Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Gazeta Shqiptare - Familja Broja

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sat Mar 30 12:21:52 EST 2002


DOSSIER Historia tragjike e dy intelektualëve të njohur, miqtë e ngushtë të Qemal Stafës që studjuan në Francë dhe Itali. Si vuajtën në internime si armiq dy komunistët e 1937-ës Si u persekutuan intelektualët, Xhemal e Selfixhe BrojaDëshmia e 80-vjeçares Selfixhe Broja: "Në marsin e vitit 1946, mua dhe bashkëshortin tim Xhemalin, na lajmëruan të merrnim pjesë në një mbledhje të jashtëzakonëshme partie në Ministrinë e Kulturës. I deleguari i Komitetit Qëndror, lexoi një qarkore ku thuhej: "Xhemal Broja është element armik, sepse ka kundërshtuar vijën e Partisë për problemin e Kosovës, duke u influencuar nga miku i tij Zef Mala". Pas asaj aty u lexuan edhe akuzat ndaj meje, ku thuhej se urreja shoqet e udhëheqjes dhe i përkisja borgjezisë" 
---------------------------------

Dashnor Kaloçi

I deleguari i K.Q. erdhi shumë i vrejtur në fytyrë dhe nga ajo ne kuptuam se punët nuk ishin mirë. Sapo filloi leximin e qarkores, i deleguari u shpreh: "Kemi të bëjmë me dy lloj elementësh. Elementë që cilësohen antiparti, d.m.th. armiq të Partisë dhe dyert e Partisë për ta janë përfundimisht të mbyllura dhe elemntë që përjashtohen nga Partia, por me të drejtë rehabilitimi. Si elementë antiparti, është Xhemal Broja, intelektual liberal, i cili është kundër vijës së Partisë për problemin e Kosovë, mik i Zef Malës dhe dhëndërr i Metat Ciut

Pas kësaj të gjithë vështrimet e të pranishmëve u drejtuan nga unë". Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për "Gazetën", është 80-vjeçarja Selfixhe Broja, ish-studentë e Letërsisë në Firence me Qemal Stafën e Musine Kokalarin dhe komuniste e Grupit të Shkodrës me Zef Malën, e cila rrëfen gjithë peripecitë e kalvarin e gjatë të vuajtjeve nëpër burgje e internime së bashku me bashkëshortin e saj intelektualin dhe aktorin e njohur, Xhemal Broja, një nga komunistët e parë dhe Komisar i partizanëve të Shkodrës.


Kush ishte Selfixhe Broja
Selfixhe Ciu (Broja) u lind në vitin 1918 në lagjen Varosh të qytetit Gjirokastrës dhe babai i saj Ibrahim Ciu, në atë kohë njihej si tregtar grosist. Selfixheja, që ishte fëmija i dytë i familjes (kishte dhe tre motra: Ditaren, Hanushen, Myzejenin dhe vëllanë Kasemin) pasi mbaroi shkollën unike vazhdoi mësimet për dy vjet në Liceun e Gjirokastrës, por pas mbylljes së tij, ajo erdhi dhe e përfundoi shkollën e mesme në Gjimnazin e Tiranës. Që në bangat e shkollës së mesme, Selfixheja kishte pasion Letërsinë dhe në atë kohë ajo botoi dhe poezitë e tregimet e para në shtypin e kohës, të cilat i firmoste me pseudonimin letrar "Kolombia". Poezinë e saj të parë ajo e botoi në vitin 1935 në revistën "Populli", kur nuk ishte më shumë se 17 vjeç. Pas poezisë së parë që u prit mirë nga rrethet letrare të asaj kohe, Selfixheja filloi të botonte përsëri në revistat "Bota e Re", "Java", "Diana","Drita", "Shtypi" etj. Kur nuk kishin kaluar më shumë se dy vjet nga botimi i poezisë së saj të parë, Selfixhe Ciu u vlersua me konsiderata të larta nga publiçisti i njohur i asaj kohe, Fiqëri Llagami, që e cilësonte atë si shkrimtare me talent. Midis të tjerash në revistën "Java", Llagami shprehej: "Kjo vajzë intelektuale, ashtë flamurtarja e evolucionit tonë që me punën e saj don me rrëzue një shkamb që ka tabelën e veseve të këqia shqiptare..." 


Studente e Letërsisë në Firence
Gjatë periudhës që Selfixheja vazhdonte mësimet në Gjimnazin e Tiranës, ajo u njoh dhe përqafoi idetë komuniste, nëpërmjet mikut të saj të ngushtë Zef Malës i cili ishte Kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës. Që kur ishte në bangat e gjimnazit të Tiranës në fundin e viteve 30-të, Selfixheja u lidh dhe pati një miqësi të ngushtë me Qemal Stafën dhe Vasil Shanton, me të cilët e prezantoi Zef Mala. Nga kjo lidhje që pati me Qemalin dhe Vasilin, Selfixheja u pranua si antare e grupit Komunist të Shkodrës, ndonëse ishte studente në Tiranë. Pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 1938, Selfixheja fitoi një të drejtë studimi dhe shkoi në Itali për të ndjekur Universitetin e Firences në fakultetin e Letërsisë. Lidhur me këtë, Selfixheja kujton: "Në atë kohë së bashku me mua në atë Universitet, studjonin dhe Qemal Stafa, Nikolla Shurbani, Ramadan Sokoli, Andrea Varfi, Musine Kokalari dhe kushërira ime Qibrie Ciu, me të cilët unë ruaja një miqësi të ngushtë". Në prillin e vitit 1939 pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Selfixhe Ciu së bashku me disa studentë të tjerë shqiptarë, në mënyrë demonstrative i braktisi studimet, pasi disa herë kishte pasur konflikte të ashpëra me pedagogët e saj italianë në lidhje me agresionin fashist që Musolini kishte ndërrmarë në Shqipëri. Pas kësaj aty nga fillimi i vitit 1940, Selfixheja u kthye në Shqipëri së bashku të fejuarin e saj Xhemal Broja dhe me shumë studentë të tjerë shqiptarë të cilët braktisën studimet në shenjë proteste ndaj agresionit të Italisë kundër vëndit të tyre. Pas ardhjes në Shqipëri, Selfixheja u rilidh me grupet komuniste dhe pas formimit të PKSH-së, ajo u dërgua në Shkodër e ngarkuar për të punuar me Organizatën e gruas Antifashiste të atij Qarkori. 


Lidhja e Xhemalit me Selfixhenë
Pasi kishin disa vjet lidhje të ngushtë midis tyre, pas kthimit nga Italia në vitin 1940 Xhemal Broja me Selfixhenë lidhën kurorë dhe u martuan në qytetin e Shkodrës. Po kush ishte Xhemal Broja dhe cila ishte e kaluara e tij? Lidhur me këtë Selfixheja dëshmon: "Xhemali u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1918 dhe babai i tij Zenel Broja, pasi ishte diplomuar në Stamboll për Drejtësi, ishte kthyer në Shkodër dhe kishte hapur një zyrë noterie private ku kishte punësuar dhe një sekretar. Zeneli kishte dëshirë që edhe djali i tij i vetëm Xhemali, të studjonte për Drejtësi në një nga universitetet e Perëndimit. Këtë gjë ai e beri realitet pasi Xhemali mbaroi gjimnazin e fretënve fraçeskanë në qytetin e lindjes në vitn 1936, duke e dërguar atë për studime në Fakultetin e Drejtësisë në Grenobël të Francës. Gjatë asaj kohe që Xhemali studjonte në Francë, krahas Fakultetit Juridik, ai frekuentoj edhe kurset e letërsisë dhe dramaturgjisë për të cilat kishte një afeksion të veçantë. Gjatë periudhës së studimeve në Francë, Xhemali u lidh me lëvizjen antifashiste dhe aderoi edhe në Partinë Komuniste Franceze. Në prillin e 1939 kur Italia ndërmori agresionin fashist ndaj Shqipërisë, studentët shqiptarë të Francës zhvilluan një demonstratë përpara Konsullatës italiane të atij qyteti dhe fjalën e protestës aty e lexoi Xhemali", kujton Selfixheja lidhur me ish bashkëshortin e saj Xhemal Brojën që braktisi studimet në fakultetin Juridik të Grenoblës, pasi pasioni i tij ishte Letërsia dhe Dramaturgjia. Duke mos pasur asnjë dëshirë të diplomohej në Drejtësi ku kishte shkuar me insistimin e të jatit, Xhemali i ndërpreu studimet në Francë dhe shkoi në Itali për të vazhduar studimet në Firence ku asokohe studjonte dhe e fejuara e tij Selfixhe Ciu. Pasi vazhdoi për disa kohë studimet në Itali, ku Xhemali u aktivizua dhe me lëvizjen antifashiste, ai u përjashtua nga fakulteti për shkak se në dosjen e tij që ishte përcjellë nga Franca, figuronte si organizator i protestës antifashiste para Konsullatës italiane në prillin e 1939-ës. 


Kthimi i Xhemalit dhe Selfixhesë në Shqipëri
Në qytetin e Shkodrës, Xhemali me Selfixhenë hapën një librari të cilën asokohe e shfrytëzuan jo vetëm për përhapjen e librave, por më shumë për aktivitetin e tyre antifashist. Në atë kohë aty mblidheshin të gjithë shokët kryesorë të Qarkorit Komunist të Shkodrës, duke e pasur si pikë takimi për aktivitetin e tyre. Më 22 shkurt të vitit 1942 në qytetin e Shkodrës u zhvillua një demostratë antifashiste, ku Xhemal Broja ishte një nga organizatorët kryesor i saj. Lidhur me këtë, Selfixhjeja dëshmon: "Gjatë asaj demonstrate, në përpjekje për të më shpëtuar mua që më kishin kapur italianët, u vra shoku ynë i paharruar Vaso Kadia (Hero i Popullit). Pas u arrestova nga italianët, u mbajta prej tyre për 11 muaj në burgun e Tiranës, kurse Xhemali nga që u akuzua si një nga organizatorët kryesorë të asaj demonstrate, kaloi në ilegalitet dhe u dërgua në zonën e Postribës. Në atë kohë aty u krijua një grup i vogël partizanësh që shërbeu si bërthama e ardhëshme e Çetës partizane të Shkodrës që më vonë mori emrin Batalioni "Perlat Rexhepi". Në të dy ato formacione partizane, Xhemali u caktua me detyrën e Komisarit, kurse Komandant ishte Sadik Bekteshi. Që nga ajo kohë e deri në çlirimin e Shkodrës, Xhemali drejtoi edhe teknikën e shtypit ilegal, duke qenë dhe antar i Qarkorit Komunist dhe i Kryesisë së Këshillit Antifashist Nac-Çlirimtar të Qarkut", kujton Selfixhe Broja lidhur me aktivitetin e saj dhe të Xhemalit në qytetin e Shkodrës, duke shtuar se në ditën e çlirimit të atij qyteti, Xhemali ishte një nga ata që përshëndeti popullin e Shkodrës nga ballkoni i Bashkisë.


Në 1946, Xhemali e Selfixheja antiparti
Pas mbarimit të Luftës, Xhemali u emërua dhe punoi në Komitetin e Arteve në Tiranë, kurse Selfixheja si gazetare në Ministrinë e Bujqësisë, ku nxirrej gazeta "Bujku u Ri". Në atë kohë Xhemal Broja u shpreh hapur kundër mbështejtjes që PKSH-ja dhe qeveria Shqiptare i dhanë Jugosllavisë në lidhje me problemin e Triestes, duke thënë se edhe Kosova duhej t'i kthehej Shqipërisë. Nisur nga kjo më 23 mars 1946, Xhemalin së bashku me Selfixhenë i përjashtuan nga Partia duke i cilësuar armiq të popullit dhe agjent të misionit amerikan. Lidhur me këtë, Selfixheja dëshmon: "Në atë kohë që unë punoja si gazetare në Drejtorinë e Propagandës pranë Ministrisë së Bujqësisë, na lajmëruan se duhet të qëndronim në një mbledhje të jashtëzakonëshme Partie, ku do të merrte pjesë dhe një i deleguar nga Komiteti Qëndror. Po atë ditë unë me Xhemalin, kishim lënë që të shkonim për të parë një film dhe nisur nga kjo mu desh që ta lajmëroja atë për punën e mbledhjes. Kur e takova ai më tha se edhe në Ministrinë e Kulturës ku ai punonte dhe ishte Sekretar i Partisë, ishin lajmëruar për një mbledhje. I deleguari i K.Q. erdhi shumë i vrejtur në fytyrë dhe nga ajo ne kuptuam se punët nuk ishin mirë. Sapo filloi leximin e qarkores, i deleguari u shpreh: "Kemi të bëjmë me dy lloj elementësh. Elementë që cilësohen antiparti, d.m.th. armiq të Partisë dhe dyert e Partisë për ta janë përfundimisht të mbyllura dhe elemntë që përjashtohen nga Partia, por me të drejtë rehabilitimi. Si elementë antiparti, është Xhemal Broja, intelektual liberal, i cili është kundër vijës së Partisë për problemin e Kosovë, mik i Zef Malës dhe dhëndërr i Metat Ciut. Pas kësaj vështrimet e të gjithëve u kryqëzuan mbi mua dhe i deleguari vazhdoi të lexonte akuzën ku thuhej: ambicioze, urren shoqet udhëheqëse, i përket borgjezisë, është e prekur për çështjen e xhaxhait, inaktive, influencohet prej Zef Malës. Pas kësaj po të njëtat akuza u thanë edhe për bashkëshortët Zana e Masar Shehu, ndonëse Zana ishte bij dëshmori dhe Masari komunist i hershëm, si dhe për Xhevo Shehun, e veja e Heroit të Popullit, Abaz Shehu", kujton Selfixheja atë kohë kur ajo me Xhemalin u përjashtuan nga Partia si elemnetë antiparti.


Internimi në Kurvelesh
Pas kësaj, më 17 janar të vitit 1947 Xhemalin dhe Selfixhenë i internuan në Gusmar të Kurveleshit ku ata punuan në punët më të rënda në bujqësi. Pas prishjes me Jugosllavët në 1949-ën, ata i kthyen përsëri në Tiranë. Pasi punoi disa kohë në Ministrinë e Arsimit, Selfixheja dha dorheqjen. Lidhur me këtë selfixheja dëshmon: "Që aty u largova vetë, pasi nuk mund të pranoja të m'i sakatosnin shkrimet e mija". Pas kësaj ajo qëndroi në shtëpi duke u marrë me shkrime dhe tekste këngësh, kurse Xhemali punoi në Komitetin e Arteve, Teatrin Popullor, Institutin e Lartë të Arteve etj. Në vitin 1966 Xhemalin dhe Selfixhenë i internuan përsëri për gjashtë vjet në Gradishtë të Lushnjes, duke i akuzuar për frymë dekadente në Art dhe Letërsi. Pas kësaj u ndalua dhe shfaqja e filmit "Detyrë e Posaçme", ku Xhemali kishte një nga rolet kryesore. Ata u rikthyen në Tiranë në vitin 1971 dhe në atë kohë Selfixheja u mbyll në shtëpi, kurse Xhemali pasi punoi disa kohë në Kinostudjo si administrator, u hoq që andej dhe u dërgua të punonte si punëtor në Fermën Bujqësore "Gjergj Dimitrov". Në atë kohë Xhemalit dhe Selfixhesë iu hoq edhe e drejta e botimit, pasi nga Lidhja e Shkrimtarëve ata ishin përjashtuar që në 1966-ën. Duke qenë të survejuar nga Sigurimi, ata u mbyllën në shtëpi ku Xhemali u muar me studime duke shkruar kujtimet dhe drama. Gjatë asaj kohe atyre iu larguan dhe të gjithë miqtë e afërt që kishin dhe në shtëpinë e tyre siç dëshmon Selfixheja, iu shkelnin vetëm Llazar Siliqi e Muntaz Shehu, të cilët ishin dhe të vetmit që morën pjesë edhe në varrimin e Xhemal Brojës, i cili vdiq në vitin 1976. Xhemali me Selfixhenë lanë dy vajza: Sashenkën (lindur në 1944) dhe Merin (në 1951). Tashmë në moshën 80-vjeçare, e lodhur dhe e drobitur nga peripecitë e jetës, Selfixhe Broja jeton me vajzën e saj Sashenkën, në shtëpinë e saj diku në fund të Rrugës së Barrikadave, me kujtimet e një kohe të shkuar që iu solli vetëm brenga e mundime të pafundme.



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Greetings - send greetings for Easter,  Passover
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list