Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Shekulli, 30/01/2002

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed Jan 30 11:47:18 EST 2002


VONESA E NJE DOREHEQJE TE MIREPRITUR

Nga Genc Burimi
"Aut Caesar, aut nihil" (ose perandor ose asgjë)! Ilir Metës duket se natyra politike shqiptare me imunitetin e saj të brishtë i imponoi kështu zgjidhjen e dytë. Të manipulosh zgjedhjet, të sundosh me hije të rëndë ekzekutivin, të planifikosh njësimin e njëshit të qeverisë me atë të partisë, të blesh shtypin, të mbrosh korrupsionin, të inkurajosh paaftësinë për të dalë nga kriza energjetike, të përqeshesh prej Brukselit për devijim nga reformat, të gjitha këto janë kafshata që bëhen ortek. Si rrallë herë në eksperiencat e demokracisë, akti "post-mortum" për një kryeministër flinte që prej javësh në sirtarët e mediave. Dorëheqja e tij sjell më në fund pak fllad «evrope » në skenën e bizantizmit politik shqiptar. Në më pak se gjashtë muaj pas zgjedhjeve, Ilir Meta pati dhuntinë e rrallë ta kthente veten në kurbanin më të dëshirueshëm për mbarë opinionin, gishti i madh i të cilit ka kohë që e vështron nga toka si në një arenë gladiatorësh të Kolizeut antik. Nolen, volens! Meta u dorëzua, duke zgjidhur në fillim dilemën me veten e tij, pastaj me institucionet... 
Meta dhe Nano 
Përveç rikthimit të nderit institucioneve tona, konstatimi tjetër pas dorëheqjes së Metës, është se opinioni do të gjendet tani ballë përballë, sy në sy me Fatos Nanon. Deri tani vlera e Fatos Nanos ishte fryrë artificialisht për hatër të ofensivës që ai guxoi të ndërmarrë brenda kupolës e kundër kupolës. Me largimin e tij, Meta ia dhuron Nanos "katarsisin". Po më? Meta në fakt dorëzohet në sipërfaqe, ndërsa në heshtjen e tij të trazuar ai pret revanshin, që, sipas llogaritjeve të tij jo të pathemelta, nuk duhet të vonojë. Para tre muajsh, Nano me dorën lart tregonte se pas atij mali të mbarsur me juntë fashiste, korrupsion e dallavere, vjen «modernizimi i partisë në pushtet, domethënë modernizimi i shtetit shqiptar » (pjesë origjinale nga fjalimi i Nanos në Bruksel). Parajsa vetë, le t'a besojmë... Por a i ka tani Nano vërtet mjetet dhe personat e duhur për të operuar, të paktën, një fillim ndryshimi? Meta iku nga qeveria, porse Nano po dështoi, pas gjithë asaj shprese që ka krijuar, rrezikon shumë më tepër. Një rrymë tjetër opinioni mund të aludojë se Nano as që ka për ta vrarë mendjen kaq hollë. Atij thjesht i intereson të bëhet president. Ndërkaq, në lëvizjen jo aq diletante të Metës edhe ky element duket se është studiuar me kujdes për të distiluar mesazhin me të qartë. Kryeministri në rrëzimin e tij të detyruar rrëzon dhe ëndrrën e Nanos për president, pasi Metës do t'i mbetet gjithmonë një numër i atillë mbështetësish sa për të bllokuar votimin e presidentit në parlament. Apo gjithë kjo lëvizje që ndërmori papritur Meta ishte thjesht për t'i treguar Nanos dhe militantëve të PS-së se pa Metën ata nuk kanë se ku të shkojnë dhe pa naze ta rikonfirmojnë sërish kryeministër? Lëvizje-shantazh, me fjalë të tjera. Pse jo? Sido që të jetë, tani është rradha e Nanos. Por ai duhet të shpejtohet jo vetëm se duhet një qeveri e re dhe më cilësore, por pasi, ironi e gjërave, një kundërshtar bie e menjëherë dhjetëra ngrihen: opozita hyn si rastësisht këtë të enjte në parlament. Po ashtu Brukseli, nga ana e tij, vjen dhe e ndërlikon me shumë platformën strategjike të kryesocialistit me të famshmet «detyrat e shtëpisë». Situatë që matematikisht prodhon tri fronte për një njeri. Në këto kushte, një politikan i hollë nuk mund të flasë për skenare presidentësh. 
Raporti paraprak i forcave
Në mënyrë jo prozaike le t'i përmbledhim raportet e forcave pas Brukselit, largimit të Metës dhe hyrjes së opozitës në parlament: nga njëra anë Nano, i cili pas dushit të Brukselit dhe dorëheqjes së  Metës do të përpiqet të evitojë panikun në radhët e partsë së tij, duke u paraqitur pikërisht si njeriu kyç i situatës rreth të cilit nevojitet uniteti dhe disiplina maksimale e militantëve. Nga ana tjetër, opozita kryesuar nga Sali Berisha, që vendos tani të operojë në zemër të socilistëve në parlament. Ndërmjet tyre, Meta i cili, pasi provoi rolin e tabelës së qitjes, dëshiron të shijojë tani atë të xhokerit.  Opozita, që s'ëndërron veçse për zgjedhje të parakohshme, me siguri do të testojë në fillim në parlament premtimet e pozitës për bashkëpunim. Në rast dështimi, opozita do të gërmojë më pas në arsenalin e saj për të gjetur forma presioni: presioni me anë të votës, nëse ajo arrin dhe bindë për një aleancë rrethanash grupin e Ilir Metës; presioni me anë të Brukselit, duke e treguar PS-në me gisht para popullit si të izoluar nga bota; presioni me anë të rrugës, duke provokuar protesta si ato që hodhën Nanon në qershor të '91-shit; presion ndoshta me nenin 150 (pika e parë) të Kushtetutës, sipas të cilit, "populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve ka të drejtën e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë", si ajo e vullnetit per të organizuar zgjedhje të parakohshme për shembull....Nga ana e pozitës, në skenarin më pozitiv për vendin, Nano pranon bashkëpunimin dorë më dorë me opozitën, duke i habitur kështu të gjithë për mirë. Bashkërisht të dyja palët përveshin mëngët për të zgjidhur problemet e panumërta të shoqërisë shqiptare, duke i ofruar, pse jo, opozitës edhe poste ministrore në një qeveri të sfidës për "zhvillimin e vendit".  Por, në qoftë se Nano nuk ka luajtur asnjë centimetër nga fjalimi sovranist që ai mbajti në Bruksel, atëherë do të presim raporte edhe më të mprehta konfliktualiteti. E rëndësishme është që ato nuk bëhen në sfond tankesh e bajonetash.  Sa për Metën, me gjestin e tij, ai i ka kryer shërbimin më të madh në planin e moralit, vendit dhe demokracisë. 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Auctions Great stuff seeking new owners! Bid now!
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list