Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Deklaratat e Metes pas vizites ne Athine - Zeri i Popullit

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sun Jan 27 02:07:24 EST 2002


Meta: Greqia, partneri ynë strategjik në Ballkan 
Menjëherë pas kthimit nga vizita në Athinë, në mbrëmje vonë kryeministri Meta ka dhënë në ambjentet e aeroportit të rinasit një konferencë për shtyp. "Dëshiroj që të vlerësoj edhe një herë tjetër rëndësinë e marrëdhënjeve midis Shqipërisë dhe Greqisë në funksion të stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, por njëkohësisht edhe në funksion të integrimit europian të Shqipërisë. Besoj se kjo vizitë fiksoi edhe një herë tjetër qëndrueshmërinë dhe zhvillimet pozitive në marrëdhënjet shqiptaro-greke dhe njëkohësisht theksoi edhe një herë tjetër prioritetet e këtij bashkëpunimi, të cilat tashmë kanë të bëjnë në veçanti me një intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, me nxitjen e mëtejshme të investimeve greke në Shqipëri, me fillimin sa më shpejt të zbatimit të projekteve në kuadrin e planit grek për rindërtimin e Ballkanit. Njëkohësisht për t’i vënë një theks të veçantë bashkëpunimit në fushën e energjisë midis dy vendeve por edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, pasi dihet që kriza energjitike që ne përjetojmë është një krizë në përgjithësi e të gjithë rajonit. Dhe në këtë kuadër janë të rëndësishme që të zhvillohen edhe disa projekte rajonale për t’i dhënë një zgjidhje sa më afatgjatë. Sigurisht lufta kundër krimit të organizuar ka qënë një tjetër prioritet që kemi ritheksuar me kryeministrin Simitis. Një problem tjetër ka qënë edhe avancimi i procesit të legalizimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi, ku kemi rënë dakort për herë të parë edhe për të nënshkruar sa më shpejt një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore midis dy vendeve, e cila do të mbrojë më mirë të drejtat e qytetarëve shqiptarë në Greqi. Përsa i takon minoritetit grek, edhe një herë tjetër sikurse keni ndjekur edhe nga konferenca për shtyp sëbashku me kryeministrin Simitis, kemi konsideruar si një tregues të rëndësishëm të vetë demokratizimit të Shqipërisë, të procesit europianizues të saj, por edhe si faktor i rëndësishëm për konsolidimin afatgjatë të miqësisë midis dy vendeve tona", ka deklaruar kryeministri Meta.

J.M

===

Meta: Greqia, ndihmë për ndërtim hidrocentralesh në Vjosë 
Si i konsideroni marrëdhënjet me Greqinë?

Marrëdhënjet me Greqinë do t’i konsideroja edhe një herë tjetër të një karakteri strategjik, për arësye se Greqia është një nga dy fqinjët tanë sëbashku me Italinë dhe i vetmi vend i rajonit të Ballkanit, i cili është anëtar i BE dhe i NATO-s. Dhe dihet që objektivi strategjik i Shqipërisë është integrimi në BE. Dhe njëkohësisht si marrëdhënje të cilat tashmë kanë baza më të shëndosha, kanë prioritete të qarta dhe që nuk është e lehtë më të tronditen si më parë nga incidente të ndryshme që kanë ndodhur apo që mund të ndodhin midis vendeve fqinje.

 

U trajtuar në takimin me Simitis se paqtimi i klasës politike shqiptare është kusht për zhvillimin e vendit?

Nuk kemi diskutuar në veçanti se çfarë ka ndodhur në Bruksel ditët e fundit. Por sigurisht që kemi diskutuar për perspektivën e hapjes së negociatave përsa i takon marrëveshjes së asociim-stabilizimit, dua të përmend dhe të kujtoj se Greqia ka qënë një nga mbështetëset kryesore për hapjen e dritës jeshile për këtë marrëveshje në samitin e Goteborgut dhe njëkohësisht Greqia është një nga vendet më të interesuara dhe që përkrah hapjen më të shpejtë të këtyre negociatave. Megjithëatë nuk mund të mos përmend faktin se në disa vende të BE zhvillimet politike në Shqipëri kanë krijuar një shqetësim, përsa i takon stabilitetit politik dhe qeverisës në vend. Dhe ky shqetësim natyrisht që është i pranishëm edhe në Greqi.

 

Ju përmendët marrëveshjen për sigurimet shoqërore. Përse nuk u nënshkruar sot një marrëveshje e tillë, apo të nënshkrohej një protokoll për të?

Përsa i takon marrëveshjes mbi sigurimet shoqërore nuk është e vërtetë që ajo ka qënë e planifikuar të nënshkruhej një marrëveshje e tillë. Ne sot kemi rënë për herë të parë dakort dhe unë besoj se shumë shpejt ajo do të nënshkruhet nga dy organizmat përkatës dhe nga dy ministritë përkatëse.

Ju folet për një plan grek për ndërtimin e Ballkanit mes të cilave edhe ndihma për Shqipërinë. Mendoni se kjo mund të kryhet drejtëpërsëdrejti me propozimin lidhur me interesat greke për privatizime apo më konkretisht për telefoninë?

Lidhur me projektet e planit grek për ndërtimin e Ballkanit, në tashmë kemi fiksuar disa nga prioritetet kryesore. Prioriteti numër një ku ne jemi pajtuar është financimi i një rruge të re të standarteve europiane Fier-Tepelenë, e cila është tepër e rëndësishme në interes të komunikimit midis dy vendeve. Për arësye se dihet që është një segment tepër i vështirë dhe ndërtimi i këtij sgmenti të ri të standarteve europiane do t’i jepte një impuls të ri dhe një komunikim shumë më modern marrëdhënjeve midis dy vendeve, bizneseve, në fushën e transportit etj. Sigurisht kemi diskutuar edhe për projekte të tjera, të cilat janë në interes reciprok në fushën e infrastrukturës rrugore ose të investimeve në sistemin energjitik. Kuptohet që këto projekte janë në interes të bashkëpunimit afatgjatë midis dy vendeve.

 

Çfarë përfitimi kanë emigrantët shqiptarë në Greqi nga marrëveshja për sigurimet shoqërore?

Deri tani emigrantët shqiptarë nuk kanë përfitime të cilat kanë të bëjnë me efektet e pensioneve apo të një karakteri të këtillë mbrojtës social, të cilat do t’i japë kjo marrëveshje. Sepse legjislacioni i deritanishëm ka të bëjë me legalizimin, por nuk ka të bëjë me mbrojtjen e të gjithë elementëve, të cilët janë të domosdoshëm për të garantuar të gjitha ato standarte të nje emigracioni të kohës.

 

Disa hollësi për ndihmën greke për përballimin e krizës energjitike?

Lidhur me krizën energjitike ne kemi rënë dakort që në komisionet e përbashkëta mikste shqiptaro-greke, që është kryesisht për bashkëpunimin ekonomik, të krijojmë një nënkomision të posaçëm vetëm për energjinë, i cili do të trajtojë probleme që kanë të bëjnë me përballime të emergjencave. Dhe mund të them që këto ditë nga Greqia ne po importojmë një sasi relativisht të konsiderueshme energjie, të cilën do ta kthejmë më vonë, përseri me energji, pra që është në favorin tonë, por veçanërisht përsa i takon projekteve që kanë të bëjnë me interkonesione, kanë të bëjnë mundësisht me sjelljen e gazit në Shqipëri, nëpërmjet Greqisë, që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujrave të Vjosës. Pasi dihet që ky lumë ka potenciale të rëndësishme hidroenergjitike dhe janë disa projekte për të ndërtuar hidrocentrale në këtë lumë. Por edhe për investimet të caktuara, veçanërisht në fushën e energjisë, veçanërisht në zonën e Korçës etj.

J.Marena






---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Auctions Great stuff seeking new owners! Bid now!
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list