Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] RD - 8 mars 2002

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sat Mar 9 17:44:13 EST 2002


 
Mbështetësit e Nanos sulmojnë ish-kryeministrin për të mbrojtur kryeprokurorin

Çeço: Meta nuk mund ta rrëzojë Rakipin

Grupi i Nanos ka reaguar ashpër dje ndaj akuzave të ish-kryeministrit Meta ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipi. Nënkryetarja e Parlamentit, Makbule Çeço, e cila njihet si mbështetëse e kryetarit të PS, Fatos Nano, deklaroi dje se deklaratat e ish-kryeministrit Meta janë individuale. "Përsa arrita të depërtoj në deklaratën e zotit Meta mua më duket individuale, sepse nuk ka grup brenda Partisë Socialiste që do të rrëzojë kryeprokuroin Rakipi, por vetëm individë të veçantë nga deputetët e PS", tha Çeço. Ajo shtoi se, "është e drejtë e ligjshme e tij që të deklarojë dhe votën, megjithëse për mua nuk është e justifikueshme".

Nënkryetarja e Parlamentit, Makbule Çeço, tha se zoti Meta ka qenë për më shumë se dy vjet kryeministër dhe nuk ka folur për një pozicionim të tillë ndaj kryeprokurorit, ndërkohë që ai ka patur një bashkëpunim institucional me të dhe duket sikur del papritmas në një pozicionim të tillë. "Këto indikacione nuk i kemi dëgjuar të shprehura në këtë mënyrë, siç u shpreh zoti Meta dje. Kështu që mua më duket se trajtimi emocional i problemit nga zoti Meta apo nga dikush tjetër përkrahës i zotit Meta, do të kthehet në bumerang, sepse kushdo që dëgjon, thotë pse nuk janë shtruar më parë këto probleme. Tani u prish Rakipi, në këto momente u shndërrua në vegël ai?", tha Çeço.

Deputetja e PS, Makbule Çeço, u vu në mbrojtje të kryeprokurorit Arben Rakipi, duke deklaruar se në rregulloren e Parlamentit parashikohet debat publik me qëllim për të forcuar organin e akuzës, por jo shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. "Jemi në kushtet kur Prokuroria ka identifikuar veprimtarinë e saj dhe kjo është e mjaftueshme që kryeprokurori Rakipi të vazhdojë të qëndrojë në postin e tij", tha ajo.

Çeço i bëri thirrje grupit të Metës që të heqë dorë nga shkarkimi i Rakipit, sepse përndryshe, sipas saj, do të ketë zgjedhje të parakohëshme. "Prishja e raporteve në Parlament do të thotë që të shkojmë në zgjedhje të parakohëshme". Çeço tha më tej, se këto zgjedhje të parakohëshme nuk mund të zhvillohen pa bërë dhe gjithë atë reflektim, dhe të gjitha ndryshimet e nevojshme që kërkon infrastruktura zgjedhore në Shqipëri. "Përgjithësisht ka kosto elektorale, përgjithësisht ka kosto individuale për ata që do të lëvizin në këto aleanca fluide, pastaj ka kosto edhe për forcën politike", deklaroi nënkryetarja e Parlamentit. Ish-kryeministri Ilir Meta lëshoi akuza të ashpra para dy ditësh nga selia e PS, ku ai zhvilloi një takim me drejtues të partisë ndaj kryetarit të PS, Fatos Nano, dhe kryeprokurorit Arben Rakipi. Pas takimit me drejtuesit socialistë, ish-kryeministri u deklaroi gazetarëve se ardhja e tij në selinë e PS nuk ka të bëjë vetëm me komunikimin me drejtues të partisë, por edhe me anëtarë të thjeshtë, të cilët kanë dëshirë të komunikojnë me të. Ai deklaroi më tej, se nuk mund të lejojë shpërdorimin e institucioneve nga kryetari i PS, Fatos Nano. Ish-kryeministri shqiptar Ilir Meta deklaroi në ambjentet e selisë së Partisë Socialiste, se do t’u kërkonte mbështetësve të tij për të votuar mocionin e shkarkimit të kryeprokurorit Arben Rakipi.

R.POLISI

 

Braho: Po më sulmon grupi i Nanos

Deputeti i PS, Spartak Braho, deklaroi dje se sulmet dhe akuzat ndaj tij po bëhen nga grupe të caktuara në Partinë Socialiste. Ai tha se gjithçka është përgatitur në momentin kur do të diskutohet mocioni për shkarkimin e kryeprokurorit Rakipi. Braho është akuzuar për lidhje në trafikun e drogës, por ai përgënjeshtroi dje akuzat e ngritura ndaj tij për lidhje me pronarët e anijes "Delon". Braho tha: "Nuk kam asnjë të afërt të familjes sime në këtë proçes. Ky sulm është vazhdim i atyre insinuatave, shpifjeve, që bëhen ndaj meje nga segmente të caktuara të politikës".

Deputeti socialist tha, se ende nuk është njohur me përfundimin e strukturave të FBI-së të instaluara në Ministrinë e Rendit, ku specialistët e huaj kanë deklaruar se trafiku i drogës në Durrës ka prapavijë politike. Braho tha, se akuzat ndaj tij, Priftit apo Shamkut, po bëhen nga njerëz që bëjnë presione për mocionin kundër kryeprokurorit. "Akuzat ndaj meje, Priftit apo Shamkut, sponsorizohen pikërisht tani kur po afron data e mocionit për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipi", deklaroi Braho. Braho tha se segmentet politike në Partinë Socialiste sponsorizojnë televizionet dhe gazetat ndaj kundërshtarëve politikë. "Unë jam në dijeni për këto segmente politike që sponsorizojnë televizionet dhe gazetat, por në kohën e duhur do t’i bëj prezente. Natyrisht, në qoftë se unë do të arrij të konfirmoj që dhe organe të caktuara të shtetit janë të përzjera në këto historira, do të shpreh mendimin tim", tha Braho.

R.P

 

 

PS: Trafik droge ka, por ne duhet të mbrojmë njëri-tjetrin

Partia Socialiste e Durrësit vihet në mbrojtje të politikanëve që zhvillojnë trafikun e drogës. Sekretari politik i Partisë Socialiste të Durrësit, Leonidha Gërmenji, deklaroi dje se mund të jetë implikuar ndonjëri nga deputetët në trafikun e drogës, por ne duhet ta mbrojmë atë. "Fjala është për një sasi droge të kapur, që mund të jetë implikuar ndonjë nga deputetët. Ne jemi një vend i tillë që ndoshta nuk jemi në gjendje të mbrojmë edhe dinjitetin tonë, por droga luhet pothuajse në të gjithë botën", deklaroi Gërmenji për median. Sekretari i PS Durrës, Leonidha Gërmenji, është krushku i deputetit Spartak Braho, i cili është akuzuar këto ditë për përfshirje në trafikun e drogës. Duke mbrojtur trafikun dhe deputetët socialistë të përfshirë në të, sekretari i PS u deklaroi gazetarëve se, Shqipëria nuk është i vetmi vend që trafikohet drogë, prandaj mediat nuk duhet t’i fryjnë shumë gjërat. "Nuk është vetëm Shqipëria që merret me këtë punë, se droga lëviz nga Turqia, Maqedonia, Bullgaria, vjen nga Amerika e Kolumbia", tha Gërmenji. Pas ndalimit të dy personave për trafik droge dhe pronarit të anijes "Delon", u akuza njëri nga deputetët socialistë të Durrësit për përfshirje në trafik. Burimet zyrtare bënë të ditur, se deputeti i përfshirë në trafikun e drogës është Spartak Braho, por Braho e kundërshtoi dje këtë akuzë të rëndë, duke deklaruar se sulmi ndaj tij është kurdisur nga grupe të caktuara në Partinë Socialiste.



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Try FREE Yahoo! Mail - the world's greatest free email!
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list