| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Artikull i Nazarkos ne ShekulliAgron Alibali aalibali at yahoo.comWed May 1 20:36:55 EDT 2002
Edhe njëherë për Gjykatën Kushtetuese - Mentor Nazarko* Pas vendimit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës, nuk është shfaqur për shtyp me ndonjë qëndrim të tijin. Kjo mosshfaqje e tij më së pakti duhet të interpretohet se ai nuk ka se ç't'i shtojë deklarimit të tij të një jave më parë. Ndërkaq që prej atij deklarimi në mediat e vendit janë shfaqur mendime të ndryshme dhe kontrastuese rreth tij. Sigurisht më të çuditshmet, janë ato të disa juristëve që flasin si politikanë dhe të disa politikanëve që flasin si juristë. Një pjesë e tyre madje arrijnë të thonë se Presidenti ka shkelur Kushetutën. Nuk janë më pak të çuditshëm prononcimet e ndonjë prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që sikur të mos i mjaftonin vendimet, bëjnë komente të tipit shantazh mbi parlamentin dhe institucionet e tjera. Një dukuri e re po konsolidohet gjithashtu në disa prej mediave elektronike, përfshi dhe televizionin publik: po shfaqet e ashtuquajtura "gazetaria e regjimit"- me të ftuar që flasin të gjithë njëlloj me atë që i ka ftuar në gjoja debat. Në këtë rrëmujë ndoshta do të ishte e udhës të saktësohej diçka prej veprimit të Presidentit në lidhje me shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm dhe rreth deklarimit të tij të hënën që shkoi. Një saktësim që mban parasysh edhe vendimin e dytë të Gjykatës Kushtetuese që shpalli si antikushtetues vendimin e parlamentit dhe dekretin e Presidentit për këtë shkarkim. Edhe ministrat mund të ankohen Në faqen 4 të dispozitivit të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese,veç të tjerash thuhet se "ajo ( Gjykata Kushtetuese), çmon se procesi i rregullt ligjor zbatohet për të gjithë konfliktet që janë vendimtare për pozicionin juridik të një personi, qoftë ai edhe funksionar publik. Pra Gjykata Kushtetuese e shikon pozicionin e funksionarit publik në këndvështrimin e garancive që i siguron kushtetuta, jurisprudenca e saj e deritanishme dhe fryma e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut" Asgjekundi në gjashtë faqet e para të vendimit të dytë të Gjykatës Kushtetuese nuk saktësohet fjala funksionar publik me origjinë politike ose jo,- dhe sipas parimit që çdo gjë që nuk ndalohet, lejohet, -duke studiuar me imtësi këtë vendim, edhe ministri i shkarkuar- funksionar publik, ka të drejtë të ankimohet ndaj kryeministrit, presidentit dhe parlamentit që kanë marrë një vendim të tillë! Për mëshumë nuk ka një ligj funksionimi të Këshillit të Ministrave që eventualisht mund të përmbante më shumë elementë të statusit të ministrit, përfshi dhe garancitë e tij në detyrë. Pa dashur të bëj absurdin, nisur nga vendimi i dytë i Gjykatës, si funksionar publikmetë drejtë ankimi mund të shikohet edhe ministri, madje rrethi mund të zgjerohet. Ai përgjithësisht nuk ka garanci kushtetuese më pak se prokurori i përgjithshëm, me përjashtim të asaj që për prokurorin janë të parashikuara tre kategoritë e dhunimit të ligjit dhe kushtetutës që duhen mbajtur parasysh në rastin e shkarkimit të tij. Neni 42/1 njëlloj me nenin 122 të dispozitave dhe nenin 6 të Konventës. Në deklarimin e Presidentit Meidani, përmenden edhe raste të funksionarëve të lartë publikë të shkarkuar gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Edhe ata legjitimohen të ankimohen në Gjykatë mevendimet e fundit , pasi neni 42, 1, që është baza e të dy vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese është riprodhim i nenit 122 të Dispozitave të vjetra Kushtetuese, dhe të dy nenet në fjalë i janë përmbajtur nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut,që është ratifikuar në parlamentin shqiptar para se të hynte në fuqi Kushtetuta e re. Pra kjo normë ka jetuar, nuk është e re, edhe në kohën kur janë bërë shkarkimet e përmendura nga Presidenti Meidani. Mjafton asocimi i këtyre dy kategorive të shkarkimeve dhe barazimi tyre sipas vendimit të parë, në të drejtën e ankimit me anëtarët e Gjykatës së Lartë, me ata të Gjykatës Kushtetuese, me Presidentin, për të kuptuar se cfarë precedenti instalojnë në të drejtën kushtetuese dy vendimet e fundit . Për të kuptuar në fund të fundit se Gjykata Kushtetuese ka shkelur Kushtetutën duke pranuar ankesën e prokurorit të përgjithshëm. Vendimi i saj pseudogarantist është një lloj sirene e bukur për të nxitur ankesa ministrash, drejtorësh drejtorie, apo funksionarësh të tjerë të shkarkuar , që do të çojë që nesër në bllokimin e punës së organeve kushtetuese. Presidenti respektoi Kushtetutën dhe vullnetin politik të parlamentit Në vendimin e fundit të kësaj Gjykate thuhet se Presidenti Meidani kur e ka thirrur prokurorin e përgjithshëm dhe e ka dëgjuar atë, nuk ka zbatuar gjithashtu standartet e një procesi të rregullt ligjor. Me këtë frazë të dispozitivit, Presidenti homologohet me një instancë gjykimi, dhe po të mbajmë parasysh zgjerimin e kategorive që legjitimohen për tu ankuar, atëherë është shumë e lehtë të imagjinojmë se si devijohet me vullnetin e kësaj Gjykate të nderuar natyra kryesisht apolitike e institucionit të Presidentit që duhet të funksionojë edhesi gjykatë. Që ai e ka dëgjuar prokurorin dhe ka debatuar me të, kjo nuk ka asnjë diskutim: që ai i dha kohë atij dhe vetes për të shqyrtuar argumentat e parlamentit (rreth një javë), gjithashtu nuk ka asnjë diskutim. Pra ku është shkelja kushtetuese e Presidentit: që ai nuk sillet si gjykatë? Cfarë standartesh të procesit të rregullt ligjor duhet të zbatonte më shumë ai? Ajo që nuk mbahet parasysh në të dy vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, është se sipas vullnetit të legjislatorit apo në përputhje me frymën e Kushtetutës, thelbësore, qoftë në shkarkimin e Prokurorit të përgjithshëm, qoftë edhe në atë të ministrit, është vullneti politik i Kuvendit apo i kryeministrit, dhe garantuesi që do të zbatohet kushtetuta në rastin e shkarkimeve është vetëm Presidenti, i cili i kërkon propozuesve argumenta për to të cilati shqyrton pa pyetur njeri. Që ky vullnet është thelbësor sipas frymës së Kushtetutës duket edhe në llojin e mazhorancës që është parashikuar në të dy këto raste për shkarkimin dhe emërimin e tyre: mazhorancë e thjeshtë. Disa teoricienë të stinës së fundit, përfshi dhe ish prokurorin, harrojnë se ndryshe nga Kushtetuta italiane, prokuroria vetëm funksionon pranë gjykatave, por nuk është pjesë e sistemit të drejtësisë që të gëzojë të njëjtat garanci pavarësie. Edhe kohëzgjatja e pakufizuar ( mund të jetë një ditë ashtu si mund të jetë deri në daljen në pension të titullarit), e mandatit të Prokurorit të përgjithshëm, është një argument kushtetues më shumë për ngjashmërinë e statusit të ministrit me atë të tijin. Nuk po flasim për rrogat që merr prokurori pas largimit nga detyra njëlloj me ministrat apo funksionarët e tjerë publikë. Kjo nuk është herezi po të mbahet parasysh se modeli shqiptar i organizimit të prokurorisë është më afër atij nordik ku prokurori varet nga qeveria, se sa atij italian. Si duhet rilexuar deklarata e presidentit? Në prononcimin e vet të fundit kreu i shtetit u përgjigj se sipas Kushtetutës ai do të shqyrtonte apo do të merrte në konsideratë vetëm propozimet e Kuvendit, dhe këtu nuk ka asnjë lloj injorimi të Gjykatës Kushtetuese, siç pretendojnë juristët e orës së fundit. Edhe vetë vendimi i dytë i Gjykatës ishte në këtë linjë: ai ja dërgoi cështjen për rishqyrtim Kuvendit, dhe jo Presidentit, që do të ishte një skandal akoma më i madh. Pra siç mund të kuptohet presidenti pret vendimin e parlamentit dhe i takon parlamentit t'i përgjigjet shkeljes së Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese. Në të gjitha rastet presidenti nuk do të firmosë në asnjë rast ridekretimin e Rakipit dhe ai ka dhënë motivet e tij për këtë: mjafton mes tyre shantazhi ndaj deputetëve. Gjatë pesë vjetëve të mandatit të tij, presidenti ka inkurajuar dhembështetur në punën e tij pavarësinë e këtyre institucioneve: Gjykatës Kushtetuese dhe prokurorisë. Askush prej tyre nuk mund të flasë për ndërhyrje të tijat në këto institucione deri më sot. Por sigurisht që presidenti ka të drejtën e vet të shprehë pakënaqësitë e veta për këto organe. Ai është i legjitimuar të flasë për to: bashkë me Gjykatën kushtetuese ai është gjithashtu sipas Kushtetutës, një institucion përgjegjës për kushtetutshmërinë e akteve, ligjeve, emërimeve dhe shkarkimeve të funksionarëve publikë. Parë në këtë optikë, prononcimi i presidentit për vendimin e parë të Gjykatës nuk ishte i vetmi: ai ka qenë publikisht kritik edhe pse jo me tamtame lufte, ndaj angazhimit të saj të tepruar në zgjedhjet e fundit; për cështjen e dekreteve të tij; për shpalljen si të parëndësishëm të afateve kushtetues të shqyrtimit prej parlamentit të dekreteve të ministrave; për pezullimin e punës së parlamentit në rastin e emërimit të kryeministrit Majko. Ai nuk ka folur më parë, por"mjaft është mjaft"- thotë një fjalë e urtë, pra edhe ai mund të thojë Mjaft!Presidenti nuk ka kërkuar reduktim të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese: por në kuadrin e atyre të parashikuara nga kushtetuta, të bëhet në ligjin e funksionimit të saj, përcaktimi shkencor i fushëveprimit të tyre. Kjo është një diçka krejt e qartë: kushtetuta ofron një kuadër të përgjithshëm të kompetencave; ligji duhet të saktësojë shkencërisht fushveprimin, pra edhe limitet e tyre. Ky eshte ne fund te fundit, një qëndrim me të cilin u bashkua edhe mazhoranca në takimet e fundit. Në përgjigje të ideve të hedhura edhe nga opozita, Presidenti Meidani, konseguent në idetë e tij për mosndryshimin e kushtetutës deri në plotësimin e kohëzgjatjes së mandatit të institucioneve kryesore kushtetuese, ka shprehur opinionin e tij edhe për të shikuar mundësinë e vendosjes së një modeli amerikan apo modeleve të tjera më vonë. Po ashtu Presidenti Meidani shprehu bindjen se detyra kryesore e Gjykatës Kushtetuese është zhvillimi i filozofisë që buron prej neneve të saj që përndryshe do të ishin të ngurta, pa jetë, pa lidhje të qartë mes tyre. Sigurisht ai nuk identifikon me tërë kolegjin e Kushtetueses, ndonjerin prej anëtarëve tëtij që megjithëse ka një mandat të tillë të lidhur me zhvillimin e filozofisë kushtetuese, vazhdonte të mbronte në zyrat më të larta të shtetit interesat e privatëve siç ishte çështja "Marini", detyrë tipike për avokatët, por jo për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Një bilanc përfundimtar Kundër qëndrimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese janë shprehur në mënyrë dinjitoze dhe kompetente dy bashkëdrejtuesit e Komisionit Kushtetues, Godo dhe Imami; janë shprehur në intervista dhe shkrime të ndryshme shumë juristë dhe konstitucionalistët më të mirë të vendit, siç është zoti Loloçi; janë shprehur dhe mund të shprehen gjithashtu edhe shumë personalitete publikë të vendit; është një shumicë deputetësh të parlamentit të cilit po i cënohen kompetencat në mënyrë të vazhdueshme. Janë deputetë të pozitës dhe opozitës nga të gjitha partitë, përfaqësues të popullit, megjithëse kori i tyre nuk është shumë harmonik. Ka ngelur vetëm dokumenti themeltar të shpirtëzohet, të ngrihet e të thotë që kjo Gjykatë shkeli Kushtetutën në mënyrë arbitrare! Sigurisht, në një situatë të tillë, ai që duhet ta vrasë mendjen më shumë se ka bërë gabim, nuk gjendet mes kësaj shumice përgjithësisht konsensuale edhe pse jo harmonike. *Këshilltar i Presidentit --------------------------------- Do You Yahoo!? Yahoo! Health - your guide to health and wellness -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |