Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Zeri i Popullit - 18 mars 2002

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Mon Mar 18 21:09:02 EST 2002


Nano: Njerëz, jini vigjilentë 
Nga Fatos Nano

 

Sot po pretendohet të merret në analizë një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit të së drejtës - prokuroria si organ i pavarur kushtetues i akuzës. Të gjitha insinuatat apo sulmet mbi emrin e përveçëm të Kryeprokurorit janë përpjekje e qartë për të vënë institucionin e akuzës nën presionin dhe kontrollin e drejtpërdrejtë të strukturave apo aleancave amorale e ilegjitime politike. Ky nuk është një moment i vështire për Arben Rakipin, por për institucionet e shtetit që maxhoranca progresiste e zgjedhësve shqiptarë i sanksionoi në Kushtetutën e miratuar më 28 Nentor 1998 si të pavarura. Eshtë detyrë e ligjvenesve si përfaqësues legjitimë të vullnetit të zgjedhesve të përmiresojnë punën e institucioneve të shtetit, veçanërisht e maxhorancave. Por është më shumë se e pamoralshme që në kohën kur organi i akuzës kërkon të vendosë në peshoren e drejtësisë veprimet apo mosveprimet e përfaqësuesve të politikes në qeverisje, politika të kërkojë nëpërmjet aleancash në emër të interesit dhe jo të parimeve kushtetuese bllokimin e realizimit të këtij detyrimi kushtetues dhe ligjor, duke ndërtuar mocione të stisura mbi akuza e shpifje politike.

Opozita e vjetër, pasi dështoi në përpjekjet e saj për të deligjitimuar Kuvendin e Shqipërisë dhe maxhorancën legjitime të dalë nga zgjedhjet e 24 qershorit, ka vendosur të shkatërroje instituciunet e pavarura të shtetit, duke shpresuar dhe në aleanca të errëta që ruajnë gjithnjë si objektiv final: deligjitimimin e maxhorancës qeverisëse.

Zoti Berisha dhe partia që ai përfaqëson në mënyre konstante kanë bojkotuar organin e prokurorisë që prej 12 shtatorit 1998, duke mos bashkëpunuar për asnjë çast për të hedhur dritë mbi "dosjen" Hajdari dhe tentativën e grushtit të shtetit me 14 shtator. Zoti Berisha dhe maxhoranca e tij e vjetër, nëpërmjet amnistisë së vitit ’97, ndërsa po dorëzonin mandatin e vjedhur në mënyre skandaloze me 26 maj ’96, u hoqën mundesinë organeve të shtetit të së drejtës të hetojnë dhe vënë para përgjegjesisë ligjore të gjithë ata që shpikën dhe mbrojten politikisht piramidat për t’i grabitur shtetasve shqiptarë mbi 1 miliard dollarë, për ata që u dhunuan zgjedhesve të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë, për ata që dogjen zyrat dhe dokumentat e shtetit me motiv te vetem zhdukjen e çdo gjurme të vjedhjeve, shpërdorimeve e abuzimeve që kishin kryer gjatë regjimit te Berishës, për ata që trafikonin naftë dhe armë për regjimin kriminal dhe antishqiptar të Millosheviçit, për ata që u vinin gjoba sipërmarrësve privatë në emër të financimit te fushatave elektorale të PD-së, për të gjithë ata që duke përdorur institucionet e shtetit përgjonin, persekutonin dhe burgosnin përfaqësuesit legjitimë të opozitës së atëhereshme, për ata që dhunonin e dënonin gazetarët dhe digjnin selite e shtypit të lirë, për ata që nxirrnin me dhunë policore nga zyrat e shtetit titullarë me imunitet kushtetues, për të gjithë ata që hapën depot e armëve për të fshehur shpërndarjen e tyre me listë për militantët e PD-së, për të gjithë ata që pajisën me pasaporta diplomatike mijëra kriminelë, të cilet vazhdojnë të ushtrojnë dhunë, krime dhe trafiqe në shtetet perëndimore.

Z. Berisha, për të shpëtuar të gjithë njerëzit e tij të inkriminuar gjatë regjimit të tij nga ndëshkimi ligjor, iku nga pushteti duke aplikuar teorinë e tokës së djegur, duke shkaktuar viktima edhe mijëra jetë njerëzish. Ne socialistet e shfrytëzuam amnistinë e Berishës, për të krijuar kushtet e nevojshme të Pajtimit Kombëtar, por nuk fshimë nga memorja asnjë nga veprimet e papërgjegjshme, antidemokratike, antikombëtare dhe antikushtetuese të rregjimit të zotit Berisha.

Ne u investuam në pajtimin kombëtar për të ndërtuar edhe në Shqipëri institucione të konsoliduara që shtetin e së drejtës e vënë në shërbim të interesave legjitime te qytetareve dhe jo të orekseve apo interesave legjitime të përfaqësuesve politikë, të cilesdo ngjyre qofshin.

Deri para pak javësh Sali Berisha lëshonte vetëtima dhe tentonte t’i siguronte shqiptarët se dispononte dokumenta dhe dosje të plota që vertetonin abuzimet skandaloze që kanë ndodhur në Korporatën Energjetike Shqiptare, ndërsa papritur i del në mbrojtje ish drejtuesve të KESH, akuzon Kryeministrin aktual dhe kërkon të shkarkohet Kryeprokurori, pikërisht në momentin kur organi i akuzës po dorëzon në gjykatë dosjet që kërkojnë vertetim ligjor të shpërdorimeve dhe abuzimeve. për çështjen e abuzimeve në KESH dhe të mënyres së tenderimit të energjisë, z. Berisha propozoi në Kuvendin Kombëtar të Partisë së tij të kishte një bashkëpunim mes maxhorancës dhe opozitës. por ai nuk mund të pranojë që institucionet e pavarura të shtetit që japin drejtësi të funksionojnë jashtë tutelës së tij politike, ndaj dhe po kërkon të ndërpresë apo bllokoje veprimet ligjore të Prokurorisë për t’i ripërdorur akuzat për shpërdorime e abuzime në gjyqë spekulative politike kunder maxhorancës. Berisha, pasi u largua nga pushteti për shkak se nuk arriti asnjëhere të pastrojë mjedisin e vet politik nga korrupsioni, krimi, kontrabanda, abuzimi, dhuna etj, u ndie i papunë dhe jashtë loje gjatë gjithë lëvizjes sonë për qeverisje të mire. Ai dhe disa prej mëkatareve të tjerë mendojnë e shpresojnë që ky proces të ndërpritet brutalisht duke goditur Prokurorinë e shtetit, por gabohen rëndë. Sipas logjikes së skenarit tashmë shumë të dukshëm të Berishës dhe mëkatareve të tjerë të pushtetit, çdo institucion që do të guxojë të publikoje, hetojë apo kontrollojë të gjitha aferat dhe shpërdorimet, do te bllokohet nëpërmjet një maxhorance ilegjitime mëkataresh kuq e blu. Ky skenar nuk kursen as qeverine aktuale të Aleancës për Shtetin.

Mocioni i Berishës për shkarkimin politik të Prokurorit të Përgjithshëm është i barabartë me mocion mosbesimi ndaj Kushtetutes shqiptare, parimeve dhe institucioneve demokratike që burojnë prej saj. Në këtë votbesim ndaj pluralizmit dhe stabilitetit te demokracisë shqiptare, kanë deklaruar se do të bashkohen edhe disa përfaqësues të maxhorancës. partia Socialiste dhe zgjedhesit tanë në maxhorancë legjitime nuk janë vjehrra që duhet t’u mbahet inat për të gjitha abuzimet, vjedhjet, shpërdorimet, trafiqet dhe gjithshka tjetër ilegjitime që po hetohet nga institucionet kushtetuese të shtetit. ndërsa "mullixhiu" Berisha me të cilin këta mëkatarë ndaj besimit dhe investimit te zgjedhësve tanë kanë vendosur të flenë këtë rralle, i ka dhënë të gjitha provat se "bluan" çdo farë që ka premisa të mbjellë edhe në Shqipëri standarte, parime dhe institucione demokratike euroatlantike. Ftoj te gjithë ata që ndjehen mëkatarë të pushtetit duke pritur rradhen të verifikohen nga organet e pavarura të drejtësisë, të mos e përqasojnë voten e tyre përfaqësuese dhe aspak private me shkopinjtë e gomës të policëve të Berishës dheAgim Shehut tek ndërtonin varësinë politike të institucioneve të drejtësisë për të goditur demokracine dhe shqiptarët.

Alarmi që ndjejnë dhe sulmi që disa prej përfaqësuesve tanë po ndërmarrin ndaj institucionit shtetëror të akuzës, vjen menjëherë pas fillimit të hetimit ligjor për një sërë trafiqesh, abuzimesh, shpërdorimesh që kanë shqetësuar opinionin publik dhe që sollën ato ndryshime të domosdoshme në qeveri. Unë dua t’i siguroj të gjithë ata përfaqësues të maxhorancës që bëjnë gjumë të shqetësuar për shkak të mëkateve gjatë ushtrimit te mandatit se shteti i së drejtes dhe jo aleanca me Berishën, do t’u krijojë të gjitha kushtet për një proces ligjor, transparent dhe te paanshëm mbrojtje, hetimi dhe gjykimi. Askush të mos mendoje se procesi "me duar të pastra", për shkak të aleancave me Berishën mund te përfundoje në bllokim me duar të lidhura. Zgjedhesit tanë kanë të drejtë kushtetuese të dijnë se si janë përdorur taksat që paguajnë, si është administruar pushteti nga qeveria që kanë pranuar t’i qeverisë, si menaxhohen pronat dhe financat publike, si është ndërtuar administrata civile, etj. dhe maxhoranca që unë drejtoj do te vazhdojë ta realizoje këtë transparencë në bashkëpunim me institucionet e shtetit ligjor.

Që sistemi i drejtësisë ka ende probleme dhe nevojë për përmiresime, kjo është evidente. Por asnjë zgjidhje nuk vjen nëpërmjet goditjesh politike kundër emrave të përveçëm, por me respektim të plotë të kuadrit kushtetues dhe të procedurave ligjore dhe me ekipe realizuese profesionistësh të ligjit dhe jo te politikes së vjetër. Përpara se të kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit, ne duhet t’i japim organit të akuzës një kuadër me të mire ligjor, i cili plotëson vakumet e verejtura gjatë funksionimit të tij dhe që i përgjigjet më mirë nevojës për të forcuar ndëshkimin ligjor ndaj veprave të reja të krimit, që favorizojnë trafiqet dhe krimin e organizua. Nëse organi i akuzës dhe gjykatat nuk arritën të marrin dëshmite e zotit Berisha për vrasjen e deputetit Azem Hajdari dhe grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998, ky përbën një precedent për të përmiresuar bazën ligjore mbi të cilin funksionojnë këto organe. Procedura me të cilen po kërkon opozita të shkarkojë Prokurorin e Përgjithshëm është antikushtetuese dhe antidemokratike. Kjo procedure nuk është gjë tjetër veçse një gjyq politik me pasoja shumë të rënda për të sotmen dhe të ardhmen e institucioneve kushtetuese të shtetit shqiptar, për konsolidimin e demokracisë dhe për integrimin tonë euroatlantik. Këtë definicion po e përsërit Fatos Nano, një njeri që ka pasur kurajon të përballet me akuza, akuzues dhe gjykues të komanduar nga politika dhe të ndajë padrejtesisht qelite e burgut me kriminelë të ndëshkuar nga institucionet dhe ligji. Për asnjë çast nuk kam kërkuar që burgu im të kompensohet me burgun e të tjerëve. Una kam përballuar burgun e Berishës për të gjithe ata socialiste dhe progresistë që të ardhmen e Shqipërisë e shihnin në Evropë, që kërkonin institucione të forta e të pavarura, që zhvillimin nuk e gjenin tek piramidat mashtruese, që nuk pranonin të bëheshin flirte e kontrabandë nafte e armësh me rregjimin e Millosheviçit. Si ish i burgosur politik qo ju bëj thirrje të mbrojme institucionet e shtetit të së drejtes, Kushtetutën e Republikes së Shqipërisë dhe të mos lejojmë që vendi ynë të kthehet në trafiqesh politike ku rrëzimi dhe shkatërrimi i institucioneve të shtetit të së drejtes zëvëndësojnë përmiresimin dhe konsolidimin e autoritetit të ligjit.

Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për t’u mbrojtue e verifikuar para organeve e institucioneve të specializuara të shtetit të së drejtës, ndërsa Berisha me mentalitetin dhe përvojen e tij të vjetër, po kërkon të shkatërrojë me demagogji një institucion Kushtetues, pa asnjë hetim dhe mbrojtje proceduriale që na detyron Kushtetuta.

Nese kunder Prokurorit të Përgjithshem krijohet një maxhorancë ilegjitime, me cilesinë e Kryetarit të votuar të Partisë së shumicës parlamentare unë do të vazhdoj të kryej të gjitha detyrimet e mia politike e kushtetuese për të denoncuar dhe bllokuar këtë maxhorancë mëkatarësh dhe për të realizuar sa më pare mundesinë e rikonfirmimit te maxhorancës legjitime që unë drejtoj. Ata përfaqësues të grupit tone parlamentar që vleresojne dhe veprojnë njësoj si Berisha, të kenë parasysh se do të marrin para zgjedhesve tanë dhe historisë gjithë përgjegjesinë për delegjitimimin e kësaj maxhorance progresiste dhe evropiane, që po drejton Shqipërinë prej 5 vjetësh. Cilido mëkatar, që nuk ka dhënë ende asnjë spjegim publik për akuzat publike dhe ligjore për abuzime, shpërdorime e trafiqe, nuk mund të shpëtojë nga ndëshkimi duke bërë aleancë me regjimin e vjetër, me shpifje fantastiko-trafikuese ndaj organit të akuzës përballë dosjeve dhe fakteve të mjaftueshme për t’u administruar nga gjykata. Eshtë detyra imë si përfaqësuesi më i lartë politik i partisë Socialiste që duke kërkuar zbatimin me rigorozitet të programit tonë politik e qeverisës, të votuar në maxhorancë edhe në zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit, të përdor të gjitha rrugët, forumet, institucionet e mjetet që eleminojnë trafiqet dhe abuzimin politik me to. Eshtë detyre Kushtetuese e Prokurorisë dhe Sistemit Gjyqësor që vleresimet e përfaqësuesve progresiste të politikes, të shoqerisë civile, të opinionit publik, të partnereve tanë ndërkombëtare për vazhdimin e vegjetimit te fenomeneve negative që pengojne zhvillimin dhe ngadalësojnë integrimin euroatlantik të vendit, t’i verefikojnë ligjerisht dhe të ndëshkojnë fajtoret. Çdo pengim i punës së institucioneve Kushtetuese dhe të pavarura të drejtësisë me motive dhe aleancave driteshkurtëra politike, do te thote kthim në realitetet dhe instituionet e regjimit të Berishës.

Duke e konsideruar antikushtetuese proceduren e shkarkimit te Kryeprokurorit, unë ftoj grupin parlamentar socialist dhe aleatet tanë të mos behen pjesë e asnjë votimi të tille, duke nxitur keshtu edhe transparencën e nevojshme para zgjedhesve dhe opinionit publik për gjithe ata që flirtojnë me mekatet e regjimit te vjetër dhe boten e krimit, kundër Kushtetutes dhe interesave themelore të progresit tonë kombëtar drejt botes euroatlantike.

Njerëz jini vigjilent! Regjimi i vjetër i demokraturës dhe i aleancës së politikes me krimin po, kërcenon sërish të ardhmen tuaj!



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Sports - live college hoops coverage
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list