| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Dokumente per CamerineAgron Alibali aalibali at yahoo.comThu Jul 18 22:38:12 EDT 2002
Mbi te gjitha Cameria
Dekreti i Kuvendit Popullor nr.2654,dt.19.04.1953 me anën e të cilit të gjithë Çamët me kombësi shqiptare dhe shtetësi greke, marrin shtetësinë shqiptare, ky dekret nuk u botua në gazetën zyrtare. Çdo veprim për dhënien e shtetësisë shqiptare, Çamëve ishte top sekret. Në 15 -17 Maj të vitit 1961 me gjyqin e montuar kundër të ashtuquajturës grup armiqësor Çam të Teme Sejkos popullsisë së Çamërisë iu dha nga qeveria komuniste dënimi i tretë masiv. Me këtë gjyq ata eliminuan çdo Çam që ishte në funksione në pushtetin komunist dhe më kryesorja ishte denigrimi psikologjiko - moral i të gjithë Çamëve. U arrit deri në atë shkallë sa të krijohej në opinionin publik se çdo Çam ishte kushëriri i Teme Sejkos pra ishte armik i popullit dhe Partisë.
Veprimtaria anti-Çame nuk ka patur të sosur, nuk u mjaftua me tragjedinë që hoqën nga grekët por u vazhdua gjatë kohës së monizmit dhe vazhdohet me forma të kamufluara të ndihet efekti i saj edhe sot.
Në dokumentacionet që lëshoheshin nga zyrat e gjendjes civile,në çertifikatat e lindjes shënohej vetëm fshati i lindjes po se ku ishte ky fshat pak rëndësi kishte, mjafton të mos shënohej krahina e Çamërisë. Po kështu janë kryer veprime të tilla edhe me pasaportat e lëshuara nga Drejtoritë e Komisariateve nga punonjësit që plotësonin pasaporta. Shënohej për elementin Çam si vendlindje qyteti ku lëshohej pasaporta duke u hequr Çamëve në këtë mënyrë identitetin e lindjes.
Të gjitha këto veprime të kryera nga qeveria shqiptare e monizmit dhe nga nënpunësit e gjendjes civile dhe komisariateve të policisë dje dhe sot të çojnë në përfundimin se këto u shërbejnë vetëm grekëve.
Ne nuk kemi bërë kërkesë për marrje shtetësie dhe nuk kemi pse të heshtim për këtë padrejtësi. Parlamenti, qeveria shqiptare duhet të marrin masa të plota dhe të shpejta për ta korrigjuar duke respektuar ligjshmërinë, duke na rikthyer shtetësinë greke, atë që kemi patur. Vetëm duke bërë këto veprime mund të themi se këtu fillon puna për kthimin e Çamëve në trojet e veta. Praktika e punës të heqjes të identitetit të lindjes të Çamëve ndryshimit të emrit dhe fesë nga bashkitë duhet të hiqet menjëherë, të zbatohet me korrektësi ligjshmëria dhe në është e nevojshme të bëhen ndryshimet e duhura në ligjet aktuale për t'i shërbyer tërësisht zgjidhjes së problemeve që kanë të bëjnë me të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë.
Në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, parësore duhet të jetë zgjidhja e problemeve si çështja Çame, riatdhesimi i Çamëve në trojet e tyre etnike, kthimi i pronave shpërblimi apo kompensimi i tyre nga shfrytëzimi 58 vjet si dhe abrogimi i ligjeve dhe vendimeve të inskenuara greke duke filluar nga ligji i luftës Nr. 2636, dt.10.11.1940 ."Mbi veprimet juridike të armiqve dhe konfiskimin konservativ të pasurive armike". Greqia ka deklaruar se është në luftë me Shqipërinë. Nën presionin e organizatave "Vorio - Epirote" me vendim të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare nxorrën dy akte nënligjore në dt.07.06.1947 përkatësisht me nr.14882 e nr.3574 qeveria greke i bëri ligjit të luftës një përjashtim duke u dhënë të drejtë për të nxjerrë pronat e tyre nga sekuestroja konservative vetëm shtetasve shqiptarë me kombësi greke me banim në Shqipëri që në bazë të regjistrit të përgjithshëm të popullsisë të vitit 1981, shtetas shqiptarë me kombësi greke ishin vetëm 65 000 përbëjnë më pak se 2.5% të popullsisë së përgjithshme të Shqipërisë. Kuptohet se privilegj gëzonin ata ortodoks shqiptarë që pala greke i quan grekë. Këtë qëndrim ka mbajtur dhe Gjykata e Lartë e Greqisë e cila me vendimin e vitit 1970 është shprehur se duhet të vazhdojë të qëndrojë sekustroja konservative për pasuritë e shtetasve shqiptarë me kombësi shqiptare pra për 97.5% të popullsisë të Shqipërisë deri në hartimin e traktatit të paqes midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Në 28 gusht 1987 grekët u shprehën se e hoqën gjendjen e luftës me Shqipërinë, në fakt qeveria greke nuk shfuqizoi ligjin e luftës kështu që vendimi i mësipërm ishte një tjetër mashtrim diplomatik.
Qeveria greke me ligjin Nr.4506, dt.21.03.1996 nxorri vendimin që të mos bëhej asnjë veprim juridik mbi pasuritë në fjalë, pa "leje speciale të një komisioni midis Ministrisë të Punëve të Jashtme dhe asaj të Brendshme.
Traktati i Miqësisë e Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë ratifikuar në 22.07.1996 nga Kuvendi i Shqipërisë dhe dekretuar nga Presidenti në 22.08.1996 është ende i paratifikuar nga Parlamenti Grek. Në këtë traktat nuk trajtohet zgjidhja e problemit Çam dhe nuk pasqyron realitetin, kalohet në heshtje problemi Çam. Ne e denoncojmë këtë traktat si një dokument që nuk përfaqëson interesat tona kombëtare, si një dokument mashtrues. Si mund të qëndrojë një dokument i tillë kur Greqia mban ende në fuqi ligjin e luftës, kur Greqia nuk pranon të nënshkruajë marrëveshje që konsiderohen esenciale për krijimin e kushteve të mirëbesimit dhe të paqes në marrëveshjet bilaterale si "Marrëveshjen për ruajtjen e mirëmbajtjen e shenjave kufitare" dhe "Marrëveshjen për zgjidhjen e incidenteve kufitare".
Marrëveshjet e mësipërme nuk nënshkruhen nga Greqia për shkak se ajo nuk i njeh kufijtë e vitit 1913 por ka synime shoviniste megallomane për ndryshimin e kufijve deri në Shkumbin.
Parlamenti dhe qeveria shqiptare duhet të përjashtojë praktika të tilla pune që në momente të caktuara por shumë të rëndësishme (siç është rasti i traktatit të miqësisë dhe të bashkëpunimit Shqiptaro - Grek) të heshtë në mëyrë të pakuptimtë për problemin e Çamëve dhe duke e konfirmuar këtë zyrtarisht. Ky traktat lë jashtë mundësive të zgjidhjes të problemit kombëtar.
Parlamenti dhe qeveria shqiptare në kuadrin e detyrimeve që ka për zgjidhjen e problemit Çam të reflektojë dhe të bëjë ndryshimet e duhura në këtë traktat që janë për zgjidhjen e problemit të popullatës të shqiptarëve të Çamërisë. Ministria e Jashtme e Greqisë ka konfirmuar ekzistencën e ligjit të gjendjes së luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë në korrik të vitit 1999 pra edhe sot në vitin 2002 ekziston gjendja e luftës. Megjithëse ka kaluar një kohë shumë e gjatë që nga viti 1940 dhe deri më sot në 2002 Greqia vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim ku asnjë shtetas shqiptar me kombësi shqiptare ) në veçanti Çam, nuk mund të marrë pronat e tij në Greqi dhe tani pas 62 vjetësh të miratimit të ligjit të luftës në Parlamentin Grek dhe të dekretit me anë të të cilit i është shpallur luftë Shqipërisë edhe pasi ka kaluar një kohë prej 58 vjetësh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.
Ligji i luftës i duhet Greqisë në radhë të parë për të mos u kthyer pronat shqiptarëve myslimanë të Çamërisë, për të mos riatdhesuar Çamët në trojet e tyre etnike, për të mbuluar dhe harruar genocidin ndaj Çamëve, për të mos dhënë detyrimet financiare për shlyerjen e tyre 58-vjeçare.
Mbi të gjitha ligji i luftës i lejon çdo qeverie greke për të mbajtur ngritur të ashtuquajturën çështje të Vorio - Epirit, kjo bëhet për të qetësuar ndjenjat nacional- shoviniste të opinionit grek por edhe për të patur një procedurë formalo - juridike që i lejon asaj të kryejë veprime sipas interesave të tyre. Të heqësh dorë nga ligji i luftës është të heqësh dorë nga "Vorio Epiri", asnjë qeveri greke as kjo e Simitis nuk ka dashur dhe nuk ka bërë një veprim të tillë.
Greqia po punon në mënyrë të hapur dhe intensivisht për të helenizuar Shqipërinë e Jugut, ajo po punon për të orientuar drejt Greqisë Shqipërinë e jugut jo vetëm ekonomikisht por edhe kulturalisht dhe shpirtërisht, duke nxitur ekspansionin e gjuhës greke, ndërrimin e detyrueshëm të emrave të refugjatëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi, ngritjen e kishave dhe të institucioneve të tjera helenike siç është rasti i ngritjes të kishës në fshatin Gresicë të Mallakastrës ku nuk ka asnjë banor ortodoks dhe ku të gjithë janë myslimanë.
Qeveria greke u shpërndan në mënyrë ilegale rroga dhe pensione banorëve të Shqipërisë të jugut, jo vetëm minoritarëve por të gjithëve. Këto veprime bëhen nga qeveria greke për të shtuar në mënyrë artificiale radhët e minoritetit grek që të përdoren për qëllime politike në rastin e riregjistrimeve të popullsisë në Shqipëri. Qeveria greke ka kërkuar zyrtarisht ngritjen e varrezave të ushtarëve greke të rënë gjatë luftës së vitit 1940 në të gjithë vijën Himarë - Këlcyrë-Korçë pra aty ku fillojnë kufijtë e Vorio Epirit sipas grekëve. Për realizimin e kësaj politike të megalo - idesë në mënyrë të hapur dhe të fshehtë ka punuar dhe punon në mënyrë intensive Kryepeshkopi Janullatos. Këta zotërinj jo vetëm kanë prishur shkatërruar varret e të parëve të Çamëve qëjanë në trojet e tyre etnike por nuk lejojnë popullatën shqiptare myslimane të Çamërisë të shkojnë në varrezat për të rregulluar dhe sistemuar dhe për të vendosur një buqetë me lule nga pjesëtarët e familjeve të tyre.
Në kushtet aktuale të vendit tonë të një politike të pastablizuar, të mungesës të veprimit të institucioneve dhe të shtetit, të mungesës të strategjisë kombëtare të zhvillimit ekonomik, të papunësisë, të mungesës të energjisë elektrike, pagave të ulta, të krizës të besimit duke i shtuar kësaj situate të mjaft të rënduar edhe mbështetjen nga funksionarë dhe krerë në politikën shqiptare e Ministrinë e Jashtme, të politikës greke është bërë e mundur që Greqia të jetë mjaft aktive në politikën e saj për të helenizuar Shqipërinë e jugut.
Për sa kohë Greqia nuk do të abrogojë përfundimisht ligjin e luftës për sa kohë Greqia nuk do të heqë dorë nga politika e helenizimit të Shqipërisë së jugut për sa kohë Greqia nuk do të zhbllokojë pasuritë e shtetasve shqiptarë popullatës shqiptare të Çamërisë, nuk do të njohi të drejtën e Çamëve për t'u kthyer në trojet e veta etnike "Çamëri" nuk mund të flitet për marrëdhënie normale shqiptaro greke.
Parlamenti, qeveria dhe diplomacia shqiptare duhet të marrin masa për ndalimin e helenizimit të Shqipërisë së jugut, për abrogimin nga Qeveria dhe Parlamenti grek të ligjit të luftës nr.2636 viti 1940, ligji nr.4506 viti 196 dhe ligjit nr.2664 viti 1998. Parlamenti shqiptarduhet të zgjidhi përfundimisht rrugët ligjore dhe të veprojë sa më parë për abrogimin e dekretit të Kuvendit Popullor nr.2654 dt.19.04.1953 me anën e të cilit të gjithë Çamët me kombësi shqiptare të marrin shtetësinë greke gjë e cila krijon mundësinë për zgjidhjen e çështjes Çame. Trajtimi i problemit Çam nga diplomacia shqiptare të mos bëhet një mjet për një propagandë të përkohshme ose sa për të qetësuar kërkesat tona si Çam por duhet të jetë një pjesë përbërëse e politikës së jashtme shqiptare dhe një detyrë e vazhdueshme e diplomacisë sonë.
Në bazë të kartës të OKB mbi të Drejtat Themelore të Njeriut dhe legjislacioneve të tjera ndërkombëtare në fuqi të njihet botërisht problemi Çam, të denoncohet publikisht genocidi grek i ushtruar mbi popullatën shqiptare të Çamërisë në 1944 - 1945. Qeveria shqiptare në vazhdimësi të shtrojë në takimet bilaterale me diplomacinë greke problemin e zgjidhjes së çështjes Çame si dhe në takimet me të huajt dhe me institucionet ndërkombëtare si BE, OKB Kongresi Amerikan, OSBE, Gjykatën Ndërkombëtare Hage etj tu bëhet e njohur problemi Çam dhe ligji i luftës grek si dhe t'u kërkohet angazhimi për të ndikuar te Parlamenti dhe Qeveria greke si vend anëtar i BE dhe organizma të tjera ndërkombëtare për abrogimin e këtyre ligjeve dhe zgjidhjen e problemit Çam.
Përfaqësuesit e kryesisë të SHPA Çamërisë Tiranë më 24.07.2000 u takuan me anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Shqiptar. Në këtë takim u trajtua problemi i shqiptarëve të Çamërisë,për genocidin e ushtruar ndaj saj, dëbimin e dhunshëm nga trojet e veta autoktone, sekuestrimin e pronave, inskenim gjyqesh për të dënuar dhe për të zhveshur nga pronësia elementin shqiptar të besimit mysliman, e cila bie ndesh jo vetëm me të Drejtën Ndërkombëtare por edhe me vetë Kushtetutën greke.
Ata u vunë në dukje nëpërmjet letrave, peticioneve, memorandumeve, demonstratave paqësore, u ka kërkuar autoriteteve shqiptare personaliteteve të huaja dhe organizmave ndërkombëtare një impenjim dhe ndërhyrje më aktive për zgjidhjen e problemit Çam.
SHPA Çamërisë i ka bërë të qartë qeveritarëve,parlamentarëve shqiptare se nuk mund të ketë stabilitet dhe marrëdhënie të qëndrueshme me fqinjët e jugut pa një zgjidhje të drejtë dhe bashkëkohore të problemit Çam. Zgjidhja arrihet me riatdhesimin e Çamëve në trojet e tyre, me kthimin e pronave pronarëve të ligjshëm, me abrogimin e ligjeve e të vendimeve të inskenuara greke që pengojnë kthimin e pronave, shpërblimin apo kompensimin e tyre nga shfrytëzimi 58 vjecar, garantimin e lirive e të të drejtave etnike në atë masë që i gëzon edhe minoriteti grek në Shqipëri.
Komisioni i Jashtëm i Parlamentit shqiptar vlerësoi materialin e paraqitur, informacionin e saktë dhe kërkesat e argumentuara për zgjidhjen e problemit Çam. Ata e panë të arsyeshme mbajtjen e një seance të parlamentit për të caktuar një platformë të veçantë për zgjidhjet dhe rrugët e zgjidhjes të problemit Çam, këtë duhet ta bëjë edhe qeveria. Pa zgjidhur problemin Çam nuk mund të ndërtohet një miqësi e sinqertë dhe e qëndrueshme me Greqinë. Ne do të vemë në dijeni dhe qeverinë greke, lidhur me këtë mbledhje dhe në rast se ajo do të vazhdojë me qëndrimet e deritanishme, problemi do ta ndërkombëtarizojmë. Gjithashtu Ministria jonë e Jashtme do të porositet ta ketë gjithmonë në axhendën e bisedimeve këtë problem.
Të kërkosh të drejtat e tua nuk do të thotë të pretendosh për "Shqipërinë e Madhe" siç na akuzojnë shpesh qarqe të caktuara.Çështja Çame do zgjidhur pa hezitim, për këtë partitë, shoqatat, parlamenti dhe shteti duhet të flasin me të njëjtin zë. Kërkesat e SHPA Çamëria janë të drejta, problemi duhet ndërkombëtarizuar, SHPA Çamëria duhet ndihmuar në të gjitha drejtimet SHPA Çamëria nuk është trajtuar siç e meriton jo vetë duhet të mbajmë të fortë dhe ta pajisim me zyra dhe mjedise të nevojshme, por edhe të gjejmë rrugët për ta ndihmuar financiarisht, gjithashtu u porositën mediat që problemin Çam ta trajtojnë drejt dhe në vazhdimësi.
Mbështetja e gjithanshme e deputetëve pozitë opozitë të Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit shqiptar për trajtimin dhe zgjidhjen e problemit Çam në këtë takim la përshtypjen më të mirë, menduam se më në fund kur është fjala për çështjen kombëtare forcat politike shqiptare do të dinë të flasin me një zë siç folën në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit. Kjo ndodhi në 24.07.2000 dhe sot jemi në 2002 afro 2 vjet të gjitha detyrat e përcaktuara në këtë takim kanë mbetur në protokollet e mbledhjes, kanë mbetur në kuadrin e fjalëve dhe nuk është marrë asnjë veprim konkret, kjo tregon papërgjegjshmëri të institucioneve për të realizuar detyrimet dhe angazhimet ligjor që kanë për zgjidhjen e problemit Çam. Vazhdohen të njëjta praktika pune siç duket të imponuara nga qeveria greke dhe të lidhura me interesa personale të individëve të veçantë apo grup parlamentarësh që problemi Çam të kalohet në heshtje. Parlamenti dhe qeveria shqiptare duhet të përjashtojnë praktika të tilla pune heshtjeje në mënyrë të pakuptimtë për problemin Çam.
Ne nuk mund të presim dhe as nuk na shkon në mëndje se shovinistët grekë do të ndryshojnë vullnetarisht qëndrimin e tyre gjithmonë keqdashës ndaj nesh, nuk ushqehemi me iluzione të tilla sepse të gjitha qeveritë greke dhe ajo ekzistuese e PASOK-ut përpiqet që me të gjitha mundësitë dhe format të varrosi cështjen Çame. Ne i përmbahemi mendimit se problemi Çam nuk është diçka që ka të bëjë vetëm me një krahinë dhe popullsinë e saj por para së gjithash është një çështje e madhe që i përket mbarë popullit shqiptar. Duke u nisur nga ky faktor i pamohueshëm dhe nga roli që mund dhe duhet të lozi SHPA, Çamëria në këtë çështje të madhe që i përket mbarë popullit shqiptar. Duke u nisur nga ky faktor i pamohueshëm dhe nga roli që mund dhe duhet të lozi SHPA, Çamëria në këtë çështje ne insistojmë që faktori vendimtar që do të kontribuojë në shtrimin dhe zgjidhjen e drejtë të saj është dhe mbetet parlamenti dhe shteti shqiptar me predispozicionin dhe përpjekjet e tyre konkrete.Prandaj është e natyrshme që të kërkojmë një angazhim serioz dhe të vazhdueshëm të parlamentit dhe qeverisë shqiptare për ta marrë përsipër dhe për ta kryer deri në fund barrën që i takon duke parandaluar të gjitha tentativat e qeverisë greke që bën dhe do të bëjë çmos që t'i imponojë qeverisë shqiptare që t'i kthejë shpinën çështjes Çame.
Parlamenti, shteti dhe partitë politike shqiptare punën që duhet të bëjnë për problemin Çam duhet ta pranojnë si një detyrim, obligim ndaj çështjes kombëtare. Fakti që ka afërsisht dy vjet dhe vazhdohet të mbahet nga parlamenti dhe Komisioni i Politikës së Jashtme një heshtje për të trajtuar problemin Çam sipas konkluzioneve të 24 korrikut 2000 tregon më së miri për një mungesë përgjegjësie dhe veprime diktuese dhe frenuese të qeverisë greke ndaj qeverisë dhe parlamentit shqiptar. Parlamenti shqiptar të trajtojë në një seancë të parlamentit në një kohë sa më të shkurtër të mundshme për të përcaktuar një platformë të veçantë për zgjidhjen dhe rrugët e zgjidhjes së problemit Çam si dhe për të gjitha problemet dhe konkluzionet e nxjerra në këtë takim.
Qeveritarët greke në vazhdimësi kanë avancuar kërkesat për minoritetin e saj në Shqipëri nxitur kjo nga Athina dhe ledhatimi i tepruar nga shteti zyrtar shqiptar me lëshimet absurde. Grekët në Shqipëri janë pakicë dhe jo minoritet sepse nuk janë etnikë, autoktonë s'kanë pronë të tyre të trashëguar.Shqipëria ka bërë gabim të madh me lëshime të tilla si dhënia në pronësi toke me ligj Nr.7501, dt.31.07.1991 "Për tokën" dhe ligjin nr.8053,dt.21.03.1995"Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore "Shteti shqiptar u dhuroi pakicave kombëtare greke,çifçijve greke, argatëve grekë duke i bërë pronarë në tokat e shqiptarëve pa qenë ndonjëherë pronarë, por të ardhur nga Greqia. Për pakicat kombëtare të veprohet sipas normave ndërkombëtare duke i parë të drejtat që i takojnë dhe duke respektuar detyrimet në mënyrë reciproke midis dy vendeve. Nga Greqia fqinje të marrin shembull prej tyre si i trajton ajo minoritetet reale, sidomos shqiptarët etnike në trojet e tyre në Çamëri po ashtu dhe tërë arbërorët në tërë Greqinë. Këtu Greqia duhet të japi shpjegime, llogari dhe garanci "Do ot das" më jep të të jap tonë latinët. Me Greqinë të veprohet sipas Kushtetutës së tyre që thotë që në marrëdhëniet me shtetet e tjera dhe me fqinjët Greqia zbaton normat ndërkombëtare si dhe parimin e reciprocitetit, atëhere Shqipëria të bëjë për Greqinë ashtu siç bën Greqia për Shqipërinë. Greqisë t'i thuhet me forcë: Njih minoritetin shqiptar dhe jepi të drejtat, gjuhën, shkollën, shtypin të heqi dorë nga racizmi , bëni sa kemi bërë ne.
Në rast se Greqia nuk i bën atëhere dhe Shqipëria duhet t'i përgjigjet me të njëjtat veprime. Të ndërpritet çdo lëshim nga ana e Shqipërisë, mbi të gjitha, të ndërpritet elenizimi i emigrantëve, çdo ndryshim kombësie të mos njihet. Të zbatohet kushtetuta jonë që shteti interesohet për çdo emigrant duke kërkuar statistika të plota, sa të burgosur janë në Greqi sa të vrarë, keqtrajtime që u bëhen nga policia greke shpjegimet përkatëse.
Ambasada shqiptare në Greqi duhet të merret seriozisht dhe me përgjegjësi me problemet e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Me Greqinë duhet folur me të njëjtën gjuhë që po flet ajo, duhet vepruar me të njëjtat veprime që bën ajo. Ajo nuk ruan asnjë virtyt fqinji, asnjë normë ligji dhe asnjë parim ndërkombëtar, atëhere pse Shqipëria duhet të veprojë ndryshe e gjunjëzuar, inferiore, nuk ka asnjë bazë morale dhe ligjore. Nuk duhet trembur nga shantazhi i dëbimit të emigrantëve shqiptare. Duhet ta kemi të qartë plotësisht se Greqisë po t'i ikin vërtet emigrantët shqiptarë "shërbëtorë" ajo do të alarmohet, ajo ka fitime të pallogaritshme nga puna e papaguar e refugjatëve, afro 7 milionë dollarë në ditë nxjerr Greqia. Ne vitin 1995 15% e buxhetit grek ishte nga puna e shqiptarëve. Greqia ka më tepër interes që të mos ndahet me Shqipërinë, po të llogaritet pasuria e tundshme dhe e patundshme e Çamëve nga viti 1945 - 2000, arrin 80 miliardë dollarë që Greqia u ka borxh Çamëve.
SHPA Çamëria, Kryesia dhe këshilli drejtues i saj nuk duhet të rrijë në pritshmëri për përfundimet e nxjerra në dt.24 korrik 2000 nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit, duhet të organizojë punën për të nxitur dhe ndihmuar në kohën e duhur duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë, takimet me deputetët e këtij komisioni, grupet parlamentare, Kryesinë e Kuvendit, gjithashtu të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që na jep demokracia të japi trysninë e saj për plotësimin e angazhimeve të marra nga deputetët e Komisionit. Qeveria jonë të kërkojë me forcë nga qeveria greke si një vend anëtar i BE dhe një shtet që ka nënshkruar marrëveshjet ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të përjashtojë menjëherë praktika të shtrëngimit të refugjatëve shqiptarë duke i vënë nën presion për të këmbyer identitetin e tyre entik dhe kulturor me mirëqënien ekonomike. Ligjin e luftës Greqia vazhdon ta mbajë edhe sot në 2002. Qeveria e Papandreut ka mashtruar duke e quajtur të hequr ligjin e luftës ku parlamenti dhe Presidenti grek nuk kanë firmosur abrogimin e tij. Dinakëria greke vazhdon, Papandreu në vitin 1986 shprehet "Eshte e papranueshme se abrogimi i gjendjes së luftës do të ketë pasoja vepruese për Çamët myslimanë dhe gjithë atyre që synojnë rivendosje të mundshme në Greqi. Qeveria jonë nuk ka aspak predispozicion të bëjë tërheqjen më të vogël në këtë çështje". Papandreu jo vetëm mashtron për heqjen e ligjit të luftës në vitin 1982 por ajo që është më kryesorja pranon kurthin grek pra dhe me abrogimin e ligjit të luftës, Greqia zyrtarisht pengon dhe do të pengojë kthimin e të drejtave legjitime, kthimin e Çamëve në trojet e tyre etnike, kthimin e pronave dhe të dëmshpërblimeve përkatëse të shqiptarëve.
Qeveria shqiptare nuk duhet të futet në kurthet e fabrikuara nga dinakëria greke por me kthjelltësi, dinjitet dhe guxim duhet të pozicionohet të mos mjaftohet vetëm me abrogimin e ligjit të luftës por të saksionohen nga të dy palët zyrtarisht pasojat vepruese për plotësimin e kërkesave, të drejtave legjitime të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë.
Greqia ka 100 vjet që mashtron duke mohuar praninë e pakicave kombëtare në vend në veçanti problemin Çam. Ky problem nuk mund të mbahet i mbyllur. Komisioni i Çështjeve Juridike dhe i të Drejtave të Njeriut i Këshillit të Europës ka rekomanduar hetimin e respektimin e të drejtave të pakicave në Greqi. Qeveria shqiptare të denoncojë krimet, genocidin grek ndaj popullit shqiptar të Çamërisë në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë si dhe në institucionet ndërkombëtare.
SHPA Çamëria, intelektualët dhe çdo Çam në mënyrë individuale të grumbullojë evidentojë dhe sistemojë materiale me fakte konkrete për krime dhe genocidin e ushtruar nga shovinistët grekë dhe të bëjnë denoncime në Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.
Parësore të jetë angazhimi i intelektualëve të specializuar si në dilomaci, jurist, ekonomist dhe politikanë për përgatitjen e materialeve e bërjen e denoncimeve dhe kërkesave institucioneve ndërkombëtare si BE, OKB, Kongresit Amerikan, OSBE etj për të dhënë ndihmesën e tyre ligjore për zgjidhjen e problemit Çam. SHBA dhe BE kanë qenë mjaft të interesuara për faktorin shqiptar dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan. Fitorja e lirisë në Kosovë, zgjedhjet e lira konstituimi i parlamentit, zgjedhja e qeverisë dhe Presidentit Rugova, konstituimi i institucioneve në Kosovë janë shprehje të drejtpërdrejta të përgjegjshmërisë të klasës politike, të aftësisë të saj për të ndërtuar shtetin e saj të pavarur. Hapa të rëndësishme ( por të pjesshme) drejt lirisë janë hedhur dhe nga shqiptarët e Maqedonisë, me ato që u arrit dhe me shvillimet e tjera të mëvonshme do të mundësohet që shqiptarët të kenë të drejta të barabarta me etnitë e tjera në Maqedoni.
Tani koha punon për ne, për faktorin shqiptar, për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan. Çështja Çame si pjesë përbërëse e çështjes kombëtare do të futet në rrugën e zgjidhjes dhe do të zgjidhet. Që kjo të realizohet në një kohë sa më të shkurtër duhet që parlamenti dhe qeveria shqiptare ta ndërkombëtarizojë problemin e zgjidhjes së çështjes Çame, duhet ta shtrojë dhe të kërkojë zgjidhje nga SHBA, BE, duke qartësuar dhe vënë theksin se Çamëria është pjesë përbërëse e kombit shqiptar dhe pa zgjidhur këtë problem nuk mund të flitet për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan. Përderisa jemi shqiptarë ne jemi të gjithë shqiptarë të Shqipërisë, se ekziston vetëm një Shqipëri dhe ne jemi bijtë e saj ti nga Gegëria unë nga Çamëria ai nga Muzeqeja e ai tjetri nga Arbëria, Mirdita dhe Kosova, po këto krahina janë të gjitha pjesë e kombit shqiptar. Që të zgjidhim problemin kombëtar kërkesë e parë është që ne të heqim nga mendja jonë kufijtë imagjinarë që ndajnë shqiptarin nga shqiptari. Dijetari dhe shkencëtari Çam Hoxhë Hasan Tasini një nga ata njerëz të mëdhenj që qindravjeçarët dhe epokat nxjerrin rrallë dhe me vështirësi, kur u largua nga atdheu për herë të fundit u tha farefisit dhe bashkatdhetarëve:"E di që i gjallë nuk do të kthehem dot më por do të kthehem i vdekur".
Intelektuali dhe krijuesi i parë shqiptar i afiniteteve dhe dimensioneve europiane, stilisti i përkryer, eruditi i shkëlqyer dhe atdhetari i madh Faik Konica nga Konica e Epirit në testametin e lenë midis të tjerave shkruan "Nuk do të më tretë dheu mëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë , kam lënë mënjanë dhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për 2 metro vend në Shqipëri".
Në testamentet e atdhetarëve të mëdhenj Hasan Tasimi dhe Konica, ne Çamërit refugjatë në Shqipëri gjejmë porosinë e madhe që me qëndrimin parimor dhe të prerë dhe me dashurinë e madhe për vendlindjen Çamërinë për asnjë çast të mos ndalemi të mos ligështohemi nga pengesat por në vazhdimësi të punojmë për t'u kthyer në Çamëri, këtu gjen më së miri vend shprehja e vjetër që thotë "Guri i rëndë peshon në vendin e vet". Çamëria është për ne çamërit vendlindja, atdheu yne legjitim. Ne jetojmë me shpresën dhe dëshirën dhe dashurinë e zjarrtë që kemi ne në zemrat tona për t'u kthyer në Çamëri. Ne jetojmë me bindjen e plotë se do të kthehemi në Çamëri, bile do të kthehemi shumë më shpejt se sa mund të mendohet.
E drejta është me ne, koha punon për ne."Eshte e jona Çamëria".
FIER 26.03.2002 AGUSH A.VELIU
Gazeta 55, 18 korrik 2002
---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Autos - Get free new car price quotes
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |