Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Per Kadarene nga Tefik Caushi

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed Mar 20 22:16:11 EST 2002


PERSE GJITHE KY MLLEF KUNDER KADARESE?

PERSE GJITHE KY MLLEF KUNDER KADARESE?


1.


Ardhi si rrebesh ne nje dite te kthjellet debati rreth vjershes se Kadarese, qe thirret shkurt "Pashallaret e kuq". Po ndersa shiu e freskon atmosferen, debati e zjarrmoi ate tej mase. U gjenden "kritike" qe, pa e lexuar, e shtrine vjershen (ne fakt autorin e saj) ne tavolinen e operacionit dhe e bene "fertele". Kjo eshte puna e tyre, vec ne jemi kureshtare te dime se ku e kane gjetur ate guxim qytetar qe, pa pase lexuar tekstin e plote, te tjerrin ligjerata dashakeqe. Ta benin kete pune te mbrapshte disa qe, edhe pa njohur gati fare letersine e shkrimtarit, madje (kete e them me pergjegjesi te plote) pa lexuar librin "Zhdukja e "Pashallareve te kuq te Kadarese"", do te ishte e falshme, por ta bejne ca qe i kane ngjitur vetes titullin "studiues te letersise", "shkrimtar", eshte e pafalshme. Po te kishte nje "guiness", qe te "nderonte" ata kritike, qe marrin lapsin dhe anatemojne nje veper pa e pasur ne tavoline, keta zoterinj do te zinin bashin e vendit.


Veprime te tilla e kane jeten e gjate sa vesa e mengjesit. Nje syresh, gjate debatit televiziv ne studion e Klanit, tha me gazmim se Kadareja genjen, kur thote se ne vjershe behet fjale per varre... "e ku mund te shkruheshin ne ate kohe gjera te tilla". Kujtoi se e kishte zene autorin me presh ne duar. Tani qe "Gazeta Shqiptare" e dha te plote tekstin, thone se studiuesin e kane pare ne rruget e Tiranes me gisht ne goje. Kjo ndodhi edhe me aktorin Zerudin Dokle, (qe e pat lexuar vjershen), ne rrefimin e te cilit thuhej shprehimisht se, ne poeme s'behej fjale per varre. Dinen (Zerudinin) e kam pasur student, ai edhe ne mbledhje serioze te studenteve bente komiklleqe te pazararta. Dyshoj se edhe ne gazete ka bere humor. Sidoqofte kjo pak rendesi ka. Zerua le te sqarohet me Dritero Agollin per karkalecat, ndersa studiuesi mos e kete per turp qe rrije perkrah me nje komik. Kemi nevoje te qeshim.


Por komedia me e madhe u luajt (e po luhet) pas botimit te tekstit. Vetem dy gazeta te dates 16 mars te shfletosh, do te gjesh aq xhevahire, sa mund te organizosh nje ankand. Nje person (ne fakt eshte personalitet) thote se, "nga poezia nuk del ndonje gje, por eshte nje vleresim dhe konsiderate qe ai (Kadareja,-T.C.) i ben rolit te Enver Hoxhes". Kete e thote kryetari i Lidhjes se Shkrimtareve, i Lidhjes se sotme, te vitit 2002. Po si ta kuptojme qe, sipas kryetarit te vitit 1975, ajo "vjershe eshte kunderevolucionare dhe armiqesore", se "I. Kadareja e nxjerr diktaturen e proletariatit gjakatare", etj. 


Nje tjeter personalitet (personi me i eperm zyrtar i informacionit shqiptar), e cileson Kadarene si shkrimtar te diktatures, cka do te thote se te tille e portretizon ai edhe ne bote, permes internetit e teletajpeve te shtetit shqiptar.


Ndersa studiuesi qe foli pa lexuar vjershen, edhe tani pasi ajo u botua, shkruan se "poezia mbeshtet luften e Enver Hoxhes kunder komplotisteve", ne nje kohe kur vjersha nuk ka asnje germe nga ato qe perbejne fjalen "komplotiste". Megjithese ngasja eshte e madhe, nuk mund te mendohet qe as kete radhe nuk e ka lexuar vjershen. Nese kjo s'ka ndodhur me te, ka ndodhur me nje regjisor, vertet te talentuar, (qe fatkeqesisht nuk e pranon asnje kompani teatrore), i cili thote se "s'kishte deshire ta lexonte poezine deri ne fund", dhe revoltohet "pse duhet te merremi me nje poezi, te ciles s'ke fuqi t'i shkosh deri ne fund".


Cudia me e madhe eshte se disa nga ata qe marrin lapsin te shkruajne pas botimit te tekstit, nuk japin asnje shpjegim se c'qene gjithe ato bubullima ne vjeshten e 1975-es, perse u egersua Zeusi, perse rane gjithe ato kambana, perse shkrimtari u kritikua me nje gjuhe te atille, thua se ishin flete nga pretencat e gjyqeve te popullit, perse ai u dergua ne Myzeqe, perse, me ne fund, vjersha u shpall gati e paqene, emri i se ciles lipsej te zhdukej edhe nga kujtesa e bashkekohesve? Ata s'thone asnje fjale. Shurdheri. Cudi si nuk i vene veshin atyre qe thote e veja e udheheqesit. "Enveri, shkruan ajo, me ta lexuar kishte thene: "Kjo eshte e poshter, armiqesore", dhe kishte ngarkuar Ramizin t'ja thoshte autorit cope se, "kjo vjershe eshte armiqesore". Pergjigjuni zoterinj! Ju e lini ne heshtje pikerisht kete qe, tekefundit, perben kryefjalen e ceshtjes, dhe thoni se vjersha, sic shkruan nje analist i permasave ballkanike, eshte nje himn per diktatorin Hoxha, per Partine e Punes. Mos, valle, ju prisnit qe ne ate vjershe Kadareja te leshonte klithmen "Poshte diktatori", "Poshte diktatura e proletariatit"? Mos, valle, keni zbritur nga Marsi? Jo, te kesaj balte jeni, por ju ka kapur delli i mashtrimit. Ky, pikerisht, eshte manipulim i paskrupullt. Ju jeni iluzioniste, jeni aktore, qe luani dhe ate qe nuk e besoni vete. Mos u mundoni, te "Princi i vogel" nuk ka vende bosh.


Dy fjale per diskutimin e Dritero Agollit ne mbledhjen e organizates baze te partise, ku iu be gjyqi Kadarese. Kushdo qe e ka lexuar ate, do te kete ndier nje trishtim. Nje rrufe e tille nuk kishte rene ndonjehere nen catine e LSHA. Vec ceshtja eshte shume me komplekse. Eshte veshtire te ndash aty partishmerine nga zelli i tepruar, mllefin personal nga temperamenti i devolliut. Eshte si te hedhesh ne nje gote me uje nje kokrize permaganat dhe uji te marre ngjyren viole (ngjyre e nekrozes). Eshte e pamundur, pastaj, te vecosh kokrizen e ta llagarepsesh ujin.


Por kjo nuk eshte kryesorja. Kryesorja eshte dicka tjeter.


Ne reshtat e atij diskutimi eshte egersia qe vinte nga lart. Ne te lipsej te pasqyroheshin, madje te thelloheshin me tej, fjalet e Enver Hoxhes qe permendem me lart. Ata qe nuk i kane jetuar ato kohe, gjykojne tani, sic do te thoshte menkulari, si e ema e Zeqos maje thanes. Me fjale te tjera, kurrkush dhe asnjehere, cilido qofte ai, funksionar i larte apo i mesem, nuk mund te guxonte te shtonte, e aq me pak te pakesonte, as dhe nje presje nga ato qe thoshte diktatori. Trimat pas pilafit, le te bashkohen me karkalecet.


2.


Brinja ku goditet vjersha dhe Kadareja eshte, sipas disave, himnizimi qe i behet Enver Hoxhes. Ne kete poligon fokusohen te gjitha baterite. Kjo eshte e vertete. Kete pohim prisni ju, kalores te se vertetes? Por a mund te ishte ndryshe? Ka disa njerez qe ata, apo te paret e tyre, nuk kane ngritur as majen e gishtit te vogel kunder atij regjimi, e tani na mburen me letersine e sirtareve. Nxirrini fletorkat, ku i keni. Respekt te plote per ata qe kane vuajtur burgun, por nuk perjashtohet mundesia qe ndonje prej tyre te jete vetem korrje e planifikimit qe bente Sigurimi i Shtetit per arrestimet. Ashtu si nuk perjashtohet qe te kete nga ata, qe kane rene ne fatkeqesi, si rezultat i shkelmave te Hatllarit. Nderkaq duhet ditur se cdo veper e Kadarese, madje cdo hap ne jeten e tij, nuk ka qene me pak e rrezikuar dhe e dhimbshme sesa vitet e burgimit te tyre. Ai ka shkruar nen krifen e luanit. Procesi i tij letrar ka qene nje kalvar i vertete.


Po e le shkrimtarin te flase vete. Pyetjes qe i ben gazetari Babaramo lidhur me kete, ai i pergjigjet: "Dihet boterisht se ne regjime te tilla si ai i komunizmit, shkrimtari paguan nje tribut, nje takse, per te shkruar te verteten, sidomos per vepra qe ishin tejet delikate, te rrezikshme. Taksa qe paguhet te kjo poeme, eshte e vogel krahasuar me mesazhin e saj kryesor".


Kjo eshte me se e vertete. Disa vargje per Enver Hoxhen dhe klasen punetore jane me teper si ambalazh rutine, per psikologjine e lexueit te asaj kohe, ndersa berthama e uraniumit qendron gjetke, per te cilen do te flasim me poshte.


Nje analist politik i shquar, po qe dijenite e tij mbi letersine i mban te fshehura, shkruan: "Kulti i Enver Hoxhes ngrihet aq lart, sa ai nuk ka qene dakord me kete vjershe pikerisht per kete arsye". S'ka gje se kete e ka huazuar te shpjegimet e zonjes Hoxha, kjo eshte e drejta e tij. Por le te arsyetojme pak, sa i qendron se vertetes kjo. Ajo qe thuhet ne vjershe per Enver Hoxhen eshte shume me pak e rendesishme, sesa ajo qe thuhet per te ne vepren e po ketij autori "Dimri i vetmise se madhe". Te vjersha ai do te ndeshej me disa burokrate, ne Moske ai u perlesh me Hrushovin, me gjithe kampin socialist, dhe mori flamurin e luftes kunder revizionizmit modern. Si nuk u revoltua ai, nga kjo qe paske bere shkrimtari? Perkundrazi, ne vend te kesaj, e mbrojti ne Elbasan, kur shumekush donte ta varroste vepren dhe te godiste autorin. Si ra dakord qe ne vepren tjeter, "Koncert ne fund te dimrit", Enver Hoxha i hap lufte shtetit me te madh ne bote? Si harrojne analisti, zonja Hoxha e disa te tjere se per Enver Hoxhen u shkruan shume poema, kantata, libra, u xhiruan filma, per te mos kujtuar paradat e 1 Majit, malet me parulla, festivalet folklorike etj. etj. Alibia se kulti ishte shkaku qe u ndalua vjersha, eshte nje mashtrim i pashoqte. Ketu pikerisht qendron perpjekja per te manipuluar lexuesit. Megjithekete, le te supozojme per nje cast se ky ishte vertet shkaku qe u ndalua vjersha. Po te qe keshtu, kunderveprimi merrte fund, duke mos e botuar vjershen, c'duhej me tej gjithe ai termet?


Problemi i raportit shkrimtar-udheheqes ne vendet jo demokratike eshte shume me i komplikuar nga sa thjeshtesohet ne disa shkrime. Eshte nje problem qe vjen qe nga Mesjeta. Shkrimtari apo artisti ka nevoje per mbrojtjen e sundimtarit, po edhe sundimtari ka nevoje per perkrahjen e tyre. Sa per te dhene nje shembull nga jeta shqiptare, ne nje nga ekspozitat e para te arteve figurative, ne vitet e para pas Clirimit, ishte vizitor edhe Enver Hoxha. Aty ne salle ai pa se largu nje skulptor me emer, veprat e te cilit i dinte, edhe ndonje qe, sipas tij , stononte, i dinte dhe artikujt e tij per kulturen fashiste. Megjithekete, i foli: "Odhise, pa eja ketu". Paskali i shtrengoi doren udheheqesit qe dilte nga Lufta Antifashiste, dhe, vite me vone, beri bustin me te goditur te tij, qe zinte vend ne te gjitha presidiumet. I heq valle kjo, qofte dhe nje fije, krijimtarise se skulptorit te mrekullueshem?


Tek lexon deshmine e Nexhmije Hoxhes, duket se kete rol e ka marre tani ajo, duke marre ne mbrojtje Agollin, duke vene ne balance dy shkrimtaret tane, pa fshehur qellimin per te futur spica midis tyre. Nje sherbim i kote, qe nuk ia ka kerkuar njeri, madje ne nje kohe kur Dritero Agolli ia ka thene troc asaj dhe burrit te saj, se eshte i zhgenjyer ne besimin qe ka pasur ndaj Enver Hoxhes.


Kompleksiteti i merredhenieve te Kadarese me Enver Hoxhen ka qene edhe me i thelle, cka kerkon nje trajtese me vete per ta ftilluar. Gjithsesi, ai raport ka kaluar ne fije te perit, dhe i ngjet tamam atyre dy njerezve qe perqafohen, ose bejne sikur perqafohen, teksa mendjen e kane te armet e brezit. Shembulli i Petro Markos e i ndonje tjetri, tregon se Enver Hoxha nuk e kish te veshtire qe, aty t'i fuste ne burg, aty t'i nxirrte e t'u jepte cmime e dekorata.


3.


Si eshte e mundur qe ata, te cilet e kane marre fjalen ne shtyp, nuk kane thene asnje fjale se tehu i vjershes ishte kunder regjimit te Enver Hoxhes, se ajo ishte nje aktakuze aspak alegorike, aspak metaforike, por e drejtperdrejte ndaj krimeve te asaj kohe. Ajo cka e terboi diktatorin, eshte permendja e duarve te pergjakura. Po kush me teper se Enver Hoxha i kishte duart e pergjakura? Vjersha u shkrua ne tetor te 1975. Deri ne ate kohe ai kishte ngrene shume koka. Nuk po permendim gjyqin e deputeteve, te sabotatoreve te Maliqit, te atyre te Ambasades Sovjetike, etj, por edhe te bashkepunetoreve te tij te afert. Vetem kapitullin e ushtarakeve te kujtosh, eshte nje tragjedi rreqethese. Mos bejme histori. Keto i di gjithe populli. Nuk i dine vetem disa, ose bejne sikur i kane harruar.


Vjersha e Ismail Kadarese ishte si ajo bakllavaja qe i shtrohet dikujt, po qe nje nga thelat e saj ka brenda helmin. Kete tepsi i serviri Kadareja Enver Hoxhes. Ai e diktoi me nuhatje, jo me ta hante. Kete, zoterinj analiste, pse nuk e zini ne goje. Flisni edhe per kultin, po deshet, po mos harroni dhe duart e pergjakura deri ne berryle, qe te beheni me te besueshem.


Ketu, pra, qendron vlera dhe forca goditese e vjershes. Jo nje varg, por shpesh nje fjale e vetme bart gjithe mesazhin e vepres. Permendja e gjakut, ishte kapsulja qe vuri ne levizje gjithe artilerine kunder autorit.


4.


Disa nga ata qe morren fjalen, pasi e pane se sado te lene ne heshtje mesazhin e poemes, prape se prape nuk do te arrijne ta genjejne lexuesin, kerkuan ndihmen e nje mashtrimi tjeter, te "zbulojne", pse Kadareja kerkonte te dilte ne drite e verteta rreth historise se saj. Qe te fitonte statusin e disidentit, ngrene zerin ata. "Ismaili, shkruan njeri, ishte mire atje ku ishte, sesa tani qe kerkon disidencen". Ia pret tjetri: "Ne qofte se Kadareja nuk do te kishte kerkuar disidence,... askush nuk do ishte marre me te kaluaren e tij". Logjike te tille nuk perdorin as adoleshentet ne zenkat e tyre, ne oborrin e shkolles.


Eshte e pamoralshme dhe jashte etikes se nje debati serioz, te besh vete supozime, qe te vine per shtat, qe pastaj t'i rrezosh po vete, e te shpallesh qe kundershtarin e ke vene me shpatulla per muri. Nje taktike e tille vertet e ve ne pozita te papelqyeshme kundershtarin, por ne te njejten kohe tregon dobesine e ithtarit te saj, zbulon se ai nuk ka argumente te verteta. Ne asnje rast dhe asnjehere gjate ketij dhjetevjecari, ne asnje nga librat e tij memorialistike, ne asnje nga intervistat e librit "Zhdukja...", dhe ne asnje nga intervistat e diteve te fundit ne shtyp, Kadareja as nuk ka thene, as nuk ka aluduar se ka qene disident, me kete vjershe, apo me gjithe opusin e tij. Atehere, kunder kujt i keni ngritur baterite, zoterinj. Kesaj i thone te luftosh me mullinjt e eres. 


Nderkaq, te jesh a te mos jesh disident, nuk do te thote se ke fituar apo ke humbur nje vleresim suprem ne hierarkine e vlerave artistike. Prandaj, me te drejte, Kadareja shton, "mua nuk me duhet ky titull. Ne radhe te pare une jam shkrimtar. Nuk kam kerkuar dhe as nuk pranoj ne jete tjeter cilesim".


5.


Teza tjeter e ngritur ne fushaten kunder Kadarese, (edhe kjo ne logjiken e luftes me mullinjt e eres), ka te beje me deshiren e tij, qe te marre cmimin Nobel. Ja, ketu e ka tere hallin ai. Kesaj mund t'i veme dhe nje baze teorike, bie fjala: "Roli i shkrimtarit eshte t'i thote publikut te verteten dhe jo nje kulture qe kerkon suksesin, nje krijimtari qe kerkon komunikimin dhe jo nje krijimtari qe synon sukses jashte shtetit...", thote ai qe e heq veten si demiurg i nje kulture te re (!). Gati sa s'thote, e hengert dreqi, po pse shkruan, pse t'i botojne veprat neper bote.


Ismail Kadareja ka vite qe eshte kandidat per cmimin Nobel, fillimisht i propozuar nga Franca dhe vitet e fundit edhe nga autoritet shqiptare. Pse pikerisht tani u ngrit kjo furtune?


Te thuash se Kadareja aspiron ta marre ate cmim, nuk ka asgje te keqe dhe nuk ka kurrfare cudie. Cdo njeri qe aplikon per nje vend, e pergatit vete dosjen. Por kete "dosje" ai ia ka shpalosur me pare lexuesve shqiptare, popullit te vet, ne disa mijra faqe e ne disa qindra mije kopje, te botura e ribotuara. Ky, nuk quhet komunikim?


Vec kesaj, mendimi qe kane keta tipa se cmimi Nobel jepet edhe per konsiderata politike te rendomta, si ato qe jane paraqitur ne shtyp, eshte dhe nje fyerje per Akademine e nderuar qe e jep ate cmim. Nuk na mbetet vec te ngjallim Alfredin, e ta pyesim, a mund te jepet nje Nobel edhe per zejtarine e zevzekerise.


6.


Sipas teorise se muzikes pika kulmore pergatitet pas nje crescendo-je. Ndersa ne debatin e hapur, qellimi i vertete i disave u duk qe ne emisionin e pare televiziv. Aty nuk u fol vetem per librin e Velos, apo vetem per poemen "Pashallaret e kuq", po u vu ne shenjester gjithe krijimtaria e Kadarese. Dikush, per te njollosur nje veper si nacionalkomuniste, me sakte, per te njollosur autorin, do te kishte vene lupen ne syrin e djathte, do te kishte marre makinen llogaritese, dhe do te kishte gjetur sa faqe ka "Dimri" per Enver Hoxhen, duke e ditur ai vete shume mire se faqet mund te jene me shume a me pak, e rendesishme eshte cfare thuhet ne to.


Pernjemend, cfare thuhet atje?


Ne romanin "Dimri i vetmise se madhe" behet fjale per nje ngjarje e per nje periudhe te rendesishme te historise sone, ne gjysmen e dyte te shekullit te XX, qe ka te beje me shkeputjen e Shqiperise nga kampi socialist dhe nga Traktati i Varshaves. Vlera kryesore e vepres mund te permblidhet ne pak fjale: romani (madje se bashku me "Koncertin" e pakmevonshem) percillte deshiren e popullit shqiptar per t'u ndare me Lindjen dhe komunizmin.


Ceshtja, tani, shtrohet keshtu: ky veprim qe ndermori shteti shqiptar, sipas jush, ishte dicka e mire apo dicka e keqe. (Nuk po i drejtohem vetem atij qe e ngriti problemin e "Dimrit", as dhe atij qe s'i behet ta lexoje tani ate roman, madje jo vetem ate roman, por krejt Kadarene; u drejtohem gjithe atyre qe kane alergji nga "Dimri"). Ne qofte se ishte dicka e keqe, kjo do te thote se ju paski dashur te ishit nen sqetullen e perandorise sovjetike, do te thote se jeni nga ajo race, qe ato dite mblidhej koke me koke dhe me gaz e lot kendonte "Podmoskovnije vecera". Ne qofte se ishte dicka e mire, atehere, sic eshte e logjikshme, cdo pune e mire a e keqe qofte, e ka nje pergjegjes, per te cilin s'ka pse te heshtet, se do te ishte falsifikim i historise. E shoh qe keni ngritur doren, doni te flisni. Po flas une me pare: ... s'ka pse te heshtet, pavaresisht nga motivet, si dhe pse e ndermori ate veprim Enver Hoxha, kjo eshte tjeter ceshtje.


Po te ishte vetem me kaq, s'ka asgje per te vene alarmin. Por mllefi shkoi deri atje, saqe dikush tha se, duke hequr ndonje "Pallat", gjithe korpusi i Kadarese eshte letersi nacionalkomuniste, (terminologji kjo, se bashku me ate te "simulim-manipulit", e huazuar nga kritiket majtiste-komuniste europiane).


Nje tjeter, hibrid i profanizmit e nihilizmit, fshiu gjithe letersine e nje epoke, e cila, sipas tij, nuk ka pjelle simbole qe do t'i rezistojne kohes dhe historise, natyrisht duke mos perjashtuar as Kadarene.


Mund te mendohet se eshte vetem pune cmire. Edhe kjo nuk perjashtohet. Ka tipa qe ziline e kane ne vend te multivitaminave, pa menduar se kur merren me shumice, edhe ato bejne dem.


Jo. Qellimi i fushates antikadare eshte t'i heqe kombit nje nga pasurite me te cmuara te kultures shpirterore, cka do te thote te zhduke nga faqja e dheut jo vetem nje vjershe, jo vetem nje roman, jo vetem nje autor, por te gjitha ato qe quhen simbole te nje kombi. Kushedi sa here jane trandur eshtrat e Konices, duke kujtuar fjalet e tij se, e keqja e shqiptareve jane vete shqiptaret. Disa tipa do te ishin te gatshem te leshonin thirrjen "ne litar Kadareja", ne qofte se do te ishin te sigurt qe historia nuk do t'i linconte me pare ata.


7.


Atehere, perse gjithe ky mllef kunder Kadarese?


Sapo kaluan ditet e Dhjetorit, kur masat, krahas parullave "Liri-Demokraci", ngrinin lart dhe portretin e Kadarese, u shfaqen mjerane qe e etiketuan ne shtyp si shkrimtar te oborrit. Kaloi nje dhetevjecar dhe perseri nuk mungojne tituj te tille "Kadare, poet i Enverit", "Kadare, mik i diktatures". Ne kete hark kohor jane gjendur mashtrues, shpifologe e keqdashes qe jane perpjekur te hedhin balte mbi vepren e shkrimtarit me te madh e me te shquar te Shqiperise.


Po te na lejonte koha dhe vendi, vetem disa shembuj, qe sherbejne si gure kilometrike, (qe nga lloj-lloj shpifjesh e deri te libri i Nexhmije Hoxhes), do te tregonin se sulmet, mashtrimet, shpifjet ndaj tij, jo vetem kane qene te pamoralshme, jo vetem s'kane pasur te bejne fare me letersine, por shpesh kane lene te kuptohet se orkestrohen nga interesa politike.


Kjo eshte e kuptueshme, ai "e meriton" nje gje te tille.


Ismail Kadareja, jo vetem me vepren e tij, po me gjithe publicistiken e ketyre viteve ka dhene nje kontribut qe s'mund te mohohet ne demaskimin e regjimit komunist te djeshem. Vecanerisht vitet e fundit, ai ka qene mjaft i pranishem ne skenen politike shqiptare me artikujt dhe intervistat e tij.


Ai i eshte drejtuar popullit me fjalet me tronditese per ato qarqe qe kerkojne ta kthejne prapa vendin tone: ne Shqiperi ekziston rreziku i ringjalljes se stalinizmit. Stalinizmi mbetet armiku tradicional i kombit, i shtetit dhe i demokracise shqiptare, (maj 2000).


Ne mjaft deklarata te tjera, ai ka kritikuar haptazi politikanet e se majtes per disponimin e tyre politik: Klasa politike shqiptare qe eshte ne pushtet nuk mund te vazhdoje praktika te tilla dyfytyreshe: nga njera ane pergjerim i hapur per Europen e SHBA-ne, nga ana tjeter, nostalgji e fshehte per stalinizmin apo enverohoxhizmin, (shkurt 2001).


E majta ne pushtet, ka thene ai, ne qofte se nuk ndien ne ndergjegjen e saj asnje detyrim moral ndaj kesaj pjese te popullit shqiptar, kjo tregon se ndergjegjja e saj eshte e gjymtuar, (maj 2001).


Nga Radio "Zeri i Amerikes", ai ka thene se ne PS ka halabake, se ka nje krah stalinist qe nuk kujtohet se vjen nga nje trashegimi komuniste, (shkurt 2002).


I ka thene kater te vertetat ne sy kryetarit te Partise Socialiste, qe pretendon te zere kolltukun e presidentit, qe ben sikur nuk e di, se te gjitha kritikat qe ai ben sot (fushata e katharsisit), i ka bere opozita e djathte qyshkur, dhe eshte pikerisht kreu i socialisteve qe s'ka pranuar asgje, madje i ka sulmuar kritikuesit me fjalet me te egra, me retorike marksiste e carturi gjuhesore, te padegjuara ndonjehere ne kete truall, (nentor 2001).


Nje nga mendimet qe i ka prishur tej mase humorin shumekujt, eshte permendja e vitit 1997, per te cilin ai shkruan: Birbot e politikes keto dite po kujtojne, pa e fshehur nostalgjine, vitin e zi 1997, vitin kur i vune zjarrin shtetit shqiptar. Duan ta rikthejne prape fantazmen e atij viti. Lakojne dite e nate fjalen "parti", ashtu si ne kohen e diktatures, kur Shqiperia shtypej prej partise, (nentor 2001).


Ka dhene gjykime kritike per procesin zgjedhor, per manipulimet dhe gjithe superstrukturen zgjedhore. Ka kerkuar qe klasa qe eshte ne fuqi te shkarkoje nje ore e me pare KQZ (komisionin Nano), (shkurt 2001), ndersa ketij te sotmit i kujton manipulimet e zgjedhjeve te 24 qershorit dhe zonen e famshme 60, (nentor 2001).


Disa here me radhe, ka shprehur mendimin e argumentuar se e djathta duhet te vije ne pushtet.


Ka folur per hapjen e dosjeve dhe per spiunet e djeshem: Eshte e padurueshme, shkruan ai, qe letraret spiune te djeshem vazhdojne te shpifin prape per viktimat e tyre. I vetmi ndryshim eshte se ndersa dje denonconin me raporte te fshehta, tani shajne haptazi, (maj 2001).


Dhe ja tani, del nje liber me kater intervista te tij, ku vertet si subjekt sherben historia e nje poeme, por mesazhi ka nje rreze shume me te gjere,- domosdoshmerine historike qe Shqiperia te shplahet prej krimit komunist, sepse pa kete s'mund te kete kthjellim e emancipim te vertete te vendit.


Keto, e shume te tjera, nuk ia falin shkrimtarit, jo vetem pasardhesit e Raqit te "Dimrit", por qarqe brenda e jashte vendit, qe nuk duan qe Shqiperia te futet ne rruge te mbare, te pastrohet nga korrupsioni, trafiqet, kondrabanda, shkeljet e demokracise, etj.


(Ai dreq Ismail nuk le njeri pa gervelisur, se c'ka thene edhe per Prokurorin e Pergjithshem, e ka quajtur prokuror politik me fytyre yankee).


Debati rreth "Pashallareve te kuq" u zhvillua e po zhvillohet nen nje sac te nxehte te klimes politike shqiptare, per nje varg arsyesh qe dihen. Dihet, gjithashtu, se shoqeria eshte nje sistem gypash komunikues, ku ben pjese gjithcka, politika, ekonomia, kultura, madje dhe zgjedhja e nje presidenti. Nuk mund te mos beje pjese edhe "Ceshtja Kadare", (nuk eshte thjesht "ceshtja e pashallareve").


Tefik Caushi [EM1]



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Movies - coverage of the 74th Academy Awards®
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list