| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Shkrim nga F. LubonjaAgron Alibali aalibali at yahoo.comSun Feb 10 23:21:14 EST 2002
KËRPURDHAT E HELMUARA DHE BALLKANI NË 2030 Nga Fatos Lubonja Shënim: Kjo ese është botuar në numrin special të revistës "Südosteuropa Mitteilungen" (Kumtime nga Evropa Juglindore) me titull: Europa 2030: Eine futuristiche Spurensuche in 14 Ländern Südosteuropas (Europa 2030: një gjurmëkërkim futuristik në 14 vende të Evropës Juglindore) me rastin e 50 vjetorit të shoqatës gjermane të Evropës Juglindore (Südosteuropa - Gesellshaft), me qendër në München, ku Fatos Lubonja ishte autori shqiptar ndër 14 autorë të zgjedhur nga këto vende. Në vizitën time të parë në Kosovë, afro një muaj pasi shqiptarët e dëbuar nga serbët ishin kthyer aty nën mbrojtjen e trupave të KFORit dhe kishin filluar edhe akte hakmarrjeje, në një kafe në qendër të Prishtinës, disa shqiptarë më treguan një humor të zi që qarkullonte në qytet e që ata e tregonin pa e mbajtur aspak gazin: Trupat e KFORit, të shoqëruar nga disa shqiptarë, gjejnë duke shkuar për në një fshat, trupin e vdekur të një serbi. Mirëpo venë re se nuk ka asnjë shenjë që të jetë i vrarë me ndonjë armë. Çfarë ka ndodhur me këtë njeri? - i pyesin shqiptarët. Ata ngrenë supet si me habi. "Nuk dimë gjë - përgjigjen - ndoshta ka ngrënë ndonjë kërpurdhë të helmuar." Pasi bëjnë një copë rrugë gjejnë një trup të dytë serbi të vdekur, edhe ky pa asnjë shenjë të dukshme. Përsëri drejtohen nga shqiptarët dhe përsëri ata ngrenë supet dhe japin të njëjtën përgjigje: "Ndoshta ka ngrënë ndonjë kërpurdhë të helmuar." Ndonja dyqind metra më përtej gjejnë një trup të tretë, por kësaj here koka e tij është e çarë me një sëpatë. "Po ky, - pyesin të zemëruar njerëzit e KFOR-it." "Ky ndoshta nuk ka dashur të hajë kërpurdhën e helmuar." Kur, në të njëtën ditë që e dëgjova, ia tregova këtë histori një gazetareje polake që ishte në Prishtinë, mbeta i çmeritur kur ajo më tha se kjo anekdodë nuk ishte një krijim i ri; ajo kishte qarkulluar, në kohë të tjera, për polakët dhe ukrainasit. Duke tentuar të hedhësh vështrimin në një Ballkan pas tre dekadash, vetvetiu pyetjet që dalin më natyrshëm janë pyetje që lidhen me atë se sa dhe si do të ketë ndryshuar loja e tre aktorëve të kësaj anekdode në skenën ballkanike e cila, aktualisht, ka mbetur në trajtën që tregon anakdoda: dy popuj që urrehen për vdekje dhe një forcë e tretë, e fuqishme, që kërkon t'u imponojë pajtimin e ndaj së cilës të dy palët sillen me dinakëri dhe lojë të dyfishtë. Cilët do të ishin kombinimet e mundëshme, të ndryshme nga ky aktuali? Janë të ndryshme hamendjet e ngritura nga analistët apo ato që dëgjon nëpër kafe bare. Pyetjet që ngrihen janë të tilla si: A do të jetë kryer ndonjë divorc që ka rezultuar me një Kosovë të pavarur ndoshta me një konfederatë me Shqipërinë dhe a kanë filluar të ndërtohen marëdhënie miqësore midis serbëve dhe shqiptarëve pas kësaj - me ndërkombëtarët si aleatë të të dy palëve? Apo, arbitrit ndërkombëtarë do të jenë ende aty duke vazhduar të imponojnë një shoqëri multietnike, por tashmë jo me idenë e përkohshmërisë, por kanë filluar të ndërtojnë shtëpitë e tyre, duke u ndjerë gjithnjë e më shumë si në vendin e tyre (çka ka bërë të lindë edhe një ndjenjë antiperëndimore) - ndërkohë që ambicia e madhe e shqiptarëve për tu bërë zot të fateve të tyre duke mbaruaar së ndërtuari shtetin e tyre etnik dhe ajo e serbve për djepin historik duket se kanë metur të frustruara ose të ngrira siç ishin në kohën komuniste? Apo ndoshta me ndihmën e këtyre ndërkombëtarëve ata kanë vazhduar integrimin në Evropë, si një formë e re dhe më e butë e mbarimit të procesit të pambaruar të ndërtimit të shtetit të tyre etnik? Apo mos ndoshta me ikjen e ndërkombëtarëve të dështuar serbët janë kthyer me ushtrinë e tyre dhe i kanë pastruar shqiptarët të cilët, kësaj here, kanë mbetur të pambrojtur për shkak të aleancave të reja të të krishterëve kundër muslimanëve? Më thjeshtë këto pyetje mund të shtrohen në forma të tilla si: A do të shohim pas tre dekadash në Beograd më shumë Shqiptarë nga ç'kemi parë në Jugosllavinë e Titos (ndërkohë që për momentin edhe shqiptarët e Shqipërisë i evitojnë udhëtimet për në Beograd)? Po serbë a do të ketë në Prishtitnë (kur ke paraasysh se sot sllavofolësit kanë frikë të flasin serbisht në rrugët e Prishtinës, qofshin edhe bullgarë)? A janë larguar forcat e KFORit nga kisha e Prizrenit dhe a shkojnë aty serbët lirshëm pa u ndjerë të kërcënuar nga shqiptarët që shkojnë në xhaminë e tyre të famshme të XVII, njëqind metra më përtej? Tek e fundit të gjitha këto pyetje hamendësuese - e të tjera - mund të sintetizohen në një pyetje të vetme hamëndesuese: a do të jenë në Ballkanin e vitit 2030 të pajtuar serbët me shqiptarët, dhe më gjerë: bosnjakët me serbët dhe krotatët, serbët me kroatët, shqiptarët me maqedonasit? Teksa përpiqem t'i jap përgjigje kësaj pyetjeje, pasi rrekem të kap ca tendenca dhe t'i zgjatoj deri në vitin '30 ndjej gjithnjë e më shumë një vështirësi. Përse kapa këtë fill dhe jo atë fill për ta zgjatur e çuar deri në vitin 2030? Përse disa argumenta të forta nuk dua t'i dëgjoj ashtu edhe aq fort dhe përse përkundrazi disa argumenta dhe fakte më të dobëta prirem t'i amplifikoj? Përse pyetjen kam dëshirë ta shtroj "a do të jetojnë të pajtuar shqiptarët me serbët?" dhe jo ashtu siç mund ta shtronin shumë shqiptarë të Kosovës sot: "a do të vijë më në fund një ditë kur të mos kemi punë fare me serbët?" Tek e fundit nuk duhet shumë për të kuptuar se kjo ndodh për shkak se parashikimi më mplekset me vizionin tim për botën dhe akoma më shumë me vullnetin për ta plazmuar botën sipas këtij vizioni. A a kuptim të rrekesh të parashikosh në mënyrë objektive se çfarë do të ndodhë në të ardhmen? A ka kuptim thjeshtë të shtrosh pyetjen nëse do të ketë pajtim ose urrejtje midis shqitparëve dhe serbëve? Ai që tenton t'i japë përgjigje kësaj pyetjeje pa dyshim fut në të vizionin e vet për botën edhe vullnetin e tij për ta ndryshuar atë. Në fakt ashtu sikurse historia për vetë natyrën e saj nuk mund të shkruhet objektivisht ashtu edhe e ardhmja nuk mund të parashikohet objektivisht. Në thelb, pas 11 shtatorit, Ballkani po më duket gjithnjë e më shumë si një miniaturë e botës ku duket se po ndeshen dy tendenca ose më saktë dy vizione për botën: ai i hapjes dhe ndërthurjes së qytetërimeve dhe ai i ndeshjes së qytetërimeve. Çfarë do të ndodhë me Ballkanin, vendin ku kryqëzohen - sipas ndarjes së Huntingtonit - kurbat e tre qytetërimeve: ajo katolike veriperëndimore, (kroatë, sllovenë, hungarezë), kurba ortodokse juglindore (serbë, bullgarë, rumunë, maqedonas dhe malazezë) dhe transversalja (e re) që lidh myslimanët e Bosnjes, Sanxhakut, Kosovës, Shqipërisë dhe Turqisë? Kur shprehem për atë nëse do të ketë paqe dhe pajtim apo ndeshje qytetërimesh në Ballkan nuk mund të shprehem jashtë vullnetit dhe përpjekjes sime për të futur në kulturën e rajonit ku jetoj vlerat e paqes, pajtimit, tolerancës dhe bashkjetesës së diversiteteve. E kam të vështirë të ndahem nga fakti se bëj pjesë ndër ata që mendojnë se sfida jonë e së ardhmes është pikërisht përpjekja që të mos realizohet profecia e Huntingtonit e ndeshjes së qytetërimeve, se, nëse 2030-ta do të jetë kohë paqeje apo lufte, nëse do të ketë ndeshje qytetërimesh apo integrim në paqe të diversiteteve, kjo nuk është një punë që ka të bëjë me parashkimet, por me vullnetin tonë për t'i dhënë botës një drejtim apo një tjetër. * * *Kur flitet për pajtimin dhe për paqen përfundimtare në Ballkan tashmë është bërë e qartë se mendimi i mendjeve më të urta rekomandon disa procese ndër të cilat më evidentet duket se janë: - Rishkrimi i historisë - Ndërshkëmbimi i kulturave. - Ndërshkëmbimet ekonomike - FALJA do të shtonte Paul Riceur. - Edhe DREJTËSIA ngulmojnë të tjerë, - Por edhe një lloj aftësie për të HARRUAR Kur tentohet të përfytyrohet se si mund të jetë një Ballkan në vitet '30 ata që mendojnë si unë, pra se këto procese duhen nxitur dhe inkurajuar (sëbashku me një proces integrimi në Evropë, që do të mund të zbuste dhe kapërcente problemin e mosmbarimit të ndërtimit të shtetit komb) shtrojnë pyetjen se në ç'pikë do të kemi mundur t'i çojmë këto procese në atë vit. Janë procese paralele që vështirë se mund të ecin pa njëri tjetrin. Ideja ime është se këto procese vështirë se do të mund të konvergojnë në pajtim pa pasur tërheqjen gravitacionale të një vizioni të përbashkët për të ardhmen dhe se, nga ana tjetër, ne nuk jemi aspak të sigurt nëse e kemi këtë vizion. Për ta ilustrua këtë ide dua të bëj disa hamendje mbi problematikën e njërit nga këta procese, atë të rishkrimit të historisë - jo thjeshtë në tekstet tona mësimore, por edhe në memorien tonë të gjallë kolektive. Pajtimi dhe rishkrimi i historisë Një nga librat më të njohur të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare është Dosja H, botuar më 1990. Historia e librit me dy fjalë është ajo e dy dijetarëve irlandezo-amerikanë që vijnë në Shqipëri në vitet '20-'30. Qëllimi i tyre, sipas autorit, është zgjidhja e "enigmës homerike" në "laboratorin e fundit të poezisë gojore që ka mbetur në botë" nëpërmjet studimit të Eposit të Kreshknikëve, një poemë epike orale që këndohet në malet e Shqipërisë së veriut. Çështja e origjinës së këtij eposi është mjaft e mprehtë për nacionalizmin shqiptar pasi ky epos është dygjuhësh, atë e recitojnë edhe rapsodë që flasin një gjuhë tjetër, atë të armiqve të shqiptarëve, sllavët. Kjo shtron një problem të rëndësishëm për serbët dhe për shqiptarët - duke patur parasysh rivalitetet e tyre mbi hapësirat gjeografike dhe kohore lidhur me "territorin kombëtar": kush e ka krijuar i pari eposin dhe kush ia ka marrë apo grabitur tjetrit, dmth kush ka qenë i pari në këto troje? Pas një kërkimi të kujdesshëm dy dijetarët përcaktojnë "vendin origjinal" të këtij prodhimi epik, tepër të ngjashëm me atë homerik, malet e Shqipërisë Veriore. Pas shumë ngjarjesh, takimesh dhe bisedash me shqiptarët, ata vendosen në qendër të vendit të kërkuar, në një bujtinë të vjetër pranë një udhëkryqi, ku takojnë rregullisht rapsodët e zonës dhe regjistrojnë këngët e tyre në shirita. Puna e tyre ecën dhe hipotezat bashkohen në një teori origjinale rreth kësaj epike dhe tradite gojore, që vërteton një nga mitet e nacionalizmit shqiptar sipas të cilit paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, kanë