| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Debat e-mail-esh per Tiranen - ShekulliAgron Alibali aalibali at yahoo.comSat May 11 21:10:48 EDT 2002
A "E-MAILI I ZI" I FATOS LUBONJES Nga Edi Rama I nderuar kryeredaktor, Duke qenë se ai që unë e quajta "e-maili i zi i një mikut tim" ka ngjallur kërshërinë e shumëkujt, dhe duke qenë se këtë e-mail miku im Fatos Lubonja, e ka parë të udhës t'ia shpërndajë të gjithë atyre që ka pasur në Adress Book-un e tij virtual - pra duke qenë se, përpos interesit të veçantë që mendoj se paraqet komunikimi i mëposhtëm, është miku im ai që e ka "zhvirgjëruar" misterin e autorësisë së mesazhit elektronik, që më kalli krupën qysh në pikë të mëngjezit - më lejoni ju lutem ta njoh lexuesin e respektuar të "Shekulli"-t, jo vetëm me mesazhin në fjalë, por edhe me krejt "bashkëbisedimin" që pasoi mes nesh. Kësisoj, them unë, lexuesi jo vetëm do të shuajë kërshërinë, por edhe do të njihet qoftë me një shpresë të Tosit, ende të pashpallur botërisht brenda e jashtë vendit, "për të hapur një fushatë për largimin tim nga Bashkia", e qoftë me vështirësinë e pazakonshme që mund të ketë njeriu, po të mendojë ndryshe nga ç'mendon Fatos Lubonja - në këtë rast bëhet fjalë për urbanistikën, por, një okë e pak një okë pa pak, i njëjti hall është me të edhe për sistemin diellor, gjeografinë, kafshët shtëpiake, letërsinë, blegtorinë, historinë e tragjedisë, arkeologjisë, kulinarisë, për bombën atomike, botën akademike, garat çiklistike. Pa folur, ruajna Zot, për demokracinë, burokracinë, kleptokracinë. Në kësi temash Tosi, vetëm Tosi, në çdo rast Tosi, ka me vete të Vërtetën! Dhe, për dreq, sa më shumë po plaket, aq më keq po noksanoset. Mjerë unë, që ndryshe nga ai shumë gjëra i mendoj dhe, kësisoj, e di se ç'më pret kur i uroj megjithë shpirt të bëhet edhe 100 vjeç. "E-Mail-i i Zi" Original Message ----- From: "Perpjekja" >> To: "Edi Rama" >> Sent: Wednesday, May 08, 2002 8:48 PM Subject: Re: info... Unë nuk e di çfarë janë ato të 47 thagmat, por mora vesh nga burime mjaft të sigurta se Fideli Yllit i keni aprovuar një grataçielë 20 katëshe prapa tyrbes, mu mbi një zonë të gjelbërt, se doni të prishni një lulishte tek stadiumi "Qemal Stafa", për të ngritur një trekatëshe, se doni të prishni kinema "Republikën" dhe ambasadën turke, për të ngritur një 15 -katëshe, se po kontribuoni për të ngushtuar parkun e madh. Mjaftojnë këto që ti për mua të futesh përfundimisht në listën e kriminelëve të qytetit të Tiranës. Zoti të shpëtoftë, dhe nuk kam dyshim se do të të shpëtojë përderisa shpëtoi edhe Sali Berishën, por një shpëtim si ai nuk do t'ia uroja kujt. Tosi Përgjigjja ime: Zoti do të shpëtojë këdo që do ta shohë të arsyeshme i dashur Fatos! Barin, lulishtet dhe lulet në ketë qytet i kam kthyer sidoqoftë unë, do apo s'do ti. Dhe jo pak, po mbi 100.000 metra katrorë. Të tjera do t'i kthehen. Zona "lulishte" prapa "Drinit" është me kohë, kohë përpara, e përcaktuar si zone ndërtimi. Mbi atë bazë edhe u është kthyer pronarëve kohë, kohë përpara. Sa për mikun tim Fidel Ylli, ai nuk ka filluar të ndërtojë kur u bëra unë kryetar bashkie, po kohë, kohë përpara. Prej një viti e gjysëm që jam unë, ka marrë vetëm një leje ndërtimi kompania e tij. Kurse tek "lulishtja" pas "Drinit" investon një grup i madh njerëzish. Edhe diçka tjetër: Mos ji apriori kundër zhvillimit në lartësi të një zonë. Obseniteti i këtyre godinave të larta që janë bërë në këto kohë s'duhet absolutisht të na bëjë të vuajmë nga sindroma e King Kongut. Tek "lulishtja" tek stadiumi u është kthyer a kompensuar prona pronarëve, dhe aktualisht ka një ndërtim që, për çudi, askujt s'ia vret sytë. Kurse mua po. Ajo ç'ka do të ndërtohet aty s'është pallat, as një trekatësh dosido, or mik i burimeve të sigurta. Po një vepër arti e mirëfilltë. Megjithatë këto hanë debat padyshim, me kusht që të mos bëhen insinuata të ndyra. E teksa debatojmë, të mos harrojmë që Tirana nuk përmbytet më. Jo për magji, po për shkak të pastrimit ilingonesk të kanaleve. Që Tirana nuk është më qyteti i plehrave. Jo për magji, po për shkak të një punë kolosale që është bërë, e që duhet të përmirësohet akoma më shumë. Që Tirana nuk është më qyteti pa sistem taksash e as sistem ndriçimi. E të tjera e të tjera pune, që s'duken apo duken si të mirëqena. S'na pëlqen një kulle 20 -katëshe apo një trekatësh në një zonë delikate?!Ta diskutojmë pa e futur Karla Del Ponten në këtë mes. S'na pëlqejnë ngjyrat?! Punë e madhe, i ndryshojmë nesër. S'kushtojnë shumë, përderisa kemi bërë suvatimet që janë themeli i pu nës. Që çiftja të zerë mish është puna, po për të shtënë në ajër thua ti e për të bërë zhurmë?! Ashtu bën edhe pa këto sqarime nga burimi im i pasigurt. Radovan Karavastiçi (Shënim i imi: Në komunikimin me Tosin përdor shumë shpesh emra të sajuar sipas ndjesisë së momentit. Në këtë rast kam sajuar një kriminel lufte) Replika rrufe e Tosit (Shënim i imi: Tosi nuk mendohet dy herë sepse Tosi, siç e thashë, është e Vërteta. Replikon aty për aty.): Ti mor Edi Rama thua poshtë e përpjetë se nuk je hajdut. Pra se njëzet katëshet në qendër të Tiranës, mu në zonën më historike të saj, që sapo i ke lejuar të ndërtohen, po na i lejoke të ndërtohen, sepse ky qenka vizioni yt. Por kur nuk ishe kryetar Bashkie dhe as ministër, a nuk ke qenë ti që më ke thënë mua se është krim ajo që don të bëjë Vebi Velia, të ndërtojë një qendër biznesi të lartë në qendër të qytetit dhe së bashku nuk kemi pranuar të firmosim peticionin që ky kërkoi ta firmosnin një numër intelektualësh, për të mbrojtur idenë e tij. Pikërisht, me idenë se ndërtesat e larta shkatërronin qendrën. Prandaj unë ngulmoj se ti i bën këto krime ndaj qytetit duke shkelur edhe ligjet, sepse qendra është monument kulture dhe nuk është kompetencë e jotja vetëm, për motive të dobëta - vërjua emrin si të duash. Me aktin e fundit që kreve, dije se ke kryer një krim të krahasueshëm me ato që ka bërë Enver Hoxha ndaj qytetit. Këtë e-mail po ia dërgoj të gjithë atyre që do të mundem t'ua dërgoj brenda dhe jashtë vendit, dhe shpresoj të hap një fushatë për largimin tënd nga Bashkia. Fatos Lubonja Përgjigjja ime e pavonuar: Kurse ti mor Fatos Lubonja je një shurdh i rrezikshëm që dëgjon vetëm ç'të thotë mendja jote, e cila, sado e ndritur të jetë, s'mund të dijë gjithshka. E ja, pa u zgjatur hic në të tjera, po të bëj me dije se, pikërisht pse unë besoj që ajo ç'ka donte të ndërtonte zoti Velija ishte e papranueshme, e ftova të ndërronte mendje. Dhe atje or mik i burimeve të sigurta, nuk do të ndërtohet ajo që kemi kundërshtuar dikur unë e ti, as ajo që kushedi sesi e sheh ti, por një godinë mjaft e ulët, e cila do të dalë nga konkursi publik që po organizojmë, qoftë edhe pa përkrahjen tënde e të ndonjë miopi tjetër si puna jote, që pranon më mirë të vdesësh mbi platformën e monumentit të Enverit, dhe sesa të futesh në një librari mbi gërmadhat e Kafe "Kursalit"! Ki kurajon t'ia çosh edhe këtë përgjigje timen të gjithë atyre që u çove trillimin tënd të radhës. Natyrisht, bashkë me post scriptum-in këtu poshtë. Neroni (Shënim i imi: Ky është emri që më ka vënë Tosi pardje, kur u shpjegonte shqiptarëve përmes "Shekullit" sesa kriminale është veprimtaria ime si kryetar Bashkie) P.S. Sa për hajdutin, vazhdon të qëndrojë në fuqi ajo ftesa e dikurshme për të më ngrënë mutin ti dhe kushdo tjetër që vë pikëpyetje mbi pakorruptueshmërinë time. Mesazhi i Tosit menjëherë pas fjalimit tim në takimin me komunitetin e biznesit: Dëgjova fjalimin tënd (grotesk) ku ne të gjithë, me përjashtim të biznesmenëve dhe sekserëve, konsiderohemi si tapa që duhet të nxirremi përfundimisht nga bythët tuaja, në mënyrë që ju të dhisni lirisht, dhe ku të mundeni në këtë vend. Po si mund të thuhet se rinia ikën nga Tirana, dhe nga ky vend, sepse është i ndërtuar me shtëpi të ulta me qerpiç! Rinia ikën se zhgënjehet nga njerëz si ti mor Edi Rama! Përshëndetje Një nga tapat Replika ime ndaj mesazhit të mësipërm: Dëgjove fjalimin?! Si e dëgjove fjalimin?! Me se?! Me ç'veshe?! Ke veshë ti?! Po sot s'ma nxin dot ditën si dje, sepse e-mail-i yt është njëri ndër njëzet e ca, që më kanë ardhur, dhe është i vetmi që ka ngjyrën e zezë të nihilizmit absolut! Të tjerët janë të gjithë falenderues, inkurajues, ngushëllues. dhe askush nder autorët s'është biznesmen (biznesmenët s'shkruajnë e-mail-e). Askush ndër ta s'është ndier tapë, siç je ndier çuditërisht ti. Askush ndër ta s'e ka marrë punën e qerpiçit, siç e ke marrë ti, sterrë sterrë të zezë! Dhe e di diçka: plot nder ta e dinë kush është miku im, që mund të më shkruajë atë e-mail vrastar, që unë përmenda dje! Pa u thënë gje, ata më thonë pak a shumë të gjithë të njëjtën gjë: Lëre atë (ty domethënë), mos e dëgjo, është i sëmurë! Dhe ti je vërtet i sëmurë miku im. TI JE SHURDH! Post Scriptum. Nuk mund të rri pa ta treguar se një njeri i varfër e i ditur, i cili hamendëson se ti duhet të kesh qenë ai "miku i e-mail-it të zi", të quan PIKA JONE E ZEZE! Ta kam thënë me kohë se të qenit në frontin e punëtorëve të mendjes nuk të përjashton nga rreziku i PIKES SE ZEZE! Ashtu sikundër të qenit në zonën e së keqes shtet, nuk të përfshin medoemos në kategorinë e PIKAVE TE ZEZA! Tung Këtu zoti kryeredaktor mbaron ky episod i luftës virtuale që zhvillohet mes meje dhe mikut tim Fatos Lubonja, qysh se unë vendosa të le barrikadën e të pavarurit, dhe të marr një detyrë shtetërore. Këtë zgjedhje Tosi jo vetëm e quan të gabuar, por e konsideron tradhti ndaj tij!!! Përpjekja ime për t'i shpjeguar arsyet e zgjedhjes sime, si edhe për ta bindur që të merresh me politikë, nuk do të thotë detyrimisht të jesh moralisht inferior ndaj dikujt që ka zgjedhur të bëjë tjetërsend në jetë, ka dështuar më shumë se një herë. Dhe më shumë se një herë Tosi ka përgojuar publikisht mua vetë, dhe punën time, duke shfrytëzuar me kapacitet të plotë rezervuarin e mllefit të tij proverbial. Kam shumë frikë se po e humbet përditë e më shumë dritën e arsyes, duke u munduar të bindë me çdokusht të tjerët dhe vetveten, se i vetmi pozicion moralisht i pakritikueshëm në jetë është ai i tiji. Ia kam thënë. E kotë. --------------------------------- Do You Yahoo!? LAUNCH - Your Yahoo! Music Experience -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |