| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Ekologjia ne Borsh - Gazeta Shqiptare - 12.3.2002Agron Alibali aalibali at yahoo.comTue Mar 12 19:28:10 EST 2002
EKOLOGJI Si po shkatërrohen bukuritë e pafundme te Borshit dhe pafuqia e banorëve të dëshpëruar për ta shpëtuar këtë perl të Shqipërisë nga vandalizmat e "biznesmenëve" Masakër ekologjike në Borsh Borshiotët: Po lejuat këtë shkatërrim do t'ju mallkojnë brezat ...
---------------------------------
Gjin NIKA
Këto ditë bëmë një kalim në Bregdetin e Jonit. U ndalëm edhe në Borsh, i cili sapo del në Qafën e Shën Thanase, në sheshin e Mëlqinës, të shpaloset pa pritur një panoramë e mrekullueshme. Deti shtrihet i pamatë, i kaltër në maksimum deri në atë blunë e tij të frikëshme në distancë nga bregu, karakteristikë e ditëve të dimrit. I parë nga lart, ai të jep përshtypjen se bashkëjetesa e valëve të tij me bregun, me rërën e plazhit, vazhdon e paqtë, ashtu si gjatë mijëvjeçarëve të krijimit nga natyra.
Fusha e Borshit me ngjyrën jeshile të agrumeve të degraduara bën që syri të zhytet e të kullosë i çlodhur në të. Nën kalanë e Sopotit, rrëzë Picakut shfaqet e gjarpëron deri në det lumi i Borshit me shtratin e tij të zalltë e të bardhë. Për një moment e gjithë kjo të bën të gënjesh veten se në këtë parajsë çdo gjë shkon për bukuri. Por në realitet gjithçka aty merr trajtën e një çmendurie kur të thonë se në Borsh gjenden njerëz të papërgjegjshëm që ngulmojnë me një ndërgjegje të verbuar të shkatërrojnë gjithçka dhe borshiotë indiferentë, pa kurajo dhe me nivel të tillë sa të mos e vlerësojnë dot mrekullinë që Zoti e natyra ju ka lënë siç duket gabimisht në duar. Shprehemi kështu se nga kontaktet që patëm me disa vendas kuptuam që kasaphana, masakrimi që i bëhet sot territorit e plazhit të Borshit, florës e faunës së tij, ekosistemit mijëvjeçar të virgjër të luginës së Borshit, është sa për shkak të indiferencës së komunitetit borshiot, aq edhe sepse në shumë raste janë edhe disa nga ata që së bashku me të huajt po i nxjerrin themelet asaj mrekullie me emrin Borsh.
Plazhi drejt shkatërrimit
Në fillim të viteve '90, Borshi trashëgoi një plazh të virgjër me plot kuptimin e fjalës. Parametrat e tij ishin optimalë. Uji i detit kishte një tejdukshmëri dhe pastërti maksimale. Kripëzimi ishte brenda normave dhe standarteve botërore. Deri në ato vite në të gjithë plazhin me gjatësi mbi 3,2 km për çdo sezon pushonin jo më shumë se disa qindra pushues. Një numër i papërfillshëm i krahasuar me ngarkesën e plazheve të tjera të Mesdheut. Ndotjet nga ujërat e zeza e kanalizimet nuk egzistonin fare. Plazhi kishte përbërje ranore dhe zallishtore me gjerësi deri në 70 m dhe trashësi rreth 1 m. Shprehemi "kishte" sepse sot gjithçka ka ndryshuar. Këtë e konstatuam edhe vetë kur me ftesë të disa borshiotëve bëmë një verifikim të gjendjes së plazhit të Borshit. Masakrimi i plazhit i filluar në fillim të viteve '90 nga marrja e rërës për ndërtimet pa leje kishte marrë përmasa alarmante. Vendin e lopatave me të cilat ngarkoheshin dikur kamionat e kishin zënë fadromat, të cilat e gërryenin rërën e plazhit deri në daljen e dheut të tokës. E gjithë kjo ka bërë që të krijohen moçalet e para buzë detit dhe si pasojë shumë shpejt po nuk u morën masa do të ndodhë ndryshimi i parametrave të biodiversitetit të zonës. Ujët e kripur të detit do të fillojë të infiltrojë në tokë duke rritur lagështirën dhe kripëzimin e saj. Të mos harrojmë dëmtimin që i është bërë plazhit nga gjuetia me dinamit dhe mina kundratanke.
Me indinjatë të madhe borshiotët tregonin vendet ku edhe firma 2K kishte marrë rërë në deltën e lumit të Borshit e në breg të detit. Makineritë e saj gërryenin si kuçedra bregun, duke krijuar gropa të frikshme dhe dëme të pariparueshme. Të zëmëruar, por të pafuqishëm e të ndrojtur, borshiotët shpreheshin që pronari i firmës 2K, është nga Qeparoi dhe pyesnin me naivitet: pse i dhimbset rëra e Qeparoit dhe për të shtruar rrugët e Himarës e ka më të lehtë të sakatojë plazhin e Borshit? Edhe në qoftë se egziston ndonjë leje e korruptuar, pse nuk e përdor për të marrë rërën e Qeparoit apo të Himarës? Apo në Himarë e Qeparo ka zot vendi? Kostua mijëvjeçare e krijimit të plazhit të Borshit nga natyra nuk mund të përligjet me faktin e shtrimit të rrugëve të Himarës apo të Qeparoit. Madje as të vetë Borshit. Sepse së shpejti do të fillonte asfaltimi i rrugës së Borshit dhe egzistonte frika se mos edhe firma nga Nivica do ta merrte rërën në plazhin e Borshit. Po të vazhdojë kjo katrahurë edhe më tej me këto ritme, dëmet do të jenë të pariparueshme, të pakthyeshme. Në këtë rast Borshi do të humbasë bashkë me rërën edhe jodin edhe kripën e saj. Gjithçka. Perspektiva do të jetë pisllëku, ndotja, mizerja. Atëherë do të jetë tepër vonë edhe në qoftë se policia ndërtimore do të kujtohet të bëjë detyrën. Sepse mund të shkatërrosh 5 apo 10 ndërtime pa leje, qofshin edhe grataçela e më pas ta kthesh atë truall në lulishte. Por në rastin e plazhit, rërën e tij nuk e bën më sepse ajo do mijëra vjet.
I pakuptueshëm është në këtë katrahurë qëndrimi i pushtetit lokal të komunës së Lukovës dhe i plotëfuqishmit të zonës që më shumë e gjen në klub përpara gotës së rakisë se sa në krye të detyrës. Të dyja këto palë nuk mund të justifikohen me argumenta të tilla, si nuk e di apo nuk i pamë. Kamionat dhe fadromat gërryejnë plazhin e ngarkojnë në mes të ditës. Për mendimin tonë dy janë arsyet: indiferenca ose korrupsioni. E para ka pak ngjasa të jetë sepse të rrezikon vendin e punës. Kurse për të dytën ndoshta ia vlen të rrezikohet edhe vendi i punës.
Pylli i Borshit, rrezik zhdukjeje
Problem shqetësues në Borsh ishte edhe gjendja në luginën e lumit të Borshit. Të shoqëruar nga disa borshiotë e verifikuam në vend. Kasaphana ishte e tmerrshme. Në vendin e quajtur Përroi i Kalit, pranë një burimi të mrekullueshëm, një firmë greke për të bërë disa qindra metra kub qymyr druri kishte bërë kërdinë mbi një pyll shekullor ilqesh. Rrugës hasëm disa fshatarë që shoqëronin kuaj të ngarkuar me dru. Pyetjes tonë për dëmin e shkaktuar iu përgjigjën se ajo që u bë, u bë. Problem shqetësues është se do të shpyllëzohet edhe pylli mbi vendin e quajtur Mekam. Asnjë llogjikë e ftohtë që mund të përdorej në këtë rast nuk mund të gjente argumenta për të justifikuar këtë katrahurë. Disa dhrahmi të qelbura që mund të futeshin në këtë rast në arkën e shtetit nuk mund të përligjin dëmin e shkaktuar. Aq më tepër ky fakt nuk na mbush dot mendjen se nuk fryhen më shumë me dhrahmi xhepat e pyjores së Sarandës, nëpunësave të radhës, zyrtarëve të pushtetit lokal në komunën e Lukovës. Po njolla më e madhe, turpi në këtë rast bie mbi kryepleqësinë e fshatit Borsh. Sado që mund të bëjnë të paditurin, askush nuk mund të besojë se kjo katrahurë është bërë pa dijeninë e saj. Vetë fakti që nuk e ngrenë zërin dhe lejojnë një kasaphanë të tillë, flet kundër saj. Pa tjetër që edhe ajo ka gëlltitur një lugë nga kjo "çorbë " e qelbur . (" Ishalla " nuk e vjellin gjithë jetën.)
Për problemet shqetësuese dhe alarmante të mjedisit në Borsh, që përmendëm më lart ka një përqindje justifikimi për shkak të nivelit të ulët profesional në këtë fushë të organeve të pushtetit, por jo për hallkat e bujqësisë në Bashki e në Ministrinë e Bujqësisë të përfshira ndoshta në këtë korrupsion. Aq më tepër nuk iu falet kjo indiferencë e drejtuesve të projektit mbi florën dhe faunën e Borshit. Aq më tepër që titullari kryesor i projektit është gjeografi M.K. po nga Borshi bashkë me disa profesorë të tjerë. Edhe për vetë natyrën e profesionit, edhe për humanizëm anëtarët e këtij projekti duhet të ishin nga denoncuesit kryesorë të kësaj gjendjeje. Ku janë bërthamat e gjeografëve të rinj që janë krijuar nga projekti në Borsh? U interesuam pranë G.E.F/S,G.P dhe morëm vesh se është financuar dhe ka mbaruar faza e parë e projektit që është rilevimi i florës dhe faunës në Borsh dhe ndoshta faza e dytë. Çudi si u ka shpëtuar këtyre shkencëtarëvë kjo katrahurë! Po donatori nuk ka merak se si administrohen fondet e tij? Pyetëm në fondacion dhe të gjithë na shmangeshin duke ngritur supet. Shpresojmë që këtë radhë të tërheqin edhe vëmendjen e Ministrisë së Mjedisit. Normalisht prerja e një peme shekullore në luginën e Borshit, duhet të shqetësojë e të sensibilizojë opinionin. Prerja e një pylli të tërë prej qindra hektarësh është katastrofë dhe për këtë duhet të përgjigjet dikush.
Nga mediat kuptuam se një grup specialistësh të O.S.B.E-së verifikuan dëmet në bregun e Himarës e të Dhërmiut. I ftojmë të hidhen edhe në Borsh e të konstatojnë në vend të gjitha sa kemi shkruar më sipër, për të marrë edhe masat e duhura, për të marrë vesh në vend se cila është edhe aresyeja që komuna dhe i plotëfuqishmi i zonës nuk zbatojnë ligjin.
Ligji 7501 - Litari jashtë varrit
Masakrimi i ambientit në Borsh, ka dhënë shenjat e para spontane qysh në fundin e viteve '80. Degradimi i sistemit, varfërimi i njerëzve, bëri që edhe shërbimi dhe kujdesi ndaj agrumeve dhe pemëve frutore të degjenerojë.
Por kasaphana e vërtetë - të thonë borshiotët - ndodhi mbas viteve '90. Në ndihmë për këtë erdhi edhe ligji famëkeq 7501. Në kohën kur mendohej se do të shkonte prona tek i zoti, siç e kërkon edhe sistemi i ekonomisë së tregut, ajo u nda sipas ligjit leninist, por tashmë pa kooperativë apo fermë. Dihet që vlerën e tokës në Borsh ia shton shumë fakti se ajo do të përdoret për turizëm. Pikërisht për këtë u sulën të gjithë si ujqërit në prenë e tyre, për të ndarë e për të gllabëruar llokma nga kjo tokë. Komisionet e ndarjes së tokave në Borsh kanë shkelur në mënyrë flagrante, duke bërë abuzime edhe në anën thelbësore të ligjit 7501, sipas të cilit fshatari ka të drejtë të zgjedhë së pari në pronën e tij sa i takon në bazë të ligjit dhe më pas sipas rastit të japë pjesën e tepërt atij që dëshiron ose të marrë nga fisi. Komisionet e ndarjes së tokave në Borsh që ndërroheshin njëri pas tjetrit në çdo rast problem shqetësues kishin ruajtjen e ekuilibrave. Komisioni pasaardhës mundohej të mos cënonte interesat e komisionit paraardhës, duke ndarë e përlarë nga ato toka që komisionet paraardhëse kishin lënë rezervë. Është për të ardhur shumë keq kur kupton se në duar të kujt u la shenjtëria e tokës. Borshiotët shpreheshin se ka akoma në Borsh toka të lëna rezervë nga komisionet për çdo të papritur, për të mbyllur e eliminuar çdo ankesë apo përplasje. Ata kërkonin që organet kompetente në Sarandë e në qendër duhet të kontrollojnë e të bëjnë rakordimin e tokës në inventar me atë që figuronte e ndarë nga komisionet e Borshit, bazuar kjo edhe në denoncimet e herë pas herëshme të medias. Përplasjet e para kanë ndodhur. Shumë borshiotë të pakënaqur panë në listat e afishuara që tokat më të mira e më të shumta në Borsh i kanë marrë anëtarët e komisioneve e farë e fis i tyre. Pothuajse të gjithë në buzë të detit. Ata shpreheshin se edhe në sasi ata kanë marrë më shumë, mbi atë që u takon në bazë të ligjit 7501. Kjo gjendje që vazhdon për gati një dekadë, ka bërë që ata të shohin ëndrra me sy hapur, por njëkohësisht kjo ka dhënë edhe frytet e saj negative në të gjithë territorin e Borshit. I pari e pësoi plantacioni i agrumeve e ullinjve. Të interesuar vetëm për të shitur tokë, pothuajse të gjithë u robtuan këto vite duke trokitur nëpër dyer fondacionesh e agjensish. Por më kot. Askush nuk mundi të realizojë me ndershmëri asnjë shitje sepse në fund të çdo pazari kërkohej tapija e vjetër, pronari i vjetër dhe blerësi tërhiqej. Nisur nga mendimi vetëm për të shitur , asnjë nuk mori mundimin që ti bënte shërbim fruti-kulturës . Ky ligj , ashtu si edhe piramidat përveç të tjerave në Bregun e Detit "ngordhi" edhe nervin e punës. Sot i gjithë plantacioni në Borsh ndodhet në gjëndje të degraduar , nuk jep prodhim , është kthyer në gjëndje të egër. Dhe fatkeqësia më e madhe është se janë prerë me qindra e mijëra rrënjë agrume, deri edhe ullinj qindravjeçarë. Të irrituar, borshiotët e pranishëm dëshëronin që ne të bënim publik në reportazhin tonë edhe faktet e mëposhtëme, sipas të cilave kohët e fundit janë shitur me nxitim e me fallcifikime në Borsh toka të fiseve të ndryshme e të bashkëfshatarëve të larguar nga Borshi herët, duke akuzuar direkt për këto pazare të jashtëligjëshme edhe noterët përkatës. Ata flisnin pa doreza për kryepleqësinë e Borshit dhe kryesinë e komunës, duke i akuzuar për lejimin dhe dhënien e lejeve të jashtëligjëshme të ndërtimit. Dhe borshiotët të tregonin konkretisht ndërtimet e paligjëshme që po bëheshin në qëndër të Borshit e kudo dhe frikën për fjalët që qarkullonin se ishin bërë gati për tu dhënë me dhjetra leje ndërtimi të huajve, në kundërshtim me ligjin dhe pa një studim të miratuar urbanistik. Në një kohë - shpreheshin borshiotët - që ne vëndasit presim nga shteti dhe ligji. Borshiotët shprehnin edhe frikën se çdo zvarritje dhe mos zgjidhje e problemit të pronësisë do të bënte që gjëndja të rëndohej më shumë duke bërë që djemtë borshiotë si reaksion të indiferencës së mundëshme të organeve kopetente, problemet ti zgjidhnin fshatçe si dikur, deri edhe në vetëgjyqësi. Dhe në këtë rast përgjegjësia nuk do të jetë e tyre. Ata gjithashtu shprehnin rezerva edhe për korrespondetin e gazetës "Zëri i Popullit" për mënyrën se si ai i trajtonte problemet në Borsh, larg frymës aktuale ku shteti sot po mbron dhe do tu japë zgjidhje interesave të pronarëve të vjetër , mbrojtjes së pronave të shtetit nga abuzimet, stabilizimin brënda mundësive të atyre që ligji i vitit 1991 i gjeti në Borsh dhe nga ana tjetër bërjen të qartë të faktit se shteti nuk mban asnjë përgjegjësi për ata që pas vitit 1991 zbarkuan në Borsh duke shkelur këtë ligj.
Shpresë për ringjallje
Të gjitha këto kanë bërë që pakënaqësia ndaj kësaj gjëndjeje, të arrijë pikën kritike, të kërkojë zgjidhje. Për këtë borshiotët u organizuan, mblodhën firmat, ju bënë ftesë edhe borshiotëve të shpërndarë nëpër Shqipëri dhe më 25 nëntor 2201 organizuan kuvendin e fshatit. Aty u vendos që toka të ndahet fshatçe, bazuar kjo edhe në hapësirën që lejon ligji dhe tradita e vëndit . Për këtë borshiotët, duke dashur të nxirrnin në pah mënçurinë e kryepleqësive të para çlirimit, të tregonin një vendim të vitit 1921. Aty fshatçe kishin vendosur që toka e Borshit të shitej vetëm brënda për brënda fshatit, midis borshiotëve. Dhe është i vërtetë fakti se pronarë të tokave të Borshit deri më 1944 janë vetëm borshiotët. Duke ndjekur këtë traditë u ngrit komisioni përkatës, i cili do të marrë masat e duhura për zbatimin e vendimeve të kuvendit dhe për organizimin e kuvendit të dytë mbarëborshiot. Aty u vendos që edhe në bashkëpunim me kadastrat e Sarandës, Vlorës; Delvinës e Gjirokastrës të saktësonin kufijtë e Borshit me fshatrat për rreth, sidomos me Qeparoin ku janë bërë abuzime me ndërtime të paligjëshme. Gjithashtu në përkrahje të nismës së Bregdetit, ata vendosën që dokumentet e pronësisë tu dërgoheshin të gjitha familjeve të borshiotëve kudo që ndodhen nëpër botë, duke i ftuar që tu dalin për zot pronave të tyre. Një grup pune u ngrit dhe po punon për këtë qëllim.
I rëndësishëm është fakti se vendimet e kuvendit u miratuan në mëryrë unanime. Nuk pati asnjë votë kundra. As edhe nga partizanët më të flaktë të ligjit 7501 të pranishëm në kuvend si p.sh kryepleqësia dhe anëtarët e komisioneve.
Na tërhoqi vëmëndjen fakti që interesimit tonë për problemet që shqetësojnë sot Borshin , kryepleqësia dhe anëtarët e komisioneve u shmangeshin me pretekste të ndryshme çka vërteton indirekt faktin se problemet që ngritën borshiotët qëndronin.
Pikërisht për këto arësye, të lodhur e të pakënaqur nga maskarallëqet, nga drejtimi kriminal e i papërgjegjshëm dhjetëvjeçar, borshiotët ngulën këmbë që me anë të këtij rreportazhi tu bëjnë thirrje kryepleqësive që për një dekadë të tërë gatuan këtë katrahurë në Borsh: Boll më. Largoni duart e fëlliqura e të ndyra nga Borshi. Lëruni hapësirë djemve të rinj borshiot të marrin më përgjegjësi në duar fatet e tij. Djem të tillë Borshi ka.
Shija e hidhur
U larguam nga Borshi të zhgënjyer nga ajo që pamë e dëgjuam. Kënaqësisë që ndjemë kur u ndodhëm përpara asaj parajse, i a kishte lënë vëndin shija e hidhur e asaj që konstatuam.
Hodhëm këto rrjeshta në letër për të sensibiluzuar problemet, për ti vënë sado pak fre makutërisë, por edhe sepse na erdhi keq për gjithçka ishte shkatërruar deri edhe me ndërgjegje.Të vinte keq edhe për vetë borshiotët që nuk kishin guxim të ngriheshin në nivelin e kurajos për të bërë detyrën e të zotit të vëndit. Ashtu siç edhe ju takon.
---------------------------------
Do You Yahoo!?
Try FREE Yahoo! Mail - the world's greatest free email!
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |