Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Komente per Kadarene

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sat Mar 16 10:33:07 EST 2002


KOHA JONE
Pas botimit te Pashallareve te Kuq, komentojne intelektualet
Anila Basha/ Botimi i plote i poemes "Pashallaret e Kuq" te shkrimtarit te njohur shqiptar Ismail Kadare, solli ne kritiken letrare dhe ate itelektuale, ate qe shume shpesh e quajme post-debat. Pra, sa ka ndryshuar mendimi i kritikeve dhe intelektualeve, para dhe pas botimit te kesaj poeme? Ne thelb te mendimeve te shprehura edhe me pare, nuk ka ndodhur asgje me shume dhe asgje me pak nga ajo cka eshte thene. Te njejtet analiste, kane mbajtur te njejtat qendrime. Dikush mendon se Kadareja e ka kote te kerkoje disidencen, ndersa te tjere mendojne se kjo poeme eshte nje disidence e vertete. Por ka shume qe pyesin: cfare iu desh Kadarese qe hyri ne kete mesele?

Debati rreth poemes "Pashallaret e Kuq", gjithsesi, solli nje risi. Tashme botimi i kesaj poeme dhe perqendrimi i kritikes ne artin shqiptar eshte bere me i dukshem. Kjo i jep me shume vlere te thenave dhe te pathenave per te.

Dritero Agolli, shkrimtar

Nuk duhet te jemi te sorollepsur nga shkrimtarokracia. Nuk duhet te jemi te perulur ndaj shkrimtareve dhe ndaj drites se hidhur nuk duhet te verbohemi. Duhet te jemi realiste dhe secili duhet te gjykoje ne baze te kohes. 

Duhet te them te vertetat me gjakftohtesise qe e kerkon edhe koha. Pak me vone do te flas per kete. Kur te flase edhe Ismaili.

Fatos Lubonja, analist

Mund te them vetem dy fjale. Na duhet nje kulture qe rrit personalitetin e individit mbi bazen e gjykimit te tij dhe te dyshimit te tij dhe jo nje kulture qe i ben njerezit rober te miteve dhe autoriteteve. Ky eshte njeri aspekt. Tjetra qe kerkohet eshte nje tjeter raport i shkrimtarit me publikun dhe lidhur me kete nje tjeter raport i shkrimitarit me te verteten. Sepse roli i shkrimtarit eshte t'i thote publikut te verteten dhe jo nje kulture qe kerkon suksesin, nje krijimtari qe kerkon komnikimin dhe jo nje krijimtari qe synon sukses jashte shtetit duke deformuar te verteten. Duhet nje kulture qe krijon autoritet brenda realitetit.

Ketu nuk eshte problemi i Kadarese, por e trajtimit te se kaluares dhe ndryshimi i frymes se kultures. Kjo do te sherbente per kete pike dhe jo per te gjykuar Kadarene. Ky eshte fillimi i trajtimit te problemeve per kulturen per te vazhduar me pas debatin dhe jo thjesht per gjykimin e Kadarese.

Adrian Klosi, analist

Nuk shoh ndonje gje te re pas botimit te kesaj poezie, sic e kam thene ishte nje poezi qe mbeshteste luften e Enver Hoxhes kunder komplotisteve. Vec te tjerash eshte nje poezi e tmerrshme propagandistike, ne stilin me te keq te deklamimeve te atehrershme ne vargje. Gjaku ne duart e "Pashallareve te kuq" doli se ishte gjaku i deshmoreve qe ata po i rivrisnin, dhe aspak gjaku i te persekutuarvesic e sajuan genjeshtren nga Parisi Kadareja me Maks Velon.

Me vjen mire qe per keto gjera, pra per rivleresimin e se kaluares sone nen komunizem flitet hapur me nje debat publik, per gjera te cilat personalisht i kam kerkuar qe ne vitin 1991, kur analizoja ne nje ese te gjate, rolin e Kadarese nen regjimin komunist, ne librin "Refleksione".

Limoz Dizdari, kryetar i Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve

Ajo si poezi, nuk ishte poezi qe te me linte ndonje mbrese te vecante, eshte nje poezi e zakonshme, ka nje firme te Islamilit, por jo ate te njohuren e veprave te tij.

Nga poezia nuk del ndonje gje por eshte nje vleresim dhe konsiderate qe i ben rolit te Enver Hoxhes. Me botimin e kesaj poezie u demotivua vlera e librit te Maks Velos dhe tregoi se ishte i ndertuar mbi disa klecka te sajuara qe ne vend t'i vere vetullat, i nxori syte. Ka qene pjestar aktiv i asaj shoqerie dhe une ngelem ne ate qe Ismaili ishte mire atje ku ishte, sesa te kerkojme disidencen, sesa t'u rijape jete plakave nurihane dhe te merret me disa elemente tashme te atrofizuar qe mijevjecari i trete njerezor qekurse ka filluar te numerohen vitet pas krishtit, i ka nxjerre jashte pergjegjesive te medha sociale. Ismaili kerkon mbeshtetjen ne ca elemente qe e bejne disi jo ne pozita fort serioze duke u marre jo me familje mbreterore, Pashallare te kuq, elemente te tjere te nje fryme jo te realizimit socialist, por te njeriu qe distancionet nga vlerat e interesat e dikurshe, por qe sot kthehen ne antivlera qe nuk perfaqesojne interesa. Antivlerat e dikurshme sot paraqesin vlerat, sepse me vete ato mbartin shpresen e interesave. Une ngelem ne faktin qe Ismaili eshte nje personalitet i letrave shqipe, i cili si shkrimtar i mire nuk ben kujdes per veten, sesa per vepren e tij. 

Botimi i kesaj vjershe solli ne kujtesen e njerezve disa gjera te harruara qe nje pjese (ata me pa te drejte i quajme si nostalgjike), e kujtojne si kohe me vlere dhe nje pjese tjeter bashkekohesit e sotem, pyesin veten: c'eshte ky shqetesim i poetit per te shkruar kete poezi. Por mund te themi se mosbotimi i kesaj vepre mund te trajtohet si shenje respekti e pretendimi per vepra me cilesore ndaj autorit qe ne ate kohe ai e kishte ndertuar tashme figuren e larte te poetit vepra e te cilit, poezia per te cilen po flasim, ka nje fryme skematike. Nese mund te quhet ndonje gabim qe nuk u botua, edhe une bie dakord qe mund te ishte botuar. Megjithate une qe e njoh Ismailin ne kushtet e atyre viteve them se Ismaili nuk do te kishte qene kaq i interesuar per kete poezi, se sa c'mund te jene interesat e ndonje grupimi te sotem te cilet padrejtesisht e bejne objekt per nje problem qe s'ka objekt. Botimi apo mosbotimi i kesaj poezie dhe trajtimet e figures se Ismailit ne keto javet e fundit sidoqofte tek une nuk cenojne asgje ne respektin tim ndaj shkrimtarit dhe poetit tone.

Frrok Cupi, analist

Nuk do te ishte e nevojshme qe Kadare te mbahej me disidencen. Letersia e tij e bukur ishte e mjaftueshme per ta mbajtur te famshem Kadarene. Por ai, vitet e fundit i eshte kushtuar me se fundi biografise se tij disidente. Ndoshta ne "liqenin" Kadare ka mbaruar uji dhe ai tani prodhon disidence artificiale ne vend te letersise. Ne qofte se vete Kadare nuk do te kishte kerkuar disidence te paqene, askush nuk do te ishte marre me t` kaluaren e tij si shkrimtar i diktatures. Mirepo ai vete e kerkoi me kembengulje poezine "Pashallaret e kuq", e cila jo vetem nuk eshte disidence, por eshte nje thirrje per nje qendrim ekstrem te majte ne nje regjim te majte sic ishte ai i Enver Hoxhes ne Shqiperi. Ndoshta duhet thene miqesisht: po c'pate zoti Kadare me te shkuaren, kush po ta zbulonte?

Visar Zhiti, shkrimtar

Une do te thosha se botimi i poemes nuk ndryshoi ndonje gje te madhe. Debati mbetet po ai. Me sakte sesa debati, kontraditat. Kemi poetin perpara perbinbdeshit te diktatures. Nese poema e botuar sot nga ana e formes eshte nje elegji politike me varg majakovskian, tabloja brenda saj eshte shume e afert me rrathet danteske te Ferrit. Kemi perballe nje atdhe te hekurt, ku pergjaket mishi i jetes, Shqiperia e vjeter, e perfaqesuar me klasat e permbysura eshte duke u zhbere tragjikisht, kurse Shqiperia e re, ajo per te cilen u derdh gjaku i deshmoreve te Luftes Antifashiste Nacional Clirimtare, eshte duke u tradhetuar hapur. Zeri i poetit duket ne unison me kohen, nderkohe qe une dalloj zerin e alarmuar, zerin e brendshem qe ky gjak duhet te nderroje udhe dhe nuk duhet derdhur ashtu. Por ajo me e rendesishmja qe nuk eshte thene ne kete debat nuk eshte qe ne te kapim ne veshtiresi nje shkrimtar, nderkaq me te madhin e vendit tone, t'i nxjerrim perpara atij autokritiken kur per mua ai eshte nje shembull i menxyrshem sesi zeri i shkrimtarit dhe i njeriut njekohesisht kacafyten me diktaturen, pra nuk ka gje me te hapur: shkrimtari thote kam nje poeme te zeze armiqesore kunder partise, pra kjo eshte e verteta qe ai pranon si shkrimtar dhe kjo eshte edhe e vertata e poemes, dhe zeri i nje njeriut qe kerkon mbijetesen dhe ambalazhon me ambalazhet e kohes. Por akoma nuk e kam thene me te rendesishmen. Ne vemd te rremojme arkivave per te gjetur akuza, une si qytetar i ketij vendi do te kerkoja autokritiken e diktatures. Kjo eshte pergjegjesia e intelektualeve ne raport me kete poeme. Askush deri tani nuk po kerkon autokritiken e diktatures perballe shkrimtarit, e cila ne menyre te perbinbdshme ka kerkuar te beje deformin e krijimtarise, ka nderhyre ne menyre mizore duke u perleshur me muzen. Pra Pegasi ka qene i qelluar nga mitralozet e diktatures. Duhet te kerkojme autokritiken e diktatures, e cila ne rastin konkret, nuk me duket e larguar. Do te deshiroja qe zonja Nexhmije Hoxha te mos fliste pa piken e pendimit dhe vrasjen me te paket te ndergjegjes, por tamam si nje vjerre e eger e Shqiperise. Une jam me artistin. Poema me perpara se sa te jete fjale eshte fryme dhe fryma ne kete rast eshte ne kundershti me parodine festive te socializmit. Sapo jam kthyer nga nje rivarrim te eshtrave te nje njeriu te vdekur para 23 vjetesh. Duke lexuar kete poeme pas 27 vjetesh te mbyllur ne arkiv(olet) e erreta te shtetit, kam perseri ndjesine e versuljes se skeleteve. Masakra eshte me e madhe sesa kaq, une habitem sesi shqetesohen sesi poema ka qene e tille, apo e atille dhe harrojne se kjo eshte pjese e nje vuajtje akoma me te madhe, e nje censurimi me te madh. Nese zonja Nexhmoije thote qe ne Kadarene e perkedhelem le te hidhet tek Maks Velo. Po me te c'ndodhi? Tragjedia kombetare ndoshta nuk ka nevoje per kete apo ate emer te pervecem, por ka nevoje te pranohet qe ishte nje tagjedi dhe shkaktaret e saj nuk ka pse te krijojne alibira. Do te ishte ne nderin e tyre, ne qetesim te ndergjegjeve te tyre qe te benin dicka me te mencur sesa kjo qe po kerkojne te thone. Me mire te lexonin nje lutje te Nene Terezes dhe te merreshin me veten e tyre. Kjo hakmarrje e vone s'eshte gje tjeter vetem te risjelle ate qe ka humbur pergjithmone. Riardhja e kesaj poeme eshte nje deshmi e triumfit.

KORIERI

Virgjeria e Kadarese dhe morali i inkuizitoreve


Virgjeria e Kadarese dhe morali i inkuizitoreve


Nga Robert Goro*/ Po qe se shkrimtari i njohur grek Vasilis Vasilikos do te kishte mundesi te njihej me dyndallen e shkrimeve te shtypit shqiptar te diteve te fundit lidhur me "Aferen Pashallaret e kuq", do te flakte ne ajer borsalinen e tij dhe do te bertiste si i dehur: "Me ne fund fitore!". Sepse nje pjese e atyre qe shkruajne keto dite kunder Kadarese, shnderrohen ne aletet me besnike te Vasilikosit, i cili ne fillim te vitit 2000, me sebepin e qendrimit te Ismail Kadarese ndaj luftes ne Kosove, kishte ndermarre nje sulm frontal kunder shkrimtarit tone te madh, duke arritur deri atje sa te shkruante se vepra e Kadarese nuk eshte botuar asnjehere ne gjuhen shqipe, per arsyen e thjeshte se letersia shqipe nuk ekziston!...


Natyrisht, bashkatdhetaret tane nuk kane mberritur ne ate fare skaji, ndonese gjithcka mund te pritet!... Ata sot thjesht e akuzojne Kadarene se asnjehere nuk ka qene disident, por perkundrazi ka qene i Perkedheluri i Rregjimit, te cilit ia ka shperblyer me vepra te shumta, mes te cilave "Dimri i madh", "Koncert ne fund te dimrit", dhe padyshim "Pashallaret..", nje vjershe qe sipas tyre nuk ishte asnje fije nenkuptimi kunder sistemit, por ishte nje hymn per Enver Hoxhen. Po per kete do te flasim pak me poshte.


Vasilikosin dhe kritizeret, me shume do te shkonte fjala inkuizitoret e sotem te Kadarese, i bashkon, vec te tjerash nje gje: mohimi per aresye te ndryshme i vepres letrare te Kadarese. Sepse, te perqendrohet pyetja "Ishte apo s'ishte disident Kadareja" ne nje poezi te vetme, pra tek "Pashallaret", do te thote te injorohet e gjithe vepra e tij, ose, te pakten, pjesa me e madhe. Per mendimin tim, qe ne kete rast eshte mendimi i nje lexuesi mese modest, disidenca me e madhe e Kadarese qendron se pari ne vepren e tij letrare. Qe i tregoi botes qysh heret se Shqiperia e uniformuar brenda skemave te moralit komunisto-totalitarist, me nje art e letersi gjithaq skematike, e kishte megjithate potencialin qe te krijonte nje letersi te mirefillte, te denje per t'u ngritur ne majat me te larta te panteonit europian e boteror. Natyrisht, kjo eshte nje ceshtje e sternjohur dhe nuk perben objektin e ketij shkrimi. Por e permenda thjesht per te treguar se si denigruesit e sotem te Kadarese startojne qellimisht nga nje pikenisje e gabuar, pikerisht ngase e njohin fare mire ate qe thashe pak me siper, pra sendertimin e disidences se Kadarese se pari ne krijimtarine e tij.


Madje edhe kur mobilizojne skalionet rezerviste te veteraneve, inkuizitoret, ne vend qe te vene vetulla, nxjerrin syte e tyre. Dhe ketu lejohem te zgjatem pak.


Armik kush i kendonte Enverit?!


Ne "Gazeta Shqiptare" javen e kaluar u botuan pjese nga ditari i Nexhmije Hoxhes, ku nder te tjera thuhet shprehimisht se poezia ne fjale u dergua ne Komitetin Qendror me shenimin se "permbante disa shfaqje alarmante". Po sipas Nexhmijes, shoku Enver e quajti "armiqesore", sepse Kadareja i kendonte kultit te udheheqesit, te cilin kerkuakesh "ta ndante nga shoket e Byrose"!!! Ah, bre djallezori, mosmirenjohesi, i poshtri Kadare! Doje t'i krijoje kultin shokut Enver, i cili nuk kishte asnje bust neper sallat e mbledhjeve, i cili nuk lejonte askend te rropatej gerxheve e maleve per te shkruajtur me gure e me shkembenj emrin "Enver", i cili e kishte ndaluar rreptesisht t'i permendej emri ne kenge e poema; i cili tek e fundit kishte shpartalluar cdo njeri qe brohoriste parrullen armiqesore "Parti-Enver, jemi gati kurdohere!"... Por le te flasim pak me seriozisht. Kush eshte ai budalla qe e ha se ne vitin 1975 ekzistonin te cartur ne te gjitha shkallet e nomeklatures, qe e konsideronin "shfaqje alarmante" te lartoje kultin e Enver Hoxhes. Tjetra, diskutimi i famshem i ketij shkurt-marsi filloi pikerisht me dilemen ishin apo s'ishin disidente vargjet e Pashallareve te kuq. Personalisht nuk e di se sa disidente kane qene ne te vertete ato vargje, per aresyen e thjeshte se nuk e kam lexuar ate poezi, ama pak po t'i therras mendjes me vjen ne kujtese fare mire se si Kadarese i mbeteshin veprat me vite te tera pa u botuar, ne kohen qe letra e paket e shtypshkronjave harxhohej per t'u botuar (ne nje mase te konsiderueshme) gjithefare pacavurrash, titujt e te cilave sot mund t'i kujtojne vetem autoret dhe grate e tyre. Me vjen ndermend se sidomos ne province, njerezit qe shpreheshin entuziaste per krijimtarine e Kadarese, qofte dhe per "Shqiponjat fluturojne lart", trajtoheshin nga organet e partise e te pushtetit gati-gati si armiq te rregjimit. Me vjen ndermend se Kadare i referohet se pari Pashallareve te kuq, ne mos qofsha i gabuar, tek "Pesha e kryqit, apo te "Nga nje dhjetor ne tjetrin". Perse gjate ketyre 10-11 vjeteve nuk mori mundimin askush prej inkuizitoreve te sotem qe te kontestonte te thenmet e atehershme te Kadarese, por e bejne kete pikerisht tani, me sebepin e nje libri qe paska shkruajtur Maks Velo? 


Ne ballkanasit jemi te shquar per manine tone patologjike qe t'i nxjerrim syte njeri-tjetrit, nga ky kendveshtrim s'me habit aspak sulmi i tanishem kunder Kadarese. Perndryshe nuk eshte hera e pare qe ndodh keshtu. E njejta gje kishte ndodhur ne vitin 1991, kur u perfol se Kadareja do te vinte kandidaturen per president i republikes. Gjithmone sulmet jane zhvilluar mbi bazen e motiveve jashteletrare; jo sepse inkuizitoret jane te paafte, madje disa prej tyre shquhen historikisht per nje dashuri platonike ndaj letersise. Ata perhere e kane kritikuar Kadarene per qendrimin e tij gjate periudhes se sundimit komunist. Ata gati-gati sa nuk bertasin: Perse ti Ismail nuk u ngjite mbi kalin e Skenderbeut e te bertisje "Poshte Enver Hoxha?". Dhe harrojne se edhe Gezim Kulufi, marroku i shkrete i rruges se Elbasanit, kur e kapte kriza e cmendurise, perplaste duart e palara e cirrej "Rrofte Ramiz Alia!"... 


Me duhet te pranoj se Kadareja behet ngapak i bezdisshem me referimet e tij te vazhdueshme ndaj presioneve e prapaskenave qe ushtroi diktatura ndaj tij, here-here kam pershtypjen se nga ajo kohe ai ka trasheguar nje mani persekutimi. Ia besoj dhe e mirekuptoj. Pse qysh heret jam munduar te imagjinoj neper sa tallaze te partishme eshte dashur te pervritet per hir te vepres se tij, per hir te asaj vepre e cila vertet na ben krenare si komb, por ndofta do te qeme me krenare sikur ajo mos te kishte ekzistuar kurre, domethene po qe se Kadareja ishte ekzekutuar kahere shpirterisht. Kete duan te thone inkuizitoret? Le ta thone e te mos na enjtin me trurin!


Ke shkel ne kallo fjala e Kadarese


Sinqerisht nuk mund ta kuptoj se perse iu kerkuaka pikerisht tani, kur prostituimi i shpirtit dhe i moralit eshte ngritur ne sistem, kjo certifikate virgjerie Kadarese, ashtu sikurse heroines se tij tek "Nata me hene"? 


Moa valle gjithe kjo meseleja e tanishme, nuk eshte krejt pa lidhje me intervistat qe Kadareja ka dhene muajt e fundit, ku ka perdorur nje gjuhe mjaft te ashper per politikanet (te cilen, me pa te drejte mendoj une, e revizionoi ne nje interviste tjeter). Mos valle nuk eshte krejt pa lidhje me mendimin e tij te shprehur publikisht se ne pushtet duhet te vije e djathta. Mos valle, me ne fund, nuk eshte krejt pa lidhje me zgjedhjet presidenciale te ketij viti, ku Kadare, pavaresisht se e ka pergenjeshtruar disa here, eshte perfolur si nje kandidat i mundshem.


Si qytetar i nje vendi qe tollovitet per vite te tera mes kaosit te pergjithshem, do te isha i lumtur nese gazetaret, dhe analistet shqiptare, me te njejtin zell qe i jane perveshur zbardhjes se te vertetes per virgjerine e Kadarese, me te njejtin zell pra, te perpiqeshin edhe per te zbardhur te verteta me akute dhe shume me te rendesishme, qe lidhen para se gjithash me ushtrimin e pushtetit. 


Ne morine e ndryshimeve qe ndajne intelektualet e vertete nga pushtetaret, Kadare ka nje avantazh me shume: Fjalen. Nese edhe sot, ne vitin 2002, Kadarese duan t'ia kontrollojne e t'ia diktojne fjalen, ashtu sikurse ne kohen e diktatures, kjo eshte me te vertete "nje shfaqje alarmante". 


Pse neser do te kerkojne perseri te kontrollojne e diktojne edhe fjalen e gjithe te tjereve...


*Robert Goro eshte korrespondent i BBC ne Athine. Shkrimin e mesiperm e nenshkruan si shkrimtar, autor i librave "Takohemi pasdite" (1990), "Nje kenge per Edit Piafin (2000) dhe "FYROM: Supermacia e inferioritetit" (2001).



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Sports - live college hoops coverage
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list