Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Gazeta TEMA - 20 janar 2002

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Mon Jan 21 20:28:16 EST 2002


---------------------------------
 
 

Dëshmon një personalitet i kulturës shqiptare 

 Ana e panjohur «anti-islamike» e Bashkim Gazidedes 

 Në mesin e vitit 1993, me këmbënguljen dhe provat që paraqiti Gazidede, u nxor jashtë ligjit një  shoqatë me prirje radikale islamiste.  

 Nga Dashnor Kokonozi 

 Kohë më parë, rastësisht duke ndjekur shtypin shqiptar në internet, më ra në sy moria e madhe e artikujve dhe e opinioneve nga më të ndryshmet për ish shefin e Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Bashkim Gazidede. Në shumicën e tyre hidhet ideja e lidhjeve  e, mbase, edhe e bashkëpunimit të segmenteve të shtetit shqiptar me organizata fondamentaliste të inspiracionit islamik. Një pjesë e këtyre artikujve dhe veçanërisht deklarata të veçanta të politikanëve shqiptarë, prej kohësh qarkullojnë të përkthyera  në  gazeta të ndryshme në Lindje e në Perëndim, duke e rënduar së tepërmi opinionin edhe ashtu  të rëndë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. 

Gjithsesi nuk duket krejt e rastit  që në qarqet e specialistëve të qarkullojnë opinione krejt të tjera, siç ndodhi me deklaratat e paradokohshme amerikane, ku u pranua pa ekuivok    bashkëpunimi i  suksesshëm me shërbimet e fshehta shqiptare në luftën kundër organizatave fondamentaliste islamike që në vitin 1993. Për këtë duhet të ekzistojnë dokumente të ndryshme edhe në Shqipëri. Mjafton që ish funksionarë të ndryshëm të gjejnë kurajo e të shprehen para opinionit dhe jo të heshtin e të lënë të sakrifikohet dinjiteti i tyre para altarit të histerisë së shtypit. 

Ajo që ka më pak rëndësi këtu është emri i Gazidedes,  e rëndësishme është ruajtja dhe evidentimi i  koherencës së shtetit shqiptar në një çast të rëndësishëm kthese në historinë botërore. 

Me këtë rast dua të përmend ekzistencën e një momenti, që flet për një realitet krejt tjetër të veprimtarisë së këtij shteti dhe të shërbimeve të tij sekrete. Eshte fjala për një vendim të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, që nxori jashtë ligjit një shoqatë me prirje islamike, veprimtaria e së cilës kishte marrë përmasa të rrezikshme. 

Duke mbuluar detyrën e përgjegjësit të librit në atë Ministri, u bëra pa dashje dëshmitar i një proçedure, që tani po rezulton se ka qenë tepër e rrallë, në mos e vetmja në Europë, deri më 11 shtator 2001, kur shumë shtete aplikuan proçedurën e nxjerrjes jashtë ligjit të disa organizatave paralele me Al Kaidën. 

Historia e këtij dokumenti filloi atëherë kur në zyrat e Ministrisë së librit u paraqit juristja e SHIK-ut, që tha se vinte me porosi të Gazidedes. Shqetësimi ishte për përmbajtjen  fetare të një numri librash, që nxisnin urrejtjen ndaj feve të tjera e veçanërisht ndaj fesë së krishterë. Botues i këtyre librave ishte shoqata «Rinia dhe Kultura Islame». 

I shpjegova se si ministri kulture nuk ishim fort të prirur të nxirnim jashtë ligjit shoqatat kulturore. Megjithatë, për rastin në fjalë, i thashë se Ministria nuk mund të bënte asnjë veprim, po qe se për kërkesën e tij, SHIK-u nuk do të paraqiste prova dhe, mbi të gjitha, asnjë vendim nuk do të merrej, po qe se specialistët e sektorit nuk do t’i lexonin vetë ato libra. 

Atë pasdite erdhi një nga shefat e lartë të SHIK-ut, i cili po ashtu shprehu edhe një herë shqetësimin e shërbimit të SHIK-ut për rrezikshmërinë e këtyre librave, që helmonin marrëdhëniet e komuniteteve fetare. Ai kishte sjellë pesë libra të formatit të xhepit, botime të shoqatës «Rinia dhe Kultura Islame». Në të vërtetë ishte fjala për përkthime të përmbledhura  nga disa autorë sauditë. Në njërin prej tyre evokohej fëmijëria e njërit prej autorëve, kur  «kaurrët thernin myslimanët» e ai hapur i bënte  thirrje rinisë islame për hakmarrje. Në një tjetër thuhej se tani që komunizmi ra, myslimanët duhet të ngriheshin e t’i prisnin kokën kuçedrës kristiane. Shkurt predikohej gjak, thika, hakmarrje, zjarr  e koka të prera. Trajtë e një platforme jo fort larg asaj që pamë të materializuar më 11 shtator 2001. 

Urgjentisht u hartua akti i nxjerrjes jashtë ligji të shoqatës në fjalë dhe të nesërmen dokumenti ishte mbi tavolinën  e ministrit.  Para se ta firmoste, z.Anagnosti, kërkoi, përveç një raporti të plotë shoqërues, edhe që ne si sektor të merrnim paraprakisht takim me krerët e shoqatës. 

Nga pesë ftesa që dërguam, në takim erdhën vetëm dy djem rreth 20 vjeçarë. Ajo që më bëri përshtypje ishte se ata thanë se librat i botonin vetë, me të ardhurat e tyre, ndërkohë që pak më parë kishin pranuar se ishin të papunë. Kur u thashë se ishte fort e mundshme që të merreshin masa të rrepta ndaj shoqatës së tyre, deri në nxjerrjen jashtë ligjit, njëri ia dha të qeshurit, ndërsa tjeri tha se në atë mënyrë po i linim fare pa rrogë. Pyetjes sonë për veprimtari të tjera kulturore, ata iu përgjigjën duke ngritur supet. Thanë se sapo kishin ardhur nga një specializim në një vend arab. 

Akti u firmos nga ministri dhe në mbrëmje iu shpërnda shtypit. Padyshim, dokumentet që mbështesin këtë shkrim gjenden të gjitha në arkivin e Ministrisë së Kulturës. 

Por së fundi desha të shtoj, për një procedurë të tillë më pas kërkuam mendimin e një juristi amerikan që iu atashua Ministrisë me mbështetjen financiare të Bankës Botërore. Ai, megjithëse kishte punuar si konsulent i shumë qeverive europiane, u shpreh se nuk kishte dijeni për një akt të formës së tillë, marrë nga ndonjë vend tjetër dhe, se e gjente pak të ashpër atë. 

  

(Dashnor Kokonozi ka qenë Drejtor i drejtorise se Kulturës nga viti 1992 deri në vitin 1997) 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Send FREE video emails in Yahoo! Mail.
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list