jetuar ngjitur me grekët, pra kanë qenë autoktonë dhe po ashtu kanë qenë ashtu dhe aq të qytetëruar sa kanë dhënë e kanë marrë me grekët e famshëm. Mirëpo një ngjarje e tmerrshme e përfundon vrazhdësisht të gjithë ndërmarrjen e tyre: me nxitjen e një murgu serb, me emrin domethënës Dushan, njerëz injorantë të zonës sulmojnë bujtinën dhe shkatërojnë manjetofonin me shiritat e inçizuar. Edhe sot e kësaj dite historia e këtij eposi mësohet kështu në shkollat shqipe dhe njihet kështu në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Vetëm një elitë tepër e ngushtë ka arritur të mësojë, lidhur me historinë e këtij eposi, se kanë ekzistuar vërtet dy studiues të huaj: Milman Parry, i diplomuar në Harward dhe dishepulli i tij Albert Lord që kërkuan të provojë karakterin oral të poemave homerike, dhe që më 1932 shkuan në terren në Jugosllavi, ku gjetën "këngëtarë të këngëve epike", artistë analfabetë të poezisë orale, sllavë të jugut muslimanë, kapaciteti i të cilëve për të memorizuar dhe riprodhuar mijëra vargje, paralelizon ngushtësisht me idetë e Parry-t rreth Homerit. Mes të tjerash ata kanë arritur në kokluzionin se dygjuhësia e këtij eposi i dedikohet qënies së shqiptarëve dhe sllavëve të jugut në ushtrinë otomane. Duket qartë se tek libri i Kadaresë kemi të bëjmë me një fenomen të shekullit të XIX-të: atë të nacionalizimit të një fenomeni paranacional duke i vënë atij një etiketë etnike, fenomen për të cilin Lord shkruan në fund të viteve 50 duke paralajmëruar: "Ethja e nacionalizmit në shekullin e nëntëmbëdhjetë çoi në përdorimin e epikës orale për propagandë nacionaliste. [...] Kështu heroi lindte si një hero "kombëtar", dhe vetë poemat etiketoheshin si epika "kombëtare". [...] Të përcaktosh epikën gojore si "kombëtare" është mjerisht sa e pavërtetë, aq edhe një mashtrim djallëzor".1 Pas viteve 90 mbeti tejet e vështirë për këtë elitë ta përhapë të vërtetën mbi eposin shqiptar. Në fakt, në të gjithë Ballkanin në vitet 90 tekstet e hitorisë u rishkruan me synimin e mbështetjes së politikave nacionaliste të partive në pushtet nëpërmjet metodash "interpretative" të ndryshme. Në Bosnje ka tre tekste të historisë - njëri që është hartuar nga Federata e Bosnje Hercegovnës, një që mësohet në Republika Serbska e që është teksti i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe tjetri, teksti kroat, që mosohet në zonat e banuara nga kroatë. Edhe përmbajtja e tekstit të ri të historisë së Shqipërisë, i hartuar në 1994, ndryshoi - çka duket që nga titulli: ai i kohës komuniste kishte titullin Historia e Shqipërisë dhe trajtonte historinë e shtetit shqiptar të lindur më 1912, kurse ai i paskomunizmit u titullua: "Historia e popullit shqiptar", ku hapësiara gjeopolitike që analizohet në këtë manual përfshin të gjitha tokat e Shqipërisë etnike dhe janë përfshirë edhe autorë kosovarë.2 Rrethi vicioz A do të mund të rishkruhet historia në vendet e ndryshme të Ballkanit, ndryshe nga ç'u rishkrua, - dhe, çka është më e rëndësishme, a do të mund të bëhet kjo histori e rishkruar pjesë e ndërgjegjes së gjallë kolektive? A do të mund të dilet nga metodat egocentrike, glorifikuese apo viktimizuese e të shkruhet në historinë e letërsisë shqipe se historia e eposit është krejt ndryshe; se origjina e saj lidhet me kohën otomane kur si sllavët e jugut dhe shqiptarët që recitojnë këtë epos kanë jetuar së bashku dhe në harmoni duke i dhënë e marrë njëri tjetrit - përndryshe eposi nuk do të kishte qenë dygjuhësh? Duket se të gjitha procest e rekomanduara për paqëtimin e Ballkanit, duke përfshirë edhe faljen edhe rishkrimin e historisë, vështirë se do të mund kryhen pa shpresën e një të ardhmje më të mirë. Njerëzit e kanë vështirë të falin kur nuk e kanë këtë shpresë. Por, nga ana tjetër, shpresa për një të ardhme më të mirë është e lidhur me realizimin e një shprese/vizioni që ata kanë për të ardhmen. Sot flitet aq shumë për mospërcaktimin e statusit të Kosovës si një nga shkaqet kryesore pse punët nuk shkojnë mirë në atë rajon. Por çfarë do të thotë në thelb të përcaktohet statusi i Kosovës: në thelb do të thotë të përcaktohet në një farë mase shpresa/vizioni që do të kenë për të ardhmen e tyre shqiptarët e Kosovës. Në faktë ata e kanë një shpesë/vizion: atë etno nacionalist të pavarësisë. Për ta një e ardhme më e mirë do të thotë një Kosovë jashtë Serbisë, mundësisht edhe pa serbë. Vetëm ky vizion mund t'i motivojë energjitë e tyre, aq të nevojshme për mbarëvajtjen e punëve aty. Dhe ja si bijem në një reth vicon edhe përsa i përket rishkrimit të historisë. Nëse aspiratat e së ardhmes janë realizimi i ëndërrës nacionaliste, (si për shqiptarët ashtu edhe për serbët), atëhere historia do të lexohet e shkruhet përsëri ashtu siç është shkruar e lexuar: duke evokuar luftrat, ndarjet, diskriminimet, viktimizimin dhe kjo histori do të gjenerojë armiqësi dhe mitet që nesër përsëri mund të gjenerojnë konflikt. Me këtë vizion as nuk mund të mendohet që serbët ta rishohin historinë njëshekullore të pastrimit etnik ndaj shqiptarëve; edhe për masakrën e vitit 1999 do të vazhdojnë të fajësojnë vetëm Naton, e po ashtu shqiptarët do ta shkruajnë historinë e vitit 1999 ashtu siç kanë filluar ta shkruajnë, jo si një fitore të Natos dhe të të drejtave të njeriut, por si një fitore nacionaliste e UÇK-së. Sot marëdhëniet midis etnive të ndryshme në ballkan të kujtojnë Fabulën e La Fontenit me Dhelprën dhe Lejlekun të cilët i japin njëri tjetrit për të ngrënë në një enë në të cilën mund të hajë vetëm i zoti i enës. Pa dyshim në dhënien formë të këtyre enëve ka ndikuar edhe historia e shkruar si pjesë e ndërmarrjes së grupet të ndryshme etnike për ndërtimin e shtetit të tyre etnik. Me presionin e lojtarit të tretë, arbitrit ndërkombëtar, mundet që të ngrihet edhe në Kosovë, si në Bosnje, një grup ekspertësh me synim rishikimin i programeve shkollore të historisë me objektiv individuimin dhe eliminimin e pjesëve që nxisin urrejtjen dhe konfliktet nacionale. Por, siç thotë edhe Nietzche duke cituar Gëten në esenë e tij Mbi dobinë dhe disavantazhin e historisë për jetën: "Urrej çdo gjë që vetëm më mëson, pa ma shtuar aktivitetin apo pa ma gjallëruar atë menjëherë". Historia na lipset për aq sa i shërben jetës3. Kjo do të thotë se ne jemi të aftë të kujtojmë dhe të harrojmë njëherësh dhe se këtë proces e dikton jeta. Shqiptarëve zor se do t'u ngjallë ndonjë dëshirë më shumë për jetën një histori që nuk ushqen pasionet e tyre nacionaliste. Arbitri ndërkombëtar mund t'u imponojë atyre ta harrojnë historinë e tyre nacionaliste, në emër të jetës së përditshme, (çka mund të shkaktojë edhe një frustrim të rrezikshëm), por jo të mësojnë një tjetër lloj historie sa koh që kjo nuk u "gjallëron" shpirtin. Prandaj problemi nuk është thjeshtë të rishkruhet historia, por të ndryshojë "frymëzimi" që dikton mënyrën e shkrimit dhe leximit të saj. Çka do të thotë që metoda selektive, interpretative e saj të frymëzohet nga një tjetër shpresë/vizion për të ardhmen: i tillë që të na bëjë të shohim në të shkuarën edhe marrëdhëniet e paqes, vllazërimit dhe bashkimit e jo vetëm ato të luftrave. Vetëm një frymëzim i tillë mund ta ndryshojë "enën" duke e bërë atë të jetë edhe mjaft e thellë për sqepin e Lejlekut, por edhe mjaft e gjerë për nofullat e dhelpërs? Eksperiencë e një frymëzimi të tillë në rajon ka qenë periudha e parë e komunizmit kur shqiptarët mësonin se nëna e Skënderbeut, heroit të tyre kombëtar, ishte sllave, se në betejën e Kosovës serbët dhe shqiptarët kishin luftuar së bashku nën flamurin e krishtërimit, - gjëra që, edhe nëse figurojnë diku në tekstet e historisë, janë të fshira nga kujtesa e tyre e gjallë kolektive. Komunizmi ishte një vizion i së ardhmes mjaft frymëzues në krye të herës që, megjithë dështimin e tij mund t'i mësojë ende diçka Ballkanit në këtë drejtim. A është Evropa një vizion i rifrymëzues? Është e vërtet ëse ideja e një vizioni të përbashkët na evokon, më anë tjetër, tragjedinë e tmerrshme komuniste duke na kthyer tek idetë e liberalizmit të Karl Poperit; është e vërtetë se sekushi në këtë kontinent ka të drejtën të shtrojë pyetjen: kush jemi ne/ju që po doni të na krijoni një vision të përbashkët për të ardhmen? Por megjithatë ata intelektualë të rajonit që përpiqen të krijojnë një tjetër lloj "ene" të pranueshme si për dhelpërn edhe për lejlekun, e ndajnë një vizion të përbashkët. Ata predikojnë se hapësira ku jetojnë popuj që urrejnë njëri tjetrin (për shka se pengojnë njëri tjetrin për krijimin e shtetit të tyre etnik) duhet të shndërrohet në një hapësirë publike të përbashkët, demokratike e me të drejta të barabarta për të gjithë, ku rregullat e bashkekzistencë dhe të kulturës qytetare të respektohen nga të gjithë, ku ngarkesa politke e etno - nacionalizmit ulet nëpërmjet ndarjes së kulturës nga politika si mënyra e vetme për të shmangur dominimin e politikës nga faktori etnik. Në përfytyrimin e shumëve një hapësirë e tillë e ka modelin e vet në një Evropë të përbashkët. Mirëpo a e frymëzon Evropa reale një vizion të tillë? Po dhe Jo. Edhe Evropa ka kontradiktat e veta. Duke e menduar Evropën si një vizion i tillë gjithnjë më ka dalë përpara një fakt shqetësues. Si është e mundur që shqiptarët e shumtë që kanë jetuar në Evropë kur ka ardhur puna për të mbledhur ndihma për Kosovën nuk janë treguar asnjëherë të gatshëm të japin të holla për të ndihmuar me to ndërtimin atje të atyre vlerave që mendohet se Evropa mishëron, si bashkejtesa e diversiteteve, apo shoqëria civile, por janë treguar shumë të gatshëm të mbledhin para për të nxitur në vendet e tyre të lindjes ose të origjinës ethet e nacionalizmit dhe të luftës kundër tjetrit të ndryshëm. Nuk kam mundur të mos mendoj se edhe Evropa ka dorën e vet në këtë punë. Mjafton të shikosh përkrahësit e shumtë të Bossit, Lë Pennit, Hayderit. Mjafton të lexosh reagimin në Corriere della Sera të gazetares së njohur italiane Oriana Falaci pas 11 shtatorit: "Ç'kuptim ka të respektojmë atë që nuk na respekton? Ç'kuptim ka të mbrojmë kulturën e tyre, ose të ashtuquajturën kulturë të tyre, kur ata e përçmojnë tonën?" "Të hysh në bisedime me ta, është e pamundur. Të arsyetosh me ta, është jashtëmendsh. T'i trajtosh me zemërgjerësi ose shpirtmadhësi, është vetëvrasje." " Kush ua jep dhjetë milionët për kokë (më së paku dhjetë milionë) që duhen për të blerë biletën? T'ua japë vallë Usama Bin Ladeni me synimin e realizimit të një pushtimi që nuk qenkësh vetëm pushtim shpirtërash, por edhe pushtim trojesh? Edhe nëse mysafirët tanë janë kryekëput të pafajshëm, edhe nëse mes tyre s'ka asnjë që dashkësh të më shkatërrojë Kullën e Pizës apo Kullën e Giotto-s, asnjë që dashkësh të më vërë ferexhenë, asnjë që dashkësh të më djegë në turrën e druve të një Inkuizicioni të ri, prania e tyre mua më shqetëson. Më bën të ndihem ligsht."4 Duket se Evropa vazhdon të jetë e ndarë siç e përshkruan Hyserli më 1935 midis Evropës së "Heroizmit të arsyes" dhe Evropës "të kapluar nga lodhja"; një Evropë që, siç e tregon edhe reagimi i Falacit mundet ende ta humbasë pjesëm më të mirë të mendjes, arësyen dhe pjesëm më të mirë të zemrës, dhimbshurinë. Askush, pas 11 Shtatorit, nuk ndjehet i sigurtë se strategjive të reja të diktuara nga "lodhja" nuk do ta mbisundojnë "heroizmin e arsyes". * * *Ditën e festës kombëtare në shkollat greke bëhet një paradë dhe në krye të kësaj parade parakalon flamuri grek të cilin e mban nxënësi që ka patur rezultatet më të mira. Në vitin 1999 ndodhi që në një shkollë të Selanikut nxënësi më i mirë të ishte një shqiptar musliman, bir i një familjeje emigrantësh që jetonin prej shumë vitesh në Greqi. Djali i tyre ishte shkolluar në Greqi, madje edhe emrin prindërit ia kishin vënë Odisea. Çështja nëse ky djalë i vogël shqiptar që kishte dalë në atë vit mësimor nxënësi më i mirë i një shkolle greke ishte i denjë të mbante flamurin grek apo jo u kthye në një çështje kombëtare. Opinoni grek u nda më dysh. Personalitet të rëndësishëm të politikës greke u shprehën hapur se një jogrek nuk mund të mbante flamurin grek në ditën e festës kombëtare. Të tjerë shprehën të kundërtën, por duke formuluar idenë që e shprehu Presidenti i Greqisë i cili citoi një nga grekët e lashtë që paskësh thënë se cilido që flet gjuhën greke dhe ka kulturën greke është grek. Pra edhe sipas kësaj mbrojtjeje që iu bë shqiptarit të vogël ai mund ta mbante flamurin grek pasi kishte humbur identitetin e tij kulturor shqiptar. Ndërkaq djali i frustruar dhe i traumatizuar nuk e mbajti dot flamurin. Në vizionin tim për ballkanin 2030 unë dua të shoh një fëmijë shqiptar në Greqi që mund të mbajë flamurin grek gjithë duke e quajtur veten shqiptar dhe po ashtu një fëmijë grek në Shqipëri që mban flamurin shqiptar gjithë duke e quajtur veten grek. Dhe nëse kjo do të ndodhë apo ne do të vazhdojmë të tregojmë anakdoda të zeza me kërpurdha të helmuara, kjo do të varet nga sa "heroizëm të arësyes" do të kemi ne për ta realizuar atë. 1 Shih DR. Galia Valtchinova: Ismail Kdare's The H-File and The Making of the Homeric Verse: Variations on the Works and Lives of M. Parry and A. Lord. Përpjekja 15-16 (Tirana, 1999), pp. 13 - 38. S. Schwandner - Sievers, B. Fischer (eds) Albanian Identities: Myth and History, London: Hurst, 2002. 2 Shih: Piccoli Balcani crescono - articoli di Senada Bahto, Gian Luca Bonduri, Arian Konomi, (f. 181) Limes (Rivista italiana di geopolitica) Kosovo, il triangolo dei Balcani (3/1998). 3 Frederico Nietzsche Considerazioni inatuali, Casa Editrice sonzogno Milano, 1940, (p,115) . translated from: Nietzsches Werke Band II, Unzeitgemasse Betrachtungen; aus dem Nachlass 1873-75 Uebersetzungsrecht Vorbehalten, Leipzig, 1922 4 Corriere Della sera (Shtator 2001). --------------------------------- Do You Yahoo!? Send FREE Valentine eCards with Yahoo! Greetings! -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |