Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Zhvillimet ne Shqiperi - 3.3.2002

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sat Mar 2 18:59:21 EST 2002


Koçi: 11 veprime për "duart e pastra" 

TIRANE - Petro Koçi, sekretari organizativ në Partinë Socialiste, bëri publike dje në emër të grupit nismëtar të lëvizjes për referendum platformën e lëvizjes për qeverisje me "dorë të pastër". Sipas tij, kjo platformë do t’i paraqitet për miratim

Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, për t’u shndërruar në platformë të partisë, pasi platforma antikrizë e miratuar disa kohë më parë është dëmtuar për shkak të kërkesës për votbesim të kryesisë dhe sekretariatit të partisë. "Lëvizja për qeverisje me "dorë të pastër" po shndërrohet në platformë politike të PS-së dhe është kthyer në detyrim moral e programor të përfaqësimit të saj institucional në nivel qëndror e vendor", tha Koçi. Duke bërë publike këtë platformë, ai përmendi rolin e kompromentuar të opozitës ndaj institucionit politik dhe ligjor "antikorrupsion".

"Partneriteti tashmë publik i opozitës kryesore me segmente të akuzuara për shpërdorim të përgjegjësive zyrtare, përfaqësuese të maxhorancës për realizim të përbashkët të nismës për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, vërteton denoncimin politik për funksionimin e një aleance jopublike pushtetarësh e opozitarësh, kundër organeve të drejtësisë që po intensifikojnë luftën kundër korrupsionit e trafiqeve", tha Koçi. Lëvizja për qeverisje me "dorë të pastër" parashikon katarsisin në nivelin qëndror e lokal, në strukturën politike e administrative të përfaqësimit të PS-së. Sipas sekretarit Koçi, do të nxitet opozita për të bërë të njejtin ushtrim përgjegjshmërie, sidomos në ato nivele ku ajo ka përgjegjësi pushteti. Platforma parashikon përmirësimin e kuadrit ligjor që të mbyllë hapësirat për abuzime, marrjen e nismave për të promovuar kriterizimin politik, moral e profesional të përfaqësimit të partisë, etj. Në të parashikohet vendosja e një sistemi legjitim politik dhe juridik të funksionimit të marrëdhënieve të personave me përgjegjësi publike me komunitetin që siguron kontrollueshmëri për veprimtarinë e tyre pushtetore e shtetërore. PS do të ndryshojë sistemin e funksionimit të demokracisë së vet në favor të përfshirjes, respektimit të anëtarit të partisë në vendimmarrjet e rëndësishme politike, duke u shndërruar në një mekanizëm demokratik të përfshirjes së qytetarit në qeverisje. Në nivel vendor Partia Socialiste të hapet ndaj komunitetit në trajtimin e ôështjeve të administrimit të pushtetit e të funksionimit të saj të brendshëm, përfundoi paraqitjen e platformës së lëvizjes me dorë të pastër, sekretari organizativ Petro Koçi

 

Të hetohet tentativa për pastrim parash 

Tirane- Zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, Ardian Visha , i tha dje disa televizioneve se Prokuroria e Përgjithshme kishte urdhëruar Prokurorinë e Tiranës për të filluar një proces hetimi lidhur me akuzat e ngritura nga ish ministri i Energjisë Dritan Prifti. Por kjo vlente vetëm për deklarimin e zotit Prifti për bllokimin nga ana e tij, e kryeministrit Meta dhe Ministrit Angjeli të një tentative për pastrim parash.

Zoti Visha nuk dha të njëjtën përgjigje për akuzat e tjera të zotit Prifti sidomos për ato që lidhen me përgjimin e telefonave.

U mësuam me akuzat e të inkriminuarve dhe politikanëve sa herë që ata hetohen apo u preken interesat - tha dje në një prej televizioneve kombëtare, zëdhënësi Visha. Ne e bëmë punën tonë, i takon Parlamentit tani të vendos heqjen ose jo të imunitetit të zotit Prifti - tha Visha për hetimin e deputetit.

Nga ana tjetër, shumë shpejt do të nisin hetimet edhe për faktin nëse janë të vërteta deklaratat e zotit Prifti për tentativën kërkuar Qeverisë shqiptarepër pastrim parash.

Mendoj se deklaratat e zotit Prifti, të bëra dje, ndonëse në mungesë gjakftohtësie, përbëjnë shkak serioz për të filluar hetimet dhe menjëherë Prokuroria shqiptare do të fillojë hetimet lidhur edhe me këto akuza të rënda për pastrim parash, duke i kujtuar zotit Prifti dhe kujtdo politikani tjetër që të mos kallzojë krimin. Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë ajo nuk përbën gjë tjetër veçse kryen një vepër tjetër penale- tha Visha.

Ai shtoi se pikërisht për këtë çështje Prokuroria do të thërras për të dëgjuar të gjithë personat e përmendur nga zoti Prifti.

======

Intervista e Ilir Metes 

Meta:Transaksione për pastrim parash, personat ishin në ndjekje penale 

Dje ish ministri Dritan Prifti, ka deklaruar se zoti Fatos Nano ka kërkuar që të bëhet një operacion për pastrim parash të një shume rreth 1 miliard dollarë. Zoti Nano e ka kundërshtuar këtë, a është e vërtetë zoti Meta?

Do t’ju konfirmoj se, sikurse iu referuat edhe ju zotit Priftit në konferencën për shtyp që ai ka dhënë dje, që është e vërtetë se zoti Nano ka insistuar për transaksione financiare të paligjshme të cilat u identifikuan menjëherë nga ana jonë me institucione ndërkombëtare që ishin të natyrës së pastrimit të parave. Ndërsa personat e angazhuar me to ishin për në ndjekje penale në vendet e tyre.

 

Zoti Dritan Prifti e ka konsideruar procesin ndaj tij si proces politik. A jeni edhe ju i mendimit se procesi ndaj tij është proces politik?

Unë dua të shpreh keqardhjen për modestinë me të cilën e ka karakterizuar zoti Prifti këtë proces si proces politik. Ai nuk është thjesht një proces politik, por është një veprim tërësisht mafioz. Zoti Prifti është vënë përballë terrorit psikologjik i cili synonn të detyrojë një njeri i cili ka edhe problemet serioze shëndetësore për të dëshmuar gjëra të pavërteta për interesin politik të Fatos Nanos për të diskredituar kundërshtarët e tij, dhe në rradhë të parë mua, që kam qenë në detyrën e kryeministrit. Njëkohësisht, sikurse e tha zoti Prifti, këto presione dhe ky terror psikologjike jo vetëm nga ana e Prokurorisë, por në radhë të parë nga ana e zotit Nano dhe përkrahësve të tij, kanë filluar ndaj tij që më datë 3 dhjetor kur disa ministra dhanë dorëheqjen dhe ku zoti Prifti nuk iu përgjigj kërkesës së zotit Nano që edhe ai të jepte dorëheqje me qëllim që të rrëzohej Qeveria. Gjë që nga ministrat që iu kërkua nga zoti Nano e bëri vetëm ish ministri i Bujqësisë. Njëkohësisht po theksoj se që prej një muaji kur unë isha ende në detyrën e kryeministrit, në një mbledhje të kryesisë, Limoz Dizdari, anëtari i kryesisë, na njoftoi që sapo kishte folur me Prokurorin e Përgjithshëm dhe se Dritan Prifti ishte arrestuar në flagrancë. Dhe pasi unë fola me zotin Gjoni, në detyrën e ministrit të Rendit, dhe me zotin Prifti, përfundimisht ishte e qartë se kjo ishte një provë dhe një pjesë e një terrorit psikologjik të ndërtuar ndaj këtij personi, i cili duhet të dëshmojë ato gjëra që kërkon Prokurori i Përgjithshëm sepse ia kërkonte atij zoti Nano.

Për të gjitha këto elementë del e qartë që ne këtu kemi të bëjmë jo thjesht me një proces politik. Eshtë shumë më tepër, është një proces i tërë mafioz.

Atëherë, zoti Prifti ka bërë të ditur në deklaratën e tij se prokurori i përgjithshëm Rakipi i ka kërkuar atij që të dëshmojë kundër jush dhe disa ministrave në kompensim të mbylljes së procesit ndaj tij. Komenti juaj.

Unë e besoj plotësisht zotin Prifti. Unë nuk dua të reagoj thjesht tani ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për këto arsye dhe as në shenjë hakmarrje, absolutisht. Qëndrimet e mia lidhur me ato se çfarë përfaqëson Prokuroria e Përgjithshme jo vetëm që ia kam shprehur prokurorit të përgjithshëm në muajin gusht, një ditë përpara mbledhjes së KPD-së që do të bënte zgjedhjen e kryeministrit, ku ai kishte dhënë një intervistë në gazetën Shqiptare e ku bënte të njëjtat insinuata si ato që bënte Nano në fjalimet e Lezhës dhe në fjalimet e tjera, por njëkohësisht i kam shprehur shumë qartë janë ende të protokulluara, edhe në një mbledhje të Qeverisë më datën 20 ose 22 tetor ku ai insistonte që policia të çonte me forcë zotin Sali Berisha për të dëshmuar në procesin "Hajdari", pa kërkuar heqjen e imunitetit në Parlament. Gjë që bëhej për të tensionuar politikisht situatën në vend dhe për të bërë përgjegjëse Qeverinë dhe kjo natyrisht në funksion të llogarive të zotit Nano për të destabilizuar që në fillimet e veta dhe për të më diskredituar politikisht mua brenda dhe jashtë vendit si njeri që persekuton opozitën. Dhe njëkohësisht unë ia kam bërë me dije vazhdimisht edhe Presidentit Meidani, edhe kryetarit të Parlamentit Dokle, se Prokuroria e Përgjithshme është një vegël e verbër politike e Fatos Nanos dhe e bandës së tij mafioze staliniste. Dhe një nga arsyet që unë e kam quajtur bandë mafioze staliniste është pikërisht, sepse përdor në mënyrë të verbër institucionet e shenjta që kanë të bëjnë me integritetin e shtetit dhe jo vetëm të shtetit, por gjithë institucioneve dhe të qytetarit për qëllime politike të fëlliqura.

==

Deklarate e Dritan Priftit

Provoj para çdo prokurori të botës tentativën për pastrim parash 

Dëshiroj t’i bëj të qartë dhe njëhere opinionit publik shqiptar se nuk ndryshoj asnjë pikë nga ato që deklarova dje në konferencën për shtyp.

Po e informoj përsëri z. Rakipi se dhe numri im i ri i telefonit celular që kam filluar ta përdor para dy ditesh ka filluar sërish të përgjohet që nga mesdita e dites së djeshme, pas konferencës time për shtyp. Me kanë informuar për këtë fakt burime të sigurta jashtë Shqipërisë. Eshtë detyra e tij si Kryehetues që të zbuloj të vërtetën se kush i jep urdhrat për përgjimin e telefonit tim nga Italia apo ndonjë vend tjetër. Megjithëse përgjimi i telefonit më ka dhënë dhe kënaqësinë që këtyre njerëzve që e bëjnë këtë, ‘ti them disa fjalë direkt.

Zëdhënësit të z. Rakipi nuk i marr gjë për keq nga reagimi i tij dje, sepse ai paguhet për t’i dhënë zë të tjerëve. Ai deklaroj se për mua do te shtohet akuza për mosdenoncim të krimit. I kujtoj zëdhënësit që flet për prokurin që t’i thote prokurorit që nuk ka asgje të keqe që ai të hape librat e shkollës dhe të kujtoj që detyrimi ligjor i individit për të denoncuar është kur krimi është i ndodhur dhe i provuar. Unë nuk fola për një krim të provuar, por për një tentativë për të bërë krim, tentativë të cilen mund ta provoj përpara çdo prokurori në botë.

Në qoftë se zëdhënësi Visha deklaratën e ka personale, detyrohem t’i kujtoj zëdhënësit që nga goja e tij në ambjente të pista shoqërore jam përgojuar unë dhe Ministra të tjerë. Zëdhenesi nuk duhet të nxjerrë në pazar me mburrje bisedat e shefit te tij me ambasador e personalitete te tjera, sepse kështu jo vetëm nuk ruan figuren e shefit te tij, por fiton përbuzje për institucionin që përfaqëson. Përsa i përket deklaratës së djeshme të z. Nano dua të them që ishte ajo që prisja; presione dhe kërcenime për kundershtarët e tij dhe marrje në mbrojtje për të vetët. Unë jam për drejtësi mbi bazën e ligjit dhe jo për drejtësi mbi bazë udhërash të individëve. Le të bëhet flamurtari i kararsisit në Partinë Socialiste, në qoftë se me të vërtetë deshiron katarsis dhe transparencë për të gjithe, mbeshtetësi i idesë time që prokurori i përgjithshëm të propozohet nga opozita dhe të bëj transparencë për të gjithë, duke filluar tek unë dhe pastaj tek ai. Unë e kam te qartë se kush është z. Nano. Këtë po e kuptojnë me zhgënjim gjithe socialistet shqiptar dhe një pjesë e ndershme e mbështetësve të tij në Parlament që janë me të vërtetë idealist për njëShqipëri më të mirë.

Z. Nano do t’i them se është mjerane përpjekja e tij për të përbaltur Presidentin e Republikës nëpërmjet këqinterpretimit te fjaleve të mia. Unë deklarova që e kam informuar z. Meidani për presionet politike dhe fizike që kanë bërë ndaj meje persekuturoret e mi. Z. Nano nuk ka asgje të përbashkët me Presidentin Meidani, i cili përfaqëson intelektualin e shquar shqiptar, përfaqësues dinjitoz të këtij shteti. Duke mos e tepruar po them që këto dy figura janë 100 vjet dritë larg njeri-tjetrit.

 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Sports - Sign up for Fantasy Baseball
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list