| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] ZERI I POPULLIT - 30.12.2001Agron Alibali aalibali at yahoo.comWed Jan 2 21:52:08 EST 2002
Ristrukturimi i ushtrisë, thembra e Akilit në 10-vjeçarin e ardhshëm Ristrukturimi do të përfshijë Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm, Forcat Tokësore, Forcat Ajrore, Forcat Detare, Komandat Mbështetëse, si atë të stërvitjes, doktrinave dhe logjistike TIRANE- Ristrukturimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë si faktor i rëndësishëm i integrimit në strukturat euroatlantike, përbën objektivin strategjik të dhjetëvjeçarit 2001-2010 për Ministrinë e Mbrojtjes dhe për gjithë strukturat e tjera të shtetit shqiptar. Ky ristrukturim, i urdhëruar nga Presidenti i Republikës Rexhep Meidani, në 11 Prill të vitit 2000, është ndërmarrë mbi bazën e nevojave të përcaktuara, për të ardhmen e strukturës, kapaciteteve, doktrinave, infrastrukturës ushtarake, të cilat konvergojnë me ekspertizën e ekipeve të NATO-s në Shqipëri. Rruga nëpër të cilën duhet të kalojë ky ristrukturim është bazuar në një projekt të përbashkët bashkëpunimi të Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare, Shtabit të Përgjithshëm dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA, si dhe nga mbështetja e të gjithë partnerëve të saj ndërkombëtarë. Ristrukturimi i FA shqiptare duhet të mbështetet në burime reale të Shqipërisë; demokratizimi i vendit, forcimi i ekonomisë, sistemi arsimor, gjyqësor, zhvillimi i infrastrukturës, shoqërisë civile etj. Gjithashtu kushtet e reja të sigurisë kombëtare përfshijnë luftën dhe përballimin me trafiqet e paligjshme të të gjitha llojeve, terrorizmin, krimin e organizuar, korrupsionin, lëvizjen e pakontrolluar të njerëzve, mangësitë në funksionimin e institucioneve te shtetit ligjor, etj. Ky projekt bazohet në dokumentin e vlerësimit të mbrojtjes,realizuar në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes. Por ky proces ka nevojë edhe për një kosto financiare, përmirësime në legjislacion, përfshirje në axhendën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, etj. Shqipëria po synon të krijojë një forcë më të vogël (nga 31000 në 14000-16000 vetë, deri në vitin 2006), por me aftësi më të mëdha operacionale dhe ndërvepruese, ndërsa në vitin 2010 një forcë më moderne, më të pajisur, më të lëvizshme, dhe më të mbështetur nga ana logjistike. Kjo kërkon formulimin e Strategjisë Ushtarake Kombëtare, hartimin e doktrinës së Përbashkët të FA, ngritjen e Sistemit të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, ngritjen e Sistemit të Planifikimit, Programimit dhe Buxhetimit shumëvjeçar. Lidhur me strukturën e ardhshme të FA-së, ajo do të përmbledhë Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm, Forcat Tokësore, Forcat Ajrore, Forcat Detare, Komandat Mbështetëse, si atë të stërvitjes, doktrinave dhe logjistike --------------------------------- Kronologji e ngjarjeve të ndodhura gjatë vitit 2001 18 Prill- Kryeministri Ilir Meta takon në Tiranë gjeneralin amerikan Gregory Rountree me të cilin diskutoi për Planin e Implementimit 2001-2010, në risrukturimin e FA shqiptare. Zbatimii këtij plani, do të adaptojë nje sistem shumevjeçar planifikimi me të gjithë ministritë dhe në veçanti, me Ministrinë e Mbrojtjes 8 Maj - Kryeministri shqiptar Ilir Meta merr pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Atlantikut Verior, në Bruksel, në kuadër të prezantimit të planit kombëtar të vitit 2001 për anëtarësim në NATO. 16 Maj - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi Xhorxh Robertson, viziton Tiranën dhe shpreh mbështetjen dhe angazhimin e NATO-s për të vazhduar ndihmën dhe asistencën në proçesin e ristrukturimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si dhe integrimit të saj, në strukturat Euro-Atlantike. 13 Shtator - Ambasadori amerikan në Tiranë, Joseph Limrecht, gjatë një takimi me Ministrin e Mbrojtjes Pandeli Majko, ka bërë të ditur ardhjen në Shqipëri të ekspertëve ushtarakë amerikanë, për të punuar së bashku me ushtarakët shqiptarë për zbatimin e masave të përcaktuara në Dokumentin e Vlerësimit të Mbrojtjes. 26 Shtator - prezantohet Projekti i përbashkët amerikano-shqiptar për ristrukturimin e FA për vitet 2001-2010, në Ministrinë e Mbrojtjes, në prani të ministrit Pandeli Majko dhe kryetarëve të grupeve parlamentare te Mbrojtjes, të Jashtëm dhe të Financave. 26 Tetor- prezantohet në Tiranë, nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, në konferencën kombëtare me temë " Ristrukturimi i forcave të armatosura objektiv strategjik i periudhes 2001-2100", projekti i përbashkët i SHBA dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për ristrukturimin. 26 Tetor- Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Jozeph Limprecht, shpreh në Konferencë kombëtare të ristrikturimit të Fa shqiptare, mbështetjen në mënyrë aktive të SHBA , me rekomandime dhe burime, për këtë ristrukturim. 20 Nëntor- Ministrit të Mbrojtjes, Pandeli Majko, i dorëzohet dokumenti zyrtar i Vlerësimit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, nga Zv/sekretari amerikan i Mbrojtjes së SHBA-së, Paul Wolfowitz, gjatë vizitës së z Majko në Pentagon. Marrja në dorëzim e këtij dokumenti "shënon fillimin e procesit të zbatimit të Planit 10-vjeçar të ristrukturimit të Forcave të Armatosura". 21 Nëntor- Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, diskuton në SHBA me ushtarakë të lartë amerikanë proçesin e ristrukturimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. 23 Nëntor- Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, në takimin e zhvilluar në Kanada, me homologun e tij kanadez, Arthur Egleton, shprehu nevojën e bashkëpunimit mes dy Ministrive respektive, në mbështetje të ristrukturimit të FA-së në Shqipëri 9 Dhjetor-Gjermania ka dërguar një ndihmë me 74 automjete dhe një sasi ndihmash logjistike dhe mjekësore për ushtrinë. Ndihma ka ardhur në bazë të Protokoll-Marrëveshjes mes dy qeverive përkatëse, në kuadër të ristrukturimit. 18 Dhjetor- Qeveria e Hollandës i dhuron Spitalit Ushtarak të Tiranës pajisje dhe aparatura të ndryshme mjekësore, në një vlerë prej 400 mijë USD, për modernizimin dhe ngritjen e shërbimit mjekësor të spitalit, në kuadër të ristrukturimit të përgjithshëm të ushtrisë. 17 Dhjetor- Departamenti i Mbrojtjes i SHBA prezanton në Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare projektin me rekomandimet përfundimtare për Ristrukturimin e FA shqiptare për 2002-2010. Ky projekt do të fillojë të zbatohet gjatë vitit 2002, mbi bazën e 8 programeve themelore dhe gjatë dy fazave kryesore. Përgatiti Ylli Kurti --------------------------------- Do You Yahoo!? Send your FREE holiday greetings online at Yahoo! Greetings. -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |