Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Kadare ne SHEKULLI

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Fri Feb 15 07:49:10 EST 2002


Shkrimtari i njohur Ismail Kadare analizon zhvillimet politike: "Nano përfaqëson krahun stalinist"
Kadare: Zyrat e kuadrit po rikthejnë nomenklaturën
"Duket sikur ka një zyrë kuadri, që gjurmon farefisninë komuniste"

TIRANË - Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, tha dje se po rikthehen zyrtarët e nomenklaturës. Sipas tij, duket sikur ka një zyrë kuadri që gjurmon dhëndurët, nuset dhe farefisninë e zyrtarëve të nomenklaturës komuniste. Kadare foli edhe për gjendjen në PS duke mbrojtur pikëpamjen e tij se kryetari i PS-së përfaqëson klanin stalinist në këtë parti. Po ashtu, Kadare tha se në pushtet duhej të vinte e djathta, por ajo, sipas tij, ende nuk është e përgatitur.  
Çfarë vlerësimi keni për kryeministrin Majko? 
Njohja e parë që kam pasur, kam folur një herë në telefon gjatë konfliktit në Kosovë, më ka lënë përshtypje të mirë. Për mua është gjë e mirë që u rikthye një kryeministër. Për arsyen se po krijohet së paku përshtypja e mirë që në Shqipëri po krijohet një staf politik i qëndrueshëm, sepse gjëja më e keqe për një shtet është nomadizmi në politikë, kur çdo ditë e çdo javë harrohen ata që dalin nga skena politike, natyrisht që nuk është mirë të kthehen, por edhe që gjithmonë të ketë kryeministra edhe ministra që nuk kthehen nuk është serioze. Është serioze kur krijohet stafi i politikanëve të karrierës, ambasadorëve të karrierës që nuk po krijohet tek ne, ky është skandal i madh për vendin tonë. Ne kemi shumë nevojë për traditën institucionale. 
Si e shpjegoni zoti Kadare këtë përsëritje të krizave në Shqipëri, '92,'97, 2002?
Kjo është gjëja më shqetësuese në historinë e Shqipërisë. Këtë e kanë vënë re shumë njerëz, këtë e kanë vënë re të gjithë, këtë e bisedojnë njerëzit e thjeshtë, sepse kjo po teprohet shumë. Është krijuar një ide, dhe kjo duket është me baza, dikush nuk dëshiron që Shqipëria të marrë frymë. Njerëzit kanë të drejtë të hamendësojnë shumë gjëra për këtë. Dikush thotë se janë agjenturat e huaja, por kjo është shumë e diskretituar në Shqipëri, si klishe, pasi është përdorur shumë nga paranoja komuniste, kryesisht nga Enver Hoxha, duket si e pabesueshme. Por, ndërkaq, nuk është për t'u hedhur poshtë për këtë arsye. Sepse mund të jetë kështu. Ka raste, ku shtete, grup-shtetesh apo një shtet i vetëm të mos dëshirojë zhvillimin e shtetit fqinj. Shqipëria në të vëretetë u pengua vetë gjatë 40 vjetëve të komunizmit, ajo doli vetë nga harta e Evropës. Kishte një komoditet në Ballkan nga ata që quhen qarqe antishqiptare. Kur u rikthye nga mjegulla ku ishte zhytur krijoi shumë telashe. 
Në një nga intervistat tuaja duke gjykuar zhvillimet e kohës thoni që në këtë dualitet midis shtetit dhe partisë, shqiptarët ende janë më të prirur dhe më të vëmendshëm ndaj partisë, sesa ndaj shtetit?
Mendoj se shqiptarët kanë marrë një mësim të mirë këto javët e fundit. Ne të gjithë kemi marrë mësim të mirë, që të kuptojnë që të bëjnë një ndryshim. Nuk e besoj se shqiptarët kanë ende respekt për partinë, madje besoj se ditët e fundit, duhet të ketë pasur një rikthim të fantazmës të partisë. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë kaq shumë mbledhje komitetesh, të kryesisë, të bazës së partisë. Jam i sigurt që disa nostalgjikëve u ka pëlqyer kjo gjë, i ka ngjallur një mall të kaluar, por shumicës së popullit shqiptar do t'u jetë ringjallur një gjë e harruar. Partia Socialiste, të cilën unë e respektoj,është një parti e rëndësishme, por ajo nuk ka të drejtë të uzurpojë jetën shqiptare, nuk ka asnjë të drejtë. Vetë ky fakt ka bërë që të ketë një shpërthim të një stalinizmi të vonuar, kur ajo do të bëhet zotëruese në jetën civile të njerëzve kudo. Partia i ka punët brenda sallave, brenda forumeve të saj, si parti që pavarësisht se ka qeverinë, ajo nuk ka asnjë të drejtë të bymehet në atë mënyrë sa të gllabërojë jetën e vendit, siç bëhet kohët e fundit. Këtu kryetari i partisë doli si dikur kur bënte shiun dhe diellin, këtu dolën koncepte bolshevike të harruara, që edhe një grup revolucionarësh mund të përmbysin shtetin, mund të diktojnë. Të gjitha këto janë rituale leniniste, që koha i ka varrosur me kohë. 
A është demokratike kur një parti bllokon një shumicë tjetër? 
Në një logjikë njerëzore, shpeshherë pakica mund të ketë të drejtë apo një njeri mund të ketë të drejtë. Por, përderisa kemi pranuar rendin demokratik, duhet të jemi koherentë dhe do të pranojmë themelin e saj që është vota e shumicës, edhe kur ajo mund të jetë e gabuar. 
Në intervistë jeni shprehur që me zhvillimet e fundit  në politikën shqiptare po ndihet një rikthim i ish-nomenklaturës dhe i stalinizmit në Shqipëri. A mendoni që keni qenë i ashpër dhe jo shumë i saktë në këtë përcaktim tuajin?
Nuk mendoj se kam qenë i ashpër dhe nuk e kam një prirje të tillë. Për fat të keq është e vërtetë. Unë e kam thënë para tre katër vjetësh se po ndihen shenjat e stalinizmit në Shqipëri. Këtu ka një arrogancë dhe kurajo të shfaqur nga një pjesë e PS-së që mua më kujton stalinizmin. 
Po ajo që ju e keni quajtur rikthimin e nomenklaturës? 
Vihet re nga të gjithë. Unë habitem, sikur ka një zyrë kuadri që gjurmon andej- këtej, kush ka qenë, ç'kanë qenë dikur, ku kanë shërbyer, në Ministrinë e Brendshme madje, që për mua është e palejueshme rikthimi i tyre, nga farefisnia, nga fëmijët, nga dhëndurët, nga nuset. Ka një rikthim në jetën diplomatike, në institucione, disa herë në rangje të larta, por sidomos të dyta. 
A mendoni se një grupim i tillë nuk mund të privohet nga pjesëmarrja në jetën politike?
Absolutisht. Një nga akuzat që i kemi diktaturës komuniste me të drejtë ishte se i merrte në qafë njerëzit nga çështja e biografisë. Natyrisht, fëmijët nuk kanë pse të përgjigjen për prindërit e tyre, por kur ka një densitet kaq të madh të njerëzve të nomenklaturës, është shqetësuese. Kjo koincidencë nuk është normale. Shqipëria ka mijëra djem e vazja të zotë, të arsimuar, të kulturuar, teknicienë të përsosur, që mund të marrin pjesë në qeverisje. 
A mendoni se e keni kaluar masën kur e keni etiketuar klasën politike, si halabakë, tallëse, fyese?
Them me siguri që është e papërgjegjshme. Por ama që ka tallje me popullin shqiptar, për mua është e padurueshme. Çdo gjë është e durueshme te politikanët, por të tallen dhe të përqeshin popullin e vet, sidomos nga politikanët socialistë. Vetë kujtimi i hidhur i trashëgimisë nga kanë ardhur duhet t'i pengojë së paku qeshjen dhe talljen. Është e palejueshme tallja. Ajo është vënë re kohët e fundit. Nuk guxojnë të tallen sheikët e Emirateve, sulltanët dhe është e papërfytyrueshme sesi mund të ketë tallje nga politikanët shqiptarë. Kjo është vënë re nga të gjithë. Tallje është kur populli ka krizë të plotë në Shqipëri për krijim qeverie dhe kreu i socialistëve shkon në Janinë, sepse do të bëjë uikend. Në çdo vend të botës po të ndodhet kjo, ky kre nuk ishte më kre as i partisë dhe i as i asgjëje më. Nuk largohet askush kur ka krizë dhe nuk largohet askush për të bërë uikend. Të largohesh në një moment të tillë do të thotë  të lësh popullin që po pret në vështirësi të drejtpërdrejta. Këtu ka varfëri të madhe, ajo po kthehet në një faktor antishqiptar i klasit të parë. Varfëria rrezikon shtetin dhe kombin shqiptar, ne duhet të shkulemi nga varfëria, se po na kthehet si pjesë e identitetit tonë. Këtu ka probleme dhe kërkush nuk kujton të largohet sidomos në gjendje krize, të shkojë në Janinë dhe të thotë: "unë do bëj uikend, sepse ai është më i rëndësishëm se problemet e popullit shqiptar". Është fyerje shumë e rëndë për një vend. Unë nuk e di të ketë ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Kjo është tregues i mosseriozitetit dhe kjo afishohet. Mua më shqetëson përqeshja, buzëqeshja, pamja euforike, e lumtur, operistike e disa politikanëve shqiptarë. Nga u vjen kjo xhanëm, thuaj se drejtojnë vendin më të lumtur në botë. Ata drejtojnë vendet nga më të varfrat në Evropë, vetë kjo duhet që fytyra të jetë më serioze së paku. E ruajnë pamjen e shkujdesur dhe e pasurojnë më keq dhe me këtë lëvizje që përmenda. Prandaj unë mendoj se papërgjegjshmërinë e ka vënë re populli shqiptar, nuk e kam vënë re vetëm unë. 
Është e dukshme që nga zhvillimet e fundit në PS, vetë fakti që e ardhmja e qeverisë "Majko2" nuk do të varet shumë nga mënyra sesi kryeministri do të punojë, por do të varet nga zgjedhja e presidentit, nga numri i votave. Pas gjithë këtyre ka ide që tashmë rikthimi i Partisë Demokratike në pushtet është i shpjetë. Ju vetë si do ta prisni një rikthim të tillë?
E kam thënë që unë do të doja që e djathta të kthehet në pushtet. Mendoj i shkon Shqipërisë kjo gjë, i shkon makinës së demokracisë, fillimi i kësaj alternative në mënyrë paqësore tashmë, në mënyrë të padhunshme të ndërrohet pushteti. Edhe sikur të dyja palët të jenë të barasvlefshme është mirë ta marrin e djathta. Të mësohet populli shqiptar me një alternativë tjetër. Kam thënë se e djathta duhet të përgatitet, me këtë përgatitje që ka, kam frikë se nuk është e aftë të marrë pushtetin. Duhet të përgatitë kuadrot e saj, ministrat e ardhshëm. Ka shumë pasion në jetën politike shqiptare dhe nuk të lë të përgatitesh seriozisht për punët e shtetit. Shteti është një makinë e komplikuar, e madhe, do specialistë, do njerëz të zotë. Nuk shoh, ndoshta ata i kanë, i kanë të fshehtë disa. Por unë do të doja që kjo parti ta marrë pushtetin. Jo se kam ndonjë armiqësi me socialistët, por, megjithatë, këto ngjarjet e fundit e bëjnë këtë dëshirë më të theksuar. Më vonë do të doja të alternohej pushteti, jo në kuptimin e rotacionit, por në fillim populli shqiptar të mësojë sesi funksion kjo makinë. Kjo do t'i qetësojë shpirtrat, do t'u mësojnë njerëzve të mendojnë ndryshe, do të bëjë një zhvillim të brendshëm te populli shqiptar si në Shqipëri dhe në Kosovë. 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Got something to say? Say it better with Yahoo! Video Mail
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list