Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Versioni i Korrierit per takimin e Korfuzit

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Tue May 7 19:08:25 EDT 2002


E vërteta e takimit Nano - Meta

Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano dhe ish Kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta kanë kaluar së bashku një fundjavë në ishullin e Korfuzit. Por siç ndodh gjithnjë në Shqipëri, gjërat e thjeshta dhe normale në thelb, ndërlikohen dhe kthehen në probleme që preokupojnë jo vetëm politikën, mediat, por edhe gjithë shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Kronologjia e atij që u quajt nga shumë vetë marrëveshja ose protokolli i Korfuzit, ishte më shumë se sa e thjeshtë. Të ftuar nga miq të përbashkët, Ilir Meta ish kryeministri i Shqipërisë dhe Fatos Nano, Kryetar i Partisë Socialiste kanë kaluar tre netë së bashku në Grecotel Corfu Imperial, një hotel i njohur në ishullin përballë Sarandës. I vendosur në zoën e Ipsosit, hoteli në fjalë është një ndër rizortet e njohura në ishull. I pajisur me disa plazhe të vegjël, me dy pishina si dhe me gjithë lehtësitë e tjera për një pushim normal, hoteli është frekuentuar edhe herë të tjera nga personazhe të njohur të jetës politike dhe të biznesit shqiptar.
Meta ishte i pari që fluturoi drejt ishullit Jonian, i nisur nga aeroporti i Rinasit me një fluturim çarter, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe vajza Bora. Nano u transferua nga klinika e Athinës, ku po kryente mjekimin e gishtave të dëmtuar gjatë aksidentit të vitit të kaluar, për në ishullin e njohur një ditë më vonë, me një fluturim të linjës, i shoqëruar nga Xhoana Nano. Askush nuk kishte biseduar paraprakisht për një takim të rëndësishëm ose të parëndësishëm politik dhe mbi të gjitha ky nuk ishte takimi i parë mes tyre që nga dorëheqja e Metës. Pas mbledhjes së kryesisë ku u mendua se qe gjetur një zgjidhje në marrëdhënien mes tyre, Meta e kishte vizituar Nanon për më shumë se tre orë në zyrën e Kryetarit të PS. Dy javëmë parë ata kanë udhëtuar të dy për në Vienë dhe kanë qëndruar për dy ditë në të njëjtin hotel, ndërkohë që një javë më parë, Nano ka qëndruar më shumë se tre orë në banesën e Metës në periferi të Tiranës, kur kishte shkuar për t’i uruar shërim të shpejtë nga një gjendje e rënduar gripale. Nuk kuptohet se pse këto tre takime aspak më inferiore nuk ishin aq të rëndësishme dhe pse takimi i Korfuzit, do të ishte ai më deçizivi. Mbi të gjitha, në Korfuz, nuk kishte një takim, por një qëndrim tre ditor, në të cilin Nano dhe Meta janë takuar disa herë në ditë në prani edhe të bashkëshorteve të tyre, miqve, apo edhe të vetëm.
Mbi të gjitha, përmendja e një personazhi të quajtur Nikollas Gejxh, duket se ka qenë një artific i sajuar me qëllim të caktuar për të tërhequr vëmendjen dhe për t’iu dhënë takimit një lloj misteri i cili realisht ka munguar. Gejxh ka qenë vërtet në Korfuz, në të njëjtin hotel, por ky ka qenë Aktori i njohur Nikollas Gejxh dhe jo ish gazetari i “Nju Jork Tajmsit” dhe protagonisti i lobit grek në SHBA që ka të njëjtin emër me të. Mbi të gjitha, siç u theksua më lart nuk ka pasur një takim të vetëm, me axhendë të përcaktuar dhe protokoll, por një fundjavë të përvashkët, në të cilën, padyshim, nuk kanë munguar edhe bisedat për zhvillimet e rëndësishme në vend. Që kanë lidhje si me konsolidimin e qëndrimit të PS për kandidaturën e Presidentit, ashtu edhe për rritjen e aftësisë qeverisëse të PS.
Ashtu sikurse nuk kanë munguar edhe banjot e diellit, noti në pishinë apo det dhe drekat e darkat e përbashkëta. Marrëdhëniet mes Nanos dhe Metës kanë qenë pothuaj gjatë gjithë fundjavës korrekte dhe krejt normale për dy njerëz që kanë vendosur të kalojnë tre ditë në një shoqëri të përbashkët.
Nano dhe Meta kanë lënë hoteli Grecotel Corfu Imperial në Ipsos dje në mesditë dhe janë kthyer së bashku me një fluturim çarter mbasdite rreth orës 16.00 në Aeroportin e Rinasit.
Duket se fundjava e pashkëve e kaluar në një shoqëri të përbashkët më shumë se sa për një akt konkret politik mund të komentohet për një normalizim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes tyre, marrëdhënie që padyshim do të lozin rol në zhvillimet dhe vendimet politike të këtij muaji. Ndërkohë duket se asgjë nuk e justifikon alarmin e mediave dhe të një pjese të politikës, për atë që më mirë se sa Takimi ose Protokolli i Korfuzit, mund të etiketohet si “Fundjava e Korfuzit”.

Korrieri
7/5/2002 09:38 


---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Health - your guide to health and wellness
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list