për t'u ardhur në ndihmë banorëve. Sipas banorëve, mjeku i fshatit ishte mjaft i specializuar, dhe arrinte të pëcaktonte të gjitha llojet e sëmundjeve, pa qenë e nevojshme të shkoje deri në Tepelenë për një dhimbje stomaku. I gjithë fshati kishte vetëm një polic. "Asnjë krim, apo vjedhje nuk ishte dëgjuar në zonë prej vitesh",-thotë Sokol Hyseni, një prej banorëve Arsimi Në fshat janë rreth 170 fëmijë, të cilët shkonin rregullisht në shkollë. Shkolla e mesme dhe ajo fillore ishin në një godinë. Për mungesë nxënësish në këtë shkollë nuk ishte viti i tretë i shkollës së mesme. Këtë vit asnjë nxënës nuk ishte hedhur në vit të tretë. Ata që ishin e vazhduan shkollën deri në vitin e dytë. "Për shkak të numrit të vogël të nxënësve bëhet mësim me klasa të bashkuara, klasa e pestë me të gjashtën, dhe klasa e shtatë me të tetën, po kështu dhe fillorja",-shpjegon mësuesja e matematikës, Dallëndyshe Gami, e cila ka mbaruar shkollën për mësuesi për ciklin e ulët. "E kam pasur pasion matematikën, dhe kam punuar vetë me këtë lëndë",-shpjegon Dallëndyshja. Ajo ishte duke u dhënë mësim nxënësve të klasës së pestë dhe të gjashtë. Në klasë ishin rreth 20 nxënës. Xhamat ishin thyer që gjatë dimrit dhe ende nuk ishin zëvendësuar. Duke u dridhur, nxënësit kishin ulur kokat duke zgjidhur ushtrimet në fletore. LEKËDUSHK Fshatarët jetojnë me qumështin që shesin në baxho, tre muajt e verës, muajt e tjerë janë dimër i plotë Lekëdushku, fshati që mbahet nga një baxho Fshati Lekëdushk, është qendra e parë e banuar në krahinën e Kurveleshit. Para viteve '90 ka fshati ka patur mbi 250 shtëpi, ndërsa sot atje gjendeshin vetëm 25. Pjesa më e madhe e shtëpive janë rënuar, ndërsa pjesa tjetër janë kthyer në stane bagëtish. "Në kohën e kooperativave merreshim me rritjen e bagëtive dhe punët e tjera të bujqësisë. Pas demokracisë, pjesa më e madhe e njerëzve nisën të ikin nga fshati. "Tokat mbetën ugar. Fshatarët braktisën shtëpitë dhe u vendosën në qytet, ndërsa ne që vazhduam të merreshim me bagëti mbetëm këtu. Më dhen e me dhi, në mes të maleve, sa për të mbajtur veten dhe kalamajtë me bukë",-thotë një prej banorëve, Vilson Cakaj. 3 muaj punë, 9 muaj gjumë Fshatarët rrëfejnë se në këto anë, dimri nis që në gusht. Njerëzi, bagëti dhe çdo gjë e gjallë mbyllen për të dimëruar. E vetmja mënyrë për të mbajtur veten, për këta fshatarë, janë bagëtitë. Çdo familje mban deri në 100 krerë, kryesisht të imëta. Të rinjtë e fshatit, që merren me kullotjen e bagëtive, pas një ditë të lodhshme, duke bredhur nëpër gërxhet e thepisura të Kurveleshit, e dorëzojnë qumështin në baxho. Paratë që grumbullojnë nga shitja e qumështit, janë të vetmet të ardhura, me të cilat jetojnë gjatë gjtihë vitit. Kryetari i Partisë Socialiste të Lekëdushkut, Kreshnik Shehu, është pronari i baxhos së vetme të fshatit, një ngrehinë me mure të rënuara me çati llamarine dhe plasmasi, që linte zbuluar gjysmën e godinës drejtkëndëshe. Që në hyrje të baxhos, ndihet aroma e bulmetit dhe avullit, të qumështit. Në një kazan gjigand zihet qumështi, ndërsa në tjetrin derdhet ajka e gjalpit. Një krevat me batanie të mpleksuara, dhe govatat ku mbahet djathi i kripur, janë aneksi i parë i ndërtesës së vogël. Në baxho, Kreshniku jo vetëm punon, por dhe fle. Menjëherë pas saj në një ndarje tjetër, ku Kreshniku ka sistemuar dhjetëra rrota djathi, që janë në procesin e fermentimit. "Merrem me përpunimin e qumështit. Që në mëngjes deri në mbrëmje këtë punë kam. Vetë e ziej dhe vetë zë djathë. Fshatarët sjellin 400 litra qumësht në ditë, në mëngjes dhe në drekë. Punoj vetëm gjatë verës, pasi në vjeshtë dhe dimër, bagëtitë, nuk kanë qumësht. Pas tre muaj pune, djathin e çoj në Tiranë për ta shitur në ish-frigoriferin e madh ",-rrëfen Shehu, kryetar i PS. Në vjeshtë, fshatarët nuk çojnë qumësht në baxho, pasi e përdorin atë për të vënë zaire mënjanë, si : gjalpë, djathë, gjizë etj. Dimri i ashpër, i detyron banorët që të mbyllen në mes të maleve, duke u izoluar nga qyteti, ku mund të bëjnë edhe bëjnë furnizimet me ushqime. Olsi Kolami Rajmonda Lajthia Denisa Xhoga --------------------------------- Do You Yahoo!? LAUNCH - Your Yahoo! Music Experience -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |