| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Rreth debatit per Ismail Kadarene (M.Baze)Redaksia Tema postatema at yahoo.comFri Mar 8 16:59:14 EST 2002
Problemet që shoqërojnë debatin rreth Ismail Kadaresë Mbi disidencën në Komunizëm, dhe konformizmin në Demokraci! Mero Baze Biografia e Ismail Kadaresë është vënë në qendër të vëmendjes, pas provokimit që i bëri opinionit publik një libër i piktorit Maks Velo, rreth problemeve që kanë shoqëruar krijimtarinë e këtij shkrimtari, gjatë viteve të sektarizmit të ashpër në komunizëm. Debati, i cili ka nxjerrë shumë pasione të zbuluara dhe ka zhubrosur shumë etiketa false të elitës kulturore, po humbet dita-ditës metodikën e një debati aq të nevojshëm për të shkuarën tonë të afërt dhe rolin e personaliteteve në këtë histori. Kështu kritikët e Ismail Kadaresë, po përpiqen të analizojnë, jo raportet e veprës së tij me diktaturën, por fatin e tij personal, ndërsa mbështetësit e tij, në shumicën e rasteve vrapojnë ti veshin Kadaresë merita të panevojshme për disidencën e tij qytetare dhe ti errësojnë kështu vlerat e tij si shkrimtar që ndjehej se prodhonte disidencë për kapilarët e shoqërisë komuniste shqiptare. Pra debati ka degjeneruar në biografinë politike të Ismail Kadaresë dhe nuk po i përmbahet një metodike të ndershme për të provuar raportet reale të veprës së Ismail Kadaresë dhe fatit të tij personal me dikaturën dhe si rrjedhojë vlerat apo antivlerat që i ka sjellë shoqërisë shqiptare fenomeni Kadare. Duke mos dashur të replikoj apo të evokoj askënd që ka hyrë për javë të tëra në këtë debat, qoftë dhe për shkakun se gazeta ku unë punoj është përfshirë në këtë debat, më duhet të ndaj qartazi për lexuesin disa probleme që nuk mund të anashkalohen nga debati. Raporti politik që ka vepra e Kadaresë me komunizmin Problemi i parë është raporti politik që ka vepra e Kadaresë me komunizmin. Pa asnjë mëdyshje çdokush që ka përjetuar në moshë madhore komunizmin në Shqipëri, duhet të mbajë mend se kur ka pasur nevojë të përjetojë diçka të ndryshme nga ushqimi i përditshëm letrar i komunizmit, instiktivisht janë prirur drejt leximit të Kadaresë. Vepra të tilla kanë qenë më antikomunistet, porse kanë qenë njëherësh edhe kufiri jetik i një vepre që prodhonte limfën e disidencës për kapilarët e shoqërisë shqiptare. Nëse dikush ka pasur qoftë dhe një sekondë dëshirë të mos ushqehej më me propagadë apo të mos humbiste orë të tëra duke u marrë me vulgaritetin letrar të prodhuar me porosi të politikës, ka pasur nevojë për Ismail Kadarenë. Në këtë pikëpamje vepra e tij ka prodhuar disidencë ndaj komunizmit shqiptar dhe kjo është një e vërtetë e madhe dhe e verifikueshme nga të gjitha brezat e ardhshëm që mund të marrin mundimin të bëjnë një analizë krahasuese të krijimtarisë artistike të realizmit socialist në Shqipëri. Raporti politik që ka pasur qytetari Ismail Kadare me komunizmin Problemi i dytë është raporti politik që ka pasur qytetari Ismail Kadare me komunizmin. Ky është një raport i ndërlikuar ku nuk mund të kihet parasysh vetë dëshira politike e Ismail Kadaresë por dhe vepra e tij. Unë nuk mund ta qortoj kurrë Ismail Kadarenë pse ka pranuar të jetë pak komunist, ose pak më shumë komunist në biografinë e tij qytetare për të na bërë më pak komunistë ose aspak komunistë ne të tjerëve, shumicës së shqiptarëve, të cilët nuk ishin as me teserë partie, dhe as me pranga në duar. Ai, në një farë mënyre, i ka përngjarë shushunjës që vihej në kurrizin e njerëzve të sëmurë nga malarja për të thithur prej trupit të tyre, vrerin vdekjeprurës. Nëse tek xhepat e Ismail Kadaresë do të kërkojmë një teserë partie, një mandat deputeti komunist apo ndonjë vend në sërën e lartë të hierarkisë komuniste, kjo nuk është një punë e vështirë. E vështirë seriozisht është që në prodhimtarinë e Kadaresë të gjesh atë vrerin e komunizmit që helmonte shoqërinë. Atë nuk e gjen dot, dhe Ismail Kadareja, i ka përngjarë shushunjës që ka thithur nga pak çdo ditë nga gjaku ynë i keq, për tu gjendur vet me biografi komuniste, kundër komunizmit. Raporti i tij me pluralizmin politik në Shqipëri Problemi i tretë dhe madhor që i krijohet Ismail Kadaresë është raporti i tij me pluralizmin politik në Shqipëri. Ata që druhen të thonë se Ismail Kadare nuk ka prodhuar disidencë ndaj Komunizmit, në fakt nuk e kanë me të shkuarën e Kadaresë, por me paskomunizmin e tij. Pas vitit 1990, Ismail Kadareja ka qenë për shqiptarët, për fat të keq, më shumë prodhues i emocioneve politike, sesa i emocioneve letrare. Kjo, për shumë arsye. Ndër më kryesoret, kanë qenë angazhimet e tij teknike për ribotimin e veprave, gjendja e tij mes Tiranës dhe Parisit, humbja fizike e kohës me infrastrukturën problematike politike të Shqipërisë dhe përpjekja për të gjetur një vend të qetë në zallamahinë politiko historike të këtyre dhjetë viteve. Të gjithë jemi dëshmitarë se ai prodhoi këto dhjetë vite, për fatalitetin e tij, një letërsi të mrekullueshme politike, por jo një letërsi të vërtetë që të trondisë politikën. Ai mbeti në mjeshtërinë e tij të madhe, të përdorimit të fjalës shqipe për të fshikulluar apo ndihmuar politikën, por nuk e ka takuar prej vitesh shkrimtarin e parë Ismail Kadare që prodhonte dallgë të fshehura për politikën pa u marrë direkt me të. Kjo përplasje dhe angazhim direkt, krijues, me politikën e ditës, këto dhjetë vite i kanë bërë Kadaresë më shumë dëm se sa raportet e tij të vjetra me komunizmin si sistem dhe si psikologji shoqërore. I kanë bërë dëm, pasi shumë kritikë të tij, bile gjithë kritikët e sotëm të tij e sulmojnë atë, jo pse ka qenë i ashpër ose i butë me komunizmin, por pse po tregohet i ashpër me ish-komunizmin dhe konformist me dukuritë jodemokratike të tranzicionit. Unë nuk do të doja kurrë që Kadare, të përfshihej në polemikat politike të ditës në Shqipëri, por si një gjigant i stresuar nga sirenat e komunizmit, ai nuk mund të mos rrijë pa shfryrë herë pas here ofshamat e tij ndaj rrugës që ai, si dhe shumë shqiptarë të tjerë, mezi kanë pritur që të hapet. Duke menduar si shumë bashkudhëtarë të mëdhenj të komunizmit se demokracia ishte shpëtimi, Kadare ka krijuar probleme konkrete me përfshirjen e tij në këshillat ndaj demokracisë në Shqipëri. Një durimsosur si ai, e ka pak të vështirë të kuptojë përse ankohen dy-tre gazetarë për mungesë lirie të shprehjes, apo dy-tre politikanë për vjedhje votash. Tirani e tepërt në emër të Ismail Kadaresë Prania e tij verbale në demokracinë problematike shqiptare, është një tirani e tepërt në emër të Ismail Kadaresë, pasi ajo bëhet pa kontributin fizik të tij.Arti i Kadaresë dhe përsosja e tij, nuk janë një infrastrukturë që prodhon modele demokratike, por cilësi të lart vlerash artistike. Bile këtu qëndron dhe spekullimi i talentuar i Lubonjës që përdor mitet e artit të Kadaresë, si një argument për totalitarizmin e tij. Nëse komunizmin Kadareja e dëmtoi seriozisht me vlera artistike, demokracinë nuk mund të themi se është duke e ndihmuar në të njëjtën mënyrë, pasi jo çdo gjë që i bënte keq komunizmit i bën mirë demokracisë. Kështu konformizmi i tij ndaj defekteve të demokracisë ka qenë një problem që shumë nga moshatarët e brezit tim ia pranojnë me vështirësi. Unë vetë shumë herë jam ndier keq kur Kadare ka heshtur në vitin 1996, kur demokracia u dëmtua në zgjedhjet e 26 majit, dhe në vend të një zëri autoritar si ai, folën disa çapaçulë me kartvizita false dhe krijuan një piramidë morale që dëmtoi sistemin e vlerave reale në Shqipëri. Ai foli në vitin 1997 në pozitat e një qortuesi të madh, kur klasa politike në fakt thuajse e zgjidhi problemin me marrëveshjen e 9 marsit. Ai thuajse dha këshilla të pavlefshme politike, ashtu gjakngrirë se mund ti prishte punë Shqipërisë. Bile shfaqjet e tij të fundit publike bien era konformizëm të panevojshëm dhe të padobishëm për askënd. Ai është në të vërtetë një njeri i mllefosur me komunizmin, një personalitet që e lufton atë me fuqinë e personalitetit të tij, por nuk ka kontribuar të ndihmojë demokracinë si një sistem i cili funksionon për dekomunistizimin e shoqërisë. Ai i ngjan një njeriu që mendon dhe e meriton të urdhërojë gjithë shqiptarët të vihen në rresht, që të bëjnë Shqipërinë demokratike. Monark i vërtetë i letërsisë shqiptare, ai është dhe do të mbetet për shumë kohë një konformist i shkeljeve të rregullave të demokracisë, për hirë të kujtimit të hidhur që ka nga komunizmi. Ai e shikon rrugën e Shqipërisë drejt demokratizimit si një rrugë e komanduar nga njerëz të fuqishëm dhe jo nga rregulla të fuqishme. Ai kërkon dikë dhe besoj se është ende duke e kërkuar, NJË personalitet, që të jetë shpëtimtari i këtij vendi. Ne të gjithë e dimë se AI nuk do të gjendet, por të gjithë bashkë mund të biem dakord të mbrojmë disa rregulla të forta që të na çojnë përpara. Të gjithë duhet të biem dakord se kur vidhen vota si më 24 qershor, duhet të ngrejmë zërin dhe jo disa javë më pas të fajësojmë të dy palët, të gjithë duhet të biem dakord se kur opozita shtypet, duhet të mbrohet dhe jo të ngrejmë zërin kur lufta ka nisur. Kadare po sulmohet nga ata që i mbajnë mëri se si ai i shpëtoi komunizmit fizikisht dhe artistikisht dhe ndoshta po mbrohet më tepër se çduhet nga ata që përdorin ëndrrën e tij për ta udhëhequr Shqipërinë drejt Demokracisë nën udhëheqjen e tyre. Në fakt ai mbetet i vetmi që ushqeu me disidencë politike shoqërinë pa e pasur atë një etiketë personale dhe po i vetmi që po përballon politikisht tranzicionin paskomunist të Shqipërisë, duke mos marrë pjesë fizike në politikë. Debati rreth veprës në komunizëm nuk po udhëhiqet nga një analizë reale e asaj çfarë ajo u dhuroi shqiptarëve, por nga ajo çfarë të tjerët nuk arritën dot të bëjnë. Në këtë aspekt kritikat ndaj tij vijnë nga të dështuarit dhe konformistët e diktaturës dhe nga spekullantët e pluralizmit. Efekti i veprës së Maks Velos në këtë aspekt nuk arriti të prekte thelbin e problemit të shkrimtarit me komunizmin në Shqipëri, pasi të frikësuarit prej saj nxituan të devijojnë rrugë. Kjo është një antivlerë e madhe e shoqërisë së sotme shqiptare, e cila nuk ka as një të qindtën e kurajos së Ismail Kadaresë së djeshëm, për të denoncuar atë që ka ndodhur. Turravrapi për të politizuar një prodhim artistik dhe përpjekja për të letrarizuar një veprimtari të pastër politike siç është përpjekja për të denigruar Kadarenë e djeshëm, janë dy rezultate që ka prodhuar deri tani provokimi i mrekullueshëm i Maks Velos dhe spekullimi me të. Kjo do të thotë se do të na duhet shumë kohë për të parë të vërtetën në sy, dhe pikërisht atëherë kur piramidat e gënjeshtra të shpallura si hierarki nga tranzicioni tinzar shqiptar, të jenë rrëzuar me çmimin që rrëzohen piramidat. --------------------------------- Do You Yahoo!? Try FREE Yahoo! Mail - the world's greatest free email! -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |