Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Shekulli - Porti i Durresit

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed Mar 6 13:28:53 EST 2002


Banka Botërore do të financojë vetëm nëse qeveria heq depozitat e naftës nga Porti i Durrësit
Poortman: Hiqni tankerat grekë nga porti 

Mosheqja e depozitave greke rrezikon rreth 200 milionë dollarë investime të huaja 

Në një konferencë shtypi me video nga Uashingtoni, drejtori për Evropën Juglindore i Bankës Botërore, Poortman, tha se "largimi i tankerave të naftës në Portin e Durrësit është pjesë e masterplanit që ka miratuar banka për financim"
Nga Gerti Osmani
Banka Botërore kërkon largimin urgjent të tankerave grekë nga Porti i Durrësit. Në një konferencë për shtyp, direkt nga Uashingtoni, drejtori i Bankës Botërore (BB) për Evropën Juglindore, Portman, tha se qeveria shqiptare duhet të marrë masa urgjente për largimin e tankerave të naftës nga Porti i Durrësit. Sipas burimeve nga selia e Bankës në Tiranë, Portman ka kushtëzuar investimet e parashikuara nga Banka Botërore në Portin e Durrësit me heqjen e tankerave. Këta rezervuarë, të ndërtuar nga kompania greke "Hellas Petrolium", janë bërë shkak jo vetëm për bllokimin e investimeve në port, por edhe kanë rrezikuar me shpërthim ekzistencën e qytetit të dytë më të madh në vend, Durrësit. "Largimi i tankerave të naftës nga Porti i Durrësit është pjesë e masterplanit që ka miratuar për financim Banka Botërore",- theksoi Poortman. Por, ka shtuar Poortman, "qeveria shqiptare e ka miratuar vetë këtë projekt, kështu që duhet të zgjidhë edhe largimin e tankerave të naftës nga porti". Përveç kredive të Bankës Botërore edhe donatorë të tjerë kanë kërkuar heqjen e tankerave nga porti. Vetëm para pak javësh ishte Banka Evropiane e Investimeve (BEI) që konfirmoi kredinë 17 milionë euro për Portin e Durrësit. Por edhe kredia e BEI është e lidhur ngushtë dhe është plotësuese e kredisë së BB. Në vitin 1998, BB akordoi 17 milionë dollarë për projektin e Portit të Durrësit për eficiencën dhe rritjen e kapacitetit të shfrytëzueshëm të portit. Fondet për këtë projekt plotësohen nga financimet e qeverisë shqiptare dhe fondet për zhvillimin ndërkombëtar të OPEC-ut (Organizatës së vendeve eksportuese të naftës).  Një projekt i rëndësishëm është menaxhimi i tokës brenda sipërfaqes së Portit të Durrësit, që financon Banka Botërore. Ndërsa në Konferencën e Dytë të Donatorëve për Paktin, të zhvilluar tetorin e kaluar, Porti i Durrësit mori rreth 160 milionë euro financime nga donatorë të ndryshëm. Por të gjitha projektet e donatorëve vazhdojnë të mbahen peng nga tankerat grekë.  Ndërkohë, Banka Botërore deri në qershor ka afatin për miratimin e 4 projekteve të saj për Shqipërinë, që kapin shumën e 70 milionë dollarëve. Këto projekte presin rinegociimin me qeverinë "Majko" dhe duhet të miratohen brenda fundit të qershorit në bordin e drejtorëve të bankës. Gjithsesi, sipas burimeve, Poortman ka siguruar mbështetjen me financime të mëtejshme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë jo vetëm për projektet e nisura, por edhe me të tjera. Si kusht, BB ka vendosur vazhdimësinë e reformave të nisura. Banka do të mbështesë me projekte të reja sektorin financiar, privatizimin e Bankës së Kursimeve, projektin "Për zbutjen e varfërisë", sistemin elektroenergjitik, etj. Poortman ka vënë theksin edhe te vështirësitë e krizës energjetike në Shqipëri dhe, sipas tij, veç ndërtimit të veprave të reja prodhuese termike, duhet të rriten arkëtimet dhe të përmirësohet menaxhimi i KESH-it. Gjithashtu, sipas tij Banka Botërore mbështet luftën kundër korrupsionit. Problemet e luftës kundër korrupsionit po nxiten nga Banka Botërore përmes programeve antikorrupsion në mbështetje të projekteve të ndërmarra nga qeveritë e vendeve të Evropës Juglindore, ku bën pjesë dhe Shqipëria. "Nuk dua të komentoj në çështje të veçanta, por lufta kundër korrupsionit mbetet shumë e rëndësishme. Çështja e korrupsionit në Shqipëri është e rëndësishme, ndaj ne e kemi marrë shumë seriozisht dhe do të merremi në menyrë të drejtpërdrejtë me këtë problem",- mësohet të ketë deklaruar numri një i Bankës Botërore për Shqipërinë.


---------------------------------
Do You Yahoo!?
Try FREE Yahoo! Mail - the world's greatest free email!
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list