| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Gazeta TemaAgron Alibali aalibali at yahoo.comFri Jun 14 11:22:38 EDT 2002
Perse SHBA ka dyshime ndaj Nanos Nga Gary Q. Kokalari Në fillim të majit udhëtova në Shqipëri, ku pata kënaqësinë të kaloja disa ditë pushimi në Sarandë. Ndërsa çlodhesha në hotel duke vështruar ngultas në anën tjetër të detit Korfuzin, njëri nga bashkëudhëtarët e mi më thotë se Fatos Nano po pushonte në ishullin grek. Mendova me vete: çfarë ironie! Këtu jam unë, një shqiptar nga Nju Jorku, duke pushuar në vendpushimin e mrekullueshëm shqiptar të Sarandës dhe përtej, në skajin tjetër ujor, një "shqiptar" nga Shqipëria i cili pretendon të bëhet presidenti i Shqipërisë po pushon në Greqi. Natyrisht, nuk ka asgjë të keqe që një shqiptar bën pushimet në Greqi, për më tepër që, siç kam dëgjuar, Korfuzi është shumë i bukur. Problemi është se Fatos Nano duket se kalon më shumë kohë në Greqi se në Shqipëri. Në ditët që vijuan, një histori shqetësuese filloi të qarkullonte në Shqipëri. Shtypi raportonte se më 4 maj, ndërsa ndodhej në Korfuz, Fatos Nano kishte marrë pjesë në një takim me Nik Geixh (Nikos Gatzoyiannis), nje greko-amerikan, i cili sipas mendimit tim, përfaqëson gjithçka ështe e keqe nga shovinistët grekë, të cilët e kanë dëshmuar që janë armiq të betuar të Shqipërisë. Duke parë reagimin negativ që shoqëroi lajmin për takimin e Korfuzit, Fatos Nano dhe të tjerët, për të cilët raportohej se kishin marrë pjesë në takimin e 4 majit, vunë lakejtë e tyre në punë dhe filluan të thurnin një variant tjetër, sipas të cilit Nik Geixh (mbiemri i të cilit fillon me G dhe ai vetë është grek), nuk ishte në takim dhe ngatërresa ishte rrjedhojë e pranisë në Korfuz të aktorit Nikolas Keixh (mbiemri i tij fillon me K dhe ai vetë është italo-amerikan). Megjithatë, kur Nanoja u pyet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga gazetarët për takimim me Nik "Grekun" Geixh, ai nuk e mohoi atë, por u përgjigj me përbuzje se ai nuk i fuste hundët në dhomat e gjumit të të tjerëve dhe as ata nuk kishin pse të ndërhynin në të tijën! Pasi dëgjova këtë, unë u lidha me dy zyrtarë të Qeverisë Amerikane, që merren me problemet shqiptare, njëri nga të cilët kishte folur personalisht me Geixhin, Nanon dhe Metën, pak ditë pas njoftimit për takimin e Korfuzit. Sipas të dy këtyre zyrtarëve, takimi Nano-Geixh në Korfuz ka ndodhur realisht. Meqë tani Nano lakmon presidencën shqiptare, si dhe duke parë reagimin negativ që mbuloi takimin e Korfuzit, është e rëndësishme të kuptohet përse mbështetësit e tij përpiqen me çdo kusht të mohojnë takimin me Nik Geixhin. Më 1995, Anastas Angjeli bashkë me ministrin grek të financave, Aleksandros Papadopoulos, ishin të ftuar nderi në takimin vjetor të Federatës Panepirote në kryeqytetin e SHBA-së, Uashington. Nik Geixhi është president i Federatës Panepirote, një organizatë e cila në publikimet zyrtare i referohet Shqipërisë së Jugut me termin Epiri i Veriut dhe deklaron se në Shqipëri ka 600 mijë grekë. Në Enciklopedinë e Shoqatave, bashkë me përdorimin e termit "Epiri i Veriut', Geixhi e përshkruan "Epirin e Veriut" si të pushtuar nga Shqipëria dhe nën kontrollin shqiptar. Me këto fjalë, Geixhi ka bërë të qartë faktin se ai dhe të tjerë bashkëluftëtarë të tij grekë, besojnë se Shqipëria e Jugut është territor grek, duke e vënë kështu në pikëpyetje sovranitetin e Shqipërisë në rajon dhe duke treguar haptazi synimet e tyre për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Në vitet në vazhdim, lidhja e Angjelit me Geixhin vazhdoi. Ata kanë ruajtur kontaktet mes tyre dhe Angjeli e ka përdorur Geixhin si udhërrefyesin e tij në Uashington. Në këmbim, Geixhi e konsideronte Angjelin si "kalë Troje" për synimet e tij në Shqipëri. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë nëse kjo lidhje u përdor për të ndikuar mbi Fatos Nanon, kur ai e zgjodhi Angjelin si Ministrin Shqiptar të Financave. Pra, çfarë mund të ketë qenë në rendin e ditës së takimit të Korfuzit? Siç dihet mirë në Shqipëri, Meta dhe Angjeli krijuan një lidhje, e cila gjithnjë e më shumë po përjashtonte Nanon. Ndërkohë që Angjeli majmej pa pushim nga pozita e tij, Nano ishte lënë jashtë sofrës. E çfarë mund të bënte Nano? Nano shfrytëzoi pushtetin e tij politik duke akuzuar Angjelin per korrupsion, një rast klasik ku hajduti shan hajdutin hajdut, në një përpjekje për të detyruar Metën dhe Angjelin që të lënë postet e tyre, në mënyrë që Nano të realizonte një qeveri sipas dëshirave të tij. Tani ishte Angjeli që e pa veten të paftuar në gosti. Çfarë mund të bënte ai për t'u rikthyer? Angjeli mendoi se ai mund t'i telefononte mikut të tij të vjetër Nik Geixh, i cili kishte lidhje me influencë në Qeverinë Amerikane. Pas kësaj, Geixhi dhe Nanoja u takuan, në një përpjekje për të hartuar një taktikë të re që mund t'i jepte secilit atë që donte: Nanos kohezion në Partinë e tij, në mënyrë që ai të realizonte ambicjen e tij për president; Angjelit dhënien sërish të çelësit të arkës së Shqipërisë në mënyrë që të majmej akoma; Geixhit, garancinë se tentakulat do të vazhdonin të arrinin brenda qeverisë shqiptare. Por, në rendin e ditës së takimit të Korfuzit, ishte edhe një çështje tjetër. Geixhi ishte i interesuar për privatizimin e Bankës së Kursimeve, me motivin e mundshëm të sabotimit të proçesit aktual të tenderit, në mënyrë që interesat greke të rishfaqen si kandidues te mundshëm për blerjen e kësaj banke. Po përse është Banka Shqiptare e Kursimeve kaq e rëndësishme për Geixhin? Geixhi e ka kuptuar kohë më parë se synimi i tij për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia nuk do të tolerohej nga NATO-ja. Ndaj, meqë ata nuk mund të arrijnë qëllimin e tyre për aneksimin fizik të Shqipërisë, do u duhet te kënaqen me më të mirën e mundshme në këto rrethana aneksimin ekonomik. Nëse grekët mund të arrijnë të marrin kontrollin e Bankës Shqiptare të Kursimeve, së bashku me bankat e tjera shqiptare që ata zotërojnë tashmë, grekët do të zotërojnë 80% të sektorit më të rëndësishëm ekonomik dhe strategjik të Shqipërisë, sistemin bankar. Kjo do të ishte përveç kontrollit që ata tashmë kanë mbi sistemin e shërbimit celular shqiptar dhe monopolit pothuajse të plotë të tregtisë së naftës në Shqipëri. Një gjë është e qartë, Nik Geixh dhe shovinistët grekë që ai përfaqëson duhet të konsiderohen si armiqtë e Shqipërisë. Dhe çdo mik i Geixhit, veçanërisht dikush që e konsideron takimin e Korfuzit të ngjashëm me një marrëdhënie në dhomën e gjumit, duhet të konsiderohet gjithashtu armik i Shqipërisë. Vetëm pak muaj më parë, Nano premtoi së do të forconte ekonominë shqiptare, duke pastruar qeverinë nga elementët e korruptuar. Ne e pamë të gjithë se ç'u bë me këtë premtim. E vetmja gjë që ai pastroi ishte balta që sapo kishte hedhur nga fytyrat e korruptuara të disa ministrave, të cilët pasi i akuzoi publikisht si të përlyer e të korruptuar, u bënë papritur specialistët më të mirë të mundshëm për qeverinë shqiptare. Ndoshta ajo që donte të thoshte qe se ata ishin ministrat më të mirë që blihen më kollaj me para. Sigurisht që ne nuk duhet të harrojmë premtimin më të madh të bërë nga Nano gjatë fushatave elektorale, që ai do t'i kthejë popullit shqiptar në masën 100% fondet e humbura në firmat piramidale. Populli ende po pret, Fatos! Apo mos nuk duhet të presë më pasi paratë u harxhuan diku tjetër Fatos? Sipas një zyrtari të Departamentit Amerikan të Shtetit, gjatë një udhëtimi në SH.B.A, Nano shpenzoi 35.000 $ duke luajtur nëpër kazinot e qytetit Atlantik Siti, Nju Xhërsi, si dhe 35.000 dollarë duke fluturuar me linjën supersonike Konkord, informacion ky që u publikua gjerësisht edhe në Shqipëri. Nuk ka njeri në Partinë Socialiste të pyesë se nga vijnë këto para? Mos ka ndonjë pemë në Shqipëri ku rriten para? Nëse po, unë shpresoj që Fatosi të tregojë pak nga mikpritja shqiptare dhe të më çojë edhe mua atje për ta parë këtë pemë gjatë vizitës time të ardhshme në Shqipëri. Papërgjegjshmëria e Nanos, arroganca dhe deliri i tij duken se nuk kanë kufi. Ai beson se ai mund t'i diktojë vullnetin e tij partisë së tij dhe të luajë me anëtarët e saj sikur ata të ishin gurët e tij të shahut. Në fakt, gjatë një darke të kohëve të fundit në një restorant në Tiranë, Nano u dëgjua t'i thoshte gruas së tij në një mënyrë shumë tallëse dhe mospërfillëse "e dashur, a do ta ndryshoj prapë qeverinë për ty?" Ne gjithashtu duhet mbajmë parasysh se në vitin 1997, Nano takoi me dyer të mbyllura kasapin e shqiptarëve Sllobodan Millosheviçin dhe deklaroi se Kosova duhet të ishte pjesë e Serbisë demokratike! Ashtu si dhe në rastin e Geixhit, ai kurrë nuk e zbardhi përmbajtjen atij takimi dhe nuk u tregua transparent për marrëveshjet që ai negocioi gjoja "për të mirën e shqiptarëve...". Çdo anëtar i Partisë Socialiste që ka sadopak respekt për veten duhet të fyhet me përbuzjen e hapur që Nano ka treguar ndaj tyre si mbështetës të Partisë Socialiste. Dhe çdo parlamentar që do të votojë për presidentin dhe që ka qoftë edhe një fije besimi në betimin që ata kanë bërë para popullit shqiptar duhet të kujtojë mirë se kush është Nano. Sipas mendimit tim, nëse Nano bëhet Presidenti i Shqipërisë, do t'i japë një sinjal të qartë botës se korrupsioni dhe papërgjegshmëria janë institucionalizuar formalisht në Shqipëri. A është kjo ajo çka do Partia Socialiste për shqiptarët? Nëse Nano do të realizojë ambicjen e tij për t'u bërë president, ne nuk duhet të çuditemi nëse veprimi i tij i parë në fushën e biznesit do të ishte dhënia e urdhrit për ndërtimin e një reklamë gjigante të drejtuar nga Jugu i kufirit të Shqipërisë me Greqinë. Në këtë reklamë me gërma greke, do të jenë shkruar fjalët: "Shqipëria shitet, për informacione të mëtejshme, telefonojini Fatos Nanos". --------------------------------- Do You Yahoo!? Sign-up for Video Highlights of 2002 FIFA World Cup -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |