| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] KOMITETI ORTODOKS I EMIGRANTËVE SHQIPTARË NË TORONTOFatmir Foti Cici foticici at yahoo.comFri Jul 26 19:48:06 EDT 2002
KOMITETI ORTODOKS I EMIGRANTËVE SHQIPTARË NË TORONTO Adresa postale: 71 Merton st., ap 811, Toronto ON, M4S 3A3 Tel. 416-544-8052; e-mail: KomitetiOrtodoks at yahoo.com NJOFTIM Sot, më 14 korrik 2002, e kremte e Etërve të Shenjtë të Sinodit IV Ekumenik, u krijua Komiteti Ortodoks i Emigrantëve Shqiptarë në Toronto, një përfaqësi e përkohëshme e emigrantëve shqiptarë ortodoksë në Toronto, të provincës Ontario të Kanadasë. Ky forum, i cili në thelb është një grup pune, përbëhet nga kryetari, At Nikolla Kavaja, sekretari, zoti Fatmir Foti Cici, arkëtari, zoti Adrian Keri, dhe anëtarët, zonja Dorina Shuke e zotërinjtë Rrapi Bafa, Alban Hobdari, Arben Aleksi e Viktor Tanesi, që të gjithë anëtarë të Kishës Ortodokse. Synimet e Komitetit Ortodoks janë: 1. Të vlerësojë situatën aktuale në lidhje me gjendjen kishtare të emigrantëve shqiptarë ortodoksë në këtë qytet. 2. Të bëjë përçapjet e duhura tek faktorët përkatës për të bërë të mundur organizimin e një kishe ortodokse në gjuhën shqipe në Toronto. 3. Të ndërmarrë një fushatë për sigurimin e mjeteve të domosdoshme për ekzistencën e kësaj kishe në trajtë të përjavëshme. Komiteti Ortodoks, duke marrë parasysh faktorët, paralelët dhe ngjarjet që kanë lidhje me synimet e mësipërme, konkludoi në vlerësimet e mëposhtme: 1. Më 16 qershor 2002, e kremte e Etërve të Shenjtë të Sinodit I Ekumenik, u celebrua në Toronto mesha e parë në gjuhën shqipe, në kishën rumune të Shën Gjergjit, nga I Përndershmi At Nikolla Kavaja, me një pjesëmarrjeje të kënaqshme të emigrantëve shqiptarë, kryesisht ortodoksë. Kjo ishte një provë e suksesshme, e cila dha shenjën për të diskutuar e kërkuar organizimin e një kishe në gjuhën shqipe në Toronto. 2. Organizimi i një famullie ortodokse në gjuhën shqipe është një domosdoshmëri shpirtërore dhe kombëtare për emigrantët dhe, në të njëjtën kohë, një e drejtë legjitime kishtare. Komuniteti shqiptar i Torontos, i cili aktualisht ka një xhami dhe një kishë katolike në gjuhën shqipe, pret tashmë nga ortodoksët shqiptarë të nxiten nga shembulli i vëllezërve të tyre myslymanë dhe katolikë, dhe të ndërmarrin aksionin e duhur për të hapur një kishë ortodokse shqiptare në Toronto, për të përmbushur kësisoj detyrat e tyre të krishtera, por duke plotësuar njëkohësisht edhe tripletin e besimeve tradicionale të Shqipërisë. 3. Nisma për një kishë ortodokse shqiptare në Toronto është përçuar deri tani nga individë dhe forume shqiptare të emigracionit, kryesisht nga Shoqata e Miqësisë Shqiptaro-Kanadeze. Motivimet e këtyre përpjekjeve kanë qenë të pastra, por më tepër kombëtare dhe më pak kishtare, gjë që e ka bërë edhe më të vështirë sendërtimin e idesë në fjalë. 4. Në tetor 2001, prifti ynë, At Nikolla Kavaja, i cili gëzon edhe detyrën e sekretarit të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, shkoi në Boston MA, dhe u takua me Kancelarin e Peshkopatës Shqiptare në Amerikë, Shumë të Përndershmin At Artur Liolin, i cili e priti me interes idenë e themelimit të një kishe shqiptare në Toronto, por rekomandoi që kjo lutje ti përcillet për aprovim dhe ndihmë Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Imzot Anastasios (Janullatos). Në dhjetor 2001 At Nikolla dhe shoqata e sipërpërmendur iu drejtua Kryepeshkopit Anastasios me një lutje për hapjen e një kishe shqiptare në Toronto, por ende nuk ka marrë përgjigje. 5. Emigracioni shqiptar ortodoks në Toronto, si pjesë përbërëse e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH), dëshmon se kisha mëmë literalisht i ka braktisur bijtë e saj, ashtu si edhe në shtete të tjera ku ekziston me shumicë popullsi emigrantësh shqiptarë ortodoksë, dhe mbajtja e shpresave për ndihmë nga Shqipëria është një alibi për mosangazhim të mëtejshëm. Megjithëse diaspora e pasdiktaturës përbën më shumë se gjysmën e anëtarëve të KOASH-it, për sa i përket Kanadasë, nuk ekziston asnjë faktor politik a kishtar për mosorganizimin e një kishe në gjuhën shqipe. 6. Prifti meshëtar, teologu psalt dhe personeli i domosdoshëm për mbarëvajtjen e kishës, janë që të gjithë të gatshëm për të ofruar shërbimet e tyre falas. Pra, e vetmja pengesë për të pasur një kishë ortodokse shqiptare në Toronto është mungesa e vendit të adhurimit dhe mospatja e mjeteve të domosdoshme, liturgjike e priftërore, për të celebruar shërbesat e përjavëshme. 7. Mbas faktorit ekonomik ekzistojnë vështirësi për të siguruar nxitjen, ndihmën dhe lejen e një peshkopi ortodoks kanonik, i cili të jetë i gatshëm të marrë nën juridiksionin e tij famullinë tonë të ardhshme. Përveç KOASH-it, i cili nuk është përgjigjur, Peshkopata Shqiptare në Amerikë nuk ka juridiksion kishtar në Kanada, ndërsa Dioqeza Shqiptare në Amerikë është nën juridiksionin e Patrikanës Ekumenike. Gjithësesi ekzistojnë në Kanada juridiksione të tjera kishtare kanonike. Njëri prej tyre është Kisha Ortodokse në Amerikë (Orthodox Church in America), pjesë e së cilës është Peshkopata Shqiptare në Amerikë, e cila ka një prani të fuqishme peshkopale në Kanada dhe ky fakt është një alternativë qe përkon me synimet e Komitetit. 8. Vendi i celebrimit të shërbesave mund të mos jetë me doemos kishë, për arsye se mospatja e një peshkopi, me të gjitha nuancat që përmban pika 7, e ka vështirësuar gjetjen e një kishe ortodokse, dhe në qoftë se kjo nuk bëhet e mundur as me gjetjen e ndonjë kishe jo ortodokse, e vetmja mundësi është gjetja e një salle ceremonish, e cila do të shërbejë fillimisht si vend i kryerjes se sherbesave. Shumë komunitete ortodokse në Amerikën e Veriut i kanë fillimet e tyre në një sallë me pagesë, duke vazhduar më pas në një kishë me qira, dhe vetem me rritjen dhe fuqizimin e komunitetit kane arritur të kenë një kishë të tyren. 9. Shumica e emigrantëve shqiptarë, ortodoksë dhe jo, janë ngulur në lagjen greke të Torontos, ku ndodhen disa kisha të fuqishme të cilat përdorin vetëm greqishten. Sipas konstatimit tonë, famullitë greke kanë një prani influencuese në rajonin ku banojnë emigrantët shqiptarë, por me përparësi në aspektin kombëtar e kulturor të tyre, sesa në atë shpirtëror. Një vendtakim në lagjen greke do ta lehtësonte më tepër pjesëmarrjen e emigrantëve ortodoksë shqiptarë në kishën e tyre, gjë që nga ana tjetër i ngushton mundësitë për përzgjedhjen e vendit në lagje të tjera. 10. Cilado që të jetë përzgjedhja e vendit të shërbesave në shqip - kishë apo sallë - sot për sot, nuk ekziston mundësia për të siguruar një vendtakim pa pagesë. Çmimi i kishës a i sallës, është rreth $100 (një qind dollarë kanadezë) në javë. Plus pagesës së vendit, nevojiten rreth $1000 për blerjen e mjeteve (sendet e kungatës, pajisjet e tryezës së shenjtë, kryqi, temjanica dhe disa ikona) për të bërë të mundur kryerjen e meshës, sipas rregullave të ritit liturgjik. 11. Me përpjekjet që janë bërë gjer më sot, nuk ekzistojnë të dhëna se këto të holla mund të sigurohen në Toronto, por mbas fillimit të meshës së përjavëshme dhe të organizimit të kishës, përderisa shërbimi i priftit dhe i ekipit të tij është vullnetar, një pjesë e mirë e të hollave do të dalë nga shitja e qirinjve. 12. Pa fillimin e meshës së përjavëshme si fakt i kryer, është e pamundur të fillojë procedura për kanonizimin e kishës nën juridiksionin e Kishës Ortodokse në Amerikë, dhe sidomos në bashkëveprim, në qoftë se bëhet e mundur, me Peshkopatën Shqiptare në Amerikë. Mas këtyre vlerësimeve të domosdoshme, në përputhje me synimet e krijimit të tij, Komiteti Ortodoks mori vendimet e mëposhtme: 1. Të sigurojë vendin ku do të kryhen shërbesat e përjavëshme për një vit: 1 shtator 2002 - 15 gusht 2003. 2. Të kërkojë botërisht ndihmë, duke u adresuar pa dallime, dhe të sigurojë fondet e duhura për pagimin e vendit të shërbesave (rreth $5000 për një vit) dhe për sigurimin e mjeteve liturgjike e priftërore (rreth $1000). 3. Të njoftojë në shtyp sasinë e të hollave të siguruara dhe emrat e dhuruesve. 4. Të vërtetojë tek dhuruesit, me dokumentacionin përkatës, pagesat e vendit të adhurimit dhe të pajisjeve liturgjike. 5. Të kërkojë lejen dhe bekimin e Primatit të Kishës Ortodokse në Amerikë për fillimin e meshës së përjavëshme në gjuhën shqipe, duke dhënë datën 1 shtator 2002. 6. Të kërkojë sërish ndihmën e Kancelarit të Peshkopatës Shqiptare në Amerikë, Shumë të Përndershmit At Artur Liolin, për të ndërmjetësuar tek Fortlumturia e Tij Theodhos dhe tek peshkopi i tij asistent, Hirësia e Tij Nikon (Liolin), për futjen e famullisë shqiptare të Torontos në gjirin e Kishës Ortodokse në Amerikë, pa pretendime për trajtën kanonike që do të ketë vendimi i Kishës mbi këtë kërkesë. 7. Ti parashtrojë si kusht kërkesën priftit tonë meshëtar dhe kujtdo që mund të bashkëmeshojë me të, për përkujtimin e domosdoshëm në Meshë (tek Për Kryepeshkopin tonë aksh...) të Fortlumturisë së Tij Theodhosit, Mitropolitit Kryepeshkop të Kishës Ortodokse në Amerikë, derisa vetë Primati të përgjigjet dhe të vendosë për emrin e peshkopit të famullisë sonë. 8. Ti parashtrojë si kusht kërkesën priftit tonë meshëtar që të bashkëmeshojë, si në kishën tonë dhe kudo gjetkë, vetëm me klerikë që i përkasin ose janë në kungim me Kishën Ortodokse në Amerikë dhe peshkopët e saj. Si rrjedhojë, në rast pamundësie të priftit aktual, Komiteti duhet të ftojë klerikë për kryerjen e shërbesave vetëm nga ato kisha që i përkasin dhe janë në kungim me Kishën Ortodokse në Amerikë. 9. Të përgatisë mbajtjen e kuvendit të parë të komunitetit ortodoks shqiptar të Torontos në muajin nëntor të këtij viti, 2002, ku do të zhvillohen zgjedhjet e pleqësisë kishtare, si strukturë e vetme udhëheqëse e famullisë sonë, e cila do të ketë të drejtë të rishikojë të gjitha pikat e këtij dokumenti. 10. Të raportojë në kuvendin e sipërpërmendur veprimtarinë e komitetit, të japë llogari të detajuar mbi veprimet financiare të komitetit, dhe të dorëzojë sasinë ekzistuese të të hollave, në qoftë se ekziston, tek pleqësia e zgjedhur në kuvend. 11. Mbas zgjedhjes së pleqësisë kishtare në kuvend, të njoftojë shperndarjen e Komitetit Ortodoks të Emigrantëve Shqiptarë në Toronto, si akt i përmbushjes së misionit themelues. 12. Të publikojë përmbajtjen e plotë të këtij dokumenti. Toronto ON, më 14 korrik 2002 Ne qofte se deshironi te kontriboni ne hapjen e kishes shqiptare ortodokse te Torontos, kontaktoni ne adresen dhe telefonin e mesiperm; Zoti ju bekofte! At Nikolla Kavaja __________________________________________________ Do You Yahoo!? Yahoo! Health - Feel better, live better http://health.yahoo.com
More information about the ALBSA-Info mailing list |