| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Polemika Kadare 3 - Gazeta TemaAgron Alibali aalibali at yahoo.comTue Feb 26 21:34:09 EST 2002
Shënime për esenë e Maks Velos "Zhdukja e 'Pashallarëve të kuq' Redaktori i "Nentorit" që spiunoi Kadarenë Çerçiz Loloçi Ka dalë në treg libri - ese i Maks Velos, botuar nga "Onufri", një vepër që hedh dritë për një nga privimet e mëdha të shkrimtarit tonë më të madh, Ismail Kadare. Një poezi e gjatë apo poemë, e titulluar fatalisht "Pashallarët e kuq", që asnjëherë nuk e pa dritën e botimit (përjashtuar periudhën e ndërmjeme të një të mërkure apo të enjte kur faqosej te pjesa letrare e gazetës "Drita"), megjithatë i kushtoi autorit një tension të jashtëzakonshëm. Cikli poetik ku gjendej edhe "poema e nëmur" pati një rrugë të zakonshme: u radhit nga e vetmja daktilografiste që punonte njëherësh për dy organe letrare "Nëntori" e "Drita", u pa nga redaktor-sekretar i kolegjiumit A. Myftiu dhe u çua në shtypshkronjë. Pikërisht këtu ajo edhe u denoncua si një vepër e rëndë reaksionare, u prish deri edhe në gërmat e plumbta, u bë shkak për dy mbledhje të gjata në KQP dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe u finalizua me internimin e Kadaresë në një fshat që ishte antiteza e veprës, fshati socialist "Agim", në rrethinat e Fierit. "Pashallarët" u shkruajt në 1974 dhe u dërgua për botim në "Drita" një vit më vonë, në pesëmbëdhjetëditëshin e dytë të tetorit 1975. Të gjitha këto peripeci gjejnë shtjellë të konsiderueshme në librin e Maks Velos ku vetë autori është rrëfyer disa herë për krimin letrar të kryer ndaj tij. Krimi nis qysh nga radhitja, nga spiunimi prej një kolegu, nga protagonistë të drejtpërdrejtë, të gjallë e të vdekur, ku shumë syresh vazhdojnë të heshtin jo për atë çkanë bërë me dashje për të fundosur përfundimisht një vepër letrare, por për të thënë së paku se krijimi i atëhershëm ndodhet diku, ruhet në një arshivë apo sirtar personal. "Pashallarët e kuq", me aq sa dimë hë për hë për të derimë tani, nuk është në gjenialitetin e kurorës së veprave të Kadaresë, është padyshin në pjesën më të mirë dhe më cilësore të letrave së tij dhe të poezisë shqipe, por duke qenë munguese edhe tash pas afro tri dekadash, ruan një mundim të autorit dhe të lexuesve të panumërt të tij. Pas 37 vjetësh mungon origjinali i kësaj poeme, nuk gjenden shënimet ditarike të Enver Hoxhës, nuk janë sjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë akuzat e Ramiz Alisë, nuk kanë preferuar të flasin shumë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtij kurthi letrar; nuk dihet se çkanë folur shkrimtarë-komunistët e asaj periudhe që kanë pasur një rast për të shfaqur nderin dhe antinderin e tyre. Vetë Kadareja shkruan kështu për ngjarjen: "...tabloja e dendësuar e ngjarjes duhet të ketë qenë kjo: Në fillim ose në mes të javës zbulohet që I.K. ka çuar për botim poemën armiqësore. Vendoset që të shfrytëzohet ky rast i rënë nga qielli, për ta fshirë nga faqja e dheut autorin. Për këtë, në vend që poema të hiqet nga dosja e botimit dhe të ndiqet procedura e zakonshme në kësi rastesh, vendoset të bëhet e kundërta: të çohet në shtyp. Por këtë plan e pengon diçka: prania e kryeredaktorit. Atëherë, që të mundësohet tjerrja e kurthit, kryeredaktori ikën me shërbim në Burrel. Për t'u kthyer, siç e pamë, në mesnatë. Sipas një arsyetimi të sipërfaqshëm, kështu duhet të ketë ndodhur. Por sipas një shikimi më të thellë edhe në shpjegim, ka diçka që nuk shkon. Dhe ajo që nuk shkon është fakti që zbulimi i "së keqes", nuk u bë prej kryeredaktorit, por prej kryetarit të Lidhjes. Pra ishte ky, që qysh më parë dinte diçka, që nuk e dinte askush. Atëherë nga e mori vesh? Ja, sipas meje sime, ç'ka ndodhur. Zbulimi i "së keqes" nuk u bë as të hënën mbasdite, kur unë i kam çuar vjershat për botim, as dy ditët e tjera që pasuan, dhe aq më pak të enjten në mesnatë. Kur këto veprime ndodhnin, zbulimi ishte bërë ndërkaq. Përveç dy javëve të këqija, ka një javë pararendëse, që ne nuk e kemi përmendur asnjëherë. Ishte koha që unë e kasha çuar ciklin e vjershave për daktilografim në zyrën e kopisterisë. Dhe aty në zyrën e kopisterisë kishte ndodhur e keqja. Atje, një nga spiunët e Lidhjes, ose njeriu i ngarkuar me përgjimin e daktilografistëve, ka zbuluar "të keqen" dhe ka sinjalizuar. Lidhja e Shkrimtarëve gëlonte nga spiunët, sidomos pas vitit 1974. Njëri prej tyre, një redaktor i revistës "Nëntori", ishte më i rrezikshmi. Ai, me sa dukej, kishte për detyrë përgjimin e kopisterisë. Kështu e mbajnë mend të gjithë: prapa shpinës së grave që shtypnin, duke shfletuar me shpejtësi fletët e daktilografuara, kinse interesohej për lëndën e revistës." Katër intervista të plota të Kadaresë me Velon, në kohë të ndryshme, teksa rrëfejnë humbjen e një vepre, kanë megjithatë faqe të tëra ku shpjegojnë mekanizmin e dhunës që shpesh nuk buronte nga organet e diktaturës së proletariatit, por nga komuniteti i artistëve. Kadare, ndërsa nuk di ende se ku mund të gjendet dorëshkrimi që i ka sjellë edhe ndodhinë më të helmuar të jetës, natyrisht që e ka të plotë krejt mekanizmin e këtij kurthi, ka të qartë të gjitha ata që u angazhuan "për ta rrënuar" e megjithatë asnjë grimë helmi nuk shpërndan në dëshmitë artistike të tij. Në faqen 22 autori thotë: "...ngjarja që kujtuam ka qenë ndër më të helmuarat e jetës sime. Jo vetëm që më çoi në buzën e greminës, por sepse, veç kësaj, më dha një pamje të lakuriqtë të ligësisë, egërsisë dhe mjerimit njerëzor, që rrallëherë rasti na i shpalos përpara syve. Si e tillë ajo mund të më shkaktonte mua një gjymtim të pandreqshëm: të më damkoste përçmimin ndaj qenies njerëzore. Mendoj se nuk e arritit dot". Kapitulli i parë i librit të Maks Velos, me shtatë pjesë të lidhura organikisht me njëra tjetrën, shpjegojnë arsyet e ndriçimit të një krimi letrar të kryer ndaj personalitetit më të shquar të letrave shqipe, pra Ismail Kadaresë. "Pashallarët e kuq" kishte patur fatin unikal në krejt ish-Lindjen komuniste që të dënohej pa u botuar, për të mund të thuheshin të gjitha të zezat por pa cituar asnjë varg. (Nuk përjashtohet mundësia që ajo të ketë kaluar në disa duar, që përmenden dhe nuk përmenden në faqet e këtij libri; përveç daktilografistes, redaktorit të "Nëntorit" që shfletonte nëpër këmbë gjithçka që do të shkonte për botim, dijeni duhet të kenë pasur jo vetëm emrat e cituar në ese, por edhe të tjerë: instruktori i Komitetit të Partisë së Tiranës dhe i rajonit 1, instruktorët e edukimit në KQP, grupi i sekretarëve në KQP, pra krejt kontigjenti që e vuloste si "të dëmshme, armiqësore, përmbysëse e pushtetit", etj). Kapitulli i dytë, me një hyrje të shkurtër të Velos, është intervista e parë e Ismail Kadaresë. Pasi ka qenë vetë ai që ka heshtur për një kohë relativisht të gjatë, në radhët e kësaj interviste shpjegon pse ka ndërruar mendim. Jo se nuk e ka ditur saktësisht ngjarjen e hidhur që u kurdis prapa shpinës së tij. Çprej atëherë, në kohën e proces-mbedhjeve dhe të anktheve të pafundme, vite më pas, ka sjellë dhe risjellë nëpër mendje atë çka u sajua, "si njerëzit që e ngritën atë mblidheshin me miqtë dhe gratë zemërzeza" për t'u eksituar vetëm nga dënimi i tij. Për fakte shqiptare dhe jashtëshqiptare, shkrimtari i madh e sheh si të dëmshme heshtjen ndaj krimeve të mëdha, qoftë edhe kulturore. "Koha e paskrimit është gjithmonë e ethshme. Viktimat kërkojnë të hapen varret dhe arkivat; kriminelët përpiqen t'i mbyllin; mohuesit, që nuk mungojnë kurrë, rreken të zvogëlojnë përmasat e dramës; humanistët bëjnë thirrje për shqyrtim të ndërgjegjes; cinikët bëjnë veshin shurdh".Në këtë intervistë Kadare i rikthehet sërish "dosjes së Lasgush Poradecit" duke i shtuar disa faqe brilante portretit të tij dhe që duket se ende ka diç të pathënë për lirikun e madh të ndaluar për së gjalli që shtegtonte për 43 vjet në "një shkretëtirë morti". Kapitulli i tretë është botimi për herë të parë i fjalimit të ish kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve, Agolli dhe me disa shënime bashkëshoqëruese. Në kapitullin e katërt autori ka paraqitur dëshmitë e disa protagonistëve të atëhershëm, mes të cilëve dëshmi dhe ravijëzime të shkrimtarit Anastas Kondo, Bashkim Kuçukut, Abdurrahim Myftiut, Jakup Matos dhe të bashkëshortes, Elena Kadare. Kapitulli vijues, ne vend të një intermexoje, janë paraqitur shestimet e Kadaresë për dëshmitë dhe fill pas tij vjen intervista e tretë me shkrimtarin.Kapitulli i gjashtë, nën okelion "Autokritika", Velo shpjegon se si ka reaguar Kadare ndaj kurtheve të hershme dhe të reja, ndërsa dy pjesët e fundit kanë përkatësisht intervistën e katërt të shkrimtarit dhe epilogun përmbyllës. --------------------------------- Do You Yahoo!? Yahoo! Greetings - Send FREE e-cards for every occasion! -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |