| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Intervista e RakipitAgron Alibali aalibali at yahoo.comTue Mar 19 18:19:36 EST 2002
Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Arben Rakipi, më 12 gusht 2001, ekskluzivisht për Gazeta Shqiptare, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj shumë njerëzve të veshur me pushtet për lidhje të tyre me trafiqet. Por, intervista, të cilën po e ribotojmë shkaktoi edhe polemika e debate të mëdha mes socialistëve, të cilat u thelluan edhe më tepër. Madje, deklaratat e shefit të akuzës, e "prishën imazhin" e këtij të fundit te kryeministri Meta, "beniamini" i të cilit ishte deri atë ditë. Reportazh, e riboton sot këtë intervistë, në prag të mocionit për Rakipin, duke menduar se megjithëse është përseritje, ka sërish vlera. Kam për detyrë të luftoj që deputeti të mos përdorë armën apo të manipulojë shtypin për të '' bërë presion institucioneve të shtetit. Që kandidati për ministër rendi të mos premtojë lirimin e kriminelit me marrjen e karriges apo qoftë dhe kryeministri të mos ndajë interesat politike me ato të vrasësve apo banditëve që trafikojnë drogën, pavarësisht lukseve që këta të fundit disponojnë. Kushdo tjetër zyrtar i lartë i administratës apo legjislativit shqiptar që nuk do të ndante gjë me sa më siper, pavaresisht emrit, do mirëpritej në keto poste". Eshtë Kryeprokurori i Republikës Arben Rakipi, i cili flet ekskluzivisht për "Gazeta Shqiptare". Cilat janë marrëdhëniet e tij me politikën shqiptare, kush janë njerëzit që nuk dëshirojnë që Prokuroria të bëjë punën e saj, cilat janë dosjet e pazbardhura ende dhe sa i vendosur është institucioni i Akuzës në Shqipëri të luftojë trafiqet e paligjshme. Në ç'përmasa ekzistojnë trafiqet ilegale dhe korrupsioni në Shqipëri dhe sa jane implikuar në këto afera njerëz të veshur me pushtet dhe funskionarë të shtetit shqiptar. Këto janë disa nga çështjet dhe pikat kyçe që Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi, ka vendosur sot t'u përgjigjet me detaje në dy faqet e Gazetës tonë. Dy javë më parë Prokuroria e Përgjithshme deklaroi zyrtarisht ngritjen e një strukture të rë për krimin e organizuar. Mund të na thoni zoti Rakipi përmasat reale të këtij krimi në Shqipëri dhe konceptin tuaj të luftës kundër tij? Krimi i organizuar nuk përbën më për realitetin shqiptar, një togfjalësh të sajuar nga gazeterët për tituj komercialë artikujsh, apo thjesht zhargon politikanësh për ta bërë më bashkëkohor e luksoz fjalorin e tyre. Ky fenomen, më qartë: aktiviteti i vazhdueshëm i përbashkët kriminal, i disa individëve te grupuar në organizata të së njëjtës karakteristikë, me bazë shoqërore, familjare apo krahinore të njëjtë, të cilët synojnë nëpërmjet të ardhurave të siguruara, forcimin e tyre ekonomik deri në atë shkallë sa të tentojë dominimin e jetës politike të vendit, zëvendësimin e shtetit nëpërmjet intimidimit, eliminimit apo uzurpimit të subjekteve që e përfaqësojnë atë, e tek e fundit shndërrimin e këtij vendi e të kësaj shoqërie në pjellë të kriminalitetit nderkombetar; duhet të përbëjë një shqetësim real, në radhë të parë për strukturat shteterore e politike të vendit, e më pas për një sërë organizmash a subjektesh shoqerore, përfshirë së pamohuari rolin, mediat e shkruara e ato vizive. Duke pranuar lindjen e këtij fenomeni me veçorite e tij, në Shqiperi, duhet të theksoj që dhe përvoja e parë e luftës ndaj tij, ka pasuar, me fillimin e disa çështjeve tashmë të njohura publikisht, ku janë goditur subjekte shqiptare e të huaj, të përfshira në trafiqe të ndryshme droge, qëniesh njerëzore, mjetesh motorike, armësh etj. Dhënia e kontributit të zyrës sonë në operacione të zhvilluara në nivel ndërkombetar e të rezultuara në çmontimin e disa organizatave kriminale që synonin kontrollin e trafikut të kokainës, ka ndihmuar veç fitimit të përvojës së sipërpermendur edhe në integrimin e kësaj strukture shtetërore siç është Prokuroria Shqiptare, në mekanizmat ndërkombëtare të luftës kundër trafiqeve të paligjshme në rajon edhe më gjerë. Ndonëse kjo punë e jona ka sherbyer në përmiresimin e imazhit politik të vendit, duhet thënë sërish që është veçse një përvojë e parë e për më tepër, e pa ndërthurur siç duhet me pjesën ekzekutive të shtetit shqiptar, roli i së cilës, duhet të ndihet shumë më teper, si i pazëvendësueshëm më agjensi të huaja zbatuese të ligjit, vepruese në vëndin tonë. Eshtë krejtësisht i gabuar e naiv, koncepti i relievuar në disa media dhe forume politike të caktuara, sipas të cilit krimi i organizuar luftohet e zhduket, me fushata dy apo tre vjeçare e aq më tepër më sulmë frontale e aksione pompoze. Përveç një propagande me bereqet të pakët, asgjë tjetër nuk sjell bërja e deklaratave të tilla. E rëndesishme është të rritet përkushtimi konkret i shtetit shqiptar në luftë kundër krimit të organizuar, të mos lihet pas dore teknikisht Policia Shqiptare, të pajiset ajo me mjetet dhe dijet e domosdoshme për realizimin e kesaj lufte, të përmiresohet përbërja njerëzore e këtyre organeve nëpërmjet përzgjedhjes së kujdesshme të punonjësve dhe ashpërsimit të masave disiplinuese e penale në rast abuzimesh në detyrë, sikurse të së njëjtës domosdoshmëri janë mbështetja politike e dyanshme e ndërgjegjësimi i metejshem i opinionit publik për rrezikun e këtij fenomeni. Ngritja e një strukture të rë në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme, më sakte e Drejtorise se Antikrimit të Organizuar, në përbërje të së cilës do jenë rreth 12 prokurorë dhe një numër dyfish oficerësh të policisë gjyqësore, bëhet në përpjekje për të organizuar sa me efektshmërisht punën tonë e rrjedhimisht synuar përmirësimin e rezultateve përkatëse. Kapërcimi në kohë në atë që çka më sipër solli ndarja ne grupe, e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, për hetimin dhe kontrollin e tog-çështjeve të caktura penale, (ndarje pune kjo e realizuar dy vjet më parë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ato më të mëdha të vendit), sikurse dhe miratimi i Ligjit për Prokurorinë, sollën domosdoshmërinë e ndryshimeve strukturore të konsistuara ne sa kemi deklaruar dhe publikisht. Duke patur parasysh faktin që jemi një vend i vogël e synuar eliminimin e qëndrimeve subjektive të padrejta, për shkak njohjeje, frike, korruptimi apo dhe mospërgatitjejes së duhur profesionale, sikurse duke ditur kompleksitetin dhe vështirësitë e çështjeve të krimit të organizuar, kemi vendosur ndjekjen dhe hetimin e tyre, nga një zyrë qëndrore e më kompetenca nacionale, siç do të jetë Drejtoria e Antikrimit te Organizuar e nga një grup prokurorësh, pra jo nga një prokuror i vetëm. Prej kohesh, presim përzgjedhjen që Ministria e Rendit Publik duhet t'u bëjë oficerëve të policisë gjyqësore që do punojnë në këtë drejtori. Zoti Rakipi, çeshtja "Koçiu" serish po ze faqe te disa mediave te shkruara. Si e komentoni ju këtë rikthim te intervistave tashme nga burgu dhe a mendoni se ka persona te tjere, koka e te cileve qendron me larte ne