| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Per GjuhenAgron Alibali aalibali at yahoo.comThu May 9 08:27:25 EDT 2002
Shqetësimin për ta mbrojtur gjuhën duhet ta ngremë që të gjithë. Ajo nuk pastrohet dot me një "lopatë" gjuhëtari a shkrimtari Pse u degradua gjuha jonë kombëtare Nga Ali Dhrimo Lexova me ëndje të veçantë, por edhe me një pikëllim të thellë "klithmën" e çiltër që i dilte nga shpirti, poetit dhe përkthyesit tonë të shquar Robert Shvarc, për shfytyrimin që po pëson gjuha jonë në ditët e sotme. Ai thotë se ndoshta nuk i takon atij t'u tregojë bashkëkombasve vlerën e gjuhës për një komb e se kjo do të ishte në radhë të parë detyrë e Akademisë së Shkencave, e Institutit të Gjuhësisë. Dhe, nga njëra anë, ka të drejtë. Koha që po jetojmë, kërkon jo vetëm studime të thelluara për çështje të ndryshme të gjuhës shqipe, por, në radhë të parë, e mbi të gjitha ruajtjen e përkryerjen e saj në të folur e të shkruar. Prandaj më mirë e më shpejt se kushdo, padyshim alarmin duhet ta japin dhe fjalën duhet ta thonë gjuhëtarët, të cilët edhe e ndiejnë më mirë se kushdo se ku mund të çojë ky shpërfytyrim me këtë "yrysh" që ka marrë. Veç kësaj, mendohet se që të parafrazojmë fjalët e Konicës - edhe në mos qofshin, duhet të jenë më në gjendje t'i shohin, ku janë të metat, gabimet e shtrembërimet, nga vijnë dhe si duhen parandaluar e shmangur ato. Por, kur pashë se edhe numri i gazetës, ku botohej shkrimi i zotit Shvarc, vetëm atë shkrim kishte pa gabime, ndërsa të tjerat vijonin të vuanin si përditë nga të njëjtat lajthitje, mendova se hauret e Avgjisë nuk pastrohen dot me një "lopatë" gjuhëtari a shkrimtari, ato duan t'u kthesh lumin. E këtë lumë mund ta bëjmë të gjithë së toku, jo me zëra të veçuar e që dëgjohen "nga një herë më hanëz" dhe që gëzojnë vetëm redaktorin e rubrikës përkatëse të gazetës. Se këtu nuk bëhet fjalë, siç thoshte zoti Petraq Kolevica në shkrimin e tij aq shqetësues lidhur me lyerjen e ndërtesave të kryeqytetit, për "lyerjen e shtëpisë sate nga brenda", të cilën ti mund ta bësh si të duash, por është fjala për fytyrën e një kombi të tërë, prandaj askush nuk ka të drejtë të na e llangosë si t'i thonë halucinacionet a padija e tij. Kjo do të thotë që shqetësimin për ta mbrojtur gjuhën tonë duhet ta kemi e ta ngremë që të gjithë dhe jo vetëm një herë, kudo që jemi dhe çfarëdo mjeshtërie qofshim. Mirëpo ç'ndodh? Është për të ardhur keq të rikujtojmë këtu disa nga fjalët e Mahir Domit për gjuhën tonë letrare, thënë këtu e njëzet vjet të shkuara, për të parë punën tonë gjatë këtyre dhjetë vjetëve në lëmin e gjuhës letrare. Ai shkruan: "Çlirimi e gjeti gjuhën tonë letrare jo të përpunuar sa duhet, të pakristalizuar, të panjësuar, me dy variante, të mbushur me një mori fjalësh të huaja të panevojshme". Ne më 1992, kur u orvatëm ta kthenim fytyrën nga Perëndimi, siç na mësonte Naimi, kishim tashmë një gjuhë të njësuar letrare, me një normë pak a shumë të kristalizuar përfundimisht në të gjitha rrafshet e saj. Ajo kryente funksionet e veta si mjet komunikimi e bashkimi shpirtëror për të gjithë shqiptarët kudo që jetonin e punonin. * * * Por pikërisht në atë vit, kur duhet të niste një nga çlirimet e vërteta të mendjes dhe të shpirtit shqiptar, ndodhi "një hap para, dy hapa prapa". Dhe me ne shqiptarët ndodh çuditërisht gjithmonë e njëjta gjë: ne nuk mësohemi dot të vijojmë rrugën e historisë, si gjithë kombet e tjera, duke përmirësuar vetëm gabimet e së kaluarës. Neve, të gjithë ata që na vijnë në krye, përpiqen të na mbushin mendjen vetëm e vetëm për një gjë: që ata janë më të mirët gjatë tërë historisë së këtij kombi. Prandaj çdo gjë duhet të nisë me ata, nga e para. Kështu që iu vu kazma gjithçkaje të deriatëhershme, shumë shpesh edhe atje ku jo vetëm që nuk ishte fare nevoja, por ishte një gabim i tmerrshëm dhe i pafalshëm. Në këtë qerthull ndryshimesh e "mrekullish" filluan, pra, menjëherë edhe në lëmin e gjuhës "përpjekje" çoroditëse të ndërmarra nga "të pamarrët vesh" për një rishikim thelbësor e të gjithanshëm të asaj gjuhe që ishte arritur me aq mund e gjak brezash të tërë. Ajo nuk kishte qenë jo kurrën e kurrës "pronë" e diktaturës (hiq këtu ca gjëra qesharake të psikologjisë e të fjalorit sharës për kundërshtarët politikë dhe lavdërues e hyjnizues të pafre për kastën e veprat e saj) dhe aq më pak ishte e duhet të lejohej të ishte "pronë" e ndonjërit që zuri një post të beftë në sferën e gjuhësisë. Ajo ishte prona më e vyer e një kombi të tërë, të cilën ai e kishte arritur me luftë e përpjekje më së pakti 500-vjeçare. * * * Do të kishte qenë mjaft e frytshme, sikur të ishte vijuar puna e nisur me harrje, përkitje e plotësime të mëtejshme, për të përmirësuar, përpikësuar e plotësuar më tej ato vise, ku gjuha jonë letrare kishte nevojë, sidomos në rrethanat e reja politiko-shoqërore, ashtu siç kanë bërë dhe bëjnë gjuhëtarët e çdo vendi që kanë prej shekujsh një gjuhë letrare, e cila lëvrohet e përpunohet pa pushim. Kjo jo vetëm që nuk parakupton kurrësesi prekjen e qenies dhe të funksionimit të gjuhës letrare si mjeti i vetëm dhe më i rëndësishëm i komunikimit mbarëshqiptar, por përkundrazi është kusht i domosdoshëm që ajo ta kryejë si duhet këtë mision dhe të mos ngurtësohet e të largohet nga gjuha e përgjithshme kombëtare. Eqerem Çabej thekson se "ringjalljet kombëtare kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin e pastrimin e gjuhës.Për fat të keq te ne dolën disa "teoricienë" me ide frymëshkurtra ala Marr, të cilët pandehën se në emër të demokracisë duhej dhe mund ta rrafshonin lehtë ngrehinën e sendërgjuar me aq mund nga breza të tërë lëvruesish, mendimtarësh e penash të pavdekshme dhe pastaj të fillonin një kullë të re Babilonie. Kështu gjuhëtarët humbën dhe po humbasin edhe sot mjaft kohë në këtë luftë me mullinjtë e erës, me diskutime shterpe: a kemi apo nuk kemi një gjuhë të njësuar e "të përshtatshme" letrare. Edhe në kemi, ta flakim e të bëjmë një tjetër. "Shyqyr jarebi!" që nuk u shkoi ndër mend ta fillonin "luftën" me alfabetin dhe Kongresin e Manastirit! Se ja, kjo vjen nga Jugu, ajo nga Veriu - a thua se bëhej e bëhet fjalë për ministra e kolltukofagë dhe jo për një mjet komunikimi mbarëkombëtar. * * * Ndodhën ndryshime të papara demografike, me pasoja shumë të mëdha edhe gjuhësore, dhe gjuhësia hesht. Shpërtheu një lulëzim i pakundshoq i botimeve, filluar nga libri artistik dhe përkthimet e deri te pylli i vërtetë i shtypit shqiptar dhe gjuhësia hesht. Gjuhësia hesht në një kohë që te ne ka dhjetë vjet që po merren me shkrime e ligjërime publike lloj-lloj njerëzish, me lloj-lloj formimi kulturor, e para së gjithash, gjuhësor. Gjuhësia hesht, kur duke u shtuar aq vrullshëm sa stacionet radio-televizive, aq edhe kohëzgjatja e transmetimeve të tyre, aty flasin gjithfarë njerëzish, kryqëzohen pa kurrfarë kontrolli lloj-lloj formimesh kulturore e gjuhësore, madje lloj-lloj pikëpamjesh për kulturën e për gjuhën. Gjuhësia hesht, kur në këto stacione radio-televizive punojnë e veprojnë një armatë e vërtetë vajzash e djemsh të rinj, të cilët punojnë me përkushtim me dhe pa orar, por që për fat të keq të shumtën e herës çështjet e gjuhës që përdorin, i kanë shqetësim të fundit, në mos të aspaktë. Disa prej tyre madje nisen për fat të keq nga bindja e rreme se, siç thotë zoti Shvarc, ata "thajnë" tashmë disa gjuhë të huaja, jo më shqipen që e kanë të nënës. Duke e parë gjendjen në këtë këndvështrim, bëhet e domosdoshme të trandet vendi e të shkundet fort mbarë shoqëria shqiptare, sepse jo vetëm gjuha e masave të gjera të popullit, por edhe e të shkolluarve (shpesh analfabetë me diplomë) ka rënë shumë poshtë. Është e domosdoshme të ndërmerren hapa sa më të ngutshëm dhe sa më praktikë. Duhet, pra, një "tërmet", nuk duhen disa biseda, takime e porosi në salla të mbyllura me disa përgjegjës, drejtorë e kryetarë. Atyre këtej u hyn, andej u del. Ministria, Universiteti, Akademia duhet të nisin punën dhe të ndërgjegjësojnë së pari armatën e madhe të arsimtarëve, pastaj ato të redaktorëve, përkthyesve, gazetarëve, shkrimtarëve, botuesve, të gjithë punëtorët dhe njerëzit e fjalës shqipe. * * * E njëjta gjendje vërehet në emisionet tona televizive në përgjithësi dhe sidomos lidhur me lajmet në veçanti. Lajme te ne ka dhe madje ka tepër, me orë të tëra (megjithëse më të shumtat janë për gjëra që nuk përbëjnë lajm). Duke mbetur në lëmin e fjalës - pa e kuptuar këtë aspak vetëm si gramatikë -, do të themi se ato jepen me një gjuhë gati krejt të pakontrolluar, tejet të shkujdesur, me një ritëm të tmerrshëm leximi dhe më në fund në një mënyrë jashtëzakonisht të mërzitshme. E vetmja gjë që i bën interesante, është se ato janë të mbushura me vrasje, vjedhje, skandale, sulme e plot gjëra "trimërore", çka tregon në mënyrë të katërciptë se këtu ndër ne nuk ka shtet. Ato jepen pak a shumë kështu: Fillojmë emisionin e orës Në këtë emision do të ndiqni... (dhe na jepen njëherë të gjitha lajmet si tituj). Pastaj, sipas radhës, ngjarja e secilit lajm na tregohet "me pak fjalë" nga folësi (a folësja). Pastaj atë na e ritregon me hollësi telekronisti (a telekronistja). Dhe në fund, jo rrallë, e rimerr fjalën folësi (a folësja) dhe na i kujton edhe njëherë të gjitha "lajmet", duke na thënë: Në lajmet tona ndoqët... (dhe i dëgjojmë edhe njëherë të gjithë "hyneret" e asaj dite në Shqipëri)! Helbete, jemi të trashë, dhe kujtesë nuk kemi! Le të mos të shkojë mendja, po deshe, te vargjet e Kristo Floqit, drejtuar Zogut I, mbretit të shqiptarëve: Nga xhepi jemi hollë,/ Nga menia pleqni,/ Kena qillu njerëz pa shkollë, / Na fal kusuret, Naltmadhni. Pa dyshim këtë mënyrë transmetimi kanë edhe stacionet e huaja, po me një ndryshim: Përsëriten ato më kryesoret dhe që përbëjnë vërtet lajm. E pra, kush po merr mundimin t'ua bëjë këto vërejtje dhe të bisedojë me ta për lajthitjet a shmangiet nga norma gjuhësore gjithë këtyre njerëzve që na prodhojnë ushqimin e përditshëm shpirtëror e intelektual, gjithë atyre që shkruajnë e flasin si njerëz publikë? Askush. Disa zgjidhje Si mund të shmanget kriza e gjuhës Duhet të organizohen, para së gjithash, takime me mësuesit e shkollave, sepse ata mëkojnë brezat tanë të ardhshëm me gjuhën amtare. Ata duhet të jenë shembull i ligjërimit letrar së pari në klasë, por detyrimisht edhe jashtë saj. Bisedoja me një gjuhëtar dhe ai, duke dashur të më tregonte se njeh disa "regjistra" të gjuhës sonë, më thoshte se me të ëmën, me vëllezërit dhe në fshat flet të folmen e vet të kulluar. I bëjmë pyetjen vetes dhe themi: A jemi misionarë ne mësuesit apo jemi artizanë, kallfë? A duhet të kemi gjithmonë një fytyrë, një ligjërim apo disa? Të veprosh kështu, do të thotë ta vështrosh gjuhën letrare si një "luks", si " privilegj" a "kostum të diele" të rezervuar vetëm për të shkolluarit, për intelektualët, vetëm për sallat e sallonet, kurse masa e gjerë e popullit as në mënyrë pasive nuk ka pse ta dëgjojë, ajo "boll" e ka të folmen e vet dhe nuk ka pse të mundohemi me të dhe as ta zgjojmë nga gjumi shekullor. Por ne për më tepër nuk duhet të harrojmë aspak se në ato biseda "në fshat" ka edhe fëmijë, të cilët nesër do të bëhen si ne e do të na zëvendësojnë dhe ne pa dashje i mëkojmë keq. Prifti është prift, në kishë a në mes të fshatit, kurse ne qenkemi ndryshe në klasë, ndryshe nëpër podiume konferencash, ndryshe në fshat. Këtu nuk duhet ngatërruar terminologjia profesionale, këtu është fjala për gjuhën si mjet komunikimi. Po kështu duhet folur drejtpërsëdrejti me njerëzit e shtypit e të mediave, të cilët janë çdo ditë e çdo mbrëmje në familjet tona dhe bashkë me të rejat e "hyneret" e ditës na ngulisin në mendje edhe lloj-lloj fjalësh e shprehjesh nga më të çuditshmet, më të pabesueshmet dhe, ç'është me e keqja, më të pakuptueshmet! E njëjta gjë mendoj se duhet bërë me redaktorët e shtëpive botuese, të cilat hedhin në treg një ushqim të jashtëzakonshëm për mendjet e njerëzve tanë e bashkë me të edhe një gjuhë me të mirat e të metat e saj jo të vogla. Këtu nuk duhen lënë aspak mënjanë punonjësit e institucioneve të ndryshme, njerëzit e administratës, të cilët hartojnë lloj-lloj shkresash, urdhëresash e ligjesh. Pra duhen thirrur në tryezë të gjithë anëtarët aktivë të mendjes e të penës në shoqërinë tonë dhe duhet të vihen vijimisht në dijeni për shqetësimet e ndryshimet që nxjerr praktika gjuhësore te ne. Dhe një gjë e tillë arrihet duke krijuar një sistem enësh komunikuese, duke dalë vijimisht në faqet e shtypit me çështje gjuhësore, por edhe duke organizuar biseda të shpeshta, në mos të rregullta, për çështje të caktuara me të gjithë këta veprimtarë. Pra, jo konferenca masive, një herë në pesë vjet, por lidhje e këshillime të pandërprera. Është gjithashtu nevojë e ngutshme e kohës që edhe politikanët tanë, edhe në u ardhtë rëndë të marrin pjesë vetë në takime të tilla, duke nderuar kështu gjuhën amtare, të dërgojnë aty së paku ata që ua shkruajnë fjalimet, "Demkat". Kur dëgjon gjuhën e tyre në parlament e jashtë tij, njeriu bindet se sa e ngutshme është një gjë e tillë dhe se sa poshtë ka rënë gjuha jonë. --------------------------------- Do You Yahoo!? Yahoo! Shopping - Mother's Day is May 12th! -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |