| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Kadare me 1993 - ShekulliAgron Alibali aalibali at yahoo.comSun Jun 2 00:09:40 EDT 2002
Për herë të parë botohet letërpolemika e personalitetit të shquar të kulturës me një gazetë në Itali Kadare: Ja e vërteta për refugjatët I nderuari zoti kryeredaktor, Ju falënderoj për dërgimin e nr. 84 të gazetës suaj "Katundi ynë", të cilën e kam lexuar dhe vazhdoj ta lexoj me shumë interes e kënaqësi, sa herë më bie në dorë. Aq më tepër që në këtë numër ju keni botuar dy shkrime për veprën time, njerin të shkruar nga zoti Eleuterio Fortino e tjetrin nga A.K., refugjat shqiptar në Itali. Në këtë rast m'u duk e arsyeshme që, bashkë me falënderimin, t'ju shfaq disa mendime të mia, që lidhen jo vetëm me këto shkrime, por me moralin e shtypit dhe të krejt shoqërisë shqiptare sot. Shkrimet e botuara në të njëjtin numër gazete janë fare të ndryshëm për nga fryma. I pari, ai i zotit Fortino, është lavdërues, i dyti, ai i zotit A.K., është e kundërta e të parit. Meqenëse gjer më sot ende nuk ka lindur ajo racë njerëzore që të parapëlqejë sulmet dhe, meqenëse unë bëj pjesë në gjininë e sotme njerëzore, me gjithë tiparet dhe dobësitë e saja, duhet t'ju pohoj se shkrimi i dytë nuk më pëlqeu. Ndërkaq, do të jem krejt i besueshëm për t'ju thënë se, si shumica e shkrimtarëve dhe e njerëzve publikë, ka shumë vite që jam mësuar që, krahas lavdërimeve, të lexoj në shtyp sulme, madje nganjëherë trillime nga ato, që njeriu i pamësuar do t'i duronte me vështirësi. Kështu që nuk do të ma merrni për ndonjë vetëlavdërim po t'ju them se shkrimi i A.K. nuk shton ndonjë gjë të re në këtë seri dhe unë nuk do t'i përgjigjesha atij, siç nuk i jam përgjigjur shumicës dërrmuese të tyre, në qoftë se nuk do të lidhej me disa probleme të përgjithshme të shtypit shqiptar e sidomos nëse nuk do të botohej në një gazetë arbëreshe. * * * Nuk do të merrem me analizën dhe përgjigjen e këtij shkrimi tepër të gjatë, që është gati sa një gjysmë libri. Do të them vetëm se ai është mbushur me trillime, disa herë monstruoze. Disa fraza aty-këtu, ku pohohet se "Kadare është talent i madh" etj., nuk janë vënë veç për t'i bërë më të besueshme sulmet, të cilat janë të tilla që, këto gjoja lavdërime, në sfond të mllefit të artikullshkruesit, tingëllojnë thjesht hipokrizi. Për të vërtetuar këtë do t'ju përmend vetëm dy prej tyre: çështjen e kinse përçmimit që u kam bërë unë refugjatëve shqiptarë dhe sidomos qëndrimi im ndaj serbëve të Kosovës. Besoj se janë të mjaftueshme për të kuptuar gjithçka, pa qenë nevoja të kujtoj se nuk e kam sulmuar kurrë Atë Donat Kurtin, se nuk e kam përbuzur asnjëherë Atë Shtjefën Gjeçovin, përkundrazi, e kam nderuar mjaft, e të tjera si këto. * * * Po kthehem te dy trillimet. I pari, i ashtuquajturi "deklarimi" im ndaj refugjatëve shqiptarë, është një fabrikim dinak i Sigurimit Shqiptar, me qëllimin e qartë që këta refugjatë ta shpërndanin atë kudo, në Shqipëri dhe në botë. Do të arrihej kështu diskreditimi i shkrimtarit, për të cilin regjimi komunist, i obseduar, siç qe, nga rrezikimi i pushtetit, druhej se ai mund ta lakmonte, sidomos pak ikjes së tij nga Shqipëria. Shpifja u shpërnda me shumë zell në radhë të parë nga ata refugjatë, që kishin për detyrë këtë gjë, domethënë nga spiunët e Sigurimit, të futur midis refugjatëve, dhe pastaj nga shumë të tjerë që, për shkaqe të ndryshme, kryesisht nga naivitetit dhe mungesa e informacionit, e besuan atë. Ndërkaq, qëndrimi im ndaj refugjatëve shqiptarë ka qenë më se i qartë dhe i shprehur shumë herë publikisht në librin tim "Nga një dhjetor në tjetrin" e në dhjetëra deklarata e intervista botuar në shtypin shqiptar e botëror. Në dhjetëra letra mallëngjyese që më kanë dërguar, refugjatët shqiptarë më kanë shprehur mirënjohjen e tyre për mbështetjen dhe mbrojtjen që u kam bërë kundër keqkuptimeve, sulmeve dhe fyerjeve të pamerituara që kanë pësuar gjithkund. Duke e ditur ndërkaq fabrikimin e kësaj shpifjeje, duke e ditur sidomos se e keqja shpesh ka cilësinë të zërë vend më fort se e mira, në disa raste e kam denoncuar atë. Mirëpo ka ende njerëz, në veshët e të cilëve, ndërsa nuk arrin kurrë ajo që është shkruar e deklaruar kudo, për çudi, arrin ajo, që s'ekziston kurrkund. A.K., ndonëse, siç del nga shkrimi, ka ndjekur hap pas hapi veprimtarinë time, për çudi, hyn ndër këta të dytët. * * * Çështja e refugjatëve është vetëm një ndër trillimet e këtij shkrimi, madje trillimi më i falshëm. Them i falshëm, sepse, sidoqoftë, mund të merrej si një pakujdesi ose si një mbeturinë në kujtesën e gjithçkaje të vjetër, siç na qëllon shpesh të gjithëve. Mirëpo një trillim tjetër, shumë më i rëndë dhe krejt i pafalshëm, i bërë tashmë me ndërgjegje të plotë, e zbulon haptas dashakeqësinë e autorit të shkrimit. Është fjala për serbët dhe Kosovën. A.K. e kritikon ashpër I.Kadarenë se, sipas tij, ndërsa u ka rënë në qafë italianëve, nuk ka shkruar kundër rusëve e serbëve, sidomos për terrorin e tyre ndaj Kosovës. Është e tepërt t'ju kujtoj, zoti kryeredaktor, se libri im "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", ku flitet për marrëdhëniet shqiptaro-italiane, është përkthyer në gjithë botën, duke përfshirë edhe Italinë dhe asnjëherë nuk i është bërë më i vogli qortim (duke përfshirë këtu italianët), për ndonjë prirje kundëritaliane. Përkundrazi, është çmuar si kumt miqësie, çka nuk ka qenë e lehtë për një shkrimtar shqiptar, në një vend komunist, ku armiqësia me Perëndimin ishte në themel të propagandës. Përsa i përket pjesës së dytë të trillimit, atë më të rëndin, lidhur me gjoja mospërfilljen time ndaj shtypjes serbe, është prapë e tepërt t'ju kujtoj se kam shkruar libra të tërë për këtë, pa llogaritur artikujt e intervistat, që përbëjnë, gjithashtu, vëllime të tëra. Ka mbi njëzet vjet që unë shkruaj për shtypjen serbe ndaj shqiptarëve dhe A.K. nuk ka si të mos e dijë këtë, ndaj mashtrimi i tij është më se i ndërgjegjshëm. Është e drejtë e secilit, pra edhe e A.K., të ketë një mendim të mirë ose të keq për një shkrimtar. Ne shkrimtarët, si gjithë njerëzit publikë, jemi të detyruar të dëgjojmë, si të mirën, si të keqen. Por mendimi, i mirë ose i keq, e ka emrin "mendim i mirë" apo "mendim i keq", kurse trillimi s'mund të jetë i mirë ose i keq, por ka vetëm një emër: trillim. Kështu që s'më mbetet veç të përsëris me keqardhje se shkrimi që keni botuar është një montazh i tillë. Lidhur me spekulimin me italianët e Italinë mendoj se A.K. mund të gjente një mënyrë tjetër për të dëshmuar mirënjohjen dhe besnikërinë ndaj autoriteteve italiane, ndaj të cilëve ndihet i detyruar si refugjat, por kurrsesi duke e shitur shkrimtarin e vendit të vet. * * * Dhe tani, përpara se të kaloj në një çështje më të përgjithshme, më lejoni t'ju them diçka për hyrjen e shkrimit tepër të gjatë të këtij njeriu. Duke shpjeguar me të drejtë persekutimin e tij prej regjimit komunist, ai shkruan se, për dyzet vjet rresht ka ëndërruar ditën kur do t'i jepej mundësia më në fund të shprehej lirisht në shtyp. Dhe ja tani kjo ëndërr po i realizohet. Mirëpo tingëllon disi e çuditshme që brenga e tij kryesore, mllefi i tij në këta dyzet vjet, përpara se të ishte diktatura, që e ka përndjekur atë dhe një popull të tërë, paskësh qenë një shkrimtar me emrin I. Kadare. Është e drejtë e secilit të zgjedhë vuajtjen e vet dhe macen e zezë që e ndryn në bark, por, në mllefin e këtij njeriu, ka diçka të pazakontë. Dhe ja sepse: në hyrje të shkrimit, ai shkruan se nuk ka ndonjë gjë personale kundër I. Kadaresë, madje ndihet i detyruar ndaj tij, sepse, në vitin 1969, kur sapo ishte liruar nga burgu dhe kur të gjithë i kthenin krahët, I.Kadare është i vetmi që e ka ndihmuar duke u përpjekur të botojë një dorëshkrim të tij. "Për mua Kadare mbetet i vetmi intelektual i pjesës tjetër, që bëri diçka në favorin tim",- kështu shkruan A.K. * * * Zoti kryeredaktor, Të presësh dhjetëra vite, që në shkrimin tënd të parë në liri, të sulmosh shkrimtarin e vetëm që të ka ndihmuar në çastet më të vështira të jetës tënde, kjo është më keq se mosmirënjohje, kjo dëshmon për një deformim të rëndë njerëzor. Për fat të keq, në kohën tonë, në tokën e shqiptarëve, në atë vend që krenohej dikur për mirënjohjen dhe besën, ka shpërthyer mosmirënjohja dhe motra e saj, pabesia. Një pjesë e madhe e shtypit shqiptar, në vend që ta frenonte këtë murtajë, ka bërë të kundërtën: e ka përhapur atë gjithkund. Ai e ka përhapur përçarjen dhe vrerin dhe atje ku ato janë mortore për kombin shqiptar, në Kosovë dhe në vise të tjera të ish-Jugosllavisë. Ai po rreket të molepsë kohët e fundit edhe shtypin e arbëreshëve, një nga më fisnikët dhe më të pastrit. Ishte kjo që më trishtoi së tepërmi kur pashë që i kishit dhënë aq shumë vend mosmirënjohjes në gazetën tuaj me numër 84 të këtij viti. Dhe ishte kjo që më shtyu t'ju shkruaj këtë letër, me shpresë se ju do të më kuptonit drejt. Shpejtoj t'ju siguroj, ndërkaq, se ky shkrim nuk ndryshon asgjë në nderimin që kam për shtypin e arbëreshëve, veçanërisht për gazetën tuaj. Unë e kuptoj fare mirë se, duke botuar mendime fare të ndryshme për një shkrimtar, ju jeni nisur nga përfitimi demokratik i shtypit të lirë. Unë jam për këtë koncept, natyrisht, por mendoj se liria e shtypit është një gjë dhe çoroditja e publikut është një gjë tjetër. Në qoftë se lexuesi shqiptar lexon në të njëjtën gazetë dy shkrime krejt të kundërta për një personalitet të kulturës ose të historisë dhe nuk ka asnjë sqarim të gazetës, asnjë distancim, së paku për ato që duken që larg se janë trillime, kjo do të thotë që, dashur pa dashur, shtypi nxit çoroditjen dhe ndarjen e lexuesve në dy grupe kundërshtare. * * * Tani në Shqipëri sulmohet në shtyp gjithkush dhe gjithçka, duke nisur nga Gjergj Kastrioti gjer te Abdyl Frashëri, Fan Noli e të tjerë. Mendoj se kjo nuk është liri shtypi, por liri e rrënimit të kombit shqiptar. Në një kohë kaq të turbullt, kur kombi rrezikohet nga valë gërryese të rrezikshme, kur ai më fort se kurrë ka nevojë për kurajë, drejtpeshim dhe besim, kjo kundërrrymë mund të ketë pasoja fatale. Shkurajimi, krijimi i mendimit se ky komb i ka të gjitha vlerat të diskutueshme, të lëvizshme dhe efemere, po çon çdo ditë e më fort në zbehjen e shqiptarizmës dhe disa herë në mohim të atdheut. Në qoftë se kjo kundërrrymë nuk ndërpritet, ajo do të kthehet në një krim të rëndë, përgjegjësia për të cilën do të na bjerë mbi supe të gjithëve, po në radhë të parë të atyre që e nxitën. Shtypi i Kosovës, shtypi juaj arbëresh i kanë të gjitha mundësitë që, duke qenë disi jashtë pasioneve të përditshme politike të vendit amë, të kenë një vision më të kthjellët e më gjithëkombëtar për mjaft çështje themelore të Shqipërisë së sotme. Ndonëse shkrova një letër, si të thuash kritikuese, unë ruaj besimin se kështu do të jetë. Përndryshe nuk do t'ju shkruaja. Kam shpresë se do ta botoni këtë letër. Duke ju uruar gjithë të mirat, me nderime. Juaji Ismail Kadare Paris, 27 shtator 1993 Letër e Ismail Kadaresë për kryeredaktorin e revistës "Katundi ynë", më 1993 --------------------------------- Do You Yahoo!? Yahoo! - Official partner of 2002 FIFA World Cup -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |