Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Gazeta TEMA

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sun Feb 17 18:41:37 EST 2002


 

Dëshmitë e banorëve të pallatit që përcollën Dritan Priftin për "Jashtë 
shtetit" 


 Arratiset Dritan Prifti 


"Dritan Priftin kërkoni? Është në katin e pestë, apartamenti me dritare 
nga rruga kryesore. Po të hipësh në ashensor, shtyp butonin katër. Po, 
mos u mundo xhan se nuk e gjen në shtëpi. Ka ikur në Amerikë bashkë me 
familjen...!" 


Të gjithë banorët e pallatit ku për disa muaj ka jetuar Dritan Prifti, e 
tregojnë njësoj skenën kur ish Ministri ka ngarkuar valixhet në një benz 
gri metalizato. Të premten në mesditë shoferi i tij, disa njerëz të 
policisë dhe të afërm, përcollën Dritanin për në Rinas. Çudia është se 
banorëve të kujdesshëm të pallatit, nuk u ka shpëtuar fakti që fqinji i 
tyre ministër, duke marrë me shpejtësi disa valixhe, dhe  ka braktisur 
apartamentin e tij komod. Nëse interesohesh në citofon për apartamentin e 
Dritanit, dhe shtyp një buton të katit të katërt dëgjohet një zë gruaje 
që thotë: "Dritan Priftin kërkoni? Është në katin e pestë, apartamenti me 
dritare nga rruga kryesore. Po të hipësh në ashensor shtyp butonin katër. 
Po, mos u mundo xhan se nuk e gjen në shtëpi. Ka ikur në Amerikë...!" 


Dritan Prifti, njeriu i tretë për të cilin prokuroria e Tiranës, sipas 
burimeve, po përgatit fletë arrestin është arratisur nga Shqipëria. Pasi 
ka denoncuar tek ish shefi i tij Ilir Meta, kërcënimet për jetën që i 
janë bërë sipas tij prej "njerëzve të Nanos", Dritan Prifti ka abandonuar 
apartamentin luksoz në Tiranën e Re dhe i shoqëruar nga një makinë 
policie, të premten paradite, është drejtuar për në Rinas. 


Banorët e pallatit ku për disa muaj ka jetuar në një apartament luksoz me 
pamje nga rruga kryesore Dritan Prifti, tregojnë se "shefi i dritave" siç 
e quanin ata ka qenë tepër i shqetësuar të premten paradite. Sipas tyre 
rreth orës 12.00 të ditës së premte, Dritan Prifti, është parë nga 
fqinjët e tij duke ngarkuar me ngut në automjetin personal disa valixhe. 
Gjithmonë sipas dëshmitarëve okularë Dritan Prifti nuk është parë më të 
ngjisë shkallët për në apartamentin e tij komod në katin e pestë, të një 
pallati të ri të lyer me ngjyrë të verdhë në rrugën "Sulejman Delvina" në 
Tiranë të Re, pranë stadiumit Dinamo. Banorët e pallatit praktikisht 
fqinjë të ish ministrit të shtetit për energjitikën, dëshmojnë se e kanë 
parë Dritan Priftin të ngarkojë me nxitim në benzin e tij me ngjyrë të 
bardhë, tip 250 model i ri, disa valixhe i shoqëruar edhe nga disa djem 
të rinj që njihen si shoqërues të ish ministrit. Dëshmitarë okularë bëjnë 
të ditur se më pas Prifti është larguar me shpejtësi i shoqëruar 
çuditërisht edhe nga një makinë policie ngjyrë blu me fenerë të 
Ministrisë së Rendit. 


Sipas të dhënave të fundit bëhet e ditur se ish drejtori i Koorporatës 
Elektroenergjitike Dritan Prifti është larguar jashtë Shqipërisë dhe ka 
shumë mundësi që destinacioni i tij i parë të jenë Shtetet e Bashkuara të 
Amerikës. 


Ndërkohë dosja e KESH e hetuar nga prokuroria e Tiranës ka njohur 
zhvillime të reja pas marrjes si të pandehur nga organi i akuzës, të 
shefit të prokurimeve në këtë koorporatë, Leonard Mone. Personi i dytë i 
thirrur nga prokuroria e Tiranës për t'i komunikuar akuzën është ish 
Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Arben Kruja. 


Vetëm katër ditë më parë, sipas burimeve të Ministrisë së Rendit, Dritan 
Prifti ka njoftuar për kërcënime që janë bërë në adresë të tij. Pak çaste 
para se të kërcënohej, para pallatit të tij, është parkuar makina e 
kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano. Por një banor i pallatit 
thotë se Nano ka shkuar aty afër tek një klinikë dentare dhe jo tek 
shtëpia e Priftit. Të tjerë thonë se ai ishte aty për të porositur perde 
për shtëpinë e tij të re. Por sidoqoftë Prifti ishte i bindur se Nano po 
kërkonte prej tij dëshmitarin anti-Meta në skandalin e KESH. 


Prifti, në momentin e arratisjes ende në detyrën e ministrit të shtetit 
për energjitikën, ka vënë në dijeni ministrinë e Rendit dhe Gardën e 
republikës për kërcënime që janë bërë në adresë të tij nga persona që 
Prifti i cilësonte si "njerëz të Fatos Nanos". Për të gjitha këto Dritan 
Prifti ka kërkuar nga policia dhe garda, shtim të rojeve të tij si edhe 
survejim të apartamentit të tij për 24 orë, për shkak se kërcënimet që 
janë bërë në adresë të tij edhe personalisht edhe nëpërmjet telefonit, 
kanë qenë kërcënime serioze për jetën. 





Arben Kruja merret me forcë nga policia 


 Ish drejtori i përgjithshëm i Koorporatës Elektroenergjetike është marrë 
i pandehur nga prokuroria e Tiranës 


 Shoqërohet me forcë në prokurorinë e Tiranës ish Drejtori i Përgjithshëm 
i Koorporatës Elektroenergjetike Arben Kruja. Dje rreth orës 12. 00 të 
paradites agjentë të Ministrisë së Rendit kanë ndalua dhe më pas 
shoqëruar me forcë për në zyrat e prokurorisë së Tiranës ish drejtorin e 
përgjithshëm të KESH, Arben Krujën. Arben Kruja është ndaluar nga një 
furgon i trupave të gatshëm, të cilët kanë bërë shoqërimin e tij nga 
banesa e vet për në prokurorinë e Tiranës ku edhe i është komunikuar 
akuza. Arben Kruja është thirrur tre herë rresht nga prokuroria e Tiranës 
në mënyrë që të merrej në pyetje dhe t'i komunikohej akuza, por i 
pandehuri nuk është paraqitur në prokurori. Në këto kushte prokuroria e 
Tiranës ka kërkuar marrjen me forcë të të pandehurit, gjë që është 
ekzekutuar dje nga policë të Ministrisë së Rendit. Sipas të dhënave 
prokurorisë, Arben Kruja është mbajtur në zyrat e prokurorisë së Tiranës 
për gati një orë ku është pyetur dhe më pas është njohur me akuzën që 
rëndon mbi të deri në një proçes të ardhshëm gjyqësor. Janë dy akuza, të 
cilat rëndojnë mbi z.Kruja. Akuza e parë është ajo e "abuzimeve në 
kryerjen e detyrës" si edhe "pabarazi në dhënien e tenderave". Arben 
Kruja ka qëndruar në krye të KESH për pak kohë, në periudhën kur Dritan 
Prifti emërohet Ministër i Energjetikës. Arben Kruja qëndroi për pak kohë 
në krye të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe më pas dha 
dorëheqjen në mënyrë shumë të papritur duke deklaruar se largohej nga 
detyra e drejtorit të KESH për shkak se nuk kishte mundësi të manaxhonte 
më këtë koorporatë. Arben Kruja për tre muaj me radhë ka qëndruar i 
papunë dhe nuk ka pasur kontakte me shtypin edhe pse në kohën, kur ai dha 
dorëheqjen u përfol për një dorëheqje të detyruar për shkak të abuzimeve 
të mëdha që po bëheshin në koorporatën elektroenergjetike. 


Megjithatë Arben Kruja ka qëndruar shumë larg shtypit duke mos dashur të 
prononcohet për shkaqet e vërteta që kanë detyruar atë të japë dorëheqjen 
nga drejtimi i KESH. Dosja që sipas Prokurorisë së Përgjithshme dëshmon 
për vjedhje të mëdha, miliona dollarë, duket se në ditët e ardhme do të 
shënojë edhe të pandehur të tjerë. Burime brenda prokurorisë së Tiranës, 
e cila ka marrë në dorë dosjen një muaj më parë nga Kontrolli i Lartë i 
Shtetit, deklarojnë se KESH do të shënojë emra personash të rëndësishëm 
për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme për abuzime disa milionshe, të 
fituara nga abuzimet nga tenderat ndërkombëtarë. Pas Leonard Mones dhe 
Arben Krujës, dosja e KESH do të firmosë edhe urdhëra të tjerë arresti, 
që sipas burimeve të prokurorisë arrijnë në persona të niveleve të larta. 
Prokuroria e Tiranës do të kërkojë nga gjykata e shkallës së parë që ish 
drejtori i përgjithshëm i KESH, Arben Kruja të hetohet në gjendje të lirë 
ashtu si edhe ish shefi i prokurorimeve në KESH, Leonard Mone. 












---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Sports - Coverage of the 2002 Olympic Games
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list