hierarkine e ketij grupi se ajo e vete Kociut? Çështja Kociu është ëndë në fazën e hetimit të saj dhe përveç mbledhjes së mëtejshme të provave për subjektet e akuzuara deri tani, synojmë të zbulojmë edhe më të parendesishmen lidhje për qellimet e njohura tashmë kriminale që kanë patur Koçiu, Durda, Bërballa etj. Riaktivizimi tendencioz i një pjese të medias së shkruar bëhet sipas meje nga të njëjtet persona që vonuan arrestimin e Koçiut, me qëllim denigrimin tim moral nëpërmjet intervistave shpifarake e qëllimkeqe. Kam refuzuar protestimin publik atëherë për arsye dhe parime që më dukeshin shumë të larta për t'u konsumuar nëpërmjet replikash shtypi me kriminele apo kodoshe të tyre, por nuk mund të lejoj më tej që pushtetarë mediash të prodhojnë baltë, sa herë ua kërkon fushata për karrige. Pra ju besoni, zoti Rakipi, se rikthimi i papritur i Koçiut në disa media ka lidhje me betejën brenda PS për zgjedhjen e Kryeministrit të ri? Mendoj që të interesuar për këtë rikthim janë ata që nuk dëshirojnë të punojë Prokuroria Shqiptare e që kërkojnë të pengojnë bërjen e Drejtesisë në këtë vend. Nuk kam arsye të besoj ndryshe, sepse kam dëshiruar gjithmonë të qëndroj larg e të mos shpreh interes për emrin e atij që do bëhet kryeqeveritari i ri i vendit. Por sikurse shumica e individëve të shoqërisë sonë, dëshiroj dhe e kam për detyrë të luftoj që deputeti të mos përdore armën apo të manipulojë shtypin për t'i bërë presion institucioneve të shtetit. Që kandidati për ministër rëndi të mos premtojë lirimin e kriminelit me marrjen e karriges apo qoftë dhe kryeministri të mos ndajë interesat politike me ato te vrasësve apo banditëve që trafikojnë drogën pavarësisht lukseve që këta të fundit disponojnë. Kushdo tjetër zyrtar i lartë i administratës apo legjislativit shqiptar që nuk do të ndante gjë me sa më sipër, pavarësisht emrit, do mirepritej në këto poste. Para pak javësh një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit, e ka renditur Shqipërinë ndër 23 vëndet që mbajnë rekord ne trafikun njerëzor. Sa përgjegjes ndihet organi i akuzës pas këtij vlerësimi jo shume pozitiv që vjen nga SH.B.A? "Shqipëria ka një sërë veçorish dhe rrethanash të karakterit gjeografik, ekonomik, politik dhe shoqëror që e kushtëzojnë të përbëjë ende një vend ku buron apo tranziton e ndonjëherë destinohet trafiku i paligjshëm i qënieve njerëzore. Ndonëse shumë hërë ky trafik është i ndërthurur, në kuptimin e individëve që i realizojnë, me trafiqet e tjera të paligjshme përfshirë drogën, armët etj, në vetvete bart një element tejet të ndjeshëm shoqëror dhe të jashtë-kohshëm siç është skllavërimi i qënieve njerëzore, element ky që e veçon për nga intolerimi shtetëror e shoqëror që duhet ta pasojë. I ndarë në trafik të prostitutave dhe atë të klandestinëve, mendoj që përveç luftës me efikasitet dhe me përgjegjshmëri që duhet bërë nga ana e institucioneve shqiptare dhe atyre homolege fqinje në radhë të parë, duhet domosdoshmërisht të arrihet përmirësimi i ndjëshem i raporteve ekzistuese shoqërore në Shqipëri, niveli ekonomik i vendit si dhe të synohet kthimi në dinjitet i pasaportës shqiptare jo vetëm në kuptimin letër të fjalës. Si të thuash, ky proces involvon jo vetëm insitucionet garantuese të ligjit në Shqiperi, por një sërë mekanizmash të tjerë shtetërore dhe shoqërore, subjekte politike dhe fetare, sikurse kërkon një diplomaci më agresive nga ana e institucionit përkatës shtetëror. Përgjegjësia e Shqipërisë, shtetërisht të paktën, është e njëjtë gjithsësi me përgjëgjesinë që shtetet fqinjë kanë me në, pasi si të thuash, prej këtyre dhe për tek to, lëviz ky trafik njerëzish, jo rrallë-herë bile, në të dy kahet. Realizimi i sa me sipër ndodh fizikisht nepërmjet territoreve të shteteve që rrethojnë Shqipërinë dhe mendoj që apeli për bashkëpunim ndërmjet organeve përkatëse homologe do të ishte me vend të ritheksohej. Mëqenëse pjesa më e ndjeshme është trafiku i prostitutave, më lejoni të kujtoj që realiteti i këtij fenomeni përsa i përket kufinjëve të Shqipërisë, është krejt pozitiv, të paktën krahasuar më vendet përreth. Ushtrimi i prostitucionit si vepër e dënueshme penalisht në Shqiperi, mbetet krejtësisht jo siperfaqësor dhe i reduktuar në nivele primitive, ndryshe nga ç'ndodh në vendet fqinje si Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Greqia e Italia, ku përmasat e këtij fenomeni janë tejet të mëdha. Ajo çka vlen për t'u shqetësuar është që, individë kriminalë shqiptarë të organizuar ndërmjet tyre shfrytëzojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për qëllime prostitucioni, vajza shqiptare dhe jo të kombësisë sonë. Duke qenë së mbeten njëlloj të përgjegjshëm para ligjit shqiptar, pavarsisht kryerjes së kësaj vepre jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe veçanerisht për të reaguar ashpër ndaj absurdit të skllavërimit të njerëzve në këtë shekull, Prokuroria Shqiptare ka kërkuar dhe ofruar bashkëpunimin e menjëhershëm më homologë të saj, veçanerisht në Itali e Belgjikë, duke filluar çeshtjen penale dhe arrestuar të dyshuar për kryerjen e këtyre veprave, si rrjedhojë e transferimit të provave nga autoritetet e sipërpërmendura. Mbi bazën e kallzimit të viktimave dhe plotësimit të hetimeve në bashkëpunim me homologë tanë kemi, jo vetem, izoluar fizikisht me vendim gjykate shfrytëzuesit e tyre, por kemi sekuestruar llogaritë bankare e të ardhurat nga krimi. Me ristrukturimin e përmendur në përgjigjem time të parë, sikurse dhe me riorganizimin e policisë gjyqësore në bazë të ligjit të ri përkatës, megjithëse që para një viti në drejtim të kësaj të fundit është bërë pak veçanerisht përsa i përket policisë financiare gjyqësore, shpresoj që të rritet rezultati në procedimin e çështjeve që kanë të bëjnë më trafikun e qënieve njerëzore dhe në goditjen e elementit kriminal subjekt i këtij krimi. Prokuroria flet për një dosje "Hajdari 2". Ju mendoni se do të ketë emra të tjerë të implikuar me këtë vrasje apo provat e mbledhura deri tani, do t'u bashkangjiten të pandehurve tashmë të njohur? Mendoj që çështja Hajdari do të përbëjë një sukses të Prokurorisë në gjykimin e saj dhe ndeshkimin e fajtorëve, sikurse jam i bindur që në përfundim të këtij proçesi deri më tani të mirëvazhdueshëm, do të dalë edhe motivi i vërtete i vrasjes së deputetit Hajdari. Kontrolli i Shtetit ka deklaruar abuzime të mëdha sidomos në tendera nga ana e ministrive dhe strukturave të pushtetit lokal. Kur mendoni se funksionarët e implikuar do t'i nënshtrohen hetimit nga ana e institucionit që ju drejtoni? Jo gjithmonë shkeljet e vëna re në raportet e Kontrollit të Shtetit përbëjnë vepër penale, e në ato raste (deri me tani kanë qenë fare të pakta), kur kanë rezultuar të tilla, Prokuroria nuk ka hezituar të fillojë proçedimin. Duke vërejtur sensin kritik të pyetjeve tuaja garantoj që paanshmëria dhe përkushtimi në respektimin e ligjit, përbëjnë parime të cilat jemi përpjekur t'i respektojmë gjithnje në punën tonë, duke mos njohur kompromisin me cilindo zyrtar të lartë të administratës apo të pushtetit lokal që mbart në vetvete apo në të tjerë rreth vetes, me ndërgjegje, krimin. Gjithandej flitet për kontrabandë e korrupsion në të gjitha nivelet. Ju mendoni se ky opinion i krijuar këto vite në Shqipëri është i ekzagjeruar apo ekziston realisht në përmasa të tilla? Po e nis përgjigjen e kësaj pyetje duke shprehur që janë disa, çështjet e kontrabandës të ndjekura e të proceduara me sukses nga Prokuroria Shqiptare dhe është kjo punë e Prokurorisë që ka mbajtur me lajme faqe të tëra të gazetave, duke përfshire sidomos atë ku kontribuoni ju. Modestisht më lejoni të them që ndryshimi pozitiv i tablosë së kontrabandës duke përdorur termin me të cilin më pyesni ju (dhe kjo faktohet në të gjitha rezultatet dhe shifrat dhe të ardhurat doganore të kohëve të fundit, pavarësisht konstantes së vëllim-çdoganimit), ka ardhur dhe si pasojë e procedimeve penale dhe e goditjeve që Shteti nëpërmjet Zyres së Prokurorisë u ka bërë subjekteve të ketij krimi" Zoti Rakipi, cilat janë sipas jush përmasat reale të trafikut të armeve që këto kohët e fundit kanë përfshire së tepërmi territorin shqiptar? Trafiku i armëve në Shqipëri është i lidhur ngushtë me ngjarjet e vitit 1997 dhe plaçkitjen e depove të Ushtrisë Shqiptare në Mars-Prill të atij viti. Kryesisht ky trafik ka patur një kah, atë drejt kufirit tonë verior me Kosovën dhe ka qenë i organizuar në mënyrë të rregullt. Me forcimin e shtetit, ky fenomen është reduktuar në ekstrem dhe përveç disa episodeve shqetësuese, të njohura publikisht një pjese, mendoj që kurba e tij ka një rënie të ndjeshme e në krahasim me trafiqet e tjera ilegale, zë vendin e fundit. Për të çuar më tej çka përmenda më siper si shqetesim, doja të thoja që përdorimi në disa ngjarje të rënda kriminale i armëve të kushtueshme të prodhimit perëndimor sikurse dhe sekuestrimi në Portin e Durrësit mëse një herë të sasive të konsiderueshme armesh, përben drejtimin tjetër të këtij trafiku atë që synon Shqipërinë si destinacion apo si tranzit. Kushtueshmëria e këtyre armëve është një tregues i forcës ekonomike të grupeve të ndryshme kriminale në vend dhe i ashpërsisë me të cilën këto grupe synojnë realizimin e qëllimeve të tyre. Në sirtarët e institucionit tuaj janë një sërë dosjesh të rënda që nisen me bujë, por që sot kanë mbetur ende pezull. Për shembull dosja "Erieta", "Kleanthi Koçi", "Krasniqi" apo "prifti spanjoll". A do të kenë fatin të zbardhen ndonjehërë këto dosje? Dhe nëse jo, kujt i mbetet përgjegjesia në këtë rast? Në asnjë vend të botës nuk ka një zbulueshmëri 100 përqind të krimit dhe kjo, të paktën për ato vende të zhvilluara jo për faj të mangësisë në punën e organeve përkatëse sesa për meritë të profesionalizmit kriminal me të cilin individë të caktuar kryejnë krimin. Në rastin e dosjes "Erieta" apo atë të "priftit spanjoll", siç e quani ju, pa dyshim kemi të bëjmë me kriminelë që njohin mirë zanatin e tyre. Megjithatë ne do të përpiqemi në maksimum për arritjen e rezultateve edhe në çështjet që ju përmendet duke dëshiruar që pergjegjësine ta mbajnë ata njerëz që kanë kryer krimin. Ministria e Rendit Publik ka shfaqur herë pas here pakënaqësi ndaj institucionit të Prokurorisë për shumë raste si ngjarja e Tropojës, ngjarja e Sukthit e disa të tjera. Ç'mund të thoni për këtë, le ta quajmë, konflikt? Nuk besoj që shtypi do të arrijë të rregullojë marrëdheniet apo të shërbejë si mjet i mundësimit të tyre ndërmjet institucioneve të shtetit. Aq me tepër vlen kjo në rastin e marrëdhënieve të Prokurorisë Shqiptare me Ministrinë e Rendit Publik, si dy Zyrat kryesore që garantojnë rendin dhe ligjin në vend. Mendoj që raporti ndërmjet nesh duhet të jetë thjesht dhe vetëm institucional dhe çdo nevojë për përmiresim të lindë dhe të realizohet reciprokisht në bazë të ligjit. Në të shkuaren, të paktën sa përvojë kam unë, ka pasur gjithnjë mangesira puna e përbashkët dhe mendoj që faktor kryesor në këtë mangësi ka qenë mungesa e besimit të përbashkët e në disa raste fatkeqësisht, mungesa e dëshirës për të besuar njëri-tjetrin. Roli i Ekzekutivit, veçanerisht roli që mund të luajë, Ministri i Rendit Publik e aq me tepër Kryeministri i vendit, mbetet përcaktues në mbarëvajtjen e punës se institucionit që unë drejtoj. Uroj që politikisht Qeveria e re që do të dekretohet së shpejti, të ketë seriozisht vullnetin e bashkëpunimit dhe përkushtimin me prioritet në luftën e ndërmarrë tashmë ndaj krimit të organizuar. Eshtë deklaruar tashmë dhe jo vetem nga opozita se në zgjedhjet e fundit parlamentare janë kryer vepra penale, si fallsifikime, shkelje të rregullave të fushatës, vjedhje votash, rryshfete apo blerje votash. A mendoni se autoret e ketyre veprave penale do të përfundojnë përpara Drejtësisë? Përpjekjeve për të manipuluar, sabotuar apo thjesht penguar procesin elektoral nga cilido individ i interesuar pavarësisht përkatësisë së tij politike, Prokuroria Shqiptare i është kundërvënë menjëhere me synimin e vetëm për të ruajtur seriozitetin e shtetit dhe garantuar për aq sa varet nga ne, drejtësinë e këtij procesi. Jo rrallë, zoti Rakipi, institucioni juaj është etiketuar si "Prokurori politike". Ju besoni vërtet se në asnjë rast nuk keni vepruar si e tillë? Nuk besoj të ketë institucion shtetëror që të mos jetë etiketuar si politik apo i politizuar nga subjekte të ndryshme që kanë lidhur jetën e tyre më politikën në Shqipëri e që në menyre të përgjegjshme ose jo, deklarojnë çfaredo që u lejon imuniteti parlamentar apo përkrahja e turmave. E veçanta në Zyrën që drejtoj unë, më lejoni ta konsideroj këtë një faktor pozitiv, është që sulme të tilla kanë ardhur nga të dy krahët ekstreme të politikës shqiptare, duke përbëre kështu garancinë më të mirë të paanësisë sonë. Nëse shfletoni mediat partiake të viteve të fundit, do vëreni ngjashmëri artikujsh për sa pyesni, pavarësisht ngjyrës së partive që i administrojnë keto media. Sidoqoftë garantoj lexuesin tuaj që koha kur prokurorët shqiptare të veshur me uniformë urdhëroheshin për të proceduar penalisht kundërshtarët politikë, sikurse e atyre që kthenin proceset dhe detyrën në tendera për të liruar kriminelin më pagues, ka përfunduar. Duke synuar, në radhe të parë profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj ligjit, një sërë reformash janë ndërmarrë në Prokurorinë Shqiptare, duke rritur efektshmërinë e punës së kësaj Zyre, zhveshur atë nga influencat politike, apo ekonomike dhe duke rritur nivelin profesional dhe objektivitetin e kësaj pune. Përzgjedhja e kujdesshme e elementëve që janë punësuar në Prokurori, largimi nga detyra i të paaftëve dhe të korruptuarve, ndjekja penale ndaj disa prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore që kanë abuzuar me detyrën, përben kusht tjetër të objektivitetit dhe mosinfluencimit politik apo ekonomik të punës sonë. --------------------------------- Do You Yahoo!? Yahoo! Sports - live college hoops coverage -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |