Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Lubonja ne Shekulli

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Tue Feb 26 08:40:05 EST 2002


Kundër kulturës së simulim manipulimit

Nga Fatos Lubonja
Duke lexuar në gazetën Korrieri të datës 24 shkurt 2002 një shkrim me titull: "Kadare: zhdukja e pashallarëve të kuq" mu ngacmua edhe një herë mendimi se Shqipëria nuk arrin dot të ndërtojë institucione të demokracisë pasi kërkon t'i ndërtojë ato me instrumentat dhe lëndën e një kulture të ngjizur e mbrujtur në diktaturë, pa kuptuar dot se këto institucione nuk mund të ngrihen e të qëndrojnë dot më këmbë me instrumenta dhe lëndë të tillë, pasi konstruksioni dhe arkitektura e institucioneve demokratike kërkon një tjetër lëndë. Kjo më shtyu të nis një cikël shkrimesh me thirrjen se i duhet dhënë fund kulturës së vjetër të simulimit dhe manipulimit - duke i konsideruar ato shkrime edhe si një ftesë për debat të hapur.
Kultura humaniste dhe kultura e simulim manipulimit
Në leximet mbi kulturën nuk kam gjetur një përkufizim më kuptimplotë të saj sesa atë të shtjelluar në një ese të Montenjit me titull: "Më mirë për një kokë të ndërtuar mirë sesa për një kokë të mbushur mirë." Atje kulturën Montenji e krahason me punën e bletës që mbledh nektarin nëpër lule të ndryshme dhe që pastaj e përpunon për të bërë mjaltin që është një produkt i veti. Pikërisht këtu qëndron sekreti i kulturës së vërtetë, tek ajo aftësi për të nxjerrë një produkt të vetin. Prandaj, sipas Montenjit, vlen më shumë një kokë e "ndërtuar mirë" sesa një kokë e "mbushur mirë", vlen më shumë një njeri i aftë për të menduar e krijuar sesa një pus pasiv dijesh. Në emër të kësaj, kur flet për edukimin e brezave të rinj, ai rekomandon që në kokën e nxënësit nuk duhet të nguliten gjërat thjesht e vetëm për hir të autoritetit apo besueshmërisë së dikujt, por t'i propozohet atij shumëllojshmëra e gjykimeve dhe argumenteve dhe pastaj nxënësi të zgjedhë (afërmendsh po qe se mundet) përndryshe le të mbesë në dyshim. Vetëm kur një nxënës do të arrijë t'i rrokë opinionet e autorëve të njohur nëpërmjet përbluarjes së vet shpirtërore këto do të bëhen vërtet të tijat. "Ai që thjesht ndjek një tjetër, ai nuk ndjek kërkënd, nuk gjen kurgjë, madje nuk kërkon kurrgjë." "Non sunnus sub rege, sibi quisque se vindicet" Seneka (Nuk jemi nën një mbret, sekushi le të jetë zot i vetes.)  
Ky është thelbi i asaj kulture që me një fjalë të vetme quhet humaniste, e cila ç'prej kohës së Montenjit, i dha nismën një revoluconi kopernikan, Rilindjes evropiane, duke zhvendosur dora dorës Zotin dhe vendosur njeriun në qendër të botës.
Në shumë aspekte kriza e sotme e kulturës shqiptare shpreh fenomene që të çojnë prapa në kohën e Montenjit, në periudhën e rënies së skolastikës. Me skolastikë kam parasysh traditat e gjykimeve a priori, metodat e preferuara të metafizikës së manastireve dhe të universiteteve mesjetare të mbylljes së syve dhe të dyllosjes së veshëve ndaj realitetit, që u praktikuan për aq kohë sa njerëzit qenë të bindur se burimi i të gjitha njohurive ishte në botën e ideve të lindura e që na jepet nga njerëzit që kanë monopolin e së vërtetës e jo tek realiteti që e zbulojmë përditë nëpërmjet eksperimentit. Në shumë aspekte skolastika shëmbëllen me metodat e mësimit që shqiptarët (dhe lindorët në përgjithësi) kanë marrë gjatë 50 vjetëve. Mësime që kishin arritur të ngulisnin në mendjen e njerëzve deri idenë se ekziston një e vërtetë universale mbi lulet, kafshët, njerëzit, universin dhe se ishin partia dhe udhëheqësi i madh Enver që e njihnin këtë të vërtetë. Problemi është se edhe sot  kultura shqiptare ende nuk është humanizuar në atë frymë që kërkon Montenji afro 500 vjet më parë.
Kultura shqiptare:  kulturë e simulim manipulimitt
Kultura shqiptare vazhdon të mbetet e mbresuar thellë me frymën që karakterizon shoqëritë e prapambetura sipas së cilës zotërimi, predikimi dhe përsëri zotërimi i të vërtetave (të trajtuara këto si të pavënëshme në diskutim) sëbashku me luftën për monopolin e tyre, është një nga mjetet e fuqishme të sundimit. Ajo është e mbushur cyt me të vërteta të ngrira morale dhe ideologjike, që pakkush guxon t'i prekë, me norma morale patriarkale kombinuar me dogmat e dy ideologjive asaj nacionaliste dhe asaj komuniste që kanë qëndruar së bashku thuajse të pandara deri në ditët e sotme. Kultura patriarkalo - nacional - komuniste që u zhvillua në kohën e Enverit e konsideronte individin një qënie që duhej ta modelonte veten sipas një modeli që i predikohej. Asokohe modeli që predikohej ishte një kombinim përçud i normave të shoqërisë patriarkale, (ai i burrit të fortë e të zakonit, pa ndjenja, pa dobësi, që deri edhe dashurinë e quante dobësi, dhe i gruas së denjë për burrin dhe familjen e vet, që duhej të sakrifikohej për burrat dhe bijtë e familjes), kombinuar, ky model, me slloganet nacionaliste për sakrifikim për atdheun si dhe me një shtresë e tretë atë të njeriut të ri, me virtytet komuniste që sakrifikohej për të ardhmen, që shpesh identifikohej me Partinë dhe shokun Enver, të cilët ishin të vetmit profetë që e njihnin dhe dinin të na çonin tek kjo e ardhme. E gjithë kultura jonë ishte ndërtuar ashtu që ta paiste individin me instrumenta për të imituar/simuluar modelin që servirej. Ajo nuk e ftonte njeriun të futej brenda vetes, të njihte deri edhe dobësitë e tij, sepse dobësia është njerëzore, por thjesht të bënte sikur, pra të simulonte modelin e heroit që propagandohej. Mjafton të lexosh letërsinë, të shikosh filmat apo pikturat dhe skulpturat, të dëgjosh këngët që u krijuan gjatë 50 vjetëve për ta parë këtë model dhe dendësinë me të cilën ai i imponohej individit shqiptar.
Ajo çka ndodh sot, është thyerja e një pjese të modelit,  jo vetëm të atij komunist por edhe të atij patriarkal e nacionalist, por ndërkaq mbetet tendenca për të ngritur e simuluar modele të rinj për shkak të mungesës së instrumentave të kulturës humaniste dhe kritike  që nxit introspeksionin, mendimin kritik, dyshimin. Tani, pra, modeli është shumë më konfuz, aty ka hyrë që nga personazhi i disidentit antikomunist deri tek ai i topmodeleve perëndimore, por ajo që mbetet e përbashkët me të kaluarën është gatishmëria e mendjes për të simuluar këta modele të rinj të prodhuar nga e njëjta kulturë e simulimit dhe manipulimit.
"Pashallarët e kuq" dhe kultura e simulim manipulimit 
Në Korrierin e 24 shkurtit reklamohet libri i një ish të burgosuri politik Maks Velo me titull "Zhdukja e pashallarëve të kuq - Anketim për një krim letrar" i cili merret me historisë e zhdukjes së një vjershe të Ismail Kadaresë të titulluar "Mbledhja e byrosë politike ne mesditë" të cilës i ka mbetur emri "Pashallarët e kuq". E vërteta historike që i serviret publikut nga faqet e gazetës është se kjo vjershë demaskonte regjimin e Hoxhës dhe se zhdukja e saj bën pjesë në krimet e diktaturës së asaj kohe.
Si njeri që rrethanat e bënë ta jetonte tejet intensivisht, madje dramatikisht kohën kur është shkruar vjersha, por edhe si njeri i prekur indirekt prej saj pasi, sipas atyre që e kanë lexuar, aty flitet për njerëz të shpallur armiq nga Enver Hoxha, mund të them me bindje (dhe jam i hapur për debat lidhur me këtë) se  historia e kësaj vjershe është krejt ndryshe nga sa po i paraqitet publikut shqiptar me frymën e asaj që e quajta kulturë e simulim manipulimit. "Mbledhja e byrosë politike në mesditë" është një vjershë e paraqitur për botim së bashku me një cikël vjershash, në kohën kur Enver Hoxha ka goditur grupin ideologjik dhe dhe atë ushtarak dhe pregatitej apo e kishte bërë tashmë, të godiste "armiqtë" në ekonomi. Në qendër të saj qëndron figura e Enverit i cili paraqitet si i vetmi njeri i pagabueshëm, i cili, me "pishtar ndezur" zbulon armiqtë e mbledhur skutave për të konspiruar kundër identitetit Parti/Enver. Pashallarët janë gjeneralët goditja e të cilëve pasoi armiqtë e grupit ideologjik të Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës. Vjersha, në fakt, krahas ekzaltimit të figurës së Enverit në mënyrë eklipsuese ndaj çdo figure tjetër (frymë kjo e trajtimit të Hoxhës nga Kadareja dhe tek Dimri i madh) bën thirrje për thellim të luftës së klasave ndaj armiqve duke marrë modele edhe nga revolucioni kulturor kinez. 
Përse atëhere e dënoi Enver Hoxha? Sepse Kadareja kishte thënë disa gjëra që Enveri nuk donte t'i thuheshin hapur ngase, megjithë kultin e tij të jashtëzakonshëm të individit, ai ishte gjithnjë i kujdesshëm të thoshte se qe partia ajo që i merrte vendimet dhe jo ai, sepse, megjithëse nuk kishte asnjë shok të vërtetë, ai i bënte të gjitha në emër të shokëve. Pra Enver Hoxha e dënoi këtë poemë pasi ajo tregonte një zell të tepruar në shërbimin ndaj tij. Sipas librit të Nexhmije Hoxhës reagimi i Enverit ndaj kësaj vjershe ka qenë: "s'lejoj askend të më ndajë nga shokët, që të më verë mbi partinë dhe formuet që ka zgjedhur ajo" (Personalisht mendoj se nuk ekziston asnjë arësye që kjo poezi të jetë zhdukur përveçse nëse e ka zhdukur vetë autori sepse ajo zbulon këtë të vërtetë).
Ky kthim i të vërtetave historike kokëposhtë është një nga shembujt e shumtë të vazhdimit të frymës së kulturës së simulim manipulimit që po pengon krijimin e një kulture të re në Shqipëri. Aq më e rëndë bëhet kjo kur këtë e përçon një nga personalitetet më të spikatur të kulturës shqiptare. Në të gjithë faqet e Korrierit dedikuar kësaj çështjeje rrezatojnë me virulencë disa nga tiparet kryesore të kulturës që e quajta të simulim manipulimit:
Mungesa e introspeksionit
Është rezultat i kësaj kulture fakti që njerëzit në vend që të përpiqen të kuptojnë e shpjegojnë kohën e diktaturës duke parë edhe dobësitë e tyre edhe momentet kur u është dashur t'i nënshtrohen asaj diktature, duke folur edhe për përgjegjësitë e tyre, e largojnë fare këtë moment dialogu me vetveten, dhe përpiqen, sipas modelit të një heroi të ri që është krijuar, atij të disidentit antikomunist, të na paraqiten se ata paskëshin qenë heronjtë kundërshtarë të regjimit. Është e pabesueshme se si i ka harruar Kadareja faqet e panumërta në prozë dhe poezi ku ka shkrirë tërë talentin e tij për të ekzaltuar Partinë dhe Enverin, se si nuk ndjen asnjë përgjegjësi për ndikimin që kanë pasur ato në manipulimin e njerëzve, por, pikërisht duke tentuar të simulojë disidentin, krijon nga ndalimi i një vjershe që ia kanë dënuar për zell të tepruar një akti disidence apo dhe arrin deri atje sa ta quajë internim atë që rëndom në atë kohë quhej "vajtje në bazë e komunistëve". (Sepse nuk ka bërë vaki ndonjëherë në historinë e diktaturës sonë komuniste që një njeri të jetë njëherësh edhe deputet, edhe komunist, siç ka qenë ai asokohe, edhe i internuar politik.) Është e habitshme se si Maks Velo, ndërkohë që don të linçojë tërë shkrimtarët e Lidhjes, kapet pas Kadaresë si në një barkë shpëtimi, për të na servirur veten si një hero antikomunist, se si "harron" se sa "lëshime: apo "kompromise" i është dashur të bëjë, për të mbijetuar jo vetëm jashtë, por edhe në burg, deri edhe të mbulojë fasadat e kishave me fasada moderne. Ngulmoj se në thelb të kësaj mungese introspeksioni, qëndron paftësia e njeriut shqiptar për të folur sinqerisht me veten. Kjo për shkak të kulturës së simulimit, për shak të një gjendje pararacionale të mendjes që buron nga kjo kulturë e cila të çon tek të menduarit narçizist dhe egocentrik, ku tjetri (madje dhe vetja) nuk shihen si qënie me të cilën duhet komunikuar, por si pasqyrë për tu parë i bukur, si mjet për tu përdorur për të arritur sukseset e egos personale. Fakti që kjo shfaqet tek shkrimtarët dhe artistët më të njohur tregon se sa rëndë e vuan shoqëria këtë alienim të kulturës.
Në vend të frymës kritike serviret modeli manikeist e mirë/e keqe, bardhë / zi
Në frymën e kulturës së simulim manipulimit, e cila ka si karakteristikë edhe atë që nuk i drejtohet arësyes, por emocioneve, modeli që kërkon të na servirë autori Velo me librin që reklamon është ai i heroit të bardhë kundër armikut të zi. E kundërta e të bardhës, që identifikohet me Kadarenë dhe Velon, paraqitet Dritëro Agoli, asohere Kryetar i Lidhjes, i cili na qënkësh ai denoncuesi i kësaj vjershe në KQ. (Sipas burimeve të mia vjersha shkoi në KQ ngaqë Kadareja, pasi kryeredaktoi i tha se kishte rezerva për vjershën në fjalë për shkak të trajtimit të një teme për të cilën nuk para flitej hapur, ngulmoi se vetëm KQ mund t'ia cenzuronte atij veprat). Në Korrieri, madje, botohet edhe një artikull ku vihet titulli "Kadare: Unë e kam falur Dritëroin", ku Kadareja paraqiteet si Krishti që po fal shën Pjetrin ndërkohë që, nëse do të shihen shërbimet që i ka bërë Kadare diktatorit Hoxha, (le të numërohen edhe me faqe), i kapërcejnë tejet ato të Agollit, veçanërisht ndërkombëtarisht. Të dy kanë qenë anëtarë partie, të dy kanë qenë deputetë, të dy kanë qenë me funksione të larta në regjimin komunist. Mjafton të lexosh autokritikën e Kadaresë pas dënimit të kësaj vjershe, e cila i tejkalon akuzat që i ka bërë Agolli me atë rast, ku thotë midis të tjerash se: "...Jeta dhe vepra ime janë të lidhura kokë e këmbë me pushtetin e popullit. Po të ndodhte që në Shqipëri të kthehej borgjezia e përmbysur, mua do të më pushkatonte që ditën e parë "... e që mbyllet me falenderimet për "shokët që ndaluan botimin e kësaj vjershje" për të kuptuar se e vërteta është shumë më e komplikuar; se koha që kemi jetuar nën diktaturë ka qenë tjetër gjë nga ajo që përpiqen të na e servirin këta simulantë manipolatorë.
Manipulimi
Është e qartë se me pak sforcim racional autori do të mund të gjente pika që do ta trondisnin modelin që ai na paraqet, po ashtu edhe historinë që synon të na servirë. Do t'i mjaftonte për këtë të lexonte autokritikën e Kadaresë lidhur me këtë vjershë botuar në librin e Nexhmije Hoxhës. Por ai nuk e bën këtë jo vetëm i ndikuar nga sa thashë më lart, por edhe nga një shtysë tjetër që është edhe ajo tipar i kulturës së simulimit dhe manipulimit. Autori i drejtohet lexuesit, jo për ta nxitur të mendojë me mendjen e tij për të vërtetën e zhdukjes së një vjershe, as për të menduar, nëpërmjet saj, për të vërtetën historike të asaj kohe, por për të manipuluar publikun. Edhe kjo nevojë për manipulim, veçanërisht të brezit të ri dhe të huajve, e bën sot Kadarenë, por edhe Maks Velon, të mos shohin se nuk është e besueshme historia që ata duan të na tregojnë, të harrojnë se ajo ishte një kohë kur nuk kishte thuajse absolutisht liri për të pasur heronj si duan të na vetëparaqiten ata, të harrojnë se ka shumë dëshmitarë të asaj kohe që e dinë se si i dridheshin leqet e këmbëve të gjithëve nga diktatori, se shumë nga ata që sot duan të dalin disidentë bënin festë kur diktatori u bënte një telefonatë dhe i përgëzonte për një poezi apo libër që kishin shkruar, se ishte një kohë kur shpesh e vetmja mënyrë për të shpëtuar ishte vetëdemaskimi dhe vetëposhtërimi. Dhe ky fakt është shumë më demaskues për diktaturës sesa trillimet e tyre me heroizma antikomunista.
Autoriteti që vihet  mbi gjykimin racional 
Sigurisht sikur të bëhej fjalë për një figurë tjetër do të ishte shumë më pak e besueshme historia që na servir Velo dhe Korrieri. Mirëpo, gjithë në frymën e kulturës së përmendur, emri i njohur i Kadaresë pranohet pa diskutim si i barabartë me të vërtetën. Madje askush nuk ka të drejtë ta verë në dyshim se kjo ëshët e vërteta e Pashallarëve të Kuq. Kjo ve në dukje një fenoment tejet shqetësues: përsëritjen e kësaj kulture tek të rinjtë që i marin e i botojnë këta artikuj pa asnjë verifikim, pa asnjë ndjenjë dyshimi, pa asnjë analizë racionale - shpesh të shtyrë nga një adhurimi i vervër apo vetëm e vetëm nga qëllime komerciale. Këta të rinj, që, sikurse thotë Montenji, duke ndjekur të tjerët nuk ndjekin kërkënd, janë provë dëshpëruese se ne nuk po jemi në gjendje ta analizojmë të kaluarën me instrumentat e një kulture të re, por po i rikthehemi asaj me të njëtët instrumentë kulturorë që ajo ka pjellë, duke bërë që të mbetuemi në qorrsokake që bëhen gjithnjë e më të errët. Ka ardhur koha të kuptojmë se trajtimi në mënyrë manipulative i historisë jo vetëm është një krim ndaj së vërtetës, por edhe ndaj hapjes së rrugës kulturës humaniste e kritike që është e vetmja që mund të na ndihmojë për të kuptuar se nga vijmë dhe ku po shkojmë, për të kuptuar individualitetin dhe personalitetin tonë e për të ndërtuar institucionet e demokracisë dhe lirisë. 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Sports - Coverage of the 2002 Olympic Games
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list