Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Godo per Kushtetuten - Gazeta TEMA

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sun Feb 3 09:34:11 EST 2002


 A vazhdoni të jeni mbështetës i fortë i asaj Kushtetute që sipas zhvillimeve aktuale duhet të ndryshohet, apo janë bërë sugjerime për t’u ndryshuar?

Unë mbështes Kushtetutën, por unë kam thënë që fill mbas bërjes së kushtetutës disa gjëra u bënë jashtë vullnetit tim atje. Nuk është tani për të larë duart, por është një fakt që unë u ngrita dhe dola nga komisioni i Kushtetutës.

 Cilat janë këto shkaqe?

Kryesisht neni mbi zgjedhjen e Presidentit. Nuk ka gjë më absurde sesa të shkruash se do të çosh dy herë popullin në zgjedhje të përgjithshme për të zgjedhur një President, i cili zgjidhet nga parlamenti duke qenë një republikë parlamentare. Këtë për të thënë të drejtën e thuri Gjinushi me ato llogaritë e tij me disa njerëz në ditën e fundit të paraqitjes së Kushtetutës në Kuvend.

 Ka pasur presione të jashtme apo faktorë të jashtëm që ndërhynë për të realizuar këtë?

Jo, kjo ishte thjesht një sajesë e socialistëve. E dini se përse?

Sepse ata thanë, Nesër ne mund të humbasim zgjedhjet, të paktën të kemi një President, i cili do t’ua ndërlikojë punën këtyre, edhe një vit më pas. Kjo ishte logjika me të cilën u bë ky nen (për Presidentin) pa menduar se mund të kthehet në bumerang, kundër teje. Kjo ishte një nga absurditet e mëdha. Ka pastaj gjëra të tjera që unë i kam pranuar atje, sepse u bënë lëshime të mëdha edhe ndaj kërkesave të mia. Nuk mund të mohohet fakti që unë kam pasur një rol me rëndësi në bërjen e Kushtetutës. Po të mos merrja pjesë edhe unë atje, socialistët do të mbeteshin fillikat të vetëm, por ishim ne 2-3 parti të së djathtës që morëm pjesë në hartimin e Kushtetutës dhe kështu arrita të paktën të vihet, në mos jo në hyrje të saj, por në preambulën e Kushtetutës, Çështja Kombëtare. Ishte një nga pikat e forta që duhet të mbroja unë si përfaqësues i Partisë Republikane.Së dyti çështja e pronës. Kam ngulur këmbë edhe për punën e Prokurorit të Përgjithshëm. Ndoshta aty kam bërë ndonjë lloj gabimi, sepse ishte një luftë personale e imja. Edhe në komisionin e Venecias kam insistuar për dy orë me radhë që Prokurori i Përgjithshëm të mos varej nga Kryeministri, sepse sipas argumenteve që mbroja unë, ky do të ishte si një lloj kobureje në dorën e Kryeministrit për të goditur në emër të korrupsionit ata që do të ishin kundërshtarë të tij. Tani koha ka nxjerrë dhe do të nxjerrë lidhur me nevojën për të amenduar Kushtetutën, por në përgjithësi ajo qëndron. Tani më flagrante se çdo gjë dhe që duhet zgjidhur para së gjithash janë dispozitat mbi Kodin Elektoral. Është zgjedhja e Presidentit duhet riparë kapitulli për Gjykatën e Lartë, janë shumë gjëra që duhen rishikuar dhe që i nxori koha. Disa janë immediate disa mund të presin në një kohë të dytë. Me këtë nuk dua të them që t’i vihemi një rishqyrtimi të Kushtetutës nga kapitulli i parë deri në fund, sepse është e vërtetë një gjë, që këta që dhanë mendimin përfundimtar për Kushtetutën tonë ishin nga juristët më të shquar të Europës, madje edhe në SHBA kishte.

Nuk ka Kushtetutë në botë që nuk ka nevojë për përmirësime. Doemos ka nevojë për përmirësime kjo kushtetuta jonë. Dua t’ju them edhe një hollësi tjetër lidhur me këtë. Unë ndihem gjithashtu disi përgjegjës për formulimin e nenit mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. E dini si rashë unë në këtë “kllapë”(grackë) që u vendos kështu? Edhe në këtë rat do të duket sikur dua të shfajësohem, por unë nuk jam jurist për nga profesioni dhe nuk mund të pretendoj kurrsesi që kam haber nga punët e Kushtetutave dhe ligjeve. Sigurisht që lexova shumë Kushtetuta, por ishte një punë prej amatori.Por këtu ishte një specialist amerikan i cili merrej me këtë punë me KQZ-të në tërë lindjen. Ishte njeri i respektuar dhe me kulturë që dukej kompetent në lëndën e vet. Ai më mbushi mendjen mua që duhet bërë kështu. Mangësia ime ishte se në ballafaqimin e ideve me këtë zotëri duhej t’i kisha thënë se në Shqipëri nuk ka ardhur ende kjo kohë. Por Kushtetutat bëhen gjithnjë duke parë në perspektivë. Tani duke se ashtu siç u formua ky KQZ krijoi probleme. Krijoi të tilla probleme sa mund të thuash se në njëfarë date ai pothuaj u bë inekzistent, sepse doli përkrah tij Gjykata Kushtetuese e cila dha po aq mandate sa edhe ky KQZ. Ka një boshllëk atje në Kushtetutë që duhet riparuar medoemos. Këto janë gjërat që duhen parë.Por meqë në fund kemi një Kushtetutë dhe kjo është gjë e mirë. Do të jetë një gjë e mirë gjithashtu që ne të vihemi dhe ta përmirësojmë këtë Kushtetutë me pëlqimin e palëve në miratimin e amendamenteve që duhet të bëhen në Kushtetutë. Unë do të thosha që të kalojmë edhe atë kourumin e 2/3, të biem të gjithë dakord, sepse është një libër i cili do të rregullojë marrëdhëniet e shqiptarëve me shtetin për një kohë të gjatë.

 Çfarë do t’u thoshit të gjithë atyre që ju kanë akuzuar gjatë kohës së hartimit të Kushtetutës apo edhe më përpara se keni bashkëpunuar me PS, sepse opozita e vërtetë nuk mori pjesë në hartimin e kësaj Kushtetute? Cila do të ishte përgjigja juaj?

Njerëzit në përgjithësi mbrohen nga kritikat por puna është se sa bindje ke kur mbrohesh nga ndonje gjë. Unë hyra atje me ato qëllime të caktuara dhe mund të them se ia u dola në krye gjërave që mbrojta unë më shumë. Dhe jam krenar për atë që është shkruar në disa nene në Kushtetutë lidhur me pronën private që unë e quaj problem themelor të këtij vendi. Socialistët kërkonin mosbashkëpunimin me mua. Unë u përpoqa t’u imponohesha dhe u imponova në shumë gjëra. Doemos diku do të bëja edhe ndonjë lëshim, psh., socialistët kundërshuan fort punën e senatit, mua nuk më prishte dhe aq punë dhe u tërhoqa fjala vjen. Nuk më duket se ka njeri të drejtë të më bëjë një kritikë të tillë. Nëse jemi të mendimit se në një vend në tranzicion dhe ku ka mbretëruar rrëmuja duhet të ketë Kushtetutë, atëherë kjo gjë bëhet e domosdoshme. Edhe sot shpesh herë opozita i referohet Kushtetutës, Partia Demokratike ka thënë se nuk e pëlqej dhe nuk e dua këtë Kushtetutë, por në të njëjtën kohë gjen ku të kapet në Kushtetutë kur shikon që forcat që janë në pushtet shkelin Kushtetutën. Edhe atyre kjo Kushtetutë u jep një kartë të fuqishme në dorë dhe nga kjo provohet edhe dobia e të paturit Kushtetutë.



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Auctions Great stuff seeking new owners! Bid now!
